E shtune, 03.05.2025, 01:04 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Çoçaj: Shansi i shpresës

E hene, 07.12.2009, 08:30 PM


Shansi i shpresës

Në zgjedhjet e balotazhit,qytetarë(votuesit) e kanë edhe një shans të vendosin për shpresën, mirëqenien  dhe të një  të ardhme më të ndritur. Me votën e tyre, ata do të kenë mundësin përfundimtare për të diktuar qeverisjen lokale,dhe  për ta diktuar edhe trendin se ka mund të shkojë në tërësi politika në Kosovë.

Nga BLERIM ÇOÇAJ

Rritja e numrit  të  votuesve dhe ngritja-rënia e partive politike, nuk ishte fenomeni i vetëm i zgjedhjeve lokale të  15 nëntorit në Kosovë. Një nga fenomenet  e  këtyre zgjedhjeve, ishte dhënia edhe të  një  shansi të të paditurve dhe  njerëzve me biografi “të zezë” politike. Votuesit, fatkeqësisht në disa qytete, sërish u përcaktuan për  kandidatë  të cilët me dekada politikën e kanë shikuar si  një  vend ku mund të pasurohesh brenda natës. I “dogjën” shumë kandidatë më  vizion dhe moral njerëzor, dhe  avancuan  njerëzit  me “stazh” të vjetër politikë. Njerëzit që  me vite të tëra, përveç propagandave dhe varfërisë politike dhe ekonomike, me vite të tëra  nuk i sollën asgjë  tjetër këtij vendi. Pra, këto  zgjedhje përveç që treguan, përforcuan  edhe një herë faktin se politika nuk është shansi i më të diturve. Ky fenomen sa  “interesant”, por shumë i dhimbshëm, ishte një nga sinjalet më domethënëse të zgjedhjeve të 15 nëntorit, për të kuptuar thelbin e politikës së Kosovës, e cila pas shpalljes së pavarësisë, po vazhdon të përballet me  probleme në shumë sfera. Por, për të përmisuar sado pak  gabimin e 15 nëntorit, në shumicën e komunave të Kosovës, votuesit e kanë edhe një shans tjetër-atë të 13 dhjetorit. Në zgjedhjet e balotazhit, ata  e kanë shansin të vendosin për shpresën, mirëqenien  dhe të një  të ardhme më të ndritur. Me votën e tyre, ata do të kenë mundësin përfundimtare për të diktuar qeverisjen lokale,dhe  për ta diktuar edhe trendin se ka mund të shkojë në tërësi politika kosovare. Ata  kanë edhe një shans për t’u  përcaktuar për kandidatët, që kanë mbetur në balotazh, në garë në shumicën e komunave. Përcaktimi i drejtë i tyre, do të qartësojë shumë dilema, të cilat po ekzistojnë në skenën tonë politike, jo vetëm në nivel lokal por edhe në atë qendror. Votuesit para se të përcaktohen,do të duhej që të bëjnë krahasime në mes kandidatëve të tyre që kanë mbetur në balotazh. Nuk kanë  arsye të  veprojnë dhe të përcaktohen  si në vitet e kaluara. Që budallait  t’ia mundësojë t’i “shes” mend të mençurit. Ka ardhur koha që në majat e politikës të ngjiten më të mençurit. Ata që para se të kandidojnë për poste politike, investuan në aspektin intelektual në vetvete. Në trojet shqiptare historikisht dihet se politikën rrallë herë e kanë bërë më të mençurit. Madje, as Mbreti Ahmet Zogu nuk ishte ndër më të zgjuarit, as ndër më të mençurit. Ai i përkiste një fisi shumë të njohur të Shqipërisë veriore. Kushdo që ishte i zoti të mblidhte nja 1 000 pushkë, në Shqipërinë e viteve 20-të, mund të vinte në pushtet. Zogu ishte një prej atyre që kishte mundësi të grumbullonte rreth vetes mbështetës, ushtarë, apo mercenarë, kur të donte dhe si të donte. Por për ta mbajtur pushtetin duhej të ishe edhe një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar. Megjithatë,Mbreti  Zog, para se të bëhej i tillë, ishte një kalorës i mirë. Vetëm një model i tillë, në atë kohë mund të çante përpara  Shqipërinë. As Enver Hoxha nuk ishte, ndër më të shkolluarit në Shqipëri. Pas kthimit nga Perëndimi, përkundër mesatarizmit të tij intelektual, ai  rezultoi i mjaftueshëm për ta vënë në krye të atyre njerëzve që morën përsipër të luftojnë me vendosmëri fashizmin. Fatkeqësisht për  të qenë i suksesshëm në politikë edhe në këtë kohë të zhvillimit të  demokracisë në Kosovë, nuk duhet të jesh shumë i mençur. Madje, këtu më lehët mund të ngritën në skenën politike, ata  persona që në jetën e tyre vendit më shumë i kanë shkaktuar  kataklizëm  shoqërore. Shembuj  “më të mirë”, fatkeqësisht kurrë nuk do të kishim mundur të gjenim, madje as me konkurs ndërkombëtar,si  dy  deputetët  e  Parlamentit  të Kosovës  nga radhët e LDD-së, Gani  Geci  dhe  Adem Salihej. Qytetarët (votuesit), nuk kanë asnjë  arsye të vetme të shprehin  zhgënjimin e tyre për trendin e rëndë aktual politik të Kosovës. Dy regjisorët e  CD-së së Nazim Bllacës, nuk kanë hyrë me parashutë në Parlamentin e Kosovës. Vota e tyre e “drejtë”, ishte ajo që  ua  dha  mundësin që në kohën kur më së paku i duhej vendit  të krijojnë CD dhe ngjarje tragjikomike. Përveç që terrorizuar dhe keqpërdorën votën e qytetarëve,këta deputetë keqpërdorën edhe Kuvendin e Kosovës. Se a kanë pasur të drejtë apo jo, që kanë gjetur  këtë  rrugë të “denoncimit të krimit”, do ta dëshmojë koha, por e rëndësishme është se këta dy gjiruesit e CD-së, nuk e dogjën  rrugën ligjore. Treguan se për sa kohë që kanë qëndruar në skenën politike dhe në Kuvendin e Kosovës, jo që nuk kanë punuar për avancimin e drejtësisë, por  për  shkatërrimin e saj. Figura të tilla politike të cilët në vend të avancimit, angazhimet e tyre me vite i kanë orientuar në degradimin e organeve të drejtësisë, nuk ekzistojnë vetëm në Parlamentin e Kosovës. ”Patriot” të tillë si  Geci e Salihaj, ka me bëllëkë nga shumë parti politike, edhe nëpër kuvende të komunave të Kosovës, por që  zëri i tyre nuk ka mundur të dëgjohet  dhe të marrë jehonë. Fatkeqësisht, votuesit në zgjedhjet e 15 nëntorit rizgjidhen sërish figura të tilla politike. Njerëz  që në  vend të rrugës së drejtësisë, për të “zgjidhur” probleme të caktuara, janë mësuar të  ndjekin atë të anarkisë. Imunitetin e fituar, ata tashti  presin që ta përforcojnë në zgjedhjet e balotazhit të 13 dhjetorit. Votuesit kanë edhe një shans për t’u përcaktuar përfundimisht për ata  kandidatë që në vete kanë moral njerëzor dhe politikë. Me 13 dhjetor qytetarët me votën e tyre do të kenë edhe një shans të ri,- zgjedhjen e njerëzve të mençur dhe shpresën për një të ardhme më të mirë të tyre.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx