Shtesë » Lajme
"Ushtria" me 5 mijë prostituta "pushton" kryeqytetin, Tiranën
E hene, 01.10.2007, 05:39 PM
MARIGLEN MULLAI
Për 18 muaj dyfishohet numri, kategoritë dhe luhatjet e çmimit
Në një vit e gjysmë numri i prostitutave që “punojnë” në kryeqytet është dyfishuar. Konstatimin e ka bërë zyra e Antitrafikëve në Policinë e Shtetit, e cila muajt e fundit grumbulloi informacione rreth dyndjes së tejskajshme në Tiranë të prostitutave nga rrethet, duke ndikuar vrullshëm në uljen e çmimit për një akt seksual si dhe në shtimin e ambienteve që shfrytëzohen për femrat që ushtrojnë profesionin më të vjetër të botës.
Shtimi "i konkurrencës"
Nëse para 18-muajsh numri i prostitutave llogaritej në 2500, ditët e fundit mendohet se të mbledhura së bashku ato formojnë “ushtrinë” prej 5 mijë femrash që mbipopullojnë hotelet, shtëpitë, makinat apo vendet e hapura për më të varfrit. Shqetësimi për shtimin e prostitutave në kryeqytet, është bërë publik para disa muajsh nga zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi, e cila përveçse theksoi se prostitucioni ishte rritur me 28 për qind, parashtroi edhe një strategji për ta luftuar këtë fenomen, i cili mesa duket nuk është parandaluar.
Ditët e fundit Antitrafikët kanë arrestuar disa prostituta në kryeqytet, ndërsa pas përpunimit të të gjitha të dhënave, është bërë ndarja e prostitutave në katër kategori. Mosha e tyre varion nga 13 deri në 55 vjeçe, ndërsa fenomeni ka marrë përmasa më të mëdha edhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.
Ulja e çmimit
Deri para dy vitesh, sipas të gjitha statistikave policore, pazari i fundit i një prostitute shkonte deri në 20 mijë lekë të vjetra. Tek kjo kategori përfshihen femrat që punojnë në qendër të Tiranës, të cilat e mbyllin vetë pazarin me klientin.
Ndërsa në ditët e sotme policia e Tiranës ka arrestuar femra që një akt seksual e vlerësojnë vetëm 10 mijë lekë të vjetra.
Ndërsa si çmim më i lartë është konstatuar një vajzë që merrte 300 euro, e cila u kap në Laprakë.
Kategoritë
Nga grumbullimi i të gjitha rasteve të zbuluara dhe atyre që janë në hetim, prostitutat ndahen në 4 kategori. E para përmbledh femrat që rrinë në hotel dhe presin klientët, teksa këta të fundit paguajnë tek sekserët, ndërsa çmimi e kalon shifrën e 20 mijë lekëve të vjetra. Këtu përfshihen edhe femrat-taksi, ku linja nis me sekserin, vijon me taksistin që i dërgon në hotel dhe përfundon me pronarët e godinës dhe prostitutën.
Kategoria e dytë përmban prostitutat e rrugëve, të cilat e mbyllin vetë pazarin dhe marrin vetëm 10 mijë lekë të vjetra.
Në kategorinë e tretë grumbullohen femrat që e ushtrojnë profesionin në katet e dyta të bizneseve të vogla, ku maskimi është perfekt dhe klienti paraqitet për të blerë diçka, të cilën e merr sipër. Këtu përfshihen edhe prostitutat që mbahen në banesa të ndryshme (apartamente dhe shtëpi private) dhe këto raste janë konstatuar nga denoncime fqinjësh për zhurma, por ndërhyrja e policisë vështirësohet, pasi dalin pretendime të ndryshme nga pronarët e shtëpive.
Pjesa tjetër përfshin prostitutat e internetit, të cilat përbëjnë modën më të fundit dhe më të pazbulueshmen nga blutë, pasi anonimati është i garantuar.
Nëse do klasifikoheshin prostitutat-klas, nuk do kishte vend për interpretime, pasi metodat e tyre konsistojnë në zhvatjen e 1000 eurove e lart për klientë të huaj apo VIP-a shqiptarë të politikës e biznesit, teksa disa nga këto femra bëjnë pjesë në shtresën e lartë shoqërore.
Rruga
Lufta e ashpër për territorin
Rrugët janë vendi më i përshtatshëm i femrave me probleme të shumta familjare dhe ekonomike, të cilat përpiqen të nxjerrin bukën e gojës me punën e tyre. Në skedat e policisë me lehtësi dallohen dhjetëra raste të tilla, ndërsa aktualisht, në një orë survejim agjentët civilë të Antitrafikëve arrijnë të dallojnë të paktën 10 prostituta vetëm në një sipërfaqe të vogël në qendër të kryeqytetit. Gra rome dhe disa të tjera, prej vitesh kanë “zaptuar” territorin dhe madje janë denoncuar zënka të rënda mes tyre, kur një e panjohur shkel në tokën e tyre. Kjo kategori femrash nuk e kalon shifrën e 10 mijë lekëve të vjetra për një akt seksual, ndërsa klientët përgjithësisht janë të moshës nga 50 deri në 70 vjeç, pensionistë që përveç dominove shfrytëzojnë hapësira të tjera argëtimi.
Hoteli
Parajsa e përjetshme e prostitutave
Hoteli mbetet edhe sot “toka e bekuar” e prostitutave. Një numër aq i madh, saqë policisë së Tiranës, vitin e kaluar i është dashur një punë kolosale, për të zbuluar disa prej tyre. Zinxhiri i kësaj linje prostitucioni ka disa hallka, ndërsa më klasiket vijojnë të mbeten prostituta, sekseri dhe pronari i hotelit. Klientët përgjithësisht informohen nga sekserët dhe nami që i ka dalë hotelit, ndërsa së fundmi është vërejtur shtimi i taksistëve në këtë linjë. Ata i marrin prostitutat dhe i dërgojnë në hotele, duke përfituar pjesën e tyre të të hollave. Çmimi më i ulët i konstatuar për një akt seksual shkon në 20 mijë lekë të vjetra, por femrat që punojnë aty zakonisht janë të përzgjedhura më parë. Ditët e fundit u kap një lushnjar 25 vjeç që mbante të shoqen si prostitutë dhe klientët ia gjente për 20 mijë lekë të vjetra.
Lokalet e shtëpitë
Maskimi i përkryer për femrat
Së fundmi policia e Tiranës ka zbuluar me raste konkrete edhe një tjetër linjë prostitucioni, i cili konsiderohet si më i maskuari. Biznese të vogla, që kanë edhe një kat të dytë e shfrytëzojnë këtë hapësirë për të fituar para shtesë. Në dosjet policore janë verifikuar raste kur klientët paraqiten në dyqane për të blerë artikuj të ndryshëm dhe zhduken për disa minuta. Ndërkaq, shtëpi është një tjetër vend ku femrat ushtrojnë prostitucion. Banesa me qira apo shtëpi private strehojnë të tilla punonjëse. Ka pasur arrestime të kësaj natyre, por për shkak të mosshkeljes së privatësisë së personit, nuk janë bërë publike. Ky fenomen është përhapur edhe në qytete si Korça, Durrësi, Fieri dhe Elbasani, ndërsa policia po shfrytëzon hapësirat për të zbuluar përgjegjësit.
Prostitutat-klas
"Molla e ndaluar” për policinë
Në internet gjenden fare lehtë vajza që pranojnë të kalojnë natën në këmbim të shumave marramendëse. Femrat moderne të ditëve të sotme, kryesisht në moshë të re kanë gjetur metodën më të fshehtë dhe më të rehatshme për të fituar para. Ulur para kompjuterit, me një emër të rremë ato joshin klientët e tyre. Çmimet janë kryesisht të larta që e kalojnë shifrën e 50 mijë lekëve të vjetra, ndërsa shtresa e prostitutave super të shtrenjta nuk është gjurmuar ndonjëherë nga policia, për shkak të natyrës së përthithjes së klientelës. Kjo e fundit përmban meshkuj të moshave sipër 30 vjeç, shqiptarë VIP-a e biznesmenë apo të huaj. Ato marrin të paktën 1000 euro për një natë, ndërsa pas konstatimeve të rralla nga policia, këto raste nuk janë hetuar, për shkak se klienti ka rezultuar figurë e njohur.
Zëvendësministrja Iva Zajmi
"Prostitucioni në vend është rritur 28 për qind"
Më 16 janar të vitit të kaluar, zv/ministrja Iva Zajmi tha se të paktën 28 për qind më tepër është rritur shkalla e prostitucionit në vendin tonë. Gjatë një konference për shtyp ajo dha shembuj konkretë të rrëmbimeve të vajzave, ndërsa trafiku i qenieve njerëzore në përgjithësi, sipas Zajmit është ulur ndjeshëm në krahasim me vendet e tjera.
Sipas të dhënave nga ky dikaster, prostitutat në Shqipëri fitojnë të ardhura të shumta, ndërsa OJQ-të nuk janë korrekte në raportimin e shifrave të këtyre fenomeneve negative. Zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi, koordinatore kombëtare e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore dha disa prej rasteve të rrëmbimit të vajzave për arsye prostitucioni të mbetura në tentative dhe të zbuluara nga forcat e Ministrisë së Brendshme për periudhën shtator 2005–janar 2006. Për periudhën shtator 2005–janar 2006 janë zbuluar 22 vepra penale me 33 autorë, nga të cilët 24 autorë të ndaluar-arrestuar, 7 autorë në kërkim, si dhe 2 autorë në gjendje të lirë dhe 6 autorë të kapur, të cilët ishin shpallur në kërkim.
Zajmi tha se, "Nga analiza e të dhënave rezulton, se në kohët e fundit tendenca e trafikimit të qenieve njerëzore është në rënie në drejtimet nga Shqipëria në vende të tjera. Mbetet përsëri problem shfrytëzimi i trafikut të njerëzve brenda për brenda vendit. Mund të themi se aktualisht Shqipëria nuk është më vend tranzicioni për viktima të trafikut të ardhura nga vende të tjera, me drejtim vendet anëtare të BE-së".