E premte, 02.05.2025, 11:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuri Plaku: Poeti i dritës dhe hapësirës

E premte, 30.10.2009, 07:43 PM


POETI I DRITES DHE HAPESIRES

 

(Rreth vellimit poetik ”ATA QE I HANE PESHQIT” të poetit kroat  

                      TOMISLAV MARJAN BILOSNIÇ)

 

Nga Nuri PLAKU

 

Të ndalesh një çast përpara dritës dhe gjithësisë. Dritës si altar dhe gjithësisë si tempull. Ndoshta ky është i vetmi prag që frenon në mënyrë imponuese ecjen e mëtejshme të njeriut, për të kryer përpara saj shenjtërimin e thellë të vetëvehtes. Një çast të vetëm, aq sa të shfaqet ndërkohë, imazhi i ndritshëm i rrugës që është e tëra nisje dhe kthim, një gjurmë e përsëritur në përputhje me ciklet kohore të lindjes dhe perëndimit të saj. Një kufi i përbashkët midis dritës dhe errësirës, ku njeriu bëhet muhaxhir i përjetshëm i udhëve, për të gjetur “tokën e premtuar” të fatit të vet.

   Ky imazh është shfaqur së fundi edhe me përkthimin në shqip të poetit kroat Tomislav Marijan Bilosniç, nga poeti, shkrimtari dhe gazetari i mirënjohur shqiptar, me banim në Shkup - Maqedoni, Mustafa Spahiu. Imazh i cili lidhet aq shumë me dritëhijet e hapësirës e gjithësisë si truall i përshtatshëm figurativ, për kultivimin e ideve dhe realitetit të tij artistik. Libri titullohet ”ATA QE I HANE PESHQIT” dhe është një përmbledhje 5 gjuhëshe; kroatisht, italisht, anglisht, shqip dhe turqisht.

   Në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, autori reflekton një ndjesi të thellë poetike, psiko-sociale dhe estetike, të përmbledhur në një kumt të bardhë brohoritës dhe entuziast. Drita dhe gjithësia janë përmasat bazë të pasqyrimit të këtij kumti dhe fluksi i shprehjes së tij krijon një hapësirë të gjerë komunikimi artistik, të denjë për ta përçuar atë si një mesazh të freskët lirije përtej kufijve të vendit të vet. Nëpërmjet këtij mesazhi, ai bën prezantimin integrues të kulturës kroate në hapësirat e kulturës europiane dhe asaj botërore, në përputhje me profilin e tij, si një krijues dhe personalitet letrar modern e dinjitoz.

  Dritën dhe gjithësinë Bilosniç i përdor në kufijtë e konsumit të përhershëm shpirtëror dhe fizik. Dy botët, materjalja dhe idealja, pasqyrohen përmes tyre, si një pasuri në zhvillim të gjithanshëm dhe efektiv. Reflekset që burojnë nga përpunimi i tyre artistik, bëhen ndërkohë, qendrim estetik dhe intelektual për autorin, si përfaqësues i një brezi të caktuar dhe një kohe të caktuar.                      

“Qielli i brustë fillon e lëbardhet/ Kjo më ndal”, shkruan ai në këtë vëllim.

Lirija te ky poet është një “uri” shpërthyese individuale që merr përmasa të gjera sociale e që kthehet në “klithmë” poetike, siç thotë edhe studiuesja e tij, Sanja Knezheviç. Kjo pasqyrohet qartazi tek vargjet e mësipërme të këtij poeti. Teksa të tjerët nxisin ikje, Bilosniç e “refuzon” atë. Një kontrast i çuditshëm ky, që dëshmon të kundërtën e asaj që pritet në mënyrë tradicionale për kuptimin e udhëve, si kuptim i qëllimshëm dhe finalitet qëllimi. Një paradoks që shfaqet si dëshmi e një ndalese të beftë e të përkorë, por që bëhet sintezë e qartë refuzimi. “Mos pyesni me ç’formulë çelen udhët e botëve” thotë Montale. Mos vallë poetin kroat e tundon pikërisht mungesa e kësaj formule? Mos vallë Montale kundërshtohet këtu pikërisht për faktin se të ecësh do të thotë që të dish? A ndoshta ecja varet domosdoshmërisht nga koha? Por edhe kohët kanë kuptimet e tyre. Koha për të cilën aludon poeti është një shndërrim i çuditshëm dramatik, ku vërshojnë “ karafilët taravelë/ e shembin ç’do gjë.”  Pikërisht këtu zbardhet enigma e ndalesës, enigmë që ka brenda saj ngarkesën dramatike të komunikimit të munguar social, shprehur përmes ndërprerjes së lëvizjes pozitive. Ideja për një kohë “vërshimesh” na prezantohet nëpërmjet situatave reale jetike, të “bardha” nga prezenca konkrete e sendeve dhe objekteve, por nënteksti aktual kërkon domosdoshmërisht zbatimin e “formulave” të tilla “sociale” apo “politike”, që të realizojnë klimën e përshtatshme të udhëtimit. Kjo mungesë e shfaqur përmes ndalesës, përbën thelbin dominant të “antiklimës” humane në realitetin artistik në poezinë e Bilosniçit. Kemi të realizuar kështu një teksturë të endur mbi një tekst të “largët” poetik për një vëzhgim të zakonshëm. Dhe ajo ç’ka e sjell para nesh me ndjeshmëri të lartë artistike këtë moment të vështirë, është pikërisht kontrasti metaforik i ecjes lidhur me dritën, vërshimin dhe shembjen. Janë dy forca të kundërta, të dhëna me një ngarkesë kuptimore të ashpër, deri në ekstrem. Janë dy forca që përbëhen nga drita dhe “taravelët”. Drita, si metaforë e lirisë, ndërsa “taravelët” si epitet identifikimi human frenetiv, veshur me ngjyrime të thella të humorit negativ, deri në grotesk.

   Bilosniç ka një konotacion të thellë kolorativ mbi dritën. Shpesh, ai përdor shkallëzime ngjyrash, nga e brusta tek e lëbyrta ç’ka i jep poezisë së tij një lloi ambiguiteti që e zhyt lexuesin në meditim. Diku gjetkë, përdor të kaltrën, për të dhënë pasurinë dhe bukurinë e pafundme shpirtërore të njeriut, në kufi të pamata horizontesh. Efekti estetik i ngjyrave të përdorura prej tij, ndikon qartazi që kjo poezi, të bëhet prezente në hartën kulturore të krijimtarisë së sotme poetike moderne. Nga kjo prezencë burojnë “tinguj” të thellë që shkrihen harmonishëm në simfoninë poetike të autorëve më të zëshëm botëror. Ai krijon në këtë aspekt një korelacion mjaft të dukshëm krijimtarie me shumkënd prej tyre.

     S’di se ç’qej e ujra/ Më zgjohen përbrenda” thotë (Kuazimodo).Mrekulli, nëse potera e shpezëve/ Shuhet e gëlltitur nga kaltërsia”,  (Montale).  “Kërmezi i qiellit/ Zgjon oaze/ Për nomadët e dashurisë”, (Ungareti). “Vështroje qiellin dhe tatuazhin e tij të blertë prej yjesh.”  (Oktavoi Paz). “Ti sheh fushën e zhveshur përbri qiellit zvarritës/ Dëborën e lartë si det/ Dhe detin e lartë në kaltërsi”, (Pol Eluar). “Me një bardhësi që padukshmërisë i ngjan/  Drita është një rreze mizore nën një grilë”, (Borges).  “Ku vërtitet një diell i madh blu/ Dhe ky diell janë sytë e tu” (Zhak Prever).

   Ndërsa përpos gjithë këtyre vargjeve të “dritëzuar”, vjen në mënyrë aq të harmonizuar vargu me ngarkesë të lartë kolorative i Bilosniç-it. “Dhe shpirti na kaltërsohet”.

   Këta burra të poezisë, e “shtrydhin” dritën e hapësirave për të kultivuar ndjesinë poetike të përfytyrimit të thellë dhe optimist, duke i shërbyer njerëzimit me madhështinë e pakufishme të fjalës së tyre të zgjedhur.

   Për Bilosniç – in, drita dhe hapësira përbën një shteg të artë nëpërmjet të cilit, poezia e tij, vërshon si një “lum” i qetë në dukje por i mbushur me nënrryma të vrullshme të cilat “qetësohen” vetëm kur “derdhen” në detin e gjerë të poezisë botërore.

   Dritën, veçanërisht, objektin e saj burimor, diellin, ai e përdor gjithashtu me një efektivitet simbolik mjaft të dukshëm. Herë herë ai jepet edhe si terren kultivimi edhe eksperiencë rritjeje. Është një lloj rritjeje mbushur me mirëseardhje, “mbjellë” në një “gur të fshehur” që ngjason ndoshta me kujtesat e fshira të shoqërisë ndaj individit, e cila krijon thyerjen e beftë me imazhin e lulëzimit, ç’ka e vesh poezinë e tij, edhe me humor të fshehtë, edhe me ironi të hollë, edhe me arësyetimin hyman, edhe me energjinë analitike të pengut poetik.

   “Mirësevjen në gurin e fshehur, aty më kan lënë/ Që të lulëzojë

Në diell.” Thotë ai.

   Edhe në këtë fokus relacioni me poetët e sipërcituar është mjaft i qartë. Isha “I kyçur ndaj çdo drite” thotë Kuazimodo, ndërsa tashmë, “Udhëtoj me qiejtë”. “Rrëqethem agimeve”, thotë Ungareti. “Sillma lulediellin e çartur për dritë”, thotë Montale. ”Edhe njëherë dielli po del/ Dielli i lirë dhe vagabond”, thotë Zhak Prever. “Agim i shkëlqyer/ Do shkrep mbi çdo fije bari”, thotë Pol Eluar. “Më kot, të dhamë bujarisht diellin që e vështruan sytë e mrekulluar të Uitmanit”, thotë Borges. “Drita pi dritë në gojën tënde”, thotë Oktavio Paz. E përbashkëta e tyre është e njëjta pikë referimi, i njëjti objekt, e njëjta uri dhe e njëjta ngopje për dritën dhe hapësirën e pakufishme.

   Me dritën, Bilosniç, krijon edhe kontraste të tjera, deri në përplasje të befta idesh që të kujtojnë vetëtimat e lindura nga rrahja e reve. Nëpërmjet këtij realiteti, ai krijon edhe mozaikun e duhur të kompletuar me elementë të tjerë kompozicional figurativ, të përafërt me njëri tjetrin dhe, në “fqinjësi” simbolike me hapësirën dhe dritën, siç është; bari, fusha apo lindja e diellit. 

   “Bari i lartë, dielli i lindjes/ Fëmijët piqen në fushën e shtrëngatës.”

 Duket sikur nga pejzat e fjalëve të këtij poeti, buron energjia e sakrificës. Pena e tij shfaqet e “ngjyer” me “bojën” e saj, veçanërisht kur thotë; “Pas ngrohtësisë të premtoj dritë”. Është korelimi i tij me diellin, si objekt burimor i dritës. Një stilem kjo, që përligj natyrshëm lidhjen organike të personifikimit dhe e vesh poezinë e tij me një “koracë” antimug. Dielli, poeti dhe qielli, janë shfaqur në këtë vëllim, si trekëndësh smeraldi që të lbyr vështrimin me kuptimet e shumfishta të tekstit të pasur poetik, plot dritë në rritje dhe rritje nën dritë.

   Efektin më të madh të dritës ky autor e lidh me lëvizjen. Drita këtu, nuk përdoret asnjëherë në mënyrë statike. Ajo është “energji” estetike për shkak të ngjyrës, “energji” konceptuale për shkak të transparencës dhe “energji” lëvizëse për shkak të thyerjes. Drita dhe poeti krijojnë një dualitet jetik të përhershëm që të tundon me mesazhin e tyre të mahnitshëm.

  “Tërë bardhësinë time/ Si shenjë jete ua ofroj lumenjve.”

   Pra drita vihet në shërbim të lëvizjes së lumit i cili personifikon jetën në dinamikën e saj të përhershme. Mjaftojnë këto dy vargje

për të kuptuar energjinë pozitive që zotëron ky poet, rëndësinë e përdorimit të dritës në poezinë e tij dhe vlerën e saj të pafundme në përmbajtjen e kësaj poezie. Funksioni i ngjyrës te këto vargje, është sa intim aq edhe social, sa i brendshëm aq edhe i jashtëm, sa ideal aq edhe pragmatik. E bardha është burim pastërtie dhe drite dhe nëpërmjet përdorimit simbolik të saj, vargjet marrin një intensitet të thellë kuptimor sa të kujtojnë distikun e famshëm të Ezra Paundit, “Një ndalesë në metro” i cili shfaqjen e fytyrave të udhëtarëve të grumbulluar i përqas poetikisht me petalet në një degë të zezë të lagur.

   Drita si element i rëndësishëm i brumit letrar, mbetet për gjithë kohërat dhe popujt e zhvilluar të botës, një ndër simbolet më aktiv dhe më të konsideruar të këtij arti. Edhe nga vet trualli i poezisë kroate, poeti trashëgon thirrje të befta të këtij elementi. Ai bëhet vazhdues i asaj tradite të pasur ndjeshmërie, hapësire dhe kumti të fuqishëm social që manifestohet tek poezia shpërthyese, plot ngjyrë e nerv e poetit Mirosllav Kerlezha, “O qiell i ndritshëm vjeshtor, Magji Dritash dhe ngjyrash”, “thërret” Kërlezha dhe vazhdonë; “Globi si kryevalltar do të kërcejë e harbojë/ Vallen e ngjyrave, vallen e dhimbjes, vallen e gjakut, vallen e yjësisë.” Ndërsa Anjelka VULETIÇ, shqetësohet aq shumë për dritën,”Ju lutem, mos ma zini diellin! Unë kam duart e mia, qiellin tim, ditën dhe natën time... dhe luginën time të ujqëve”. Kurse Petar GUDELJ e trajton qiellin në mënyrë të trishtë; ”Qielli im është në humnera/ Dhe në qiej toka ime.”

   Por, nëse drita trajtohet si “energji” e funksioneve të saj estetike dhe poetike të shumëfishta, hapësira, te ky poet, përdoret edhe si krahasim i drejtpërdrejtë, edhe  si zhvillim, edhe si evolucion i vetvetes dhe i botëve që ai përfaqëson. Ajo merr dimensione përgjithësuese si në konceptimin kundërvënës të përmasave sendore, ashtu edhe në planin e shtrirjes së saj kozmike. Gjithshka e lidhur me jetën e gjallë, rritjen dhe lulëzimin, bëhet horizont i paskajshëm i gjithësisë.

“Në hapsirën e guranës/ Me ngut dua ta kthej ujin.”

   Dihet se uji është simbol i jetës, i përtëritjes së saj, është gjallimi mbi ftikje frymore,çka poeti e realizon aq bukur në shëmbullin konkret të guranës. Pastaj nga ky objekt “fqinj”, ai kalon në një përdorim hapsinor të gjithëkonceptueshëm, në një pozicion krahasues më të drejtpërdrejtë, duke na dhënë botën e çastit, intimitetin e saj, mbi rrjedhojat e një veprimi të dukshëm e konkret, pasoja e të cilit “përgjasojnë” pikërisht me gjithësinë.

“Të puth/ Nën ne deti dhe anijet/ Ç’do gjë i përgjason gjithësisë.”

 Edhe ky element e bën poezinë e tij simotër me poezitë e poetëve të mëdhenj europian dhe botërorë. Midis tyre realizohet një konfigurim i qartë referimi ndaj gjithësisë që bëhet midis tyre, një pikë e përbashkët e lidhjes organike.

“Përndritem/ Pambarimisht”, thotë Ungareti, duke i dhënë distikut të tij lakonik ngjeshje të rrallë drite dhe hapësire. “Ç’do prehje është qiell ku shuhem” shprehet Kuazimodo.  “Ti zbret në horizontin që sundon”, thotë Montale.Vështroje qiellin dhe tatuazhin e tij të blertë prej yjesh!”, “thërret” Oktavio Paz. Universi, tragjiku univers, nuk ishte këtu/ Dhe ishim të detyruar ta kërkonim në të shkuarën”, “filozofon” Borges. “Uji dhe zjarri digjen lakuriq/ Sepse në ballin e gjithësisë/ S’ka më eklipse”, “konstaton” Pol Eluar. “Mos harro shenjëzat e të rrëmbyerëve prej dashurisë/ Shenjëzën e vet çastit të përjetësisë/ Yllin marramendës…”, “porosit” Zhak Prever. Ndërsa Bilosniç duket sikur ju “përgjigjet” sivëllezërve të vet, me të njëjtin zë kumbues.

Gjithnjë e më afër na vjen paskajshmëria”.

   Bilosniç, na jep kështu një kulm metaforik të përdorimit të gjithësisë, në kuptimin shtresor të zhvillimit konkret të saj, pastaj, nëpërmjet intensitetit kuptimor, ngjyrues, kalohet në paskajshmëri.

   Këto përvijime janë disa shfaqje konkrete figurative të orientimit poetik të këtij vëllimi. Por gjithë poezia e tij në tërësi vishet nga një “gëzof”    i praruar drite dhe hapësire, që e bën atë poet të dritës dhe hapësirës së pafundme. Ai i përket asaj kategorie poetësh, të cilët, siç thotë Oktavio Paz, “Shohin me mollëzat e gishtave atë që prekin sytë e tyre, hije, botë”. Pikërisht për këtë aftësi ai ngre kultin e dritës dhe gjithësisë duke realizuar kështu një kontribut madhor në simotërzimin e poezisë kroate me atë botërore. Ngjyrimet emocionale, që mer poezia e tij në përdorimin e një sistemi të tillë simbolik, i kalon kufijtë e kohëve për vetë statusin artistik dhe  “qytetarinë” e ligjshme që ajo tashmë ka fituar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx