E diele, 28.04.2024, 05:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Irakli Koçollari: Një statut i rrallë ligjor i qytetit të Drishtit i vitit 1468

E shtune, 14.11.2009, 08:07 PM


NJË STATUT I RRALLË LIGJOR I QYTETIT TË DRISHTIT I VITIT 1468

Nga Dr. Irakli Koçollari

RRETHANAT E LINDJES SË "COMMUNES" DHE "REGNA-VE"

Në shekullin X, "Perandoria e shenjtë-kristiane" ishte tronditur rëndë prej krizave të thella politike, që kishin përfshirë Europën, ndërsa aty nga fundi i shekullit XII dhe fillimi i shekullit XIII, ajo jepte shenjat e fundme të saj. Po shpërbëhej kështu një epokë disa shekullore "Christendom". E ashtuquajtura "skizma" që kishte filluar, gjente terrenin e përshtatshëm për realizimin e saj përfundimtar.

Në terrenin politik pas kësaj shpërbërjeje, pjesa dërrmuese e Europës përjetonte një realitet të ri. Në procesin e këtyre ndryshimeve fondamentale, kishin filluar të konfiguroheshin mjedise të reja gjeografiko-demografike të një forme të panjohur më parë. Pra, kishin filluar të formoheshin ndarjet e para politiko-administrative të emërtuara "status totius reggni" dhe "communis societas status", "Regnat" dhe "Communis", e thënë ndryshe Principatat dhe Komunat. (1) (Kleinnschmidt, Herald; "The transformation of Ideas and Attitudes in Middle Ages", Boydell, New York)

Krahas e bashkë me këto zhvillime të aspektit politik, ndryshime domethënëse po shtriheshin edhe në terrenin religjioz. "Skizma" Lindje-Perëndim dhe "skizma" brendapërbrenda Perëndimit po ofronte kapërcime të rëndësishme që vinin ndesh me rrugën dhe historinë tradicionale të kristianizmit. (2)(Demetry, H. Demetry; "Catechism of the East Orthodoxy Church", Florida 2002)

Të gjitha këto zhvillime të vrullshme, ngjarje që krijuan realitete të reja, kërkuan në mënyrë të natyrshme krijimin e akteve të reja ligjore që do të mund të administronin dhe drejtonin këto struktura të reja politiko-sociale të shfaqura nëpër Europën mesjetare.

EUROPA FILLON TË HARTOJË LIGJE TË REJA

Dhe rrethana të tilla lindin përherë misionarë të rinj të së drejtës, që do t‘u jepnin zgjidhje nevojave që kishin diktuar terrenet e panjohura. Ata do të hartonin legjislacionin, të cilin e priste tashmë Europa në nevojë.
Forteskie, Gerson, Bartoldo Baldo në Itali, Guljelmi nga Okhami në Britani dhe Marsilio nga Padova qenë misionarët më të mëdhenj që ofruan konceptet e reja dhe kurajoze mbi të drejtat ligjore të "Comunave" dhe "Regnave" - pra të drejtat ligjore të Mbretërive, Qyteteve dhe qytetarëve.
Qenë pikërisht këta misionarë që formuluan parimet se:

"Ashtu si perandori hartonte ligjin universal për të gjithë … ashtu edhe ata që tashmë janë zotër në territore të veçanta (Regna, Communes) duhet të hartojnë statute ligjore të veçanta për to".

"Regnat dhe Commun-at, duke qenë autonomë, kanë të drejtën e hartimit të një legjislacioni sovran." (3) (da Padova, Marsilio; - "Difensor pacis")

Kishte lindur kështu mundësia e hartimit të akteve të reja ligjore, nën një koncept të ri rreth "së drejtës", "sovranitetit" dhe "vullnetit të sovranit". Fillojnë të hartohen mbi këtë bazë "Statutet" e para ligjore të Mbretërive, Republikave, Civitates dhe Comunave europiane.

LIGJET E PARA EUROPIANE DHE LIGJET E PARA SHQIPTARE

Pikërisht, në kohët kur fillojnë të hartohen "Statutet" e para ligjore nëpër Europë, në fillimin e shekullit XIV, atë mot fillojnë të hartohen edhe "Statutet" e qyteteve shqiptare të Shkodrës, të Durrësit, Drishtit, etj. Ato "Statute", në thelb, nuk janë gjë tjetër veçse Kushtetutat e para të tyre.
Por, siç përmendëm, zhvillimet dhe ndryshimet në Europën e asaj kohe nuk qenë vetëm politike e sociale, ato qenë edhe religjioze. Për rrjedhim, ndryshimet ligjore filluan të ndodhin edhe në këtë fushë. Në përshtatje me rrethanat e reja edhe kisha katolike adoptoi e rezervuar një numër ndryshimesh ligjore. (4) (Piero, D‘Amico; "Storia della Filosofia del Dirito", Napoli 2001)
Në kuadrin e këtij tolerimi gjejnë terren ndryshimet në lëmenjtë e mendimit kristian edhe në Arbëri. Intelektualë të spikatur, njohës të thellë të filozofisë dhe legjislacionit kristian, në radhët e klerit arbëror, hartojnë me miratim Papnor një "Statut" ligjor me karakter religjiozo-laik, të qytetit e Drishtit.
Gjejnë terren për t‘u hartuar "Statute" të tilla edhe në qytetet dhe territoret e Arbërisë, pasi edhe në këto anë të Ballkanit ishte krijuar një infrastrukturë dhe urbanizim i lartë i civilizimit mesjetar, i njëjtë me nivelet e diagramës europiane. Për këto arsye, nuk mund të hartoheshin, aq më pak, nuk mund të zbatoheshin dot Kushtetuta me dispozita që rregullonin dhe administronin shoqëritë e zhvilluara, moderne të kohës, për shoqëri të prapambetura, pa një infrastrukturë të avancuar ekonomike, politike, religjioze, intelektuale dhe qytetare.
Dhe qytetet arbërore i kishin këto nivele, prandaj edhe mund të hartonin Kushtetuta dhe organizonin jetën e tyre mbi shtrate ligjore të barasvlefshëm dhe bashkëkohorë me ata europianë.
Kështu ishte edhe Drishti, një qytet i lulëzuar mesjetar, me një infrastrukturë urbane mjaft të përpunuar, me katedralen e tij dhe institucione të tjera të zhvilluara civile dhe ligjore, me fisnikërinë e tij të njohur qytetare brenda dhe jashtë Arbërisë, me magjistratët dhe noterët, me komunitetin e tregtarëve të shumtë, me fuqinë ekonomike mjaft potente, gjer aty sa priten edhe monedha të bronzta, me muret rrethues hijerëndë, me intelektualë të shquar që mund të krijonin dhe hartonin ligje të denjë për të qenë rivalë me fqinjët e tyre perëndimorë.

"STATUTI I DRISHTIT", ZBULIM QË NDRIÇON PJESË TË ERRËTA HISTORIKE

Padyshim, gjetja nga albanologu i famshëm kroat, i shekullit të kaluar, Milan Shuflai dhe botimi së fundi i "Statutit të Drishtit", nga OMBRA GVG, nën punën e kujdesshme dhe të lavdërueshme të dr. Musa Ahmeti dhe dr. Etleva Lala i - "Statuta... Drivastensis", është një ngjarje e rëndësishme për historinë e civilizimit të moçëm shqiptar, të fondit të letrave arbërore dhe në tërësi, të pasurisë tonë etno-kulturore dhe religjioze të së kaluarës. Qytetari ynë, juristët dhe gjer fondet e arkivave duhet të njihen me këtë monument të rëndësishëm historiko-juridik, si pjesë e vlerave të rralla, të veçanta, të trashëgimisë, të së drejtës dhe jurisprudencës tonë në veçanti. Është i tillë sepse dokumenti në fjalë ndriçon hapësira shekullore, pjesë të rëndësishme, të errëta, të panjohura, në disa raste të dyshimta, të varfra të historisë sonë dhe ofron e pasuron një realitet tjetër, krejt të ri të botës Arbërore mesjetare.

"STATUTA ET ORDINATIONES CAPITULI ECCLESITAE CATHEDRALIS DRIVASTENSIS"

Nën këtë titull, "Statuti i Drishtit", shfaqet me përmbajtjen unike të tij, si një monument i mirëfilltë dhe i veçantë juridiko-religjioz, që sanksionon në mënyrë ligjore ngritjen dhe funksionimin e hierarkisë kristiane, në një njësi administrative qytetare të caktuar, atë të qytetit të Drishtit, "civitates Drivastensis", në territoret e Arbërisë mesjetare. Është fjala për një dokument, i cili ndoshta gjer më tash është i vetëm në llojin e tij, në hapësirat ballkanike, por edhe përtej tyre, në ato europiane.
Është i tillë, sepse ky i Drishtit, ndryshe nga Statutet e "Regnave"- "Civitat"-eve, "Communa"-ave, apo republikave të para europiane, në shek. XIV-XV, të cilët përmblidhnin tërësinë e normave të së drejtës administrative, të së drejtës civile, të së drejtës penale, të së drejtës familjare; të drejtat, liritë dhe detyrimet e qytetarit, pra që në një mënyrë qenë Kushtetuta, ky "Statut" nuk përmbledh dispozita të një natyre të tillë.
Ai përmban një numër normash procedurale, të cilat rregullojnë: a - jetën dhe veprimtarinë e institucionit të Kishës Katolike, b - organizimin e saj hierarkik, c - mënyrën e zgjedhjes së Retorëve dhe Prokuratorëve, d - funksionet dhe detyrat e Kanonikëve, të Kryedhjakëve, të Kryeipeshkëve, e - ritet, rregullat, meshat, lutjet dhe liturgjitë, f - të drejtat dhe detyrimet e kanonikëve, g - sanksionet për shkeljen e rregullave të parashikuar nga ky Statut, h - normat morale të komunitetit kristian, etj. (5)(Shih, "Stututet dhe Urdhëresat....", f.145,147,156..)
Në të parashtrohen të drejtat dhe detyrimet e besimtarëve kristianë, sanksionet konkrete për shkelësit e normave të statutit. Ai përcakton kompetencat e veçanta të kishës së Drishtit, rregullat e zgjedhjes së Kanonikëve, mënyrën e hartimit të dokumentacionit, etj.

FJALËT E PAL ËNGJËLLIT NË STATUTIN E DRISHTIT

Që në faqet e para të Statutit, të cilat ne do t‘i quanim më saktë prolog të tij, promovohet i tërë ky monument juridik përmes fjalëve të njërit prej autoriteteve dhe figurave më dominuese të kristianizmit arbëror të mesjetës, Pal Engjëllit. Por, jo vetëm i kristianizmit por edhe i politikës dhe diplomacisë së shtetit të Skënderbeut.
Në këto tre faqe, Kryepeshkopi i Durrësit, Shkodrës dhe Drishtit, i drejtohet me fjalët e tij tërë strukturave dhe individëve që mbajnë në këmbë institucionet dhe shpirtin e kristianizmit të asaj kohe "në popullsinë Ilirike" (siç shprehet ai vetë), në Arbëri. Ai çon në vëmendjen e Kryepeshkopëve, Ipeshkëve, burrave të nderuar Abatëve, Kryepriftërinjve, Rektorëve, Prelatëve, në katedralet e Sapës, Shkodrës, Drishtit, Durrësit, etj., se "përse ishte bërë i nevojshëm hartimi i këtij Statuti, Kanoniku të ri…?!" (7) (Statuta et Ordinationes Capituli Ecclesiae Cathedralis Drivastiensis", Ombra GVG)
Dhe çuditërisht, në fjalën e tij sqaruese, Pal Engjëlli na bën të njohur një fakt enigmatik, tepër të rëndësishëm për fushën e jurisprudencës shqiptare dhe të trashëgimisë së shkruar ligjore që ende nuk njihet. Ja çfarë pohon ai konkretisht:

NJË THESAR JURIDIK SHQIPTAR I PANJOHUR

"…Ne, kanonikët dhe kapitulli i kishës së Drishtit, ..konstatojmë se të parët tanë na kanë lënë disa Kushtetuta, të cilat nga ana tjetër rezultojnë ose të paqarta ose të pamjaftueshme…."(8)(Statuta et Ordinationes Capituli Ecclesiae Cathedralis Drivastiensis", Ombra GVG)

Përmes këtyre fjalëve të pakta, të Pal Ëngjëllit dhe një grupi burrash të mençur, pjesëmarrës dhe hartues të Statutit të Drishtit, mësojmë një lajm tronditës dhe të rëndësishëm njëkohësisht, atë që Arbëria, përpara kohës së hartimit të këtij Statuti (shek. XV), kishte pasur edhe Kushtetuta të tjera ligjore, më të vjetra, të cilat me kalimin e kohëve "janë bërë të paqarta dhe të pamjaftueshme…." Siç shprehen ligjvënësit.(9) (Statuta et Ordinationes Capituli Ecclesiae Cathedralis Drivastiensis, Ombra GVG)
Pra, është ky dokument i shkruar që na konfirmon ekzistencën e një tradite zakonore të shkruar shqiptare të lashtë. Do ta quaja një frazë të artë, një çast solemn dhe ngazëllimi për historinë e së drejtës së lashtë shqiptare!.
Do ta thosha këtë, sepse edhe traditat zakonore mesjetare të popujve me të hershëm në këta lëmenj, si britanikët, dokumentin e parë ligjor, "Magna Cartan", e kanë shkruar më 1215. Dhe ky dokument nuk është Kushtetutë, pra përmbledhës i një numri dispozitash themelore, por një fletë të vetme! Ndërsa siç pohojnë në këtë dokument këta ligjvënës të hershëm shqiptarë, qyteti arbëror paska pasur edhe para kësaj periudhe, kode të tëra të shkruara!!!

Po cilat qenë ato Kushtetuta arbërore të vjetra?
Sa të tilla ka pasur?
Në ç‘gjuhë kanë qenë shkruar ato?
Ç‘thoshin dispozitat e këtyre Kushtetutave?
Çfarë shprehnin normat e kësaj të drejte të lashtë zakonore shqiptare?
Kush i pati shkruar ato?
Kur qenë shkruar ato?
Këto dhe shumë pyetje të tjera mbeten ende të fshehura mbas enigmës, në mos mbetshin të tilla përjetësisht nëse arkivat dhe fondet e tyre nëpër botë nuk do t‘i nxjerrin në dritë asnjëherë këto thesarë. Sidoqoftë, le të presim dhe shpresojmë….

PËRSE U BË I NEVOJSHËM HARTIMI I "STATUTIT TË DRISHTIT" (KARAKTERI DINAMIK)

Mbas fjalëve hyrëse, hartuesit e Kanonikut shprehin qartë arsyen dhe nevojën e hartimit të Statutit të ri. "Ndodh nganjëherë që për shkaqe të reja që dalin në pah dhe për vështirësi të reja janë të nevojshme statute dhe urdhëresa të tjera…." (10)(Statuta et Ordinationes Capituli Ecclesiae Cathedralis Drivastiensis", Ombra GVG)
Përmes këtyre fjalëve ne shikojmë të shprehur qartë një nga parimet aristoteliane të tipareve të ligjit, - karakterin dinamik të tij, ç‘ka do të thotë ndryshimin dhe përmirësimin periodik të ligjit, në përshtatje me zhvillimet e shoqërisë…dhe jetës. (11).(Aristoteli; "Etika Nikomake", Athens 1977)
Nga ana tjetër, hartuesit e Statutit sqarojnë se miratimi i ndryshimeve të reja nuk mund të bëhej rast pas rasti për çdo ndryshim më vete, për shkak të pamundësive konkrete. Prandaj ndryshimet janë bërë tërësore dhe hartimi i normave është bërë nga fillimi, në prezantimin e një Statuti përmbledhës, tërësisht të ri.
Brenda dispozitave që formatojnë këtë institucion të gjerë ligjor, ka shumë çështje që lipsen të studiohen dhe analizohen në pikëpamje ligjore shkencërisht dhe besojmë se këto me siguri do të realizohen me fondet e pasura të këtij Statuti. Por, do të veçonim si fillim disa tipare thellësisht racionale që mbart ky Statut.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora