E premte, 02.05.2025, 10:37 PM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Anesteziologu Dr. Lirim Vela

E marte, 03.11.2009, 07:44 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

ANESTEZIOLOGU DR. LIRIM VELA

    Gjatë viteve gjashtëdhjetë, nga Tetova dhe viset e tjera shqiptare, drejt Europës Perëndimore, mërgoi vetëm krahu i punës, e aty-këtu, ndonjë intelektual i ndërprerë nga përndjekjet e shtetit jugosllav. Por, në vend të avancimit të çështjes kombëtare, për shqiptarët, sado që përparuan në fushën e dijes dhe të punës intelektuale, rrethi u ngushtua, madje në fillim të viteve nëntëdhjetë, deri në deinstitucionalizim total. Në mesin e mijëra shqiptarëve të dëbuar nga puna, do të gjendet edhe mjeku Dr. Lirim Vela me bashkëshorten, Ajtenen, që të dy të zënë me punë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Nga pamundësia e mbijetesës, ose së paku për ta kaluar një kohë të shkurtër sa për të fituar pak që ta mbajë jetën, Lirimi do t’ia mësyejë Gjermanisë bashkë më familjen  dhe, gjen punë në Dyseldorf . Ai do të shkojë andej si specialist i anesteziologjisë, fushë të cilën e kishte kryer në Universitetin e Zagrebit.
    I lindur në fshatin Gajre të Tetovës, pas shkollës fillore, Lirimi do të kryejë gjimnazin në Tetovë, ndërsa për studime, drejtohet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ishte kohë kur pothuajse të gjitha familjet dëshironin të kishin shkollarë, rrëfen Lirimi. Mua më shkonin shkencat teknike dhe gjuhët. Por familja kërkonte të bëhesha mjek, pasi vëllai më i madh, tashmë vazhdonte elektroteknikën. Pasi nga gjimnazi kisha dalur me sukses të shkëlqyeshëm, nuk e kisha vështirë të drejtohem edhe në mjekësi. E respektova dëshirën e familjes dhe puna më eci mbarë. Për suksesin e lartë që në fillim të studimeve, u zgjodha demonstartor në lëndën e anatomisë. Pas mbarimit  të Fakultetit të Mjekësisë, fillova punën si mjek i ri në Drenas e më vonë në Besianë, në Shtëpi të Shëndetit. Praktika mjekësore më dha mundësi të njoh njerëz dhe gjendjen shëndetësore të popullatës të cilës i shërbeja. Në ndërkohë vendosa edhe të specializoj, kështu që për këtë qëllim iu drejtova Zagrebit, njërës nga qendrat më prestigjioze universitare të kohës. Në një afat optimal u ktheva në  Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës si anesteziolog. Por ndihmesa ime në këtë fushë ishte e shkurtër. Si dihet, në vitin 1990, mjekët shqiptarë dhe punëtorët e tjerë u dëbuan nga puna, pasi shteti serb u egërsua kundër shqiptarëve. Provova të dal në Gjermani dhe gjetëm punë në profesion me bashkëshorten.  Puna në Gjermani më ofroi mundësi të gjera për ushtrimin e profesionit, kështu që edhe sot atje bëj punën e anesteziologut, në një klinikë private në Dyseldorf.
    Rrëfimi për Dr. Lirim Velën nuk përfundon këtu. Ai Europën e kishte shëtitur edhe gjatë kohës së studimeve. Në kohën e pushimeve kishte shkuar si student për të punuar punë të ndryshme dhe me paratë e fituara, jo vetëm që kishte mbajtur veten në studime, por kishte gjetur kohë të vizitojë edhe qytetet të rëndësishme, në Gjermani, Francë e Itali. Kështu pos gjuhëve sllave, Lirimi do të përvetësojë edhe frëngjishten, anglishten e gjermanishten, që më vonë, të komunikojë lirshëm në punën profesionale dhe në jetën e përditshme. Me kalimin e kohës, tash nga familja e tij kanë dalur edhe dy shkollarë. Djali i madh Butrinti studion makinerinë në Universitetin e Aachenit në Gjermani, ndërsa Driloni, pret të regjistrojë studimet në njërin nga universitetet gjermane pas mbarimit të gjimnazit.
    Njerëzit nga Malësia e Tetovës, që dikur kanë mësyrë mërgimin si punëtorë krahu, nuk i kthehen më vendlindjes vetëm si pensionistë por edhe me pasardhësit e tyre të shkolluar në fusha të ndryshme. Mjeku i mërguar Lirim Vela nuk është i vetëm në këtë fushë profesionale nga Tetova. Për disa vite në Gjermani kanë dalur disa mjekë të rinj nga Tetova si kardiologu Ramadan Destani, pastaj kirurgu Xhevair Farizi etj.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx