Faleminderit
Virion Graçi: Duke përkujtuar Musine Kokalarin
E hene, 14.12.2009, 10:03 PM

Pse shembulli i saj si femër e persekutuar nga regjimi komunist, pikëpamjet e saj liberal-politike dhe humanizmi i saj, diferencohen me vështirësi mes retorikave të pasinqerta e destruktive që mbizotërojnë skenën e përditshme të politikës zyrtare te ne? Pse krijohen vështirësi të reja artificiale për gjykimin dhe interpretimin e saktë të trashëgimisë së saj letrare dhe publicistike?
Nga Virion Graçi, Express
Musine Kokalari jetoi dhe punoi në dy periudha krejtësisht të pavolitshme për gjendjen e saj të trefishtë: femër, shkrimtare dhe veprimtare politike.
Përkatësia e saj gjinore në gjirin e një shoqërie tërësisht maskiliste, patriarkale dhe e prapambetur, ka caktuar që në nisje vendin e saj në pjesën e përvuajtur të njerëzve, në mesin e atyre që ishin dhe do të mbeteshin për mjaft kohë pjesa më e shpërfillur e shoqërisë, pa të drejta njerëzore e qytetare; prirja e saj letrare në një vend ku nëntëdhjetë për qind e popullatës ishte krejt analfabete, ku praktikisht nuk kish institucione të kulturës, nuk kish qarkullim të shtypit dhe të librave, ku debatet dhe botimet letrare ishin mundësi klubesh e shoqërish të ngushta burrash; ku tematikat e debatet që përuroheshin dhe kryheshin vinin prej burrave të kombit dhe ishin për burrat e kombit - e kjo rrethanë përbënte shenjën e dytë tragjike në fatin e saj të pritshëm; idetë e saj të përparuara politike në një vend i ardhur i rrënuar dhe i copëtuar nga anarkia, nga pushtimet e huaja dhe despotizmi i sundimtarëve vendas, të artikuluara sërish në vitet e diktaturës së proletariatit, do të mbyllnin trekëndëshin tragjik të kësaj vajze intelektuale plot dëshira fisnike dhe ideale pozitive.
Në vitet 30-40 të shek. XX vendi ynë ka pasur një numër gazetarësh dhe intelektualësh të zgjedhur, ka pasur disa debate cilësore dhe sisteme pikëpamjesh të ndryshme për perspektivat politike-kulturore dhe humane lidhur me ecurinë dhe zhvillimin e Shqipërisë, por rrethi i qarkullimit të tyre ka qenë tejet i ngushtë, thuajse informal, për pasojë, me ndikim të pamjaftueshëm; aq më dekurajuese bëhej gjendja për femrat shqiptare të asaj kohe: kishin nevojë të shpreheshin, po ku?; kishin nevojë të shtronin probleme? Kujt t'ia parashtronin?!
E kishin domosdoshmëri tejkalimin e rrethanave shtërnguese, mbytëse, por si do të ndodhte kjo?; kishin dëshirën dhe vetëdijen për respekt dhe dinjitet në një shkallë të pranueshme, por, si mund të fitoheshin ato?
Lufta e Dytë Botërore që kishte mbërthyer edhe Shqipërinë do t'ia linte radhën diktaturës 50-vjeçare. Pikërisht, në prag të këtij kapërcyelli fondamental-epokal shfaqet si autore Musine Kokalari.
Pavarësisht kushteve tmerrësisht të këqija për afirmim, liri shprehjeje dhe mirëkuptim shoqëror për afishimin dhe sendërtimin e idealeve që nuk kishin qenë thjeshtë vetjake, Musine Kokalari iu kushtua deri në sakrifikim synimeve të saj intelektuale dhe njerëzore: shkroi libra, pati veprimtari të spikatur politike e shoqërore duke tejkaluar ndjeshëm mendësitë arkaike-feudale dhe tabutë e tjera skllavëruese të bashkëkohësve.
Pikënisjet e Musinesë në daljen e saj si protagoniste në jetën aktive ishin të mbara, të drejta dhe premtuese: nga arsimi bashkëkohor zgjedh drejtimin perëndimor, shkollën perëndimore; nga tradita shqiptare e mendimit humanist, atdhetar dhe artistik zgjedh Naim bej Frashërin; si bashkëmendimtarë, si miq mendimesh e letërkëmbimesh zgjedh nga figurat më cilësore si: S. Kolea, A. Xhuvani, L. Skëndo, E. Koliqi, L. Poradeci, etj; si alternativë politike dhe qeverisëse gjykon si më të përshtatshmin atë social-demokrat.
Nga e sotmja vërehet lehtë se shumëçka u shpërfill me themel në Shqipëri para dhe pas Luftës së Dytë prej rrjedhave të fuqishme të gjeo-politikës kontinentale, prej zhvillimeve të brendshme konfliktuale deri në përplasje të armatosura, prej shtetit monist-diktatorial gjysmë shekullor.
Krijuar në një epokë të pavolitshme, krijimtaria e Musine Kokalarit, ashtu si dhe jeta e saj vjen të ridimensionohet sot në shoqërinë shqiptare në një periudhë gjithsesi të trazuar; si shkrimtare, librat e saj duhet të sigurojnë vetë vendin e duhur midis dhjetëra botimeve me letërsi të zgjedhur nga hapësirat shqiptare dhe nga bota e madhe kulturore; shembulli i saj si femër e persekutuar nga regjimi komunist i kohës është i renditur mes qindra shembujsh të tillë, disa shumë herë më tragjikë se vetë fati i Musinesë; pikëpamjet e saj të moderuara liberal-politike, humanizmi i saj, aspiratat e saj të sinqerta dhe të qarta për drejtësi, progres shoqëror dhe kombëtar, vështirë të diferencohen e të shquhen tani mes retorikave të njëjta, të pasinqerta, destruktive e mjegulluese që mbizotërojnë bezdisshëm skenën e përditshme të politikës zyrtare te ne; për këto arsye kryesore objektive jeta dhe vepra e Musine Kokalarit është dhe do të vazhdojë të jetë objekt kërshërie dhe hulumtimi vetëm për rrethe të veçanta studiuesish profesionalisht të interesuar.
Njohja e imtësishme e jetës dhe veprimtarisë së Musinesë të çon në përfundimin se individi shqiptar, pavarësisht projekteve ambicioze, veprave të mira dhe të arriturave vetjake, fundoset dhe tretet tragjikisht në zgafellat dhe jehonat e epokës ku jeton dhe shpalos punën dhe veprën e tij të pafat; kaq mund të parashtrohet këtu për objektin Musine.
Duke parë Musinenë dhe veprën e saj si subjekt, vërehet se krijimtaria e saj letrare nuk kulmohet në skenën letrare të kohës; krijimtaria e saj shënohet nga modestia, shkrimet e saj nuk priren nga novatorizmi përtëritës as në rrafshin e përmbajtjes as si formacione stilistikore; skicat dhe rrëfimet e Musinesë, dukshëm janë në nivele modeste krahasuar me shkrimtarë të afirmuar, bashkëkohës me të si Koliqi, Migjeni, Nonda Bulka, Kuteli, etj; poezitë e saj janë përgjithësisht variacione të cekëta vetjake pa konotacione të spikatura të vlerës artistike dhe të pathosit shoqëror, krahasuar po ashtu me poetë të njohur shqiptarë të asaj periudhe si Migjeni, Petro Marko, Lasgush Poradeci, etj.
Pas rizbulimit honorifik të figurës së M. Kokalarit nga institucione të rëndësishme të shtetit, në kontekste të fuqishme politike e propagandistike të tranzicionit: po zbulohen sheshit krimet e diktaturës, po bëhet me sistem rehabilitimi i viktimave dhe martirëve të demokracisë, po shkruhet drejt, pa retushe historia e Shqipërisë dhe ajo e individëve të anatemuar prej historiografisë zyrtare-komuniste, e të tjera slogane të ricikluara si këto, krijohen, mendoj, vështirësi të reja artificiale për gjykimin dhe interpretimin e saktë profesional të trashëgimisë së saj letrare dhe publicistike.
Duke shpresuar t’u ikim sa më parë qasjeve tradicionale, mund të thuhet me siguri se, pavarësisht zgjedhjeve dhe përfundimeve që mbrihen nga studiuesit, nga pjesëmarrësit në diskutimet e interpretimet për M. Kokalarin, e jo vetëm në rastin e saj, pashmangshëm mund të pajtohemi ndonjëherë rreth një konkluzioni më të qëndrueshëm: sërish dhe përherë është shoqëria institucioni më i lartë vendimmarrës; me shijet e saj, me cilësitë qytetare, intelektuale dhe botëkuptimore është pikërisht ajo që vendos edhe për fatin e mbramë të bijave e të bijve të saj shkrimtarë e artistë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Ndahet nga jeta normalisti më i vjetër i Elbasanit
Iljaz Gogaj: Thoma Turtulli, bamirësi i madh që ndërtoi Korçën...
Milazim Kadriu: Akademi përkujtimore për ish pjesëtarin e UÇK-së, Veli Sylejmani - Zogu
Neki H. Lulaj: Ahmet Krasniqit
Sabile Keçmezi-Basha: Një proces i pa zakontë gjyqësor për Hidajete Osmanin
At Zef Pllumi: Për Fe e Atdhe
Gjergj B. Kabashi: Një shpirt i madh, mbathur me sandale
Dibran Demaku: Dy lulet e kombit
Agim Gashi: Kush vret në liri?
Ramiz Dërmaku: Komandantit të UCK-ës, luftëtarit, strategut luftarakë, Tahir Zemajt
Arben Llalla: E vërteta për shkrimtarin dhe poetin arvanitas Anastas Kulluriotin
Halit Bogaj: Te varri i Presidentit
Sabile Keçmezi- Basha: Katarina Josipi-Pjetri, Anëtarja e devotshme e ONDSH-së
Mexhid Yvejsi: Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
Kalosh Çeliku: Poeti nuk ka nevoje p?r horra e morra komunist? (Frederik Rreshpja - Mbret i poezis?)
Agim Gashi: Kolosit Dardan Dr. Ibrahim Rugovës
Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi
Mustafë Rugova: Me rastin e 20 vjetorit të vdekjes të mësuesit Rexhep Podrimaj
Ramiz Dërmaku: Me bablokun Hysen Tërpeza
Halit Bogaj: Hazir G. Bregu - Kujtime që s'vdesin