Shtesë » Lajme
''Ne, të prapët e Tiranës”
E diele, 23.09.2007, 06:17 PM
Shkruan : Belina Budini
Urrejnë Bllokun dhe adhurojnë tavernat, preferojnë baret e thjeshta të lagjes në vend të atyre luksoze, ngasin si të çmendur me makina rrugëve të Tiranës dhe gjithë kursimet i shpenzojnë për bokset e makinave, që të dëgjojnë muzikë tallava dhe hip-hop me cilësi tingulli maksimale. Janë “çunat e rrugës” ose të rinjtë e Tiranës „underground”. Nga Rruga e Durrësit tek Brryli, Dervish Hatixheja, Parku dhe Ali Demi, grupet e rrugës janë aktivizuar sërish në kryeqytet pas perëndimit të epokës së të fortëve. Por në vend të rivalitetit me armë, tani kanë garat me volumin e makinave dhe bokset e fuqishme, kultivojnë pasione për motorrat ose makinat sportive, ushtrojnë “street-ball”-in ose basketbollin e rrugës, por bëjnë edhe “gjëra të vogla të ndaluara”: Tërhiqen nga kazinotë dhe nuk bëjnë dot pa llotot sportive, tymosin hashash dhe nuk e lënë dot alkolin, i ngasin rrezikshëm makinat dhe nuk respektojnë semaforët, kënaqen duke i bërë policët e trafikut tapë dhe zhargoni i tyre përmban më tepër vulgaritete sesa fjalë me kuptim, madje shpesh preferojnë të flasin mes tyre mbrapsht për të mos u marrë vesh nga të tjerët. “Ladim noj rixho me kinema?” është propozimi mbrapsht për të bërë ndonjë xhiro me makina, që zakonisht nënkupton edhe dëgjimin e CD-së që sapo ka dalë nga shtëpia diskografike e lagjes, për t’u testuar nëpër rrugët e Tiranës, sigurisht me bokset që ushtojnë nga mbrapa, në maksimum.
Periferia në qendër
Të sjellin ndërmend lagjet e zezakëve të Amerikës dhe ajo pranë Brrakës ose rruga e Durrësit është pikërisht periferia në qendër. Pas shkollës „Qemal Stafa” dhe në muret e tuneleve mes pallateve apo mbi fasadat e vjetëruara të ndërtesave të kahershme, gjen gjurmët e reja të „zhgarravinave urbane” ose grafitit e skuadrës së Rrugës së Durrësit. Mes kaosit të makinave, njerëzve nëpër rrugë dhe gjeneratorëve të zhurmshëm, rruga pranë Ambasadës Jugosllave një ditë të lagësht vjeshte ngjan me një geto të vërtetë urbane. Të parkuara mbi trotuare makinat e “Snoop-Dogg” shqiptarë nuk duan t’ia dinë për asgjë. Gati për “noj rixho me kinema” në çdo moment, duke sfiduar të gjitha rregullat e qarkullimit dhe përparësisë në rrugë. Të gjitha sportive, të ulta, të shpejta dhe me “etiketa” amerikançe mbi xhamin e përparmë. Megjithatë më e bukura nuk konsiderohet ajo që ka llaskat më fringo, por ajo me boksin më të hatashëm. Djemtë e rrugës së Durrësit janë ustallarë të amplifikimit të muzikës me bokse për të cilët shpenzojnë mijëra euro. Këto ditë janë duke u bërë gati për garën e ardhshme të bokseve, ndërsa një vit më parë fitues doli një djalë 22 vjeç nga rruga Fortuzi, bokset e makinës së të cilit kanë pastërtinë e një studioje regjistrimi.
Big Basta: Lagjia jonë e tallavasë dhe rap-it
As studioja e vërtetë e regjistrimit nuk u mungon në lagje, në fakt. Bëhet fjalë për „Immortal Records” ku regjistron Big Basta dhe të gjithë “talentet” e tjera të lagjes siç i quan Vini Gonxhe, violinist dhe orkestrues. Ndërsa Big Basta, repisti që këndon me Eranda Libohovën në hitin më të fundit “Çoko me kakao”, thotë se të gjitha bashkëpunimet e tij i ka patur brenda përbrenda lagjes. Orjada është njëra prej vajzave të lagjes me të cilën Geri (emri i vërtetë) ka interpretuar në nja nga edicionet e Top Fest, por nuk është e vetmja. Të gjithë kanë nga një lidhje me muzikën dhe këngën në lagjen e tyre. Muzika tallava dhe hip-hopi janë më të dëgjuarat, por edhe ajo “house” nuk mbetet mbrapa. Para se të dalin në treg CD-të “Made in Albania” që dalin nga shtëpitë e diskografike të Rrugës së Durrësit testohen aty në lagje, në lokalin e Rikes ose në makina. Lagjes nuk i mungojnë as “lacat” ose ata që ngacmojnë gocat rrugës. Ky është edhe “sporti i preferuar” i Renatos që e quan veten “mbreti i regatonit” por të tjerët e thërrasin Rrushi. Përgjithësisht për sytë e çunave të rrugës së Durrësit lagjia e tyre ka vajzat më të bukura. Të bukura me sa duket konsiderohen prej tyre ato që trukohen fort, veshin minifunde ose pantallona të shkurtra dhe që nuk i heqin takat as në tualet.
“Snoop-Dogg”-ët shqiptarë
Ata me ngjyrë nuk ndihen aspak të përjashtuar në këtë lagje të Tiranës, madje duket se përcaktojnë identitetin e rrugës dhe i bëjnë të ndihen më në “Bonx” pjesëtarët e tjerë të grupit, të cilët kujtojnë me nostalgji edhe Brrakën e dikurshme si një rrugë tipike “zezakësh”, por tanimë e transformuar nga ndërtimet e reja. Të zhvendosur më afër rrugës së madhe, ata mund t’i gjesh çdo ditë në baret pranë Ambasadës Jugosllave ku mund të identifikohen edhe ngase të gjithë mbajnë atlete, tuta sportive dhe bluza të gjera. Përfitojnë nga rasti kur ndonjëri udhëton jashtë për të porositur tuta dhe t-shirte, ndërsa atletet e markave “Nike” dhe “Adidas” i blejnë në dyqanin e njërit prej prindërve të pjesëtarëve të grupit, Bjunit. I përjashtuar nga “Qemal Stafa” ai thotë se tashmë është në vitin e katërt tek “Partizani” dhe nuk pushon së foluri për Australinë që duket e ëndërron. Pjesa tjetër janë të gjithë të dashuruar me Amerikën dhe kur u kërkon emrin e këngëtarit të tyre të preferuar pothuajse në një gojë thonë “Snoop Dogg”. Por në lagje pëlqehet edhe muzika “house” dhe Reni është ai që “flet” vetëm kur kërcen “house”. Pija e preferuar e tyre është konjaku ose birra, por thonë se kur është kohë e bukur gjithnjë zgjedhin ngjyrën e verdhë, pra birrën. Në Festën e fundit të Birrës për pak do të ishin ndaluar nga policia për konsumim hashashi, por duket se shpëtuan paq. Nuk e mohojnë që kanë përdorur edhe hashash, duke shtuar se ai duhet të bëhet i ligjshëm edhe në Shqipëri pasi nuk ka asgjë të përbashkët me drogat e tjera.
Aty ku dalin “hitet” e rrugës
Hiti më i fundit i rrugës është pa dyshim kënga e Big Bastës me Eranda Libohovën. Kjo e fundit, banore e lagjes prej vitesh tanimë, nuk ngurron të bashkohet në një foto të rastësishme në rrugë me djemtë e lagjes së saj, ndërsa nxiton të shkojë në palestër, e veshur me tuta dhe bluze sportive. Por stari i vërtetë i rrugës mbetet Big Basta, vëllai i të cilit ka edhe domenin ekonomik të saj me zotërimin e një salle lojrash dhe biznesesh të tjera. Serviset e makinave, ato të bokseve, lojrat e fatit dhe shtëpitë diskografike duket se janë bizneset kryesore të lagjes. Prej dy vjetësh një prej djemve të lagjes ka aty edhe një studio regjistrimi ku Big Basta tregon se shpesh e gdhijnë duke kompozuar, edhe për arsyen se gjatë ditës nuk ka drita për të punuar qetësisht. Vini, violinist dhe producent përmend emra të këngëtarëve që kanë dalë nga rruga dhe kanë regjistruar në studion e tij duke filluar nga Big Basta si edhe Artushi, Ervini, Eli, Orjada dhe tani duket se në studio do të regjistrojë edhe partnerja e Florian Mumajesit, Luar. Një nga muzikantët e tjerë të lagjes është edhe Geri, njëzet vjeç, i cili ka mbaruar Liceun Artistik për firzamonikë dhe merret me orkestrime në studio si edhe i bie organos në dasma e evenimente, por edhe në turne për shqiptarët jashtë vendit si për shembull në Zvicër ku ka qenë së fundmi. Edhe ata që nuk kanë talent muzikor thonë se janë adhurues të muzikës dhe të gjithë kalojnë orë të tëra në studiot e regjistrimit thjesht duke dëgjuar, për këtë arsye Vini i „Immortal”-it i ka bërë “miq të studios”. Luli, Nardi dhe Isi janë disa prej këtyre miqve. Tendenca më e re muzikore në këtë studio të lagjes është muzika ‚Buda Bar” dhe sipas Vini-t së shpejti do të hidhen në treg edhe CD-të e para me muzikë Buda të aranxhuara në “Immortal Records”. Në pritje të hapjes së shkollave, djemtë e rrugës së Durrësit po bëjnë edhe planet e koncerteve nëpër gjimnaze si edhe të konkursit të dytë për bokset e makinave. Në këtë mes shtatori lagjia zgjohet ende shumë vonë, rreth drekës, dhe kafetë apo pikat e llotove sidomos të shtunave dhe të djelave, janë aktivitetet më të zakonshme për të vrarë kohën. Por me vjeshtën e dytë gjithçka fillon e lëviz më shpejt, me ritmin e rrugës aktive...