Shtesë » Lajme
300 milion eurot e fshehura te Albtelekomit
E premte, 12.10.2007, 11:29 PM
Shkruan : Ervin Qafmolla
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 1999, pas deklaratave të shumta politike shpresëdhënëse, Kancelari gjerman Gerhard Shrëder, deklaroi në një prej fjalive përmbyllëse të deklaratës, se Gjermania kërkonte Albtelekomin. Por Telekomi shqiptar nuk ishte ende gati për privatizim në ato kohë, ndërsa vendi i kish ende të freskëta plagët e trazirave të ’97-ës. Vite, më vonë në 2005-ën, një konsorcium turk, gati anonim, u bë blerësi i ri i Albtelekomit, përmes një procesi të shumëkritikuar e të përfolur për korrupsion nga qeveri e opozitë bashkë, me akuza që mbetën të njëjta, por thjesht ndërruan kah dhe autorësi pas zgjedhjeve të korrikut 2005. Në fund të muajit qershor 2007, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, nënshkroi kontratën me Ahmet Calik për blerjen e 76% të aksioneve të Albtelekomit nga firma turke, për 120 milionë euro.
Ndërkaq, investigime të javëve të fundit, të kryera nga “MAPO”, kanë nxjerrë në pah detajet më të errëta të kësaj afere dhe humbjes që i është bërë shtetit shqiptar nga ujdia me firmën turke, ku së fundmi, drejtor i Përgjithshëm u emërua dhëndëri i Erdoganit. Qeveria shqiptare i ka kushtuar buxhetit të shtetit, qytetarëve të saj dhe investimeve në vend, plot 200 milionë dollarë, duke shpërfillur një ofertë alternative nga ajo e turqve të Calik Enerji për blerjen e Albtelekomit.
Kësaj radhe oferta ka ardhur nga Gjermania, nga një firmë që quhet Axos Capital, e cila, sipas të gjitha gjasave ka si partner strategjik gjigandin Deutsche Telecom. Nga burime të revistës pranë institucioneve më të larta qeveritare, është mundësuar sigurimi i një dokumentacioni të bollshëm dhe informacioni shtesë, ku rezulton se gjermanët kanë ofruar plot 320 milionë euro për blerjen e Albtelekomit, çka përkthehet në 200 milionë euro më shumë se oferta e turqve.
Ky informacion pasurohet edhe me një axhendë të ngjeshur kontaktesh direkte me Axos. Revista kontaktoi Axos, me seli në Hamburg, nga e cila mori konfirmimin se ata kishin shprehur interes për blerjen e Albtelekomit, duke paraqitur një ofertë zyrtare për qeverinë shqiptare, e cila nuk ishte marrë parasysh. Ndërkaq, burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se përfaqësuesit e firmës gjermane kanë zhvilluar disa takime në Tiranë me Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrat, Ruli, Olldashi e Basha.
Në këto takime, përfaqësuesit e Axos i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të marrë parasysh të gjitha parregullsitë e Calik Enerji në tenderin për Albtelekomin, si dhe paaftësinë e turqve për të përmbushur kushtet e tenderit, deri në muajt e parë të këtij viti. Ndërkaq, oferta është dërguar zyrtarisht me fax dhe email.
Në një prej këtyre takimeve, gjatë paraqitjes zyrtare të ofertës në prani të Berishës dhe Rulit, ka qenë i pranishëm në të njëjtën tavolinë, si anëtar bordi i Axos, Volker Rühe, ish ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë, i CDU-së, anëtar i Bundestagut gjerman nga viti 1976 deri në 2005-ën, bashkë me përfaqësues të tjerë të firmës gjermane. Axos i ka kërkuar qeverisë shqiptare të marrë në dorë situatën, duke marrë parasysh edhe auditin e Deloitte mbi procesin e privatizimit të telekomit shqiptar, i cili, praktikisht e bën të pavlefshme kontratën me turqit. Por, qeveria thjesht u tërhoq, pas disa premtimeve fillestare, edhe këto të detyruara nga oferta superiore prej 320 milionë eurosh të gjermanëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një humbje prej 200 milionë eurosh, nëse merret parasysh oferta prej 120 milionë eurosh e Calik Enerji.
Oferta e Axos, prej 320 milionë eurosh, prej të cilave 160 milionët e para, investim fillestar direkt dhe një investim shtesë prej 160 milionë eurosh në zhvillimin e infrastrukturës së telekomunikacionit në vend, kontraston me ofertën prej 120 milionë euro të Calik. Çka përkthehet në 200 milionë euro më shumë, rreth 4 herë sa buxheti i BE-së për Shqipërinë. Arsyet e refuzimit të palës shqiptare nuk mund të gjenden apo të thuhen formalisht, por janë të thjeshta për t’u marrë me mend.
Rekursi diplomatik
“MAPO” ka mundur të mësojë se çështja “Axos” iu bë menjëherë e ditur komisionerit Olli Rehn, si dhe Kancelares gjermane Anxhela Merkel dhe ministrit të Ekonomisë, Michael Glos. Në prill të këtij viti, ministri gjerman i Ekonomisë i kërkoi qeverisë shqiptare trajtim të drejtë të çështjes, ndërsa në maj, Komisioni Evropian dhe qeveria amerikane (disa nga investitorët e Axos janë firma nga SHBA) njoftohen mbi skandalin dhe fillojnë hetimet përkatëse, të cilat janë ende në proces. Kjo do të thotë se përfundimet e këtyre institucioneve mund të kenë pasoja të hidhura për qeverinë, të cilat mund të shndërrohen edhe në efekte negative për vendin.
Ndërkaq, përfaqësues të Komisionit Evropian, në një takim me përfaqësues të qeverisë shqiptare gjatë një takimi të kohëve të fundit mbi këtë çështje, përmes një ligjërate tejet formale dhe diplomatike, shprehën mbështetjen e tyre të fortë për një proces privatizimi të hapur dhe të ndershëm, duke i kërkuar qeverisë shqiptare një raport të detajuar mbi privatizimin e Albtelekomit.
Por, qeveria shqiptare nuk ia ka dorëzuar zyrtarisht raportin e auditit të Deloitte, zyrtarëve të Brukselit, për arsye që mund të merren me mend.
Oferta gjermane
Në ofertën e paraqitur, Axos ka për qëllim ta zhvillojë Albtelekomin në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. Albtelekomi parashikohet të ofrojë shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile (GSM dhe WiMax) për 50% të popullatës deri në vitin 2012. Marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit (telefonisë fikse për 100 banorë) nga niveli 8% që është sot në 25% brenda 5 vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti WiMax, duke qenë se licenca për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Gjithashtu, parashikohet reduktimi i listës së pritjes për t’u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roamingut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Rritja vjetore e biznesit parashikohet në 15%, ndërsa konkurrenca në treg do të pësonte një rritje të ndjeshme. Nga ana tjetër, firma zotohet se do të jetë në gjendje të lidhë në rrjetin e saj të telefonisë fikse rreth 120 mijë konsumatorë në vit. Duke folur për partnerin e saj strategjik, Axos thotë se bëhet fjalë për një operator lider në tregun evropian, duke theksuar se partneri rezervon të drejtën e blerjes së shumicës së aksioneve të Albtelekomit. Pas blerjes së 76% të aksioneve të Albtelekomit, Axos dhe partnerët e saj, rezervojnë të drejtën e blerjes së 24% të aksioneve që mbeten në pronësi të shtetit, pas blerjes fillestare. Investimi për blerjen arrin një total prej 320 milionë eurosh, nga të cilat 160 milionë shkojnë për blerjen e 76% të aksioneve, ndërsa 160 milionët e tjera do të investohen deri në vitin 2012. Pagesa do të ndahet në faza. Faza e parë parashikon pagimin e 25% të vlerës, në datën e mbylljes së kontratës, 50% do të paguhet 60 ditë më pas, ndërsa 25% që mbetet, do të paguhet 120 ditë pas mbylljes së kontratës.
Telekomi u shit për “2 lek”
Nga ana financiare, ky privatizim duekt si një marrëveshje e paprecedent. Duke marrë parasysh fitimin e shoqërisë prej 20 milionë dollarësh dy vitet e fundit, Calik po e blen telekomin shqiptar për 120 milionë euro, por me 20 milionë dollarë brenda. Pjesa tjetër është vlera e aseteve ekzistuese të shoqërisë shqiptare të telefonisë dhe më në fund mbetet vlera që Calik e paguan vërtet. Në fakt, fitimi i këtij viti llogaritet në fillim të 2008-ës, dhe orientimi i tij varet nga bordi i Albtelecom, i cili vitin që vjen do të flasë turqisht. Kjo situatë privatizimi, paraqitet e pakrahasueshme ndër 28 privatizime telekomesh në Evropë. Vlera e aseteve të paluajtshme të Albtelekomit llogaritet në 107 milionë euro, inventari total i materialeve dhe pajisjeve vlerësohet në 4 milionë euro, aktivet qarkulluese llogariten në gati 74 milionë euro dhe paratë cash 19 milionë euro. Kjo do të thotë se totali i aseteve të Albteleko
mit, llogaritet në 206 milionë euro, çka po blihen nga turqit e Calik Enerji, ku drejtor është dhëndëri i Erdoganit, për 120 milionë euro. Kjo është një tjetër shkelje e hapur në privatizimin e telekomit shqiptar, i cili sipas vlerësimeve ndërkombëtare, llogaritet të ketë një vlerë nga 300-550 milionë euro. Ndërkaq, është e sigurt tashmë se me injorimin e ofertës prej 320 milionë eurosh nga Axos Capital, qeveria i ka kushtuar vendit një humbje prej të paktën 200 milionë eurosh.
Shthurja pas Nanos
Fillesat politike të ngrirjes së kontratës së shitjes, kanë dhënë gjithashtu një kontribut vendimtar, jo vetëm në krijimin e një imazhi të pakëndshëm mbi marrëveshjen me turqit, por dhe mbi vetë shoqërinë. Pezullimi i një kontrate dypalëshe, fillimisht nëpërmjet deklaratave të ashpra politike (problemet filluan me ardhjen e PD-së në pushtet) dhe përshkallëzimi i konfliktit në terma teknikë me anë të auditit të Deloitte, e bëjnë Albtelekomin, një shoqëri jo fort tërheqëse për investitorë të tjerë të mundshëm, përveç Calik-ut. Në fakt, Kryeministri Sali Berisha, u mundua ta ripërtërinte ujdinë "e ngrirë" Nano-Erdogan, nëpërmjet një marrëveshjeje Berisha-Erdogan, pas një takimi që zhvilloi me homologun turk në Ankara. Por, Berisha u tregua i vonuar në rregullimin e moralit të marrëveshjes që ai vetë e quajti "korruptive" në gjenezën e saj. Sakaq, kishin dalë në pah "detaje teknike" që e bënin eventualisht të vështirë një ndreqje të atypëratyshme të marrëveshjes së Nanos. Në fakt, shkeljet e shumta të evidentuara gjatë procedurave të tenderit dhe favorizimi publik nga ish kryeministri socialist i ofertës së Calik, vlerësohen si arsyet kryesore që dekurajuan blerësit e tjerë të mundshëm.
Ministri i Ekonomisë, tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ishte ndër kundërshtarët më të ashpër të kontratës me Calik-un, duke ushtruar presion deri në moment të fundit mbi turqit, përkundër bujarisë politike të Berishës. Ai vazhdimisht theksoi dy handikapet themelore të marrëveshjes: turqit duhet të fillojnë të marrin pak erë nga telefoni dhe të heqin dorë nga roamingu i brendshëm. Kritere këto që u përmbushën me shumë vështirësi nga Calik në fund të muajit maj 2007, pas dy shtyrjesh të pajustifikuara të afatit final të përmbushjes së kushteve, nga vetë Ruli.
Një tjetër pikë që paraqet interes është vonesa e ratifikimit në parlament të marrëveshjes së qeverisë shqiptare me Calik Enerji për blerjen e 76% të aksioneve të telekomit shqiptar. Vonesë, që sipas Genc Rulit, automatikisht rrëzon kontratën mes palëve. Në këto kushte, Ruli e konsideroi auditin e Deloitte, si një rekuizitë mbështetëse të një vendimi të pakthyeshëm. "Kjo çështje ka marrë fund", deklaroi ai gjatë një seance parlamentare, duke folur mbi rrëzimin e marrëveshjes me turqit, sigurisht pa e ditur se ç'deklaratë do të lëshonte shefi i tij në Turqi. Ndërkaq edhe socialistët, një pjesë prej të cilëve nuk ishin dakord për lëshimin e Albtelekomit në duart e turqve, nuk kanë treguar ndonjë tifozllëk të veçantë as për rrëzimin e marrëveshjes, as për ripërtëritjen e mundshme të saj, por kanë përfituar nga inkoherenca e deklaratave të Kryeministrit shqiptar e nga argumentet që flasin për një përfshirje korruptive të politikës në këtë kontratë.