Kerko: a
Murat Gecaj: Sali Gjukë Dukagjini – me penë, pushkë e flamur në dorë
E marte, 01.12.2009, 08:55 PM

SALI GJUKË DUKAGJINI - ME PENË, PUSHKË
E FLAMUR NË DORË
Nga Prof. as. Dr. MURAT GECAJ
publicist e
studiues - Tiranë
Sa herë afrohet 28 Nëntori, festa e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare,
brezat e shqiptarëve përherë sjellin në kujtesë ato ditë gjëmimtare të vitit
1912. Se ato janë të paharruara në
histori, kur intelektualë e luftëtarë të shquar të Kombit, përfaqësues të
popullit tonë, firmosën një Akt të pashembullt e të papërsëritshëm-shpallën njëzëri
“mvehtësinë” e atdheut e popullit tonë. Prandaj ata i kujtojmë me nderim dhe përulemi
përpara jetës dhe veprës së tyre të ndritur.
Njëri ndër këta atdhetarë është dhe Sali Gjuka ose i njohur dhe
Sali Gjukë Dukagjini. Lindi në qytetin e Pejës, në vitin 1876, në një familje
me tradita të larta atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja
e tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Pasi kaloi
vështirësitë e kohës, mundi të regjistrohej student në Fakultetin e Drejtësisë,
në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën e atij qyteti dhe e vijoi veprimtarinë në
shërbim të çlirimit të Atdheut të robëruar.
Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, punoi
pa u lodhur për çeljen e shkollës shqipe
në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan
Prishtina etj. u bë mësuesi i parë i shqipes
për nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Në
këtë mision të shenjtë, aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri Pejani.
Në vitet e kryengritjeve
të mëdha mbarëpopullore antiosmane të viteve 1910-1912, Sali Gjuka u dallua si një luftëtar e
veprimtar i shquar, ndër më popullorët e kohës. Me nismën e tij, në prill 1912
u formua në Selanik, Klubi i ri me emrin kuptimplotë "Bashkimi", i cili propogandoi edukimin
e ndjenjave atdhetare, përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip.
Në Nëntorin e stuhishëm të
vitit 192, Saliun do ta gjejmë përsëri bashkë
me luftëtarët e mendimtarët më në zë
të kohës. Me thirrjen, që u kishte bërë
atdhetari i flakët, Ismail Qemali, drejt Vlorës udhëtonin sa e sa delegatë, përfaqësues të popullit
luftëtar, nga e gjithë Shqipëria. Ndërmjet tyre, si përfaqësues nga Kosova dhe
delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, ishte dhe atdhetari e mësuesi i
palodhur i gjuhës shqipe dhe i ndjenjave atdhetare, Sali Gjukë Dukagjini.
Në aktin përfundimtar për
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili ka nënshkrimet e 63 delegatëve,
pjesëmarrës të Kuvendit të madh të 28 Nëntorit 1912, përkrah emrave të Ismail
Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Nikollë Kaçorrit, Jani Mingës, Dervish
Himës, Babë Dudë Karbunarës e të atdhetarëve të tjerë, dallohet qartë dhe firma
e Sali Gjukës. Ky ishte një vlerësim i merituar, që i bënte atij populli shqiptar për përpjekjet e shumta
e sakrificat e mëdha, që kishte bërë deri atëherë për pavarësinë e Shqipërisë.
Kuvendi i Vlorës, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë të Sali Gjukës, e
zgjodhi atë këshilltar në përbërjen e Pleqësisë( Senatit), detyrë që e kreu me
përgjegjesi.Sali Gjukë Dukagjini - “Mësues i Popullit”
Në kohën e qëndrimit në
Vlorë, Sali Gjuka ishte ndihmës i Luigj
Gurakuqit për problemet e arsimit. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar
në gazëtën "Përlindja e
Shqipnisë".
Ndërsa në janër 1913
filloi nga puna si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit. Menjëherë hapi
shkollën Normale të përkohëshme, ku do të përgatiteshin mësuesit e parë dhe do
të kualifikoheshin mjaft të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Kosova, të cilët më pas shkuan në
vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy puna e
zelli i madh i tij për çeljen dhe
funksionimin e mjaft shkollave shqipe në ato zona.
Megjithëse shërbeu si
drejtor arsimi, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të
kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, përkrahu Revolucionin
e Qershorit 1924 dhe masat demokratike
të Qeverisë së Fan Nolit.
Patrioti i madh Bajram
Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe ndihmesën e Sali Gjukë
Dukagjinit në fushën e arsimit e të shkollës
shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin
e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike të asaj kohe: "Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët
e çmojmë plotësisht rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të
mëdhe dëshirën që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që
të ketë dhënë prova në jetën e vet të sakrificave, që bëri populli ynë...Këto
cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës".
Armiqtë e ndoqën hap pas
hapi trimin luftëtar e të ditur, Sali Gjuka. Në vijim të përndjekjeve të
mëparshme, në vitin 1920 e intriguan për
një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte
marrë pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për
këtë e dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.
Pas fitores së Revolucionit
të Qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, S. Gjuka punoi pak kohë drejtor i shkollës plotore të
Beratit. Por e kuptonte se vuajtjet e shumta të jetës dhe sëmundja e
tuberkulozit po e mposhtnin. Kështu, i mbylli sytë përgjithnjë në atë qytet, më
25 tetor 1925.
Sali Gjukë Dukagjini është
nderuar me titullin e lartë, “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion: "Patriot i shquar dhe veprimtar i palodhur
për përhapjen e arsimit e të mësimit të gjuhës shqipe; mësues i gjuhës shqipe
në Normalen e Shkupit; pjesëmarrës në Kuvendin Kombatar të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë; drejtues dhe
organizator i arsimit tonë kombëtar, në shtetin e pavarur shqiptar, në vitet
1912-1920".
Fjalë vlerësimi e nderimi
për të kanë thënë: prof.dr. Aleksandër Xhuvani, prof.dr. Aleks Buda e të tjerë.
Me artikuj e studime, sidomos në vitet e fundit, gjithnjë e më tepër Sali Gjuka
po bëhet i njohur në trojet shqiptare. Në vitin 1991, Dr. Muhamet Pirraku
ribotoi në Prishtinë gramatikën e tij shqip-turqisht, të përkthyer në shqip dhe
të pajisur me shënime e të paraprirë me një jetëshkrim të tij. Një shkollë e
mesme në Urën Vajgurore të Beratit mban emrin e nderuar ta Sali Gjukës. Me
jetën e tij, ai frymëzon breznitë e reja për t'iu përkushtuar sa më shumë
Atdheut e diturisë.
Në jetëshkrimin, që u
botua kur ndërroi jetë Sali Gjuka, u thanë
dhe këto radhë profetike: "...
Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në mermerin e famës". Ndërsa
një poet beratas , ka thurur edhe këto vargje domethënese, për Sali Gjukë Dukagjinin: "Emri yt i ndritur, / balli i shkollës
sonë,/ shikoje, moj Vlorë,/ Berat e Kosovë !".
Dy shkrime të Sali
Gjukë Dukagjinit:
RROTULL
DËSHIRIT KOMBËTAR
“Ballkani asht për gjinden e
tie; çdo komb Evropas ka te drejtë me e sundue vetë-veten”
Shumitsa e dijetarëvet t'
Evropës, ma të teprit e shkrimtarëvet të drejtësisë ndërkombëtare kienë tue
thirrë e thanë, se Ballkani asht për gjinden e tie, çdo komb Evropas ka të
dreitë me e sundue vetë-veten. N'atë kohë të mnershme
ankimet, vaitimet e Bullgarëve e të Grekëve ishin tue u ndie deri në kupë të
qiellit. Atë herë Bullgarët kienë tue u thirrë, tu' u pre fyta-fytaz, tue u vra
kamba në dorë, me tradhtarë të tyne, me grekë e me ushtrien Turke.
Si Bullgarët
ashtu edhe Grekët ishin tue liftue e u përpiekshin me mish e me shpirt
për me ia këputë shtatit Turk Maqedonien, d.m.th. qafën. Atë herë Shqypnia
s'ish tue tregue gjallnie per vete, kie tue ndejë si mos me kienë; zani i saj
kie ngurrue e s'u ndiete ku; ishim si mos zot ma keq, po si nji bulk qi pranon
çfarë do zotnie e kuiton se asht le, ka kienë e duhet me rrnue gjithmonë në
robni.
Shqypnia
kie tue u njoftë si nji vend i shkretë me nierëz të pa veshë e të pa gojë;
prandej ish tu' u bisedue se si me u pjestue ndermjet fuqivet e qysh me na
farue prej jetet. N'atë kohë të terqethshme, të parët e qeveries me ç'do
mënyrë e fuqie marriet të tyne u
ndimoishin anmiqe ,tue na e pre giuhën, tue na i mshelë shkollat, tue na i
dënue e dëbue të ritë; tue dërgue metropolit
serbi në Dibrë, tue shpifë ngatrrime fetare. Fletoret e kombit sundues,
të tanë të këndueshmit shqyptarë i paraqitshin si të pa fe, italian, austriak e
të padishmit: t' egrë e të flliqët; por mos të harroim se vet ishin të pa besë
e gjith qysh me nder ne. Shpirti i tyne dote me kienë sundues, ata nuk kienë
anmiqët e gjuhës, të flamurit e të dijetarëvet të vetë, pra sallde kah kto pika
kienë ma fisnikë se na!
Shqypnia kie si sod me plagë faruese e me krymba helmuese; po me shkolla të
huja e me vese tradhtare.
Qeveria
zyrtarisht e shtrengote shqyptarin orthodoks me u njoftë grek, katolikun e dite
latin; kështu pra ajo dote me na fshie prej faqes së dheut. Na me e pasë hupë
giuhën, patëm me u njoftë të pa asnjë të dreitë, kreit si muhamedanët e
Maqedonies.
Dikur qeveria i pat njoftë për shqyptarë do
faqezie të pa shokë, si: Arif Hiqmetin e Kumanovës e Sulejman Amborien e
Korçës. Njeni prei tyne e thjeu qafën prei kalit në rangë të Serbies, tu u
mundue me e prishë e me e poshtnue
Atdhenë, tietri ditë për ditë po i lutet Evropës për me lanë Grekien në
Shqypnie. Ah, i mjeri sy verbti shqyptar edhe sod po i parapëlqen njato farë
këshillime fikashpijet e të njasi farë nierëzve.
S.G.D.
(Sali Gjukë
Dukagjini, gaz. "Populli", nr.41, e mërkurë,
28 prill 1915 ,faqe 4 )
PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË
SHQIPËRI
“Rrnofshin ata fatbardhë, qi do
të bahen mësues në Abnie të lirë!...”
Si çdo komb edhe shqiptarët ma të
madhen randësi kanë me i dhanë degës së arsimit, se vetëm këtu e shohin, duhet me e pa uzdajën e
qytetnimit.
Veç me përparimin e arsimit mund të humbet o të
tretet mjegulla e errësisë së verbueshme; kështu fitohet lumnia e shekullit qi
ndohemi, ndryshe nuk shitohet kulshedra e padijes.
Lirimi
i Shqipnisë prej Turqisë ka me kjenë kobi i paditunisë.
Sundimi
shqiptar e vendoi që të çilet në çdo sundimtari nga një Normale përgatitore, në
të cilat si nxanës do të pranohen ata qi
kanë këto kushte:
a)
Kush ta ketë krye së pakti shkollën ruzhdije o çdo shkollë qi asht baraz me te;
b)
Ata shqiptarë qi kanë kjenë kudo mësues;
c)
ç) Ata qi s'i kanë
shkue të tridhetë vieçët;
d)
Pranimi i
mësuesvet nuk do të jetë nji me t'atyne
qi s'janë rrye me këtë mjeshtëri të bekueme.
Ata qi janë kjenë
mësues nën rrogë të qeveries do të përgjigjen: pak këndim e shkrim; nji grimë
nga gjeografia fillestare; mirë prej katër punëve të numërimit.
Tjerët do
të provohen: mirë nga katër punët e numërimit, prej numrit të coptueshëm;
shkurtazi nga gjeografia e historia edhe prej shkrimit e këndimit.
Sundimi ynë
ka marrë parasysh të varfnit, prandej atyne qi u provohet skamja, kur mos
t'jenë me shtëpi ku ndodhet Normalja, do t'u japë nga gjashtë mexhide në muej.
Ministria e
Arsimit i urdhnoi të gjithë sundimtarët qi të zanë nga nji shtëpi për shkollë
Normale; t'i kryejnë të tana të mbetat.
Pra, tashti
detyra e madhe iu varet atdhetarëvet për me ia ngashnjye popullit arësimin, për
me ia u tregue nevojën, dobien, shenjtnien e ditunien. Ata qi janë të zotët e
mësimit, ata qi guxoin me thanë se jemi therorët e Shqypnies, le të mundohen
për zgjimit të zogjëvet të saj.
Vetëm me
arsim munt ta shpëtoim Atdheun prej çdo shkelmit të mallkuet.
Gjer mos ta
hiekim ndryshkun e Turqisë, sa të kenë fuqie paria, qi kënaqet tyke thithë gjak
në kurriz të gjindes shqyptare; gjer mos të mësohet njerëzia qi asht për t'u
adhurue gja, përveç nomit; deri të dihet ma e madhja nderë, vdeka për të bamet
të detyrës; sa mos ta dimë qi trimnia asht urtësia e se theroria asht vdekë në
luftë tu i dhanë pat zyrtari, s'munt të bahet as njana prej atyne qi dishrohen.
Këto nevojë na i tregon prova, do të na i
mësojë arsësimi me rreze driatare të saj.
Kush
e do jetimin (jetesën,-shënimi im,-M.G. ) e Shqyptaries, të vrapojë e të hyjë
në këtë ushtrie për me luftue me padijen.
Rrnofshin
ata fatbardhë, qi do të bahen mësues në Abnie të lirë!
S.Gj.D.
(
Sali Gjukë Dukagjini,në gazetën " Përlindj' e Shqypnies ", botim i
Qeverisë Kombëtare,
Viti I, Vlorë, 24/6, gusht 1913)
Përgatiti për botim:
Prof.as.Dr. MURAT GECAJ