Kulturë
Një libër për veprimtarinë e sherbimëve sekrete Serbe kundër Kosovës
E enjte, 17.12.2009, 11:44 PM
Këto ditë doli nga shtypi, libri më i ri i publicistit dhe njërit ndër ekspertët për çështje të sigurisë kombëtare, Faton Mehmetaj,
“Veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe kundër
Kosovës”.
Ky libër është vazhdim i punës dhe kërkimeve sistematike për ndriçimin e fakteve historike të nisura që nga librat e tij të mëhershëm, e në mënyrë të veçantë, nga libri,
“Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare”
(2004), e deri te ai “Kosova dhe sfidat e sigurisë” (2009). Faton Mehmetaj, i njohur për shqyrtimin e temave që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe shërbimet sekrete dhe kriminale serbe, solli fakte tronditëse rreth veprimtarisë kriminale të organizatave të ndryshme serbe kundër Kosovës, që nga Lufta e Dytë Botërore, e deri më sot. Libri ndjek një vijë kronologjike, duke vënë në pah luftën e shërbimeve sekrete serbe nëpërmjet rrjeteve agjenturore dhe kombinimit me luftën e ftohtë speciale, me theks të veçantë, planet për shfarosjen, likuidimin dhe vrasjen e figurave më markante shqiptare.
Në këtë kuadër, autori ofron të dhëna konkrete, emra dhe mbiemra, grupe ilegale dhe legale, militare dhe paramilitare, të dirigjuara sa nga politika, po aq edhe nga ushtria dhe policia serbe.
Kujdes të veçantë i ka kushtuar veprimtarisë së shërbimeve sekrete serbe të kohëve të fundit, duke konstatuar dhe identifikuar një rrjet të fuqishëm spiunimi në Kosovë dhe më gjerë, të kamufluar madje edhe me uniforma të ndryshme ndërkombëtare. Mehmetaj nuk heziton t’i paraqesë edhe kreatorët kryesorë të këtyre strukturave të nëntokës serbe, të cilat vepruan dhe veprojnë akoma në Kosovë dhe jashtë saj, madje herë-herë të ndihmuar edhe nga nëntoka shqiptare!
Sipas prof. dr. Lisen Bashkurtit, në faqet e këtij libri lexuesit do shohin tablo të njohura dhe të panjohura, por të gjitha realiste dhe të mirë interpretuara. Autori, prej vitesh i kontribuon zbulimit të vërtetave të fshehura, por edhe ri-interpretimit të vërtetave të njohura, bazuar në një analizë mjaft rigoroze shkencore.
Libri i Mehmetajt, “Veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe kundër Kosovës”, “është një kundërvënie ndaj pasuesve të shkollave antropologjike të Cvijiqit, Andriqit, Qosiqit e akademikëve tjerë serbë, të cilët e ngritën në sistem një politikë shoviniste, diskriminuese e kriminale ndaj shqiptarëve në përgjithësi”, konstaton njëri nga recensentët e librit.
Ndërkaq, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë kombëtare shqiptare, dr. Kudusi Lama, autori me shumë kujdes na bën prezent të gjithë morinë e organizatave terroriste që militojnë në Serbi e që një pjesë e tyre kanë degë edhe në Kosovë e në Maqedoni.
Ai me të drejtë i vlerëson këto organizata si struktura të rrezikshme paramilitare, të cilat në çdo kohë përbëjnë rrezik destabiliteti për Kosovën e cila edhe në kushtet e normalitetit ka mjaft probleme, pasi duhet të ngjitet në normalitetin e një shteti modern, duke u mbështetur në një terren të grabitur në mënyrën më kriminale nga serbët.
Kështu që strukturat e sigurisë në Kosovë duhet të krijojnë gjithë potencialin e duhur kundërvënës ndaj këtyre organizatave paramilitare kriminale, të cilat megjithëse deklarohen si organizata të pavarura, të gjitha i financon shteti serb.
Dhe nëpërmjet tyre kultivohet racizmi si një element bashkudhëtar me serbët, duke bërë që edhe qytetarët e thjeshtë që nuk kanë asnjë ide për politikën shoviniste, të kriminalizohen.
Librin “Veprimtaria e shërbimeve sekrete serbe kundër Kosovës” e botoi “ANATEMA”, Prishtinë dhe ka 350 faqe.