Faleminderit
Fotaq Andrea e Dritan Muka: Një kryevepër e Petrarkës në Bibliotekën e Kastriotëve
E shtune, 19.09.2009, 10:00 PM
Me rastin e 539 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj
Kastrioti Skënderbeu
NJË KRYEVEPËR E PETRARKËS NË BIBLIOTEKËN E KASTRIOTËVE
Nga Fotaq Andrea e Dritan Muka
Zbulimin e madh e ka bërë që në vitin 1972 Robert G. Calkins,
Profesor i Historisë së Artit Mesjetar i Universitetit Cornell të Itakës në
Amerikë. Është fjala për kryeveprën e kryepoetit italian Francesko Petrarka “Trionfi,
Canzoniere – këngë e sonete”, që përmban në dy fletë të saj emblemën e
famshme të Kastriotëve.
Vepra, është një dorëshkrim i rrallë fjorentinas,
shkruar sipas studjuesve rreth viteve 1465-1470. Përmban 188 fletë në pergamen
dhe ndodhet në fondet e Bibliotekës së mirënjohur të Universitetit Cornell që
nga viti 1902, kataloguar me numër MS. 4648 n°.24 +. Shkruar në italisht, ky
kodik ka në përbërje të tij 39 fletë nga vepra “Trionfi”, 143 fletë nga vepra
“Canzoni” dhe 6 fletë Indeks. Studjuesit Fowler, Ricci, Wilkins, Ullman,
Calkins etj. shohin në këtë vepër dorën e iluminatorit të mirënjohur mesjetar
Francesco d’Antonio de Cherico, ndërsa skribi apo shkruesi është Nicolous
Riccine.
Faqja e parë, në gërmën hyrëse të “Triumfit”, paraqet në
miniaturë, dhe me shije të veçantë artistike, poetin Petrarka duke ëndërruar, e
në krah të tij, përsëri Petrarkën në moshë të pleqërisë mbështetur mbi
paterica. Poshtë tekstit, në mes të faqes, katër ëngjëj të bukur fëmijërorë,
apo eros, mbajnë emblemën e shenjtë të Kastriotëve. E njëjta emblemë, mbajtur
përsëri nga engjëjt, paraqitet me stilizim po aq mjeshtëror edhe në faqen që
çel veprën “Canzoni”, ku në gërmën fillestare të tekstit, këtë herë Petrarka
paraqitet me libër në duar.
Ndonëse pjesa e djathtë e emblemës shfaqet, në të dyja
fletët, e dëmtuar rëndë, përsëri Profesor Calkins sheh në të emblemën e
Skënderbeut dhe e mbështet argumentimin e tij shkencor tek pjesa e majtë e
emblemës, mëse e qartë në të dyja rastet : në sfond të kaltër, një luan i artë,
ngritur në këmbë, mban në putrën e djathtë një shpatë të argjendë dhe mbi të,
ndodhet simboli i artë i zambakut anzhuin. Këtë element të rëndësishëm të
emblemës, ai e ka përqasur me emblemën kastriotase të Librit të Uratave,
duke arritur në konkluzionin se Libri i Petrarkës “duhet të ketë qenë me
siguri në zotërim të Skënderbeut ose të birit të tij Gjonit”.
Një simbol tjetër i veçantë shfaqet në emblemë në mënyrë
domethënëse : gjurma e një ylli gjashtëcepësh të artë në sfond të kaltër,
gati të shuar nga mpleksje e fortë e ngjyrave. Kjo gjurmë paralajmëron aty
praninë e dikurshme të shqiponjës dykrenore, dhe përbën, të themi, majën e
ajsbergut të saj përpirë nga koha. Në vend të shqiponjës, për fat të keq, na
shfaqen këtu vetëm gjurma njollash, që flasin për dëmtim a për ndërhyrje të
jashtme brutale (faqja B).
Duke dashur të thellohemi në
argumentat e Profesor Calkins, u lidhëm me konservatorin e Bibliotekës së
Universitetit të Cornellit, i cili na ndihmoi mjaft me të dhëna konkrete, si
dhe kërkuam gjurmët e botuara e të pabotuara të Librit të Uratave për të
cilën kanë folur edhe studjuesit tanë, Prof. Kristo Frashëri e Dr. Moikom Zeqo.
Faqja A
Me të na rënë në dorë emblema e Librit të Uratave,
(këtu në krah) të cilën nuk e kishim parë të botuar, kuptuam zbulimin e madh,
lidhjen logjike, shkencore e mahnitëse që kishte bërë prof. Calkins midis
emblemës kastriotase të Librit të Uratave dhe emblemës po kastriotase të
Librit të Petrarkës. Simboli i të njëjtit luan, me të njëjtin kompozim e
pozicion, shfaqet qartë në dy burime krejt të ndyshme nga njëri-tjetri, njëri
me tematikë fetare dhe tjetri me tematikë laike e letrare. Veçse në Librin e
Uratave, luani heraldik kastriotas qëndron denjësisht e krenarisht përballë
shqiponjës dykrenore kastriotase me yllin gjashtë cepash mbi krye, ndërsa në Librin
e Petrarkës, i njëjti luan nuk bën gjë tjetër veçse paralajmëron
fisnikërisht praninë e dikurshme të së njëjtës shqiponjë dykrenore, mjerisht
viktimizuar nga koha pas shekujsh ekzistence.
Tek siguruam dy burime për të njëjtën emblemë
kastriotase, dhe duke dashur t’i shohim ato në lidhje të ngushtë me
njëra-tjetrën, na ra dukshëm në sy se luani heraldik i emblemës së Kastriotëve
kishte lidhje të ngushtë me luanin heraldik të emblemës së Muzakajve dhe, më
thellë në historinë tonë, me luanin e emblemës së Skurrajve, por jo me luanin
heraldik të emblemës së Topiajve, i cili na paraqitet në pozicion madhështor të
vithisur, me kurorë e pendë. Madje, në bazë të shkencës heraldike, vumë re se,
ndryshe nga luani i Topiajve, ky simbol tek emblema kastriotase është luaneshë,
domethënë është i zhveshur nga atributet mashkullore : është pa krifë, pa qime
në putra, pa vergë, e mbi të gjitha me trup të hajthëm e të zgjatur. Në
heraldikën evropiane na rezulton të mos ketë asnjë rast të ngjashëm me
luaneshën kastriotase, madje edhe njëfarë luani bask, me shpatë e në këmbë,
është krejt i ndryshëm për nga kompozimi e paraqitja. Faqja B
Dr. Zeqo na siguron, nga ana tjetër, për dy raste të
shfaqjes së emblemës kastriotase me shqiponjë e luan shumë vite pas vdekjes së
Heroit dhe larg truallit kombëtar. Njëra emblemë ndodhet në monumentin që
Isabela Kastriotit i ngrit të shoqit Guido Ferramosco në Montecassino dhe
tjetra në varrin e një pasardhësi të Skënderbeut në vijë femërore Giusepe
Felice Kastriotit në Leçe të Puljes (Itali). Përshkrimi që studjuesi pasionant
shqiptar u bën këtyre emblemave është i ngjashëm si dy pika uji me emblemën e Librit
të Uratave dhe me emblemën e Librit të Petrarkës : shqiponjë
bizantine me dy krerë e me dy kurora princërore, në fushë të kaltër, nga njëra
anë, dhe luan me shpatë e me lule zambaku, nga ana tjetër. Pra kemi pikë për
pikë të njëjtën emblemë kastriotase, por në katër burime të ndryshme, të cilat
nuk na rezultojnë aspak që të jenë variante, por janë shëmbëlltyra të
njëra-tjetrës.
Përgjithësisht, është thënë se Skënderbeu e huazoi
emblemën e tij nga Muzakajt, duke i bërë ndryshime të dukshme. Nga ana tjetër,
në veprën madhore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Histori e popullit
shqiptar, vëll. I, 2002, nënvizohet : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mëtonte
se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe,
si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre
dy familjeve, luanin dhe yllin” (nënvizimi është i yni, F.A. e D.M.).
Rrjedhimisht, del se simboli i luanit (apo luaneshës) është shfaqur
domosdoshmërisht në emblemën kastriotase gjatë kohës sa ishte gjallë
Skënderbeu. Dhe ka vijuar më tej përtej detit, tek simbolet e pasardhësve
kastriotas.
Për mendimin tonë, kjo tezë, që ka të bëjë me aleancat
familjare, politike, ushtarake e ekonomike të familjeve aristokratike
shqiptare, ka një rëndësi të madhe për të përcaktuar në kohë periudhën e
shfaqjes së Librit të Uratave dhe të Librit të Petrarkës. Gjin
Varfi në librin e tij “Heraldika shqiptare” vë në dukje se emblema e
Gjergj Kastriotit me shqiponjë (ne do shtonim nga ana jonë edhe me luaneshë)
shfaqet për herë të parë në Librin e Uratave, që iu dhurua
Skënderbeut nga Alfonsi V, mbret i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit
të Gaetes më 26 mars 1451. Kurse studjuesi i mirënjohur i emblemave mesjetare
J.J.G. Alexander, Profesor i Universitetit të Manchesterit, në veprën e
përbashkët me Prof. A.C. de la Mare “The italians Manuscripts in the library of
Major J.R.Abbey” - ku ka botuar në pesë faqe katalogimin e Librit të Uratave
dhe emblemën e Skënderbeut -, shpreh mendimin se ky libër mund t’i përkasë
vitit 1480. Duke prezantuar në mënyrë të hollësishme Librin e Uratave,
Prof. Alexander thekson se kodiku, (me 214 fletë, në latinisht e pergamen, dhe
me mjaft ndryshime, fshirje e shtesa) “mund të ketë qenë pronësi e Gjonit, të
birit të Skënderbeut, mbrojtësit të Shqipërisë kundër turqve. Pas vdekjes së
Gjergjit më 1468, Andronika Komnena – Donika Kastrioti – dhe i biri u thirrën
në Napoli nga mbreti Ferrante. Më pas, Uratat kaluan në përdorim
françiskan”. Dhe më tej, autori vijon në mënyrë të saktë e të prerë : “Nga viti
1544, apo ndoshta pak më parë, manuskriti ka qenë në zotërim të familjes së
kontëve Capua dhe Altavilla”. Këtë e vërteton me shënimet në fletët 203-214 që
përbëjnë pjesën shtojcë të manuskritit origjinal, ku datat e lindjes së
pinjollëve të këtyre dy familjeve fisnike italiane shoqërohen në këtë shtojcë
me emblemat e ndryshme të familjeve Capua, Altavilla, Orsini, Margaritta
Ruffo-s, princeshës së Silës apo gruas së D.J. Fabricio di Capua-s.
Pra, studjuesit anglezë janë unanimë kur theksojnë se të
dy librat, si “Uratat” ashtu dhe “Petrarka”, kanë qenë që në fillim në zotërim
të familjes së Kastriotëve dhe më pas, kanë mërguar në Itali, me mërgimin e të
zotërve të tyre, Donikës e Gjonit. Veçse për ta, koha e shfaqjes së këtyre dy
librave është e ndryshme : Libri i Petrarkës shfaqet në vitet 1465-1470,
dhe Libri i Uratave në vitin 1480. Si historianë të artit të
manuskriteve, këto përcaktime kohore ata i kanë bërë kryesisht në bazë të
përqasjeve me kodikë të tjerë të po kësaj periudhe.
Mirëpo, duke ndjekur pistën e historiografisë sonë, vëmë
re se në morinë e simboleve të ndryshme kastriotase, të përkrenares me kokë
dhie, të Diellit e të simboleve pellazgjike, të luanit heraldik evropian, të
zambakut anzhuin, etj. shqiponja dykrenore bizantine me yllin me gjashtë cepa
mori përparësi e mëvetësi me vulën e madhe të Skënderbeut përdorur “për herë të
parë në letra që janë shkruar gjatë mesit të viteve ‘50 të shekullit XV” (Histori
e popullit shqiptar, f.435). Nga ana tjetër, vajtje-ardhjet e shpeshta të
Skënderbeut dhe të ambasadorëve të tij në Itali në vitet 1451-1466, fama dhe
lavdia e Heroit në rang evropian gjatë po kësaj periudhe, vetë formimi i tij i
gjerë kulturor humanist, si dhe në radhë të parë motivet e fuqishme politike,
ushtarake, etnike e ekonomike flasin për atë që Skënderbeu i përdori, gjatë
gjithë kohës, simbolet e tij me kuptim shumë të thellë, e jo thjesht
kancelaresk apo luftarak. Nëpërmjet këtyre simboleve, ai bëri me mjeshtëri një
lidhje të fuqishme organike, politiko-historike, me lashtësinë dhe vazhdimësinë
e etnisë shqiptare, me Ilirinë, Krishtërimin, Bizantin dhe Evropën, për të
kristalizuar e formuar kështu shtetin shqiptar. Pra, do të ishte disi e vështirë
të pranohej që këto vepra madhore si Libri i Uratave dhe Libri i
Petrarkës të kenë qenë në bibliotekën kastriotase vetëm pas vdekjes së
Skënderbeut apo t’i jenë përkushtuar të birit, Gjonit, me synimin thjesht
fisnik për të përjetësuar simbolet kastriotase, kur dihet që ky, në atë kohë,
ishte tepër i mitur. Libri i Uratave
Nga ana tjetër, historia ka pagëzuar si “Codex
Scanderbegus” enciklopedinë e famshme të shekullit XV që ndodhet në bibliotekën
e Vajmarit, Vjenë, edhe pse në të nuk ndodhet asnjë portret apo emblemë
kastriotase. Ky kodik mbahet se i është bërë dhuratë Skënderbeut nga mbreti
Ferdinand i Aragonës. Dhurata të tilla ishin tepër të zakonshme e kuptimplota
në Mesjetë, dhe nuk përjashtohet në këtë rast mundësia që si Libri i Uratave
ashtu edhe Libri i Petrarkës t’i jenë bërë dhuratë Heroit gjatë kohës që
ai po i bënte shërbime të mëdha Evropës me kreshnikëritë e veta.
Duke gjurmuar në veprën iluminatorit të njohur Francesco
d’Antonio de Cherico, autor i ilustrimeve të Librit të Petrarkës me
emblemën e Kastriotëve, vumë re një fakt tepër domethënës : ky mjeshtër i
njohur i Firences, që mbante lidhje me familjen fisnike Medicis dhe Dukën
Urbino, ka realizuar, krahas “Urbino Bible”, “Codice Trivulziano” e “Longleat
Virgil” edhe ilustrimin e librit “Jeta e Karlit të Madh”, më 1461, libër tepër
i vyer për kohën, që i është bërë dhuratë mbretit francez Luigjit XI, duke
pasur në hyrje të tij pikërisht emblemën e këtij mbreti. Mund të konkludojmë
atëherë që edhe Libri i Petrarkës t’i jetë bërë dhuratë Skënderbeut, po
gjatë kësaj periudhe, duke e nderuar atë me bukurinë e emblemës kastriotase
realizuar nga autori i mirënjohur në një kryevepër të poetit madhështor. Por
ndërsa Biblioteka e Luigjit XI, që numëronte në atë kohë rreth 800 kodikë të
mrekullueshëm, do të përbënte bërthamën e ardhshme të Bibliotekës së Francës,
kodikët e Bibliotekës së Skënderbeut, - nga të cilët njohim deri më sot Codex
Scanderbegus, Librin e Uratave dhe Librin e Petrarkës,
do të mërgonin, pas vdekjes së tij, në dhé të huaj, do të zotëroheshin nga duar
të huaja, dhe rrjedhimisht do të njihnin ndryshime, bastardime, fshirje e
gjymtime, duke humbur kështu identitetin fillestar e origjinal. Shkenca
heraldike na mëson këtu se historiku i manuskriteve është i tillë që nuk
përjashton luftrat politike e ideologjike, përplasjen e prirjeve dhe shijeve të
kundërta, që sillnin detyrimisht rrënimin masiv të kodikëve ose dëmtim të
pjesshëm brenda tyre. Fatmirësisht në Librin e Petrarkës – të cilin po
ia bëjmë të njohur sot lexuesit për herë të parë - luanesha kastriotase arriti
më në fund të shpëtojë prejardhjen, identitetin dhe vetë historinë e dhimbshme
të këtij kodiku të shenjtë. Emblema e Muzakajve
Në mbështetje të tezës sonë se Libri i Petrarkës
mund të jetë realizuar rreth viteve 1460, vjen edhe studimi i Prof. Ilona Berkovitz
e Akademisë hungareze të Shkencave, e cili ka analizuar që më 1964 fondin e
Bibliotekës së Mattia Korvinos (Corviniusit), birit të Huniadit të madh, mikut
e bashkëpunëtorit të Skënderbeut në luftën e përbashkët kundër sundimtarëve
osmanë. Berkovitz, duke studjuar veprën e autorit Eusebius (Eusebius
Pamphili) nga koleksioni i Corviniusit nënvizon se këto dorëshkrime janë të
përngjashme me punimet e mjeshtrave fjorentinas të viteve 1460-1470. Pikërisht
këtë tezë merr për bazë Prof. Calkins kur thekson se dorëshkrimet e kësaj
epoke, përhapur në krejt Italinë e shekullit XV, përmbajnë elementë dekorativë
që afrohen shumë në stil e në ngjyra, si dhe një numër të madh emblemash
rrethuar nga kurora. Dhe është periudha kur vepra e Petrarkës njohu lulëzim të
veçantë nëpërmjet manuskriteve fjorentinase, e ndër to edhe punimet e Francesco
Antonio de Chericos, një pjesë e të cilave ndodhen në koleksionin “The
Fitzwilliam Museum”.
Nga ana tjetër, është me interes të theksojmë se Prof.
Robert G. Calkins, në prezantimin e veprës madhore të Petrarkës “Trionfi e
Canzoni”, nuk mungon të vërë në dukje se ndërtimi kompozicional i emblemës
kastriotase është i tillë që rrethohet nga dy kurora në formë krahësh, dhe se
këto kurora “duket sikur e mbështjellin vetë Shqipërinë me përkujdesje
atërore”. Kurse në katalogun “The Cornell Library Journal” të vitit 2003,
tërhiqet vëmendja se midis 130 kodikëve të Mesjetës e Rilindjes që ruhen në
Cornell U, Libri i Petrarkës është një prej dorëshkrimeve më të
bukura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë katalog parashtrohet
prejardhja e parë e mundshme e manuskritit të rrallë, duke theksuar se ka qenë
në zotërim të Gjergj apo Gjon Kastriotit, dhe prej tyre ka kaluar në duart e
Abatit Ferdinand Ughelli (1595-1670), për të përfunduar pas pesë a gjashtë
duarsh, në zotërim të Willard Fiske, konservatorit të parë të Bibliotekës
Cornell (1880), i cili ia dhuroi më pas tërë koleksionin e tij po kësaj
Biblioteke. Me rastin e 700 vjetorit të lindjes së Petrarkës, në ekspozitën
Penn University dhe Cornell University, u ekspozua edhe Libri i Petrarkës
me emblemën kastriotase, shoqëruar me një biografi të shkurtër për Heroin
Kombëtar shqiptar, si organizator i Lidhjes së Lezhës dhe mbrojtës i Shqipërisë
në shekullin XV.
Duke përfunduar këtu këtë paraqitje të shkurtër për këtë
zbulim të madh, me synimin për t’u thelluar më shumë në një studim të posaçëm,
vëmë në dukje se Libri i Petrarkës dëshmon për një fakt të mrekullueshëm
e tepër kuptimplotë që lidhet me vetë përmbajtjen e tij : që në bibliotekën e
familjes kastriotase kanë zënë vend të nderuar penat e fuqishme italiane,
Petrarka e Bokaçio, dhe më tej akoma, të cilët janë njohur nga afër nga anëtarë
të kësaj familjeje dhe nga vetë Skënderbeu. Ja vlerat e rralla të Librit të
Petrarkës, që përmban në gjirin e tij thesarin kastriotas.
Figura titanike e Heroit Kombëtar të Shqipërisë mbetet
përherë burim i fuqishëm shpirtëror i një kombi të tërë për të lartuar emrin e
atdheut nën shembullin e tij. Për këtë kemi sot e kësaj dite nevojë, në duam të
mbajmë gjallë e të fuqizojmë ndjenjën e fisnikërisë dhe të krenarisë kombëtare,
përkrah popujve e qytetërimeve të tjera të përparuara që e kanë ngritur tashmë
historinë e tyre në pidestal lavdie.