| E premte, 30.10.2009, 07:43 PM |
(Rreth
vellimit poetik ”ATA QE I HANE PESHQIT”
të poetit kroat
TOMISLAV MARJAN BILOSNIÇ)
Nga
Nuri PLAKU
Të
ndalesh një çast përpara dritës dhe gjithësisë. Dritës si altar dhe gjithësisë si
tempull. Ndoshta ky është i vetmi prag që frenon në mënyrë imponuese ecjen e
mëtejshme të njeriut, për të kryer përpara saj shenjtërimin e thellë të
vetëvehtes. Një çast të vetëm, aq sa të shfaqet ndërkohë, imazhi i ndritshëm i
rrugës që është e tëra nisje dhe kthim, një gjurmë e përsëritur në përputhje me
ciklet kohore të lindjes dhe perëndimit të saj. Një kufi i përbashkët midis
dritës dhe errësirës, ku njeriu bëhet muhaxhir i përjetshëm i udhëve, për të
gjetur “tokën e premtuar” të fatit të vet.
Ky imazh është shfaqur së fundi edhe me
përkthimin në shqip të poetit kroat Tomislav Marijan Bilosniç, nga poeti,
shkrimtari dhe gazetari i mirënjohur shqiptar, me banim në Shkup - Maqedoni,
Mustafa Spahiu. Imazh i cili lidhet aq shumë me dritëhijet e hapësirës e
gjithësisë si truall i përshtatshëm figurativ, për kultivimin e ideve dhe
realitetit të tij artistik. Libri titullohet ”ATA QE I HANE PESHQIT” dhe është një përmbledhje 5 gjuhëshe;
kroatisht, italisht, anglisht, shqip dhe turqisht.
Në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, autori
reflekton një ndjesi të thellë poetike, psiko-sociale dhe estetike, të
përmbledhur në një kumt të bardhë brohoritës dhe entuziast. Drita dhe gjithësia
janë përmasat bazë të pasqyrimit të këtij kumti dhe fluksi i shprehjes së tij
krijon një hapësirë të gjerë komunikimi artistik, të denjë për ta përçuar atë
si një mesazh të freskët lirije përtej kufijve të vendit të vet. Nëpërmjet
këtij mesazhi, ai bën prezantimin integrues të kulturës kroate në hapësirat e
kulturës europiane dhe asaj botërore, në përputhje me profilin e tij, si një
krijues dhe personalitet letrar modern e dinjitoz.
Dritën dhe gjithësinë Bilosniç i përdor në
kufijtë e konsumit të përhershëm shpirtëror dhe fizik. Dy botët, materjalja dhe
idealja, pasqyrohen përmes tyre, si një pasuri në zhvillim të gjithanshëm dhe
efektiv. Reflekset që burojnë nga përpunimi i tyre artistik, bëhen ndërkohë,
qendrim estetik dhe intelektual për autorin, si përfaqësues i një brezi të
caktuar dhe një kohe të caktuar.
“Qielli i brustë fillon e
lëbardhet/ Kjo më ndal”, shkruan ai në këtë vëllim.
Lirija
te ky poet është një “uri” shpërthyese individuale që merr përmasa të gjera
sociale e që kthehet në “klithmë” poetike, siç thotë edhe studiuesja e tij,
Sanja Knezheviç. Kjo pasqyrohet qartazi tek vargjet e mësipërme të këtij poeti.
Teksa të tjerët nxisin ikje, Bilosniç e “refuzon” atë. Një kontrast i çuditshëm
ky, që dëshmon të kundërtën e asaj që pritet në mënyrë tradicionale për
kuptimin e udhëve, si kuptim i qëllimshëm dhe finalitet qëllimi. Një paradoks
që shfaqet si dëshmi e një ndalese të beftë e të përkorë, por që bëhet sintezë
e qartë refuzimi. “Mos pyesni me
ç’formulë çelen udhët e botëve” thotë Montale. Mos
vallë poetin kroat e tundon pikërisht mungesa e kësaj formule? Mos vallë
Montale kundërshtohet këtu pikërisht për faktin se të ecësh do të thotë që të
dish? A ndoshta ecja varet domosdoshmërisht nga koha? Por edhe kohët kanë
kuptimet e tyre. Koha për të cilën aludon poeti është një shndërrim i çuditshëm
dramatik, ku vërshojnë “ karafilët
taravelë/ e shembin ç’do gjë.” Pikërisht
këtu zbardhet enigma e ndalesës, enigmë që ka brenda saj ngarkesën dramatike të
komunikimit të munguar social, shprehur përmes ndërprerjes së lëvizjes
pozitive. Ideja për një kohë “vërshimesh” na prezantohet nëpërmjet situatave
reale jetike, të “bardha” nga prezenca konkrete e sendeve dhe objekteve, por
nënteksti aktual kërkon domosdoshmërisht zbatimin e “formulave” të tilla
“sociale” apo “politike”, që të realizojnë klimën e përshtatshme të udhëtimit.
Kjo mungesë e shfaqur përmes ndalesës, përbën thelbin dominant të “antiklimës”
humane në realitetin artistik në poezinë e Bilosniçit. Kemi të realizuar kështu
një teksturë të endur mbi një tekst të “largët” poetik për një vëzhgim të zakonshëm.
Dhe ajo ç’ka e sjell para nesh me ndjeshmëri të lartë artistike këtë moment të
vështirë, është pikërisht kontrasti metaforik i ecjes lidhur me dritën,
vërshimin dhe shembjen. Janë dy forca të kundërta, të dhëna me një ngarkesë
kuptimore të ashpër, deri në ekstrem. Janë dy forca që përbëhen nga drita dhe “taravelët”. Drita, si metaforë e
lirisë, ndërsa “taravelët” si epitet identifikimi human frenetiv, veshur me
ngjyrime të thella të humorit negativ, deri në grotesk.
Bilosniç ka një konotacion të thellë kolorativ mbi dritën. Shpesh, ai përdor
shkallëzime ngjyrash, nga e brusta tek e lëbyrta ç’ka i jep poezisë së tij një
lloi ambiguiteti që e zhyt lexuesin në meditim. Diku gjetkë, përdor të kaltrën,
për të dhënë pasurinë dhe bukurinë e pafundme shpirtërore të njeriut, në kufi
të pamata horizontesh. Efekti
estetik i ngjyrave të përdorura prej tij, ndikon qartazi që kjo poezi, të bëhet
prezente në hartën kulturore të krijimtarisë së sotme poetike moderne. Nga kjo
prezencë burojnë “tinguj” të thellë që shkrihen harmonishëm në simfoninë
poetike të autorëve më të zëshëm botëror. Ai krijon në këtë aspekt një
korelacion mjaft të dukshëm krijimtarie me shumkënd prej tyre.
“S’di
se ç’qej e ujra/ Më zgjohen përbrenda” thotë (Kuazimodo). “Mrekulli, nëse potera e shpezëve/ Shuhet e gëlltitur nga kaltërsia”, (Montale). “Kërmezi i qiellit/ Zgjon oaze/ Për nomadët
e dashurisë”, (Ungareti). “Vështroje qiellin dhe tatuazhin e tij të
blertë prej yjesh.” (Oktavoi Paz). “Ti sheh fushën e zhveshur përbri qiellit
zvarritës/ Dëborën e lartë si det/ Dhe detin e lartë në kaltërsi”, (Pol Eluar).
“Me një bardhësi që padukshmërisë i
ngjan/ Drita është një rreze mizore nën
një grilë”, (Borges). “Ku vërtitet një diell i madh blu/ Dhe ky
diell janë sytë e tu” (Zhak Prever).
Ndërsa përpos gjithë këtyre vargjeve të
“dritëzuar”, vjen në mënyrë aq të harmonizuar vargu me ngarkesë të lartë
kolorative i Bilosniç-it.
“Dhe shpirti na kaltërsohet”.
Këta burra të poezisë, e “shtrydhin” dritën
e hapësirave për të kultivuar ndjesinë poetike të përfytyrimit të thellë dhe
optimist, duke i shërbyer njerëzimit me madhështinë e pakufishme të fjalës së
tyre të zgjedhur.
Për Bilosniç – in, drita dhe hapësira përbën
një shteg të artë nëpërmjet të cilit, poezia e tij, vërshon si një “lum” i qetë
në dukje por i mbushur me nënrryma të vrullshme të cilat “qetësohen” vetëm kur
“derdhen” në detin e gjerë të poezisë botërore.
Dritën, veçanërisht, objektin e saj burimor,
diellin, ai e përdor gjithashtu me një efektivitet simbolik mjaft të dukshëm.
Herë herë ai jepet edhe si terren kultivimi edhe eksperiencë rritjeje. Është
një lloj rritjeje mbushur me mirëseardhje, “mbjellë” në një “gur të fshehur” që
ngjason ndoshta me kujtesat e fshira të shoqërisë ndaj individit, e cila krijon
thyerjen e beftë me imazhin e lulëzimit, ç’ka e vesh poezinë e tij, edhe me
humor të fshehtë, edhe me ironi të hollë, edhe me arësyetimin hyman, edhe me
energjinë analitike të pengut poetik.
“Mirësevjen
në gurin e fshehur, aty më
Në diell.” Thotë ai.
Edhe në këtë fokus relacioni me poetët e
sipërcituar është mjaft i qartë. Isha “I
kyçur ndaj çdo drite” thotë Kuazimodo, ndërsa tashmë, “Udhëtoj me qiejtë”. “Rrëqethem agimeve”, thotë Ungareti. “Sillma
lulediellin e çartur për dritë”, thotë Montale. ”Edhe
njëherë dielli po
Me dritën, Bilosniç, krijon edhe kontraste
të tjera, deri në përplasje të befta idesh që të kujtojnë vetëtimat e lindura
nga rrahja e reve. Nëpërmjet këtij realiteti, ai krijon edhe mozaikun e duhur
të kompletuar me elementë të tjerë kompozicional figurativ, të përafërt me
njëri tjetrin dhe, në “fqinjësi” simbolike me hapësirën dhe dritën, siç është;
“Bari i lartë, dielli i lindjes/ Fëmijët piqen në fushën e shtrëngatës.”
Duket sikur nga pejzat e fjalëve të këtij
poeti, buron energjia e sakrificës. Pena e tij shfaqet e “ngjyer” me “bojën” e
saj, veçanërisht kur thotë; “Pas
ngrohtësisë të premtoj dritë”. Është korelimi i tij me diellin, si objekt
burimor i dritës. Një stilem kjo, që përligj natyrshëm lidhjen organike të
personifikimit dhe e vesh poezinë e tij me një “koracë” antimug. Dielli, poeti
dhe qielli, janë shfaqur në këtë vëllim, si trekëndësh smeraldi që të lbyr
vështrimin me kuptimet e shumfishta të tekstit të pasur poetik, plot dritë në
rritje dhe rritje nën dritë.
Efektin më të madh të dritës ky autor e lidh
me lëvizjen. Drita këtu, nuk përdoret asnjëherë në mënyrë statike. Ajo është
“energji” estetike për shkak të ngjyrës, “energji” konceptuale për shkak të
transparencës dhe “energji” lëvizëse për shkak të thyerjes. Drita dhe poeti
krijojnë një dualitet jetik të përhershëm që të tundon me mesazhin e tyre të
mahnitshëm.
“Tërë
bardhësinë time/ Si shenjë jete ua ofroj lumenjve.”
Pra drita vihet në shërbim të lëvizjes së
lumit i cili personifikon jetën në dinamikën e saj të përhershme. Mjaftojnë
këto dy vargje
për
të kuptuar energjinë pozitive që zotëron ky poet, rëndësinë e përdorimit të
dritës në poezinë e tij dhe vlerën e saj të pafundme në përmbajtjen e kësaj
poezie. Funksioni i ngjyrës te këto vargje, është sa intim aq edhe social, sa i
brendshëm aq edhe i jashtëm, sa ideal aq edhe pragmatik. E bardha është burim
pastërtie dhe drite dhe nëpërmjet përdorimit simbolik të saj, vargjet marrin
një intensitet të thellë kuptimor sa të kujtojnë distikun e famshëm të Ezra
Paundit, “Një ndalesë në metro” i
cili shfaqjen e fytyrave të udhëtarëve të grumbulluar i përqas poetikisht me
petalet në një degë të zezë të lagur.
Drita si element i rëndësishëm i brumit
letrar, mbetet për gjithë kohërat dhe popujt e zhvilluar të botës, një ndër
simbolet më aktiv dhe më të konsideruar të këtij arti. Edhe nga vet trualli i
poezisë kroate, poeti trashëgon thirrje të befta të këtij elementi. Ai bëhet
vazhdues i asaj tradite të pasur ndjeshmërie, hapësire dhe kumti të fuqishëm
social që manifestohet tek poezia shpërthyese, plot ngjyrë e nerv e poetit
Mirosllav Kerlezha, “O qiell i ndritshëm
vjeshtor, Magji Dritash dhe ngjyrash”, “thërret” Kërlezha dhe vazhdonë; “Globi si kryevalltar do të kërcejë e
harbojë/ Vallen e ngjyrave, vallen e dhimbjes, vallen e gjakut, vallen e
yjësisë.” Ndërsa Anjelka VULETIÇ,
shqetësohet aq shumë për dritën,”Ju
lutem, mos ma zini diellin! Unë kam
duart e mia, qiellin tim, ditën dhe natën time... dhe luginën time të ujqëve”.
Kurse Petar GUDELJ e trajton qiellin
në mënyrë të trishtë; ”Qielli im është
në humnera/ Dhe në qiej toka ime.”
Por, nëse drita trajtohet si “energji” e
funksioneve të saj estetike dhe poetike të shumëfishta, hapësira, te ky poet,
përdoret edhe si krahasim i drejtpërdrejtë, edhe si zhvillim, edhe si evolucion i vetvetes dhe
i botëve që ai përfaqëson. Ajo merr dimensione përgjithësuese si në konceptimin
kundërvënës të përmasave sendore, ashtu edhe në planin e shtrirjes së saj
kozmike. Gjithshka e lidhur me jetën e gjallë, rritjen dhe lulëzimin, bëhet
horizont i paskajshëm i gjithësisë.
“Në hapsirën e guranës/ Me ngut
dua ta kthej ujin.”
Dihet se uji është simbol i jetës, i
përtëritjes së saj, është gjallimi mbi ftikje frymore,çka poeti e realizon aq
bukur në shëmbullin konkret të guranës. Pastaj nga ky objekt “fqinj”, ai kalon
në një përdorim hapsinor të gjithëkonceptueshëm, në një pozicion krahasues më
të drejtpërdrejtë, duke na dhënë botën e çastit, intimitetin e saj, mbi
rrjedhojat e një veprimi të dukshëm e konkret, pasoja e të cilit “përgjasojnë”
pikërisht me gjithësinë.
“Të puth/ Nën ne deti dhe anijet/
Ç’do gjë i përgjason gjithësisë.”
Edhe ky element e bën poezinë e tij simotër me
poezitë e poetëve të mëdhenj europian dhe botërorë. Midis tyre realizohet një
konfigurim i qartë referimi ndaj gjithësisë
që bëhet midis tyre, një pikë e përbashkët e lidhjes organike.
“Përndritem/ Pambarimisht”, thotë Ungareti,
duke i dhënë distikut të tij lakonik ngjeshje të rrallë drite dhe hapësire. “Ç’do prehje është qiell ku shuhem”
shprehet Kuazimodo. “Ti
zbret në horizontin që sundon”, thotë Montale. “Vështroje
qiellin dhe tatuazhin e tij të blertë prej yjesh!”, “thërret” Oktavio Paz. “Universi, tragjiku univers, nuk ishte këtu/
Dhe ishim të detyruar ta kërkonim në të shkuarën”, “filozofon” Borges.
“Uji dhe zjarri digjen lakuriq/ Sepse në ballin e gjithësisë/ S’ka më eklipse”,
“konstaton” Pol
Eluar. “Mos harro shenjëzat e
të rrëmbyerëve prej dashurisë/ Shenjëzën e vet çastit të përjetësisë/ Yllin
marramendës…”, “porosit” Zhak Prever. Ndërsa Bilosniç duket sikur ju
“përgjigjet” sivëllezërve të vet, me të njëjtin zë kumbues.
”Gjithnjë e më afër na vjen paskajshmëria”.
Bilosniç, na jep kështu një kulm metaforik
të përdorimit të gjithësisë, në kuptimin shtresor të zhvillimit konkret të saj,
pastaj, nëpërmjet intensitetit kuptimor, ngjyrues, kalohet në paskajshmëri.
Këto
përvijime janë disa shfaqje konkrete figurative të orientimit poetik të këtij
vëllimi. Por gjithë poezia e tij në tërësi vishet nga një “gëzof” i praruar drite dhe hapësire, që e bën atë
poet të dritës dhe hapësirës së pafundme. Ai i përket asaj kategorie poetësh,
të cilët, siç thotë Oktavio Paz, “Shohin
me mollëzat e gishtave atë që prekin sytë e tyre, hije, botë”. Pikërisht
për këtë aftësi ai ngre kultin e dritës dhe gjithësisë duke realizuar kështu
një kontribut madhor në simotërzimin e poezisë kroate me atë botërore.
Ngjyrimet emocionale, që mer poezia e tij në përdorimin e një sistemi të tillë
simbolik, i kalon kufijtë e kohëve për vetë statusin artistik dhe “qytetarinë” e ligjshme që ajo tashmë ka
fituar.