E shtune, 27.04.2024, 01:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Avatar

E premte, 26.02.2010, 10:56 PM


AVATAR

Nga Suzana Kuqi

Dikush mund të mendojë se dua të flas për filmin, por për të u fol aq shumë e gati të gjithë vrapuan për ta parë. E kur them të gjithë.. kam parasysh vehten time sepse... sepse shfaqej në tre dimensione. Kisha parë diçka të tillë në akuariumin e Genovës, një film të përgatitur mbi krijesat që jetojnë në thellësitë e oqeaneve. Nuk e di përse, pasi askush nuk ka mundur të hyjë aq thellë, por i kishin imagjinuar si dinosaurët e lashtë fantastikë me gojë të pajisur me ato dhëmbë mrekullisht të mëdhenj e të mprehtë në majë të një qafe të hatashme që dilte nga ekrani e zgjatohej pambarimisht drejt sallës, e padashur koka ime lëvizte majtas, djathtas, prapa, ose ulej per t'u fshehur pikë për pikë siç bënin edhe kokat e tjera që ndodheshin në rradhët përpara meje.

Avatar! Mezi prisja që të dilte në kinematë e qytetit. Nuk më eci. Shkoi e doli në kinematë që ndodhen larg shtëpisë sime. Edhe nëse del një film i bukur një herë në shekull, shkon e shfaqet sa më larg, sikur ma bën për inat. Nisa e ju luta tim shoqi të më çonte në kinema, por pa dobi. Ec e ta shkulësh. Provova e ja hodha fjalën tim vëllai në prani të fejuarës së tij, më gënjeu mendja se do të gjendej ngushtë përpara saj... I ra shkurt, bëri sikur nuk më dëgjoi. Dreq o punë, të rrish e të lutësh njerëzit për të të çuar në kinema. Im bir shkoi dhe e pa me shokët, nuk më desh me vehte. Ama ma shkarkoi nga interneti dhe më së fundi... e pashë.

Më pëlqeu, por mendimi se në 3D duhej të ishte ku e ku me atë që kisha parë unë më mbeti në grykë. Për t'i prishur mendjen burrit e vë sërish që ta shikoje edhe ai. Por i bëra llogaritë gabim, e para se atij nuk ja ka kurrë qejfi të shohë një film dy herë, e dyta se... nuk i shohim njëlloj. Atij i pëlqen trama, jo se nuk më pëlqen edhe mua, do të ishte budallallëk të thoja se nuk më intereson. Por mua.... nuk më shpëton asgjë, mirë dialogjet që nuk i shpëtojnë as atij, por asgjë nga ato gjëra që atij i bëjnë vetëm një sfond e mund të mos i përfillë. Duke filluar nga muzika, veshjet (këtu duhen përjashtuar veshjet intime të femrave, por edhe këtu ma ha mendja se nuk jane veshjet por ato që lënë pa zbuluar)... Jo, nuk jam shprehur qartë. Po marr një shembull tjetër, paksi banal. Në ekran janë një çift që përqafohen e dalë ngadalë lëshohen mbi shtrat. Syri i tim shoqi sheh vetëm ata, i imi jo se nuk i sheh, i sheh dhe mirë madje, por nuk i shpëton dot as mënyra se si është ndërtuar shtrati, ngjyra e çarçafëve, jastëkëve, e vras mendjen se prej ç'farë materiali janë bërë. Mos të përmendim orenditë e tjera në dhome, madje as se çfarë ka mbi komodinë apo mbi komo, as tablloja që është varur në mur.

- Sa tabllo e bukur! - më shpëton ndonjëherë kur veshjet e çiftit fillojnë e mbulojnë tapetin e dhomës.

- Cfarë tablloje?- përgjigjet ashtu kot ai në gjendje transi.

- Shih sa e lezeçme ajo mobilja.

Nuk marr përgjigje. Kjo nuk durohet më duhet patjetër mendimi i tij...

- Pse, nuk është e lezeçme ajo mobilja në fund të dhomës? - tashmë të gjitha veshjet kanë rënë përtokë.

- Në çfarë dhome? ... Nuk e shoh,- tashmë nga zëri i tij kuptohet se është bezdisur. Ec e gjeji fillin kësaj pune në vend që të bezdisem unë...

- Sa e bukur ajo lulja pranë dritares... etj etj gjëra që syri i tij nuk i percepton dot kur sheh një film. E lëre më pastaj që mund të pretendoj se ato lule e ato pyje të mrekullueshme të Pandorës, apo ata shpendë gjigante me ato ngjyra mahnitëse ai të ketë qejf t'i shohë në 3D.

Megjithatë, për të mos më prishur qejfin mua, që po shkrihesha duke e parë filmin për së dyti në televizor, tha se i pëlqeu.

- Shkojmë e shohim në kinema?

- Po të kesh qejf...

Gati sa nuk kërceva përpjetë nga gëzimi. Të djelën e kishim pushim, do të shkonim në kinema. Të djelën mezi e prita, programova të shkonim pasdite, e shtyu për në darkë. Në darkë u kujtua se kish sport. Sport?! Me kë tallej ai, me mua!? Në kinema e mos ta bënte më fjalë, taktika e lutjeve kish mbaruar, i kisha konsumuar të gjitha mënyrat e të gjitha tipet. U hodha në sulm, në një nga ata që ... nga ata që nuk të gudulisin e bezdisin, por të çjerrin veshët. U veshëm. Vetëm për pak, për pak fare, sa të dilnim nga shtëpia, kisha vënë dorën mbi dorezën e derës, kur dëgjova një rënkim. Burri i dashur ishte palosur më dysh nga një dhimbje mesi e fortë. Gjithsesi dolëm, jo për kinema por për në urgjencë. E kaluam natën aty. Kolika renale. Vrava mendjen se përse nuk zgjodhi diçka më të lehtë për t'i shpëtuar kinemasë, por pikërisht atë që ja kalon edhe dhimbjeve të lindjes. Punë për të...një javë të tërë nuk e lëshuan.

Pas një jave, nuk desha ta bezdisja, bëra një sondazh mes kolegeve të mia. Kish mbetur vetëm njëra që nuk e kish parë filmin. I propozova të shkonim ta shihnim bashkë, tashmë filmi kish mbërritur në kinemanë që ndodhet vetëm dyqint hapa larg shtëpisë sime. I telefonova edhe kushërirës sime, që megjithëse e kam kushërirë, kam përshtypjen se burrat tanë ngjajnë më shumë në disa pika e sidomos në pikën në fjalë. Pasditen tjetër ishim të tria para kinemasë. Por kur nuk do të të ecë, nuk do dhe pikë. Pasditeve filmi nuk shfaqej në 3D sepse komuna nuk mbulonte diferencën e çmimit, sepse gjoja... etj etj...

Nuk u ktheva siç bëjnë njerëzit normalisht e të ikja, eca mbrapsht duke i parë me keqardhje ato dy gra që i kisha katandisur të më vinin pas. “Më vjen keq u thashë, por unë... o në 3D o hiç, kështu e kam parë dy herë”...As vetë nuk e di se si nuk theva qafën në pllakat e rrugës apo nuk më mbështolli ndonjë makinë. Dola në trotuarin tjetër dhe ja mbatha në shtëpi. Do të kthehesha të nesërmen në darkë, qeni qepën ta hajë...

Të nesërmen e lija turnin pikërisht në orën që fillonte filmi. Llogarita dhjetë minuta rrugë. Zakonisht filmat fillojnë me vonesë apo shfaqin ndonjë publicitet, qava atë kohë të rinisë sime që përpara filmit të jepnin për të gëlltitur si hapje ideologjike për të të shpëlarë trurin ndonjë dokumentar mbi arritjet e mahnitëshme të socializmit e të parimit mbi “mbështetjen në forcat e veta”. Kolegja më kish mbetur besnike, por edhe kusherira ime, madje kish mundur t'ja mbushte mëndjen burrit e ta tërhiqte zvarrë në kinema. Mbaroj turnin e dal me vrap. I telefonoj burrit e i them se e pres në kinema.

- Hej Zot ku më ka luajtur mendsh gruaja. Iket vetëm në kinema? Prit sa të vishem...

- Sa mirë! Eshtë dhe kushërira me ... - burrin desha të shtoja. Nuk më la ta mbaroja fjalën. Sapo e mori vesh që nuk isha vetëm:

- Nuk vij! Nuk më ka lënë mendja të dal e të shoh atë farë filmi!

Punë për të. Nuk ja ndryshoj dot shijen.



..........

Pas afro dy javësh:



- Ke bërë ndonjë gjë të bukur sot?

- Të bukur? C'gjë të bukur, gjithë ditën në shtëpi.

- Jo ashtu kot, meqë e kishe pushim thashë se mos kishe shkruar.

- Një budallallëk të vogël, po deshe lexoje. Jo jo më mirë mos e lexo.

- Hape kompjuterin, sa të marr një birrë...

Tashmë e di se funksionon kështu. Po t'i them lexoje, me siguri do të jetë i lodhur. Megjithëse ajo fjala budallallëk... ç'ti bësh, tim shoqi i pëlqejnë budallallëqet që shkruaj, ashtu sikurse nuk i pëlqejnë fare poezitë e mia. Bëj sikur merrem me ndonjë punë sa ai e mbaron së lexuari.

- Si t'u duk?- pyes me zë mospërfillës, duke fshehur ndrojën se mos e ka marrë ters atë punën e sëmundjes, fundja dhimbjet ishin të tijat.

- Bukur!

- Ashtu, cila pjesë të pëlqeu më shumë?

- Të gjitha të bukura ishin, veçse i mungon ajo pika mbi “i”.

- Pika mbi “i”!?

- Zakonisht këtyre lloj shkrimeve ti u vë një pikë mbi “i”. Këtu mungon.

E lashë, fillova të merrem seriozisht me përgatitjen e darkës. Pika mbi “i”... mirë që mungon pika po “i”- ja, kush është sipas tij e ku ta gjej unë?

E nuk e kam gjetur akoma, e ndoshta nuk kam për ta gjetur asnjëherë. Për tani po e lë kështu. Kur ta gjej, nëse e gjej atë “i”-në e shkretë... flasim sërish.


(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora