Shtesë » Lajme
Mërgata shqiptare në Botën e lirë dhe përpjekjet e saj për senzibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar për çështjen kombëtare
E hene, 01.10.2007, 10:31 PM
Nga Ramadan Reshitaj
Fronti i Rezistences Antikomuniste 1981-1990
Emigrimi prej trojeve etnike shqiptare drejt vendeve të industrializuara ka qenë një fenomen i hershëm. Pas Luftës së Dytë Botërore mund të konstatojmë se, vendet që i përkisnin sferës lindore nën tutelen komuniste nuk ofronin punësim e mirëqenie. Ato ishin burim dhune, lufte klasore dhe përsekutimi politik. Totalitarizmi dhe monizmi me reforma destruktive në të gjitha fushat sollën kolapsin, që la pasoja të rënda në të gjitha sferat e jetës. Në rradhët e këtyre shteteve të kampit socialist, Shqipëria ishte në pozitë më të vështirë, për shkak të prapambetjes së trashëguar dhe të formave më të egra të diktaturës që u ushtrua mbi popullsinë. Këtu u kryen krime mizore, internime, burgosje dhe keqtrajtime të vazhdueshme pothuajse ndaj gjithë banorëve. Sipas statistikave zyrtare të postkomunizmit në Shqipëri, janë pushkatuar shumë burra, gra, bile prej tyre edhe gra shtatzëna!
Në këto kushte të vështira për jetë dhe të mungesës së lirive më elementare njerëzore, bënë që njerëzit, duke përfshirë në rradhë të parë intelektualët, ndaj të cilëve dhuna ishte posaqërisht e theksuar, bënin përpjekje për të gjetur shpëtimin duke braktisur vendin. Duke u përballur me thundrën e ushtarit, tel me gjemba dhe kërbaqin e policit, ata kërkonin shpëtim duke ikur edhe në shtetet që tradicionalisht kishin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, siç ishte Greqia e Jugosllavia. Mirëpo, numri i atyre që arriten të arratisen megjithatë ishte i vogël. Kalimi i kufirit me plotë rreziqe, madje kishte edhe raste kur vriteshin, nuk do të thoshte shpëtim për ta, sepse atje ku shkonin i pritnin sfida të tjera. Në rradhë të parë, atyre u kërkohej që të bashkëpunonin me shërbimet informative të vendit kundër atdheut të tyre, por megjithkëte, shumica e shqiptarëve të arratisur mbajten qëndrim dinjitoz dhe nuk ranë në grackat dhe provokimet e ndryshme. Greqia dhe Jugosllavia, prandaj për shumicën e shqiptarëve të arratisur ishin vetem vende kaluese, sepse ata synonin të emigronin në perëndim, ku do të gjenin kushte më të mira për jetë dhe veprimtari atdhetare. Numri më i madh i tyre u strehua në Belgjikë, Francë dhe në Amerikë. Shpërndarja në vendet e ndryshme ka sjellë me vete edhe fenomenin e asimilimit të gjeneratës së re, si pasojë e mungesës së arsimit në gjuhën amtare, pastaj moskomunikimit me shtetin amë, ngase udhëheqja e Shqipërisë i konsideronte armiqë dhe pjesëtarë të anatemuar të kombit. Ajo nuk kujdesej sa duhet as për banorët që kishte brenda e lëre më për viset tjera që i kishin mbetur nën sundimin e huaj, e aq më pak për emigracionin. Në fillim të viteve të 70-ta, për shkak të kushteve ekonomiko-sociale, zuri fill edhe shkuarja e shumë shqiptarëve nga Kosova dhe trevat tjera etnike në ish Jugsollavi për punë të përkohshme në shtetet e ndryshme të perëndimit. Kjo shkuarje solli me vete një përtëritje dhe gjallërim edhe tek të mërguarit nga Shqipëria, tek emigracioni kosovar i pasluftës së Dytë Botërore dhe i disa shqiptarëve që ishin kthyer nga mërgimi në Turqi. Kjo, në të njejtën kohë shkaktoi edhe fërkime në baza ideologjike, sepse emigracioni i ri kosovar, Shqipërinë e shihte si “kështjellë të pamposhtur në brigjet e Adriatikut dhe si fanar ndriçues që rrezatonte të ardhmen e komunizmit botëror”. Kështu mendonte një pjesë e veprimtarëve kosovarë të influencuar prej mjeteve propagandistike shqiptare, kurse pjesa tjetër, Shqipërinë e konsideronte si shtet amë prej nga pritej me të drejtë ndihma për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ishte krijuar përshtypja se, Shqipëria ishte parajsa mbitokësore dhe se Enver Hoxha ishte Skenderbeu që t'i shpetonte, çlironte dhe bashkonte të gjithë shqiptarët. Ajo që shpesh bëhej burim mospajtimi ishte çështja e formës së flamurit, këtij somboli kombëtar që duhej të bashkonte të gjithë. Emigracioni i vjetër këmbëngulte dhe vazhdismisht e përdorte Flamurin pa yll, kurse kosovarët, duke e konsideruar edhe si simbol shtetëror, përdornin Falmurin zyrtar të Shqipërisë. Mirëpo, sa i përket Kosovës dhe çështjes së saj, ata megjithatë ishin bashkë. Ngjarjet e bujshme në Kosovë të viteve 1968, 1981 e më vonë, e mobilizuan edhe emigracionin nga Shqipëria. Kjo pjesë e mërgatës sonë, me gjithë plagët e veta, të izoluar, të shantazhuar nga Sigurimi shqiptar e jugosllav, angazhohen seriozisht në demontrata, protesta dhe në format tjera në përkrahje të Kosovës dhe aspiratave të saj jetike. Ata që nga vendosja në perëndim, u angazhuan duke informuar opinionin publik ndërkombëtar për terrorin, dhunën dhe gjenocidin që po ushtrohej ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në trevat e tjera nën sundimin jugosllav.
Në mesin e të arratisurve nga Shqipëria kishte eksponentë të njohur politikë, qe u përkisnin Lëvizjes së Legalitetit, Ballit Kombëtar, Bllokut Indipendent, Agrarës së Gjelbër etj. Kishte gjithashtu edhe personalitete të painkuadruar në formacione partiake.
Rivaliteti dhe qëndrimi pritës gjatë Luftës së Dytë Botërore, favorizoi forcat majtiste në krye me PKSH-në, të ndihmuar edhe nga emisarët jugosllavë, për te uzurpuar pushtetin, të cilin e mbajtën për afro gjysëm shekulli. Fatkeqësisht, ky sindrom i grupacioneve nacionaliste u bart edhe në mërgim. Ata, edhe në vendet ku ishin vendosur vazhduan me debate shterpe dhe me konfronitime të panevojshme, gjë qe reflektohej në dobësimin e forcës së tyre vepruese në favor të çështjes kombëtare. Në veprimtarinë e tyre u reflektua negativisht edhe përpjekja e shërbimeve të ndryshme informative për instrumentalizimin e tyre, siqë ishte rasti me shërbimin informativ anglez, i cili, në fillim nxiti për aksione konkrete në Shqipëri e Kosovë, por që më pas u tërhoq. Përkundër kësaj, emigracioni i vjetër nga Shqipëria, u angazhua vazhdimisht për një Shqipëri etnike, demokratike ku Kosova dhe viset tjera etnike do të ishin pjesë e saj. Në funksion të kësaj, ky emigracion bashkarisht me kosovarët u angazhua në veprime të përbashkëta kundër pushtuesve jugosllavë. Të gjitha partitë dhe grupimet e emigracionit në programet e tyre kanë pasur strumbullarin kombëtar Shqipërinë Etnike, duke u larguar nga formula bajate e Tiranës komuniste se çështja e Kosovës është çështje e Jugosllavisë dhe se nuk kemi pretendime territoriale as nuk përzihemi në punët e brendshme të saj. Përveç Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, në perëndim ka vepruar Fronti i Rezistencës Antikomuniste, i formuar më 18 dhjetor 1981. Zanafilla dhe idea e një organizimi të tillë ishte inicuar nga një ish i burgosur politik, që kishte kaluar mëse 20 vjet në burgjet komuniste të Shqipërisë me rastin e Festës 28 Nëntorit 1980. Veprimtarë dhe demonstrues nga Shqipëria, që lëngonte nën diktaturën më të egër komuniste, kishin demaskuar dhe vazhdonin ta demaskonin totalitarizmin hoxhist si bie fjala z. Arshi Pipa, z, Sami Repishti dhe një ndër me të dalluarit e asaj kohe Zenel Peposhi. Këta veprimtarë që e kishin përjetuar diktaturën dhe dhunën në kurrizin e tyre, ishin topitur nga pasiviteti dhe amullia që kishte përfshirë të emigruarit dhe partitë e tyre, aq më tepër që nuk kishin mundur as në mërgim të gjenin një emërues të përbashkët, në kundrim të veprimtarisë së tyre. Zenel Peposhi, i posa dalur nga burgu me të ardhur në Francë, pasi informohet se si qëndronte puna në mërgim, arrinë të bindi shokët mërgimtarë në Paris që të formojnë Frontin e Rezistencës Antikomuniste (FRAK-un). Në këtë formacion rekrutohen si anëtarë edhe kosovarë, të cilët ishin zhgënjyer nga qendrimi pasiv i Tiranës zyrtare dhe mosreagimi në forume ndërkombëtare i saj. Qëllimi i FRAK-ut ishte demaskimi i komunizmit në Shqipëri dhe i dhunës e terrorit që ushtronte pushteti jugosllav ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre etnike. Njëra ndër sferat e angazhimit të këtij organizimi të mërgatës ishte grumbullimi i materialeve të dokumentuara dhe dërgimi i tyre në Amnestinë Ndërkombëtare. Ata njëkohësisht publikuan shkrime edhe në gazetat më prestiçioze, pastaj organizuan dhe morën pjesë në demonstrata të përbashkëta.
Pas formimit të FRAK-ut në Paris, angazhimi për të grumbulluar sa më tepër mërgimtarë në këtë formacion u shtri edhe në shtetet tjera të Evropës si Gjermani, Suedi, Norvegji, SHBA etj. Në krye të filialës së FRAK-ut në Belgjikë u zgjodhën intelektualët: Xheladin Çupi, Sami Gjana, Xhevahir Troçi, Bedri Miftari dhe Zenel Spahiu, ndërsa në Gjermani, Hysen Vokshi, Dull Sallaku, Ramadan Sula, etj. , në Norvegji, Sytki Hoxha, Nazmi Berisha dhe Asllan Ramadani, dy të parët ish të burgosur politik. Në vitin 1988 formohet dega e FRAK-ut edhe në SHBA. Kryetar zgjidhet Halil Lita, biri i një familje të cilës komunistët i kishin vrarë 20 anëtarë, kurse anëtarë të Kryesisë ishin prof. Mit’hat Gashi, Luan Gashi dhe Xhevit Peposhi. Filiala më e vonshme është formuar në Greqi e kryesuar nga Mushur Plaku-familje e përndjekur çame dhe me shumë ndikim. Në kryesinë e FRAK-ut ishin ish të burgosurit politik, ing. Nevruz Serezi, Dashamir Kovaçi, Genc Bajraktari, djali i Muharrem Bajraktarit etj. Qëllimi i FRAK-ut ishte, qe të grumbullonte sa më shumë mërgimtarë për ta demaskuar dhe hedhë dritë mbi krimet monstruoze që ishin kryer gjatë viteve të diktaturës në Shqipëri dhe mbi dhunën dhe terorin që po ushtronte pushtuesi jugosllav në Kosovë dhe në trevat e tjera etnike dhe në të njejtën kohë të merrnin pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare, si bie fjala në demonstratat kundër shtypjes kombëtare dhe gjenocidit që po ushtrohej në Kosovë nga fundi i vitit 1944 e deri në atë kohë. Meqenëse FRAK-u nuk ishte parti me pretendime për të ardhur në pushtet dhe se zgjidhjen e çështjes kombëtare e shihte vetem në kuadrin e brendshëm dhe konjukturat ndërkombëtare, kishte fituar simpati dhe aderues edhe prej partive tradicionale e të grupimeve të tjera të njohura dhe të afirmuara. FRAK-u si lëvizje me karakter kombëtar arriti të tubonte mjaft simpatizantë edhe në mesin e mërgimtarëve të ardhur rishtaz nga Kosova, të cilët me kohë u zhgënjyen nga politika anacionale dhe totalitariste e Enver Hoxhës. Thuhet se një organizim i tillë është formuar edhe në Shkodër.
Dihet se deri më 1981 veprimtarët politik nga Shqipëria, Legaliteti, Balli Kombëtar, të Painkuadruarit (Muharrem Bajraktari), Blloku Indipendent, të cilëve u është bashkua Besëlidhja, kanë demonstruar vetem në favor të çështjes së Kosovës. Organizatorët kryesorë Isuf Begeja (Legaliteti), Ylli Spahia (Legaliteti) Nezir Spahia, Idriz Basha (Legaliteti), Rifat Kolgjini (Blloku Indipendent), Shefqet Hoxha (Balli Kombëtar), Lec Shllaku (Redaktor i revistës „Koha Jonë“. Skënder Zogu, nipi i mbretit Zog etj, Besëlidhja Kombëtare Demokratike, Emin Fazlia alias Emil Kastrioti. Demontratat janë organizua në Bruksel, Paris e gjetiu për çështjen e Kosovës më 1981, 1982 etj. Për të mos e mbuluar pluhuri i harresës veprimtarinë e nismëtarit të këtij formacioni Zenel Peposhit, të cilin e njoh personalisht, përpos këtyre të dhënave, po theksojmë edhe angazhimin e tij të frytshem prej fillimit të viteve 90-ta e deri tek pëfundimi i luftës çlirimtare në Kosovë, në vitin 1999. Ai gjatë kësaj kohe ka qenë në rradhët e para të komunitetit shqiptar në Suedi, si në organizimin e mirëfilltë të tij ashtu edhe ndihmat materiale e në pjesëmarrje të drejtpërdrejt në protesta e demostrata. U angazhua edhe në redaksitë e revistave „Qendresa“ dhe „Besa“ që nxirrnim në Suedi. Dhe për këtë angazhim ai gëzon rrespekt të posaçëm në mesin e bashkëkombasve tanë në Suedi dhe më gjërë, dhe paraqet shembullin tipik se si duhet të veproj e të angazhohet një veprimtar në favor të çeshtjes kombëtare kur gjendet në mërgim.