E shtune, 27.04.2024, 10:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Samanda

E shtune, 14.11.2009, 07:57 PM


Istref Haxhillari

Samanda

U gris pabesisht ajo ëndërr e bukur. Rënia ishte e gjëmshme si krisja e tokës, rrëshqitja e malit apo shpërthimi i vullkanit. Kurrë nuk pandehu të tërhiqej aq marrëzisht prej një gruaje. Turkesha vezulloi e purpurt si në përralla, trazoi shpirtin e munduar, e zaptoi si kalorësi i zoti kafshën e azdisur. Nuk qenë vetëm sytë pis të zinj, as leshrat e dendur dhe trupi i derdhur. Jo, përtej tyre, diçka tjetër e panjohur që nuk mundi t’ia jepte asnjë grua e vendit të tij. E deshi si i tërbuar. Ajo zotëroi trupin dhe shpirtin, sundimtare pa kurorë e shkeli me këmbë, e prangosi. U kthye në mjet argëtues si punë lodre, që i përkiste buzëqeshjes, shikimit të saj, kurmit të përsosur. I merrej fryma nga lumturia e pushtetit ëmbëlcak. I aftë të depërtonte thellësive si në një seancë radiografie, nuk i shpëtonte asnjë lëvizje sado e parëndësishme, prekte saktësisht, pa gabuar asnjëherë, pejzat më të holla. Shijonte gjer në pikën e fundit eliksirin e dashurisë së vonë.
    Sapo kishte kapërcyer dyzet e tre vjet. Familja qe ëndrra e tij përvëluese, e pacekur si një vegim i mundimshëm. Në vendin e tij përtej detit djemtë mbi tridhjetë vjet nuk martoheshin më. I shikonin me përçmim si të lënë apo të mangët deri në imtësira të turpshme.
Me karakter të fortë të padepërtueshëm, pati pritur dhe përcjellë shumë gra. Ato mbetën në periferi, rrëshqitën lehtësisht pa u ndjerë, nuk arritën formatin e tij. Për më tepër, ëndrra e vijimësisë u ndeh nëpër hulli të dhimbshme, që gatuan një shpirt të ndjeshëm dhe mosbesues. Serdi jetoi gjatë me kushëririn anormal, aq sa u mësua me të. Përmes imazhit absurd dhe mjeran e shikonte botën të luhatshme si nëpërmjet një cipe uji.
O Zot! Pamja e përçudnuar, fytyra shëmtarake, veshët e mëdhenj, të folurit e mangët dhe ajo lëvizja e pavullnetshme e kokës, i dilnin përpara oreçast, nuk e linin të qetë. A thua genet e Meliatëve do të prodhonin mostra të tilla që nuk i hynin në punë askujt? Ç’kuptim kishte një martesë e rrezikuar vazhdimisht në çdo hap?
Në vogëli u nanurit me vegimin e Nonos. Rrëfimet për gjyshin hijerëndë, veshur me kostum të zi dhe smoking, respektuar nga gjithë qyteti, e mahnitnin. Tregtia e luleve natyrale kishte pahë të madhe. Zonjat nazike krenoheshin mes tyre me tufat e rrëmbyera te zoti Meliati, sjellë nga Italia. Edhe emrin e kishte dhuratë prej gjyshit europian. Elegant, me pamje përherë të re sikur vitet rrëshqisnin pa e prekur, nuk deshi ta thërrisnin gjysh, por Nono. Serdi nuk e pa kurrë, vetëm e përfytyronte. Imazhin imponues e ruante fshehur thellë nënvetëdijes.
Lufta, pastaj fundi tragjik i Nonos, e zhyti në mjerim familjen Meliati. Bredhjet nga një qytet në tjetrin, punët e vështira, përndjekjet e përsëritura me ulje e ngritje frikuese, i shoqëruan në vite stërgjatë. Dukej sikur nuk do të shteronte kurrë jeta e turbullt pa kuptim, pa shpresa dhe pa ëndrra, derisa u hapën rrugët. Serdi qe ndër të parët emigrantë, që kapërcyen detin në një natë trazuar me shi dhe erë. U end gjatë nëpër rrugët e Milanos.
Zvarriste ëndrrën e Nonos, flladin e ëmbël të fëmijërisë. Nga shitja në rrugë e buqetave të lidhura hijshëm, pas një viti ngriti sipërmarrjen e luleve natyrale. Italia e zhurmshme vezulluese, jeta e lirë i dhanë mundësi të shpaloste dhuntinë e ndrydhur, mëkuar gjatë. Nonua i mjegullt, me pamje të luhatshme u bë papritmas i afërt. Konturuar qartë, autoritar dukej sikur e përgëzonte. Vitet e mërgimit rikthyen shpresat e venitura. Jeta mori kuptim, po familja qe larguar më shumë, mbeti sërish e pamundur, tashmë edhe për arsye të moshës së shtyrë.
Kur ëndrrës së hershme i vuri vizë dhe iu nënshtrua fatit, u shfaq Samanda. Sytë e zinj të mëdhenj si copa smeraldi, lëkurën e zeshkët brune, leshrat e gjata të dendura, trashëguar nga e ëma prej Izmiri, i jepnin pamjen e panterës aziatike. Trupin e gjatë, mollëzat e ngritura, sjelljen lozonjare i kishte dhuratë nga i ati milanez. Hijeshia e shtatit, shikimi flakërues si lak, zjarri i pashuar në dy vjet të paprerë, e robëruan. Vetëm emri i saj e drithëronte. Çuditërisht u bindej të gjitha tekave si të ishte plaçkë në duart e magjishme të Samandës së nurshme. Kurrë më parë nuk iu nënshtrua një gruaje si kësaj turkeshe të zjarrtë me sytë e zinj si nata. Serdi luante me femrat, i vërtiste në majë të gishtave, nuk honepste burrat që vajtonin braktisjet e fustaneve.
Kur u nënshtrua prej tharmit të këndelltë dhe shikimit tundues të syve të zinj, e mundonte tmerrësisht dyshimi, kafshëza fshehtarake, brejtëse e pamëshirshme. Mos vallë Samandën e tërhiqte sipërmarrja e tij? Ndoshta paratë me pushtetin tundues ndër gra, e shtynin në lojën e marrë të trupit dhe ai qe kalimtari i radhës nëpër shpirtin e ujshëm të gruas së re?
Më vonë iu duk se ajo e adhuronte përtej parave dhe emrit të tij në qytetin e madh italian. Ledhet e saj kapnin të perëndishmen, çiknin pjesëza të holla ku nuk kishte mundur të afrohej asnjë grua. E përjetonte i lumturuar dashurinë, dhuratë të Italisë së Nonos, shpërblesë e durimit dhe vuajtjeve të gjata në vendin e tij matanë detit. Natë për natë grisnin tisin e errësirës me të puthura pambarim. Jeta kishte ngecur nëpër sytë e prushtë dhe leshrat e gjata të ngatërruara. Mes krahëve të turkeshës shkrihej në një kënaqësi të tërbuar, ngashnjyese të pangopur. Midis buzëve të mbushura tërë tul maja e lagësht e gjuhës së saj përpëlitej si pjavicë uji. Qerpikët e gjatë shkrumb të zinj hepoheshin ngadalë dhe zbulonin shikimin tundues, të përhumbur, në kufijt e magjisë. Ai tronditej dhe nënshtrohej pa kushte, dorëzohej i kapitur e ngazëllyer, zhytej i mahnitur në ujëvarën e rrëmbyer të pekuleve nazike.
- Më në fund, më mirë vonë se kurrë - vendosi pas ngurimit të gjatë. U lumturua.
    Nonua u martua përsëdyti në moshën pesëdhjetë e tetë vjet. Serdi qe pesëmbëdhjetë më pak dhe jetonte në vendin e lirë, ku vogëlsira të tilla nuk binin në sy. Imazhi i kushëririt fatzi qe zbehur në harenë e zhurmshme të Milanos. Samanda, me trupin e bukur dhe hiret e pambarimta, do t’i falte fëmijë të mbarë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Në brendësinë e saj do të ngjizeshin krijesa të hijshme dhe inteligjente. Meliatët do të shpinin më tej ëndrrën e hershme të Nonos, mbartur në dheun e huaj. Ideja e ardhmërisë dhe fëmijëve e gazmonte përtej ledheve të gruas së re. Me trupin shkrirë në llavën e skuqur të vullkanit femëror, nanurisej ndër ëndrra mikluese.  
    Krisja ndodhi tamam në çastin e këtij vendimi jetik. E rrënoi pa shpresë shpëtimi, rrufe në qiell të hapur. Goditja e tërthortë qe e përpiktë, po ai nuk donte ta besonte, nuk mundej.
- Kam ftohtë, - i tha disi e bezdisur, e lodhur, - dil pak.
Pamja e tjetërsuar në pak çaste, vështrimi i errët i syve të mrekullueshëm e ngacmuan keq.
- Mos je sëmurë? - u shqetësua dhe dora i ngriu nën sqetullën e lagur e parfumosur të gruas.
- Dua të rri vetëm.
I turbulluar ledhatoi llërët e ftohta, gushën e fildishtë, e puthi ngadalë në çip të buzëve. Një rrymë e akullt e drodhi së brendshmi. Mbi ballin e lodhur, të munduar u ndeh trishtimi.
    - Përse mërzitem?
Sa herë përsëriste pyetjen, më tepër ngatërrohej në lëmshin e përdredhur me fije dyshimi. Shpirti i mahisur qe ligur pa kuptuar arsyen e vërtetë, intuita e akullt përndiente tradhtinë.
    Gjendja e vagëlluar, plasaritëse zgjati vetëm atë mbasdite të vrazhdë.
U kthyen sërish përkedhelitë, puthjet e këndellta, loja e marrë e trupit dhe e shpirtit, po ai  humbi qetësinë e parë. A thua nuk do të sendërtonte kurrë ëndrrën e hershme? A thua po e braktiste mizorisht turkesha e bukur, dhuratë e mesditës së harlisur?
Brenga u mpiks dalangadalë dhe mbeti kujtim i hidhur ngecur diku larg mes ëndrrës dhe duknajës, në brigjet e përthyera të kujtesës. U rikthyen dallgët e magjisë së ndezur, marramendëse dhe prehja e shpirtit të lodhur. Dukej sikur instiktet e lanë në baltë kësaj here, po një boshllëk sfilitës nuk iu largua asnjëherë. Dyshimi gremiste kënaqësitë në honet e asgjësë. Ligështia i zinte pritë nëpër lëndinat e begata të kurmit magjik, me sytë e mugët gërvishtur nga akulli i mbrëmjes torturuese. Muzgu gri u ndeh këmbëkryq mbi floknajën e dëshirave të bardha. Pesha e gurtë e asaj funddite la gjurmë të thella, që e skërmisnin pa mëshirë, e torturonin ditën dhe natën.
Turkesha fshihte pabesinë.
Ajo u kthye vonë atë natë. Hyri ngadalë e lodhur, e kalamendur. Përshëndeti pa e parë drejt, hapi dritaren, derdhi shikimin nëpër mugëtirë. Nata e përkëdheli me krahët e padukshëm dhe Samanda u zhyt në kënaqësitë errëtiake. Përmes xhamit të plasaritur nga kujtime pambarim, Serdi pikasi vështrimin e shndritshëm që e njihte mirë. Tronditës, i pafajshëm, provokues nuk i drejtohej atij. E lumturuar, ajo përkëdhelte natën e zezë katran si sytë e saj. Kur ktheu kokën, leshrat e shpupurisur u derdhën mënjanë dhe u përshfaq shikimi bosh mospërfillës, pa pikën e dëshirës.
Serdi u turbullua. Këtë radhë instinkti nuk gabonte. Kishte marrë fund ëndrra dhe zgjimi qe i plumbtë. I thyer e dërrmuar, foli ngadalë me zë tjetërlloj, të shpëlarë e të huaj.
- Ik, turkeshë.
Ajo nuk e kuptoi, e pandehu lojë. Iu afrua, e mbështolli me krahët e mrekullueshëm, i vuri kokën në sup. Kjo ishte e papërballueshme.
U kthye i dyzuar, ledhatoi si i marrë gruan që i ngjasonte vagëllimthi Samandës dhe zuri ta zhvishte me nxitim. Shtati i zbuluar ngjizur me magjinë e trëndafiltë të linjave magjepsëse dhe aroma e papërsëritshme e marrosën si përherë. Nuk e kishte veten në dorë, ndodhej në parajsën e imazheve të lëkundura që donte t’i gozhdonte me zor, me çdo kusht. Format e përsosura po ato, marramendëse, të dhunshme.
Ledhatoi i tromaksur gjinjtë dhe uli kokën të njomte buzët e thara, por u tërhoq i tmerruar. Nga thithka e majtë e vështruan kërcënueshëm dy njolla të freskëta si koka nepërkash me dhëmbët çapraz të nxjerrë ashiqare. S’ishte punë parandjenjash apo hamendjesh. Pantera zbuloi pa droje turpin, pabesinë tinëzare, fshehur prej kushedi sa kohe. E piu me fund kupën e helmit, s’mbetej më asgjë. Gjaku i pashprishur i dheut të tij matanë detit e goditi në tru.
Ajo përkuli qafën dhe mbylli sytë në pritje. I hapi kur thika u ngul thellë mes gjinjve dhe zhduku me currila gjaku kafshëzat e pështira mbirë kurmit të hijshëm. Pastaj i mbylli për të mos i hapur më kurrë. Nata e zezë mbështeti bërrylat në dritare dhe u zgërdhi e pacipë. Pikëllimi i fyer u ndërkrye. Gjysmë i çmendur iu lëshua kërcënueshëm me ulërimë të zgjatur. Nata mori arratinë e lebetitur, ndërsa yjet indiferentë i shkelnin syrin djallëzisht.
 Era memece e heshtjes lëkundte të brendshmet e mungesës së saj.
Pandehmën e mbajti ndryrë nëpër katet e kujtesës, pa e kuptuar se ajo dalëngadalë hidhte rrënjët si tumori metastazat. Fundi erdhi shpejt, i furishëm dhe fshehtarak, provokues i paturp. Ai e ndiente tek zezimi kërkonte të dilte prej saj si magmë e ftohur. Instinktet e paralajmëruan, po ai nuk deshi as mundej t’u besonte. Vetëm atë çast kuptoi se ishte bërë një me të keqen e lemerishme, si i sëmuri pa shpresë shërimi, që i dorëzohet fatit me shpresë të vagullt. Iluzioni më tepër nga dukja e bëri pjesë të saj të pandarë, sa s’kuptohej mirë kush kish qenë më  parë, Samanda apo gënjeshtra. Bashkëjetuan gjersa u shkrinë me njëra - tjetrën si pjesa me të tërën. Mbulesën e hollë të kaftë e kafshuan zvarranikët me dhëmbët e çatalltë.
    Ende nuk kishte aguar. Një gri e mekur varej mbi dritare si perde e hirtë, pas së cilës mësynte drita e zbehtë. Edhe pse lindte një ditë tjetër ende në fillesë, dukej sikur gjithçka vdiste.
Mëngjesi, bronzuar me ndryshkun e kuqërremtë vagëllues të ditës që po lindte si pelerinë gjykatësi, vështroi i ngrysur gjakun e derdhur, burrin e trandur me thikë në dorë dhe natën e gërmuqur që ikte ngadalë e trembur.


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora