Shtesë » Lajme
Kosova sjell urgjent ne Tirane zëvendësshefn e CIA-s
E hene, 10.09.2007, 07:19 PM
Nga Florenc Bakillari
Tiranë - Numri dy i CIA-s ka vizituar “flesh” dy ditë më parë vendin tonë, me ftesë të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Zyrtari i lartë i SHBA-së ka zbritur pasditen e së premtes në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Burime të sigurta bëjnë të ditur se zëvendësdrejtori i CIA-s, Stiven Kappes, ka vizituar Shqipërinë në një fshehtësi mjaft të madhe. Mbi 100 agjentë amerikanë kanë siguruar vizitën e zëvendësshefit të tyre. Burime të sigurta thanë për gazetën “Albania” se të mërkurën në Shqipëri ka ardhur një avion transporti, që solli makinat me të cilat do të lëvizte Kappes. Ai është takuar dy ditë më parë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, si dhe me kryeministrin Sali Berisha. Burimet saktësuan se tema e bisedimeve ka qenë çështja e Kosovës dhe situata e ndërlikuar pas deklaratave të Serbisë. Po kështu, numri dy i CIA-s ka biseduar edhe për luftën kundër terrorizmit, ku vendi ynë është rreshtuar në krah të shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kappes, përveç truprojave të shumta, ka pasur me vete edhe një staf minimal pune. Madje, dhjetë prej tyre kanë qëndruar në vendin tonë për të asistuar policinë dhe strukturat e tjera të sigurisë shqiptare.
Vizita
Ndalesa e Stiven Kappes në vendin tonë është në kuadër të një turneu që zëvendësdrejtori i CIA-s ka kryer në vendet e Europës Lindore, ku përfshihen edhe Serbia, Bullgaria e Rumania. Fillimisht, në vendin tonë kanë ardhur dy avionë, të cilët kanë sjellë në Tiranë mbështetjen logjistike për të siguruar vizitën e Kappes. Katër ditë më parë, në Aeroportin e Rinasit dy avionë ushtarakë kanë sjellë makinat që do të shoqëronin zëvendësdrejtorin e CIA-s si dhe disa dhjetëra agjentë të fshehtë amerikanë. Në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe strukturat e tjera është hartuar plani i vizitës, rrugët nga ku do të kalonte eskorta si dhe masat e tjera të sigurisë. Rrugët e lëvizjes janë kontrolluar nga policia shqiptare, e cila ka shmangur trafikun gjatë lëvizjes së eskortës. Ndërsa në tarraca janë vendosur snajperë, të cilët kontrolluan çdo lëvizje të dyshimtë. Po kështu nën një protokoll mjaft të rreptë janë programuar vizitat me krerët e shtetit shqiptar. Rreth orës 14:00 të së premtes, avioni special me të cilin udhëtonte Kappes është ulur në Aeroportin e Rinasit. Në Aeroportin e Rinasit ai është pritur nga drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri.
Takimet
I pari që ka pritur numrin dy të CIA-s ka qenë Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Burime nga Presidenca thanë se takimi mes Topit dhe Kappes zgjati rreth 20 minuta. Tema kryesore e diskutimit kanë qenë zhvillimet në Kosovë si dhe lufta kundër terrorizmit. Më pas, Kappes ka takuar edhe kryeministrin Berisha. Edhe në këtë takim, zëvendësshefi i CIA-s shoqërohej nga kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Krahas të tjerave, në këtë takim është folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar. Zëvendësdrejtori i CIA-s ka premtuar ndihmë për vendin tonë. “CIA do të asistojë akoma më shumë policinë shqiptare dhe strukturat e tjera të sigurisë në luftën kundër krimit të organizuar”, - thanë burime të rezervuara. Vizita e zëvendësdrejtorit të CIA-s tregon se Shqipëria do të vazhdojë të jetë përkrah SHBA-së në luftën kundër terrorizmit. Autoritetet shqiptare janë munduar të mbajnë të fshehtë vizitën e Kappes sipas rregullit të shërbimeve sekrete dhe e kanë raportuar atë vetëm pas largimit të tij nga territori shqiptar.
Kush është Stephen R. Kappes
Stephen R. Kappes, një ish-punonjës sekret, i kthyer në legjendë në CIA, është emëruar në postin e zëvendësdrejtorit pak kohë më parë. Emërimi i tij ishte një nga lëvizjet e para që drejtori i CIA-s, Michael V. Hayden, kreu me ardhjen në krye të këtij institucioni. Sipas mediave amerikane, objektivi i Keppes është ndërtimi i një rrjeti akoma më të specializuar informacioni në betejën kundër terrorizmit. Kappes flet rusisht dhe frëngjisht dhe njihet si mjeshtër i komunikimit. Ai ka shërbyer në CIA dhe marinë përrreth 25 vjet. Po kështu ka qenë shef i stacionit të CIA-s në Moskë dhe në Kuvajt. Këtu ka qenë një nga pikat më të forta të betejës kundër Irakut. Ngjitja e shkallëve të karrierës u përshpejtua në nëntor të vitit 2004 kur Xhorxh Tenet e emëroi Kappes në krye të shërbimit të fshehtë si drejtor i deleguar. Por Kappes pati përplasje të forta me Patrick Murray, shef i kabinetit të Porter J. Goss, ky i fundit zëvendësoi Tenetin. Kappes dha dorëheqjen bashkë me disa drejtues të tjerë në shenjë kundërshtimi ndaj njerëzve të Goss. Por me emërimin në krye të CIA-s të Hayden, filloi një politikë e re. Kappes afrohet përsëri dhe për shumë politikanë dhe zyrtarë të lartë amerikanë konsiderohet si partneri ideal i Hayden.
Historia e CIA-s
Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) u krijua në vitin 1946 nga presidenti Harry Truman. Ai u alarmua nga spiunazhi mbarëbotëror i kryer nga Bashkimi Sovjetik, prandaj nënshkroi aktin e sigurimit kombëtar duke krijuar CIA-n si organizatë e përhershme spiunazhi e SHBA-së. Karta e statutit të CIA-s e vendos atë në kontrollin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, i cili është nën drejtimin e qeverisë ekzekutive dhe kongresit. Përgjegjësia kryesore e CIA-s është të “mbledhë dhe të vlerësojë informacion”, por njëkohësisht të “kryejë dhe detyra të tjera” që i specifikon Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Fillimisht, agjencia u krijua nga veteranë të guximshëm dhe me përvojë lufte të ish-OSS (Zyra e Shërbimeve Strategjike, e cila ka funksionuar gjatë Luftës së Dytë Botërore). CIA nuk ishte ndonjë shërbim sekret modern, deri në shkurt të vitit 1953, kur drejtor i saj u bë Alen Dallas, ish-shef i operacioneve të OSS-së në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore. CIA u bë e barabartë me KGB-në si forcë spiunazhi, kur Alen Dallas mori komandën e saj në 1953-shin.
Vizita e Goss
Porter Goss, ish-drejtori i CIA-s, vizitoi Shqipërinë më 28 qershor 2005. Ai mori pjesë në Konferencën e Drejtorëve të Shërbimit Informativ të vendeve të Europës Juglindore. Gjatë kohës që ai qëndroi në Tiranë, qindra mijëra agjentë të policisë dhe të SHISH-it, por edhe të CIA-s, kanë siguruar të gjithë aktivitetin e tij. Ai mori pjesë në takim, por kjo nuk u bë publike as në pamjet filmike dhe as në komunikatën zyrtare të qeverisë.
Ai takoi edhe kryetarin e Shërbimit Sekret Shqiptar, Bahri Shaqirin, si dhe ish-kryeministrin Nano.
Avioni dhe rojat
Numri dy i Agjencisë Qendrore të Sigurimit të SHBA-së udhëton me një nga avionët më modernë të kohës. Me një personel të specializuar, avioni me të cilin erdhi në vendin tonë Stephen R. Kappes i ngjan “Air Force Une” që është në përdorim nga presidenti amerikan Xhorxh Bush. Avioni ka pajisje nga më modernet si dhe një personel mjaft të specializuar, kuzhinierë, kamerierë, mjekë dhe sekretarë. Ndërkohë, për sigurinë e tij janë angazhuar rreth 100 agjentë të fshehtë amerikanë. Një pjesë e këtyre të fundit kanë ardhur në vendin tonë që ditën e mërkurë me dy avionë. Ata kanë sjellë edhe makinat tip Chervolet, të cilat janë përdorur nga eskorta e zëvendësdrejtorit të CIA-s, Kappes. Po kështu, në bashkëpunim me SHISH-in dhe policinë shqiptare janë marrë masa për të siguruar uljen në Aeroportin e Rinasit si dhe akset rrugore ku do të kalonte eskorta.