Shtesë » Lajme
Masakra më e madhe e vitit 1997, rihapet dosja
E shtune, 15.09.2007, 10:46 PM
Fier, shpluhuroset dosja e Levanit, ku u vranë 24 veta në dy orë
Një dekadë pas masakrës së 28 marsit 1997, në Levan të Fierit, ku humbën jetën 24 persona, dosja e ngjarjes del nga raftet me pluhur. E pahetuar asnjëherë më parë, dosja e masakrës së Levanit ka shkuar tashmë në tryezat e punës së krerëve më të lartë të Drejtorisë së Policisë Fier dhe me të do të merret posaçërisht Seksioni i Antiterrorit në këtë drejtori. Faktet tronditëse të masakrës më të madhe të shënuar gjatë vitit 1997 janë paraqitur deri tani shumë të turbullta dhe kjo vetëm në bashkëbisedimet e tavolinave, ndërsa autoritetet shtetërore nuk kanë zhvilluar asnjëherë hetime të mirëfillta, por kanë futur në dosje të dhënat që qarkullonin ato ditë të turbullta në Fier dhe disa dëshmi të romëve, të cilët u konsideruan autorë të krimit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Qarkut Fier, Halit Murataj, në një prononcimin për gazetën "Shqip" ka thënë se "krahas udhëzimeve nga Ministria e Brendshme për të zbardhur ngjarjet e vjetra, që deri më sot kanë mbetur pa autor, ne si drejtori kemi zgjedhur edhe ngjarjen e marsit të vitit 1997, në Levan. Dua të them se është i vështirë sigurimi i provave të nevojshme për zbardhjen e kësaj masakre".
Halit Murtaj thotë se provat e dokumentuara kanë qenë të pakta dhe të mbuluara nga dyshime të shumta. Është shumë e vështirë që të mund të deklarohet se kush gjuajti mbi një person e jo më të mendosh mbi shumë persona, që u vranë në atë ngjarje. Duke qenë se jemi në mbledhjet e provave dhe dokumentimit të tyre, them se është pak e vështirë dhe shumë herët për të folur për zbardhjen përfundimtare. Bëhet fjalë për më shumë se 100 të shtëna armësh, të cilave u duhet gjetur autori dhe viktima.
Por, numri dy i policisë thotë gjithashtu se arrestime të bujshme do të pasojnë nga zbardhja e kësaj dosjeje 10-vjeçare, duke nënkuptuar se policia ka tashmë një listë të dyshuarish për masakrën. Ai nuk ka pranuar të japë ndonjë detaj më shumë lidhur mbi dyshimet e autorësisë së atij skenari lufte, por ka shprehur se është një nga ngjarjet më të vështira, e cila duhet pranuar se më parë nuk ka pasur hetim.
Në bashkëbisedimin zyrtar me titullarin e policisë së Fierit kuptohet qartë se dosja është mbyllur vetëm pak ditë pas ngjarjes, nga vetë drejtuesit e atëhershëm të Komisariatit të Policisë Fier dhe fizikisht nuk është hapur më asnjëherë, deri pak javë më parë.
Ndërkohë, një mbledhje e zhvilluar me krerët e komisariateve vartëse të Drejtorisë së Policisë Fier, ata të Ballshit dhe të Lushnjës, ka çuar në rihapjen e kësaj dosjeje. Ky fakt konfirmohet zyrtarisht jo vetëm nga Drejtoria e Policisë së Fierit, por edhe nga komisariatet. Nuk bëhet e ditur lidhja mes masakrës së Levanit dhe qytetit të Ballshit, por burime zyrtare nga komisariati i këtij qyteti tregojnë se "po punojmë paralelisht me inspektorët e Antiterrorit në Drejtorinë e Policisë Fier, pikërisht për masakrën e Levanit. Fakte të reja, të cilat vijnë nga Ballshi, përputhen në kohë e rrethana me ato pak të regjistruara në ato ditë marsi".
Zyrtarisht në Prokurorinë e Rrethit të Fierit nuk ka dosje për masakrën e Levanit, e cila mund të ishte në proces hetimor prej institucionit të akuzës. Kreu i Prokurorisë së Fierit, Ervin Bokaj, ka deklaruar për "Shqip" se "dosja e saj ka ardhur në prokurori dhe kjo faktohet nga procesverbalet dhe raportet e shqyrtuara shumë vite më parë. Por shumë shpejt dosja i është rikthyer për mungesë provash Komisariatit të Policisë Fier".
Prokuroria e Fierit po punon aktualisht për hetimin e një sërë ngjarjesh të vitit 1997, përfshi këtu edhe ato ngjarje që janë përkufizuar si të ndodhura në kohën e trazirave.
Shifra
Nga burimet policore konfirmohet se në masakrën e Levanit u shënuan 21 të vdekur, ndërsa vetë romët dhe burimet zyrtare të spitalit të Fierit flasin për 24 viktima, tre prej të cilëve romë dhe 12 të plagosur
Lagjja e romëve ishte bërë gati për luftë më 26 mars
Dy ditë para masakrës, në lagjen e romëve u vranë dy të rinj. Lulëzim Çela dhe Lefter Tushollari u qëlluan në qendër të lagjes, pranë "lokalit të Demos", në brendësi të një bilardoje. Sipas të dhënave të policisë, disa persona me maska janë shfaqur në derën e bilardos dhe kanë gjuajtur me breshëri automatikësh mbi dy të rinjtë, duke i lënë të vdekur në vend. Pas kësaj ngjarjeje burrat dhe djemtë e lagjes me 500 familje rome u armatosën deri në dhëmbë. Armët u siguruan në dy reparte ushtarake, që ndodhen vetëm 1 kilometër larg nga kjo lagje. Ngjarja e 26 marsit bëri që disa nga fiset rome të evakuonin gratë dhe fëmijët. Më 28 mars lagjja dukej sikur ishte përgatitur për luftë. Mbrëmjen e asaj dite, arena e luftimeve u bë përsëri lokali i Demos, kryeplakut të lagjes rome. Lokali me pesë dritare qëndron ende në mes të lagjes dhe mban mbi mure edhe shenjat e asaj masakre. Tani, pas dhjetë vjetësh, disa banorë të lagjes tregojnë se pasditen e datës 28 mars të vitit 1997 një grup me mbi 15 persona të armatosur zbarkoi në fshat me katër automjete. Në një kthinë pak metra larg nga lokali i Demos, ata kanë gjuajtur në drejtime të ndryshme për nga banesat. Krismat bënë që të gjithë ata që mund të mbanin armë të mblidheshin te sheshi në qendër. Tafil Kazanxhi thotë se edhe sot burrat e lagjes mblidhen me komandë nëse ndiejnë rrezik. Sipas dëshmitarëve okularë, makinat kanë ndaluar në atë kthesë dhe prej andej ka dalë një person që njihej nga përfaqësuesit e romëve. Aty janë ulur disa nga armët e romëve dhe përtej dritareve të banesave shumë dyfekë rrinin ngrehur. "Mysafirët" kanë hyrë së bashku me disa romë në brendësi të lokalit të Demos. Qëndrimi i tyre aty ka qenë miqësor vetëm për 10 minuta dhe më pas është dëgjuar një breshëri automatiku. "Ata kërkuan miqësisht municione. Ishin të dehur dhe si të droguar. Edhe kur ecnin nga makina në drejtim të lokalit të jepnin përshtypjen se diçka nuk shkonte tek ata. Nuk kishin frikë, por seç prisnin. Pinin cigare të shtrenjta dhe ishin të zhvilluar si trupa". Përplasja mes vizitorëve që nuk priteshin në lagjen rome me kundërshtarët e tyre ka nisur në lokalin e Demos dhe ka vazhduar në sheshin përpara tij. Ata kishin kërkuar armë e municione, por kur Demoja, kryeplaku i lagjes, kishte refuzuar, ata e kishin gjuajtur me armë. Me të dëgjuar krismat, romët e tjerë nisën të gjuajnë në drejtim të lokalit, nga dritaret e të cilit kundërpërgjigjeshin edhe mysafirët. Tre romët e vetëm që gjendeshin në brendësi të lokalit arritën të largoheshin së bashku me Demon e plagosur, nëpërmjet një bunkeri që ndodhej nën lokal, duke lënë të lirë të afërmit e tyre që të gjuanin mbi "mysafirët" e paftuar. Shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur afro 2 orë dhe në përfundim janë numëruar 24 të vdekur, tre prej të cilëve vendas dhe 12 të plagosur.
Në lagjen e romëve u vranë më të fortët e Jugut
Mbrëmjen e 28 majit 1997, kur gjysma e Shqipërisë ishte nën pushtetin e bandave të armatosura dhe gjysma tjetër ndodhej në gjendje shtetrrethimi, në Levan të Fierit, në një territor neutral, ku kishte edhe policë edhe banditë, ndodhi masakra më e madhe e vitit të mbrapshtë. 24 veta u vranë në një lokal të vogël, mes të cilëve edhe dy të mitur, 13 dhe 17 vjeç. Shumica e atyre që u vranë ishin "personalitete" të botës së krimit. Njerëz me precedentë penalë, që kishin provuar burgjet edhe në kohën e diktaturës. Ishte një bandë e madhe, ku bënin pjesë fierakë, tepelenas, vlonjatë, beratas, tiranas e shkodranë. Asnjëherë nuk u saktësuan rrethanat e ngjarjes, por autorë të krimit u konsideruan burrat e lagjes së arixhinjve në Levan, nga të cilët pati edhe tri viktima. Njerëzit me ngjyrë kishin fatin e keq, që pranë vendbanimit të tyre ndodhej një nga rezervat më të mëdha të armëve në zonë. Duke përfituar nga trazirat, ata kishin zbrazur depot e ushtrisë dhe ishin bërë pronarë të një arsenali të lakmueshëm nga çdo bandë kriminale. Pikërisht për armë u tha se morën rrugën për Levan anëtarët e bandës së Feles, që në pak kohë kishte bërë emër në të gjithë jugun.
TË VRARËT
Ferdinand Sali Nanaj (Felja), nga Memaliaj
Adriatik Shehu, nga Memaliaj
Abaz Xhelo Bara, nga Qesarati i Tepelenës
Roland Komira, nga Gjirokastra
Dritan Nanaj, nga Gjirokastra
Luan Bedaj, nga Tepelena
Petrit Madallozi (Titi i Rukies), nga Tepelena
Astrit Duraj, nga Tepelena
Medi Aziz Backa (Buç Backa), nga Zhupani i Fieri
Astrit Selaci (Tit Selaci), nga Fieri
Edmond Pano, nga Fieri
Sokol Muka, nga Vlora
Kastriot Muka, nga Vlora
Petrit Muka, nga Vlora
Islam Kazanxhiu, nga Levani
Memet Selimaj, nga Levani
Fredi Selimaj, nga Levani
Katër persona nuk janë identifikuar