Kulturë
Kujtim Mateli: Dëshnica e Përmetit, e përjetësuar në histori dhe fjalë
E merkure, 26.08.2009, 08:29 PM

(“Fjalë shpirti të
dëshnicarëve” e studiuesit Gëzim Voda)
Nga Kujtim Mateli
Ka më tepër se një vit
që në duart e lexuesit ndodhet libri i Gëzim Vodës “ Fjalë shpirti të
dëshnicarëve”, i cili është një përpjekje serioze për të shprehur nëpërmjet
fjalëve të urta, këngëve dhe urimeve, shpirtin e dëshnicarit. Libri ndahet në 6
pjesë, duke na dhënë të plotë, deri në detaje, jetën e kësaj krahine.
Një vend të rëndësishëm
në këtë libër zë kapitulli i pestë. Në të përfshihen tregime të shkurtëra me
njerëz dhe ngjarje reale të shekullit të kaluar. Në secilin tregim shprehet
filozofia dhe urtësia e dëshnicarit. Ato janë tregime që tregojnë zgjuarësinë e
banorëve të kësaj krahine, të krijuara pranë oxhaqeve në odat e miqve, në
pritjen e krushqve nëpër dasma apo në kuvende burrash.
Mbasi i lexon dhe i rilexon shikon se nuk është vetëm filozofia dhe mençuria e
personit që bëhet protagonist i ngjarjes. Shikon se ajo filozofi është edhe e
gjyshit të tij, edhe më tej , e stërgjyshit të tij. Këto personazhe kanë
shfaqur zgjuarësinë e tyre në momente të caktuara që i ka përjetësuar ata si
shprehës të mençurisë popullore.
Ata janë përjetësuar në këtë libër dhe kjo mençuri dhe filozofi popullore
do të jetë e pranishme edhe për brezat që vijnë. Kjo pasuri që i jep vlera
Dëshnicës duhej të mos humbiste.
Si mund të humbiste (sigurisht që do të kishte humbur siç kanë humbur
mijëra të tjera deri tani) tregimi që na flet për Belul Arapin, njërin nga
njerëzit më me emër në Dëshnicë dhe në të gjithë Përmetin. Ky tregim,
ashtu si dhe tregimet e tjera të këtij libri, është një perlë që na tregon se
rrënjët e fisit tonë dëshnicar janë shtrirë thellë në histori. Janë rrënjët e
një fisi me histori mbi tre mijë vjeçare. Për kënaqësi të lexuesit, por edhe të
një analize po e japim atë të plotë:
Për “Çukën e
Tomorrit” s`
Belul Arapi nga fshati Ball, një
nga ata burrat “me çika”për kohën që jetoi, si mik, më tregonte një herë.
Ishim shumë fëmijë. Unë isha më i madhi. Hallet dhe barrët e shtëpisë më zunë
shumë shpejt, sidomos mbas vdekjes së nënës.Im at, Shaqua, tek unë i kishte
sytë si për të lëruar e korrur atë pak bereqet që bënim, edhe për vajtjen në
mulli, për mik e për të bërë dru. Qëlloi një herë që druve po u vinte
fundi. Sapo kishte rënë behari dhe ende kishte ditë të ftohta, sidomos natën.
-Nisu nga mali,-më tha babai,-se këtej afër i bëmë rrah me shkarpa e lisa, i
premë dhe ato të shkretat hereke. Ç`qe e vërteta pjesa e malit mbi fshatin
tonë, më shumë ka shkurre e shkozë dhe fare pak pyll me drurë të lartë. Ia
thashë këtë dhe tim eti.
-Hidhu andej nga pylli i Dejanit,-tha ai,-se atje ka plot dru. Ca pemë i thyen
era e ca dëbora e dimrit, tek-tuk nga rrufeja, sa që dhe sëpata zor se të
duhet.
Ashtu bëra. Vura gomarin përpara dhe ndreqa rrugën për atje. Pylli i
Dejanit si pylli i Dejanit. Nuk shpohej kollaj. Shiko unë që të gjeja drurë të
thyer siç më tha im atë, s`po shihja gjë. Mbase i kishin marrë më parë
çorrogunjasit që e kishin më afër. Po më zinte darka dhe po mbetesha pa dru.
Pastaj s`mora as sëpatë të madhe se u zura besë fjalëve të tim eti. Por dhe ta
merrja, ku i prisja dot unë ato pemë të trasha, se unë qeshë i vogël. Pashë
ç`pashë dhe në të kthyer i vura gomarit nja dy krahë shkarpa. Po me to mund të
përcëlloheshe, se zjarr që të mbante prush, mazalla se bënin.
-Hë mor djalë i babait, erdhe?
-Erdha,- i thashë,-po dru në Dejan nuk gjeta.
-Si nuk gjete?-tha ai. A mbaron pylli i Dejanit nga drurët?!
Dhe m`u vu keq. T`i thosha që nuk mora sëpatën, do të më bënte rezil. Do më
thosh: po a shkohet në pyll pa sëpatë? Bëra si bëra meqë besonte në fe, seç m`u
kujtua dhe i bëra një be që unë vetë s`para e besoja, por që ai e kishte për
goje shpesh.
-Për Çukën e Tomorrit, se kishte dru Dejani.
Im at nuk e zgjati më tej. Besoi tek unë apo kuptoi pazotësinë time, këtë nuk
ma tha ndonjëherë. Por gjithsesi, unë shpëtova nga sikleti.
(Gëzim Voda “Fjalë shpirti të dëshnicarëve” Tiranë 2008. Fq. 177)
Në këto tri fjalë: “Për
Çukën e Tomorrit” gjendet kodi i cili shpjegon qëndresën e shqiptarëve në
mijëvjeçarë. Këto janë tri fjalë të arta dhe të përdorura në konteksin e
mësipërm na japin fushën e plotë të përdorimit të tyre. Ato përdoren kur dy ose
më shumë njerëz shfaqin para palës tjetër vërtetësinë e fjalëve që thonë.
Mjaftonte të përdoreshin këto fjalë që dyshimi i ngritur të rrëzohej. Përdorimi
i këtyre fjalëve: “Për Çukën e Tomorrit” tregonte një të vërtetë të
pakundërshtueshme për ato që kishte thënë bashkëfolësi. Jemi në shekullin e
kaluar, kur besimi ishte zbehur për brezat e rinj, por ai kishte vlerën e një
të vërtete absolute për brezat e mëparshëm. Ndaj dhe kemi dy qëndrime të
kundërta. Njëri i babait që nuk dyshonte në ato që i thoshte i biri kur përdorej
kjo shprehje dhe tjetra e djalit që e përdori këtë betim për të mbuluar një
gabim të tij. Të paktën nga prindërit tanë dhe më tej në brezat e mëparshëm,
nëse do të bëhej një betim i tillë do të thoshte që palët do t`i merrnin fjalët
e thëna për të vërteta absolute. Nuk kishte gjykatës që të vërtetonte fajësinë
apo pafajësinë e njerës palë. Fajtori shtangej para kësaj shprehje: “Për Çukën
e Tomorrit” dhe e vlerësonte vetë fajin. Ai nuk betohej, nëse e kishte
bërë gabimin, por detyrohej të thoshte të vërtetën. Edhe sikur të heshtëte, mos
bërja e betimit donte të thoshte se e kishte kryer fajin. Në rastin në fjalë,
djali (Beluli) e bëri betimin. Kjo do të thoshte se për të Dejani nuk kishte
dru. Nëse djali gënjente mbi të do të binte ndëshkimi i perëndive, sipas
besimit të prindërve tanë. Ndonëse për babanë ishte një e vërtetë absolute që
Dejani kishte dru, ky ishte i detyruar ta merrte thënien e djalit si të
vërtetë. Për gjykimin e djalit nuk kishte. Ai duke qenë fëmijë nuk mund të
priste dot dru që ishin jashtë mundësisë së tij. Kështu e kuptoi babai, ndaj
dhe nuk i foli më të birit. Nëse babai do të kuptonte se fëmija e tij gënjeu,
ai do të shqetësohej dhe do të kërkonte nga i biri që t`i lutej vetë perëndisë,
asaj Çukës së shenjtë, që ta shpëtonte nga mëkati ku kishte rënë. Do të lutej
edhe babai vetë për të birin. Do të lutej e gjithë familja. Do t`i luteshin
duke justifikuar se ai e bëri këtë se ishte fëmijë. Dhe perëndia i falte
fëmijët , se ishin të pavetëdijshëm për ato që bënin. Këtë e di kushdo që në
vitet 60-të, kur dhe u prishën institucionet fetare dhe fëmijët adoleshentë të
asaj periudha flitnin apo kryenin veprime që për prindërit tanë përbënin
mëkate, ata i luteshin perëndisë, shumica e tyre Çukës së Tomorrit, që t`i
falte me shprehjen: “Fali o Zot se janë fëmijë dhe nuk dinë.” Nëse
sot duhen gjykatës e avokatë, prokurorë e institucione të tjera për të
vërtetuar një faj, para një shekulli mjaftonte kjo be që fatori të zbërthehej
për ato që kishte bërë. Nëse sot duhen muaj dhe vite që këto institucione ta
vërtetojnë atë, para një shekulli kjo gjë vërtetohej për më pak se një orë. Në
prani të njëri-tjetrit apo dhe të pleqësisë së fshatit, palët pajtoheshin apo
shlyenin dëmin që i kishin shkaktuar njeri-tjetrit. Nëse sot fajtori mbrohet
deri në maksimum duke e quajtur normale dhe morale mbrojtjen e tij, edhe kur
mbi të bien akuza të rënda, para një shekulli fajtori jo vetëm që e
paguante fajin, por në sytë e mbarë komunitetit zhvlerësohej deri në kufijtë e
dëbimit nga territori ku kishte kryer fajin. Ja kështu erdhën gjyshërit tanë
nëpër rrjedhat e historisë duke i mbijetuar jo vetëm rrezikut të jashtëm, kur
dihet që trojet tona vazhdimisht kanë qenë të sulmuara për t`u pushtuar, po në
këtë mënyrë i mbijetuan një asimilimi që, në kushtetet e mungesës së
shtetit, shoqëria shqiptare do të ishte asimiluar së brendëshmi. Po kur e
formuan të parët tanë këtë kod që në kushtet e mungesës së shtetit, shoqëria
shqiptare të mbetej përsëri e e harmonizuar? Ky kod i cili përmblidhet në
këto tre fjalë sigurisht që ka lindur në kohë dhe në hapësirë dhe si nevojë e
shoqërisë në një periudhë të caktuar të zhvillimit të saj.
Për të bërë
zbërthimin e këtij kodi në radhë të parë duhet të zbërthejmë se çfarë
përfaqësonte Çuka e Tomorrit në shekullin e kaluar kur dhe është përdorur kjo
shprehje në tregimin e mësipërm. Çuka e Tomorrit është maja e malit të
Tomorrit, i njohur jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe më tej, si vendi
ku e kishin selinë Perënditë. Ndaj kjo majë mali është e shenjtë dhe qysh nga kohrat
më të lashta të parët tanë një herë në vit shkonin pranë majës së shenjtë
për të kryer ritin e faljes. Të parët tanë, por edhe në ditët e sotme i falen
kësaj Çuke, që ka mbajtur dhe mban perënditë, që janë mbrojtëse të jetës së
shqiptarëve. Atëhere sa mijëvjeçarë të parët tanë i janë falur këtij Mali
të Shenjtë? Nëse do të zhytemi thellë në histori, atëhere kur lindi shkrimi në
trevat ballkanike, përgjigje do të marrim nga shumë autorë, por le t`i
referohemi njërit prej tyre, Herodotit, i cili na thotë: “emrat e perëndive
helenët i morën nga pellazgët” (Herodoti, libri i dytë). Kjo do të thotë se
para se helenët t`i vendosnin perënditë në malin e Olimpit, pellazgët i
kishin vendosur ato në malin e Tomorrit. Në Olimp perënditë kryenin një jetë
gati si ajo e njerëzve të zakonshëm, me të vetmin dallim se ishin të
pavdekshme. Perënditë pellazge të malit të Tomorrit ruanin madhështinë
fillestare të krijimit të tyre dhe nuk përziheshin në jetën njerëzore. Ato
sundonin jetën njerëzore dhe mbanin ligjet e gjithësisë. Për pellazgun ishin
perënditë ato që sundonin qiellin dhe tokën, natyrën dhe njerëzit. Ruajtja e
harmonisë në jetën shoqërore ishte ligj perëndie dhe njerëzit kishin përcaktuar
rregullat në përputhje me ligjet e perëndisë. Ndaj për të vërtetuar se kishte
vepruar në përputhje me këto ligje ai i drejtohej Majës së Shenjtë duke
nënkuptuar selinë e perëndive : Për Çukën e Tomorrit. Kështu drejtohej pellazgu
dhe më vonë pasardhësit e tyre që në mijëvjeçarë të ndryshëm janë quajtur
ilirë, albanë dhe shqiptarë. Po a janë dëshnicarët pasardhës të atyre banorëve
të hershëm që bashkë me gjithë fiset e tjera të asaj periudhe i vendosën
perënditë në Malin e Tomorrit dhe betoheshin për to: Për Çukën e Tomorrit?
Sigurisht që nga ajo periudhë mbi tre mijë vjeçare e deri më sot shumë
banorë e fise janë larguar dhe të tjerë kanë ardhur. Po ardhësit u janë
nënshtruar zakoneve të banorëve që kanë gjetur. Edhe ata janë betuar : Për
Çukën e Tomorrit, ndonëse nga krahina ku vinin mund të mos e bënin këtë betim.
Po edhe nga banorët dhe fiset e larguara, disa ktheheshin përsëri dhe kështu
gjallërohej jeta në këtë krahinë. Nëse në një periudhë të historisë do të
kishte patur një lëvizje totale të banorëve të hershëm të krahinës sonë dhe
këtu do të ishin vendosur banorë të rinj, kjo shprehje: Për Çukën e Tomorrit,
nuk do të ekzistonte. Nuk do të ishin as disa emra perëndish që në vargmalin
Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, emrat e këtyre perëndive i mbajnë disa maja dhe
shpate malesh. Kështu mund të themi me plot gojën se fisi ynë dëshnicar ka mbi
tre mijë vjet në këto troje dhe kjo shpjegon edhe atë harmoni që ekziston në
Dëshnicë dhe në të gjitha trevat e Përmetit.
Fjalë karakteristike të krahinës
Gëzim Voda ka punuar
shumë me fjalorin që përdoret në Dëshnicë. Ka mbledhur nga krahina e Dëshnicës
3670 fjalë, të cilat pasi i ka kontrolluar edhe me fjalorët e gjuhës shqipe ka
parë se 3024 fjalë që janë karakteristikë e së folurës dëshnicare kishin
shpjegimet e tyre në këta fjalorë, ndërsa 646 fjalë nuk gjendeshin, të cilat i
grupoi më vete si: fjalë që nuk shpjegohen në fjalorë. Të gjitha këto fjalë na
japin koloritin e jetës së dëshnicarit. Ato përdoren në jetën e përditëshme
duke u ndërthurur në shprehje, fjali dhe ligjërime dhe i japin bisedës së
dëshnicarit ëmbëlsi, dritë dhe kumbim, duke e bërë të folurën e kësaj krahine
të veçantë. Disa fjalë të duket se janë dëshnicare, se nuk i dëgjon apo i
dëgjon rrallë në krahinat e tjera. Fjalët që përdoren në Dëshnicë na shpie në
periudha të hershme, gjë që vërteton se fisi i dëshnicarëve e ka banuar këtë
krahinë qysh prej periudhave parahomerike. Le ta vërtetojmë këtë me disa prej
këtyre fjalëve:
Fjala : Adhap
(Gëzim Voda “Flalë shpirti të
dëshnicarëve” fq. 356)
Kjo fjalë është një nga fjalët e vjetra të gjuhës shqipe, kuptimi i së cilës
zbërthet në kontekstin ku ajo përdoret: Pashë veten me adhap. Në këtë
fjali kuptimi i fjalës është: pashë tmerr, pashë vdekjen me sy.
Në periudhën pellazgjike emri i perëndisë së vdekjes ishte: Hades. Po Herodoti
na ka thënë se helenët emrat e perëndive i morën nga pellazgët. Zbërthimi i
këtij emri bëhet në gjuhën shqipe dhe ai është i formuar nga dy fjalë: ha dhe
dhe’. Kështu i thoshin të parët tanë për të vdekurin: Hëngri dhe’. Kjo
shprehje përdoret edhe sot për të përcatuar ditën e varrimit: Mori dhe’. Është
e njënjta shprehje, veçse me kalimin e kohës mori formën e dytë për të mos
përdorur fjalinë: ha dhe’. (Hëngri për të shkuarën). Fjala ha me zgjerimin e
kuptimit në rrjedhë të kohës nuk ishte e përshtatshme për një të vdekur. Po
fjalia: “ha dhe” na tregon se individi nuk ekziston më. Se ai ndodhet
jashtë jetës që zhvillohet mbi sipërfaqen e tokës. Por mendimi se këta të
vdekur, këta që “po hanë dhe’ ” kanë edhe këta një perëndi që kujdeset për ta
ashtu siç kishin disa këta që jetonin mbi tokë, i bëri që të mendonin se
perëndia e atyre që “ hanin dhe’ ” duhej të ishte: Hades. Po a mund
të ketë dalë fjala Hades nga fjalia: ha dhe’? Në fillim njerëzit kanë shqiptuar
më pak bashkëtingëllore dhe zanore se sa shqiptojmë ne sot. Kjo është e
kuptueshme për cilindo. Bashkëtingëllorja “d” është shqiptuar në fillim dhe
mund të ketë qenë ndër bashkëtingëlloret e para që njerëzit kanë shqiptuar.
Kështu njerëzit në fillim kanë shqiptuar: “de” në vend të fjalës “dhe’ ” që
shqiptohet sot. Kjo vërtetohet edhe nga emri i perëndeshës Demetra,
perëndeshës së pjellorisë së tokës. Ajo nuk u quajt Dhemetra, sepse
bashkëtingëllorja “dh” nuk egzistonte. Si përfundim të dyja perënditë janë
quajtur Demetra dhe Hades edhe pse të dy këto fjalë kanë në trup të tyre
fjalën “dhe’ ”
Po fjala adhap si mund
të jetë krijuar? Në kohët e lashta njerëzit duke besuar thellë tek perënditë i
shihnin ato në ëndrra. Dhe njerëzit thoshin : “ Pashë Hade” Po njerëzit i
shihnin ato edhe në vegime dhe njerëzit prapë thoshin: “ Pashë Hade” Po nëse me
perënditë e tjera mund të mrekulloheshin, për perëndinë e vdekjes të parit e
saj duhej të ishte diçka e frikshme, gati e barabartë me vdekjen. Ndaj krijuan
fjalën adhap për të krijuar ndjesinë e frikës që kishin përjetuar. Fjala
adhap përmban tinguj edhe nga emri i perëndisë së vdekjes, por edhe tinguj të
tjerë që e bëjnë atë një fjalë të re. Në rrjedhë të shekujve kur imazhi i kësaj
perëndie u dobësua, njerëzit e përdorën këtë fjalë për të treguar se kishin
kaluar buzë një rreziku të madh, se për një fije kishin shpëtuar nga vdekja.
Dhe i thoshin njeri-tjetrit: Më panë sytë adhap. Në këtë kuptim kjo fjalë
përdoret në Dëshnicë edhe në ditët e sotme dhe ka një përdorim të shpeshtë nga
banorët e kësaj zone.
Emrat e farefisnisë
Im at, im bir, ime bijë,
ime kunatë, ime kurshërirë, ime mbesë, ime motër, ime shoqe, im kunat, im
kurshëri, im shoq, im ungj, im vëlla (Gëzim Voda “Flalë shpirti të
dëshnicarëve” fq. 359)
Këta janë emrat e
farefisnisë që folësi tregon se çfarë marrëdhëniesh ka me personin në fjalë.
Ime motër do të thotë që është motra ime. Ajo që vërehet është se në
togfjalëshat e mësipërm rendi normal i këtyre togfjalëshave është
ndryshuar. Themi ime bijë, kur më shpesh në gjuhën e folur dhe atë të shkruar
themi :bija ime. Por në të gjithë hapësirën shqiptare si dhe në Dëshnicë
vërehet se këta togfjalësha që përcaktojnë emrat e farefisnisë përdoren të dyja
format. Forma e mësipërme ku përcaktori qëndron para dhe fjala bazë qëndron pas
është karakteristikë e shumë gjuhëve indoeuropiane, por jo e shqipes. Shqipja
formën kryesore në ndërtimin e togfjalëshave emërorë ka fjalën bazë në fillim,
ndërsa përcaktori vjen pas me përjashtim të togfjalëshave që tregojnë
marrëdhëniet farefisnore që shprehet në të dy format: ime bijë dhe bija ime.
Shtrohet pyetja: si është
e mundur që shqipja t`i ruaj të dyja këto forma, kur gjuhët e tjera ruajnë
vetëm njerën? Përgjigjen e marrim po të kemi parasysh që shqipja është një nga
gjuhët më të vjetra. Vjetërsinë e kësaj gjuhe e tregon dhe shembulli i
mësipërm. Njerëzit në fillim të komunikimeve të tyre vepronin me fjalë të
shkëputura të cilat tregonin objekte të ndryshme që i rrethonin. Po edhe
marrëdhëniet midis tyre ishin pjesa më e rëndësishme e këtij komunikimi.
Stërgjyshërit tanë, pasi kishim përcaktuar raportet midis tyre me emra të
përgjithshëm: vëlla, kushëri etj në rastet e komunikimit përdornin të dy
përdorimet: vëllai im, ose im vëlla. Kështu ka ndodhur dhe kështu mund të
ndodhte, derisa jemi në hapat e para të formimit të një gjuhe. Dhe kështu mund
të ndodh për një gjuhë që është bazë edhe për gjuhët e tjera. Teza e ngritur
nga shumë shkencëtarë se shqipja është gjuha bazë e gjuhëve indoeuropine mund
të ketë dhe një bazë reale. Jo vetëm gadishulli ballkanik, por edhe më gjerë ka
qenë i banuar nga stërgjyshërit tanë, pellazgët. (Kjo nuk ka nevojë për të
dhënë shembuj për ta vërtetuar, pasi është e pranuar gjerësisht nga studiuesit
dhe shkencëtarët e huaj dhe vendas që merren në këtë fushë.) Atëhere me
largimin nga hapësira pellazgjike morën me vete gjuhën që flitej në atë
periudhë. Pra me një sintaksë ende të pakonsoliduar përcaktori vihej
përpara emrit bazë. Më shumë duhej të jetë përdorur togfjalëshi: ime motër se
sa motra ime. Me këtë formë të ndërtimit sintaksor të togfjalëshit duhen të
jenë shkëputur shumë fise pellazge nga kjo hapësirë duke e zhvilluar në
hapësirat ku shkuan gjuhën pellazge. Tek këta popuj përparësi mori forma e
parë, ajo e vendosjes së përcaktorit para fjalës bazë të togfjalëshit: ime
bijë. Kjo formë togfjalëshi, në fillim për emrat e farefisnisë u shtri në të
gjitha përdorimet e togfjalshave dhe u bë baza e sintaksës së gjuhës tek këta
popuj.
Në të mirë të këtij
mendimi se shqipja ka qenë baza e gjuhëve indoeuropiane mund të shërbejë edhe
përdorimi i numrit tre. Në shqip ky numër ka gjini dhe mund ta përdorim tre për
emrat e gjinisë mashkullore dhe tri kur përdorim emra të gjinisë femërore.
Fjala
tri, tre
Shqip
tre, tri
Lith
trys
Latav
tris
Gal
treis
Ang
thri
Grek
treis
Hit
tri
Ir
trei
Av
thri
Kasmir
tre
Kamvir
tre
Oskan
tris
Prus
V tri
SVK
trije
Rus
tri
Sansk
tri
Toch
tre
Lat
tres
Ëellsh
tri
Siç
shihet nga shembujt e mësipërm fjala tre edhe pse në shumë gjuhë nuk ka pësuar
ndryshime. Ajo shqiptohet ose tre, ose tri. Kjo sepse tek fjalët e thjeshta një
rrokshe ndryshimi është i papërfillshëm, ose nuk ekziston fare. Ky fakt është
në të mirë të tezës se shqipja ka qenë gjuha mëmë. Vetëm tek vendi i origjinës
mund të ruhen të dy format. Tek të gjitha gjuhët e përmendura më lart kemi
patur vetëm njërën formë, ose tre, ose tri. Të dy shembujt e përmendur më
lart vërtetojnë, nëse nuk mund të pranohet nga të gjithë se shqipja është
gjuha mëmë indoeuropiane, të paktën bën të pakundërshtueshëm faktin se shqipja
është gjuha më e vjetër prej së cilës janë formuar disa nga gjuhët
indoeuropiane.
Fjala :Haire ose
Hajr.
Hair- mbarësi që sigurohet me punë
të ndershme. “I ka shkuar puna hair” (mbarë) (Gëzim Voda “Flalë shpirti
të dëshnicarëve” fq. 231)
Po japim konteksin e
përdorimit të kësaj fjale duke u bazuar në fjalë e shprehje të ditës së sotme
dhe që kanë një përdorim të gjerë në krahinën e Dëshnicës.
Flitet për njerëz: njeri i hairit, njerëz të hairit.
Flitet për punën e mirë për veten ose të dikujt: Ia pashë hairin, ose ia pa
hairin.
Flitet për momente që njerëzve u ka sjellë mbarësi: Ishte ora e hairit.
Flitet për njerëz që nuk punojnë sa duhet dhe siç duhet dhe ndodhet gjithmonë
në vështirësi: Filani(përmendet emri i personit) nuk bën hair.
Flitet për diçka për të cilën jemi kujdesur, por nuk është marrë rezultati i
pritur: Nuk ia kam parë hairin.
Kjo fjalë ka përdorime të shumta dhe shpreh gjendjen emocionale të njerëzve për
momente të caktuara.
Urimet janë sfera ku kjo fjalë gjen përdorim të gjerë
Urojmë për veprimet që kryejmë dhe presim prej atyre veprimeve një rezultat të
mirë: Na daltë për hair.
Kjo shprehje përdoret kur ndodhemi në një gjendje të ngritur emocionale, qeshim
dhe bëjmë shaka të shumta dhe e shohim se diçka është thyer nga rregulli i
zakonshëm, atëhere përdorim shprehjen:Na daltë për hair!
Kjo shprehje përdoret kur na ndihmon dikush nga i cili nuk e prisnim këtë
ndihmë dhe e urojmë: Bëfsh hair!
E përdorim për fëmijët kur janë të vegjël dhe në bisedë me njeri-tjerin themi:
u bëftë i hairit.
Kjo shprehje përdoret kur dikush vepron në një mënyrë që për folësin është e
papranueshme dhe përdoret si shprehje kundërshtimi: Do t`ja shohësh hairin
kësaj pune.
Fjala hair ka një përdorim të gjerë dhe shpreh formën më të lartë të një urimi.
Po kështu, kur dikush nuk sillet drejt dhe bën prapësira mallkohet me
shprehjen: Mos bëftë hair! Mos e paftë hairin! Apo dhe personit që kemi
përballë: mos bëfsh hair! etj.
Përdorim sa më të gjerë të ketë një fjalë, aq më e vjetër është ajo në
gjuhën e një populli. Kjo ndodhte, se njerëzit në ato fillime të
njerëzimit, merreshin vesh me njeri-tjetrin me pak fjalë dhe me anën e tyre
kërkonin të shprehnin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Njëra prej këtyre fjalëve
ka qenë dhe fjala: hair, e cila edhe pse kanë kaluar mijëvjeçarë që nga koha e
përdorimit të saj, prap ajo shpreh kuptime të shumta dhe është e përdorshme në
jetën e përditshme.
Në librin e saj, Nermin Vlora Falaski “Pellazgët-Ilirët-Etruskët-Shqiptarët”
botuar në Prishtinë 1998, sjell për lexuesin shqiptar faktin e rëndësishëm se
pothuaj të gjitha mbishkrimet mbi varret e etruskëve mbylleshin me fjalën:
“Haire” Të gjitha këto mbishkrime znj. Nermin Vlora Falaski i shpjegon me anë
të gjuhës shqipe duke sjellë një vlerë të madhe në shkencën tonë albanologjike.
Fjalën: Haire që mbyll këto mbishkrime znj. Vlora e merr si një urim që të
parët tanë u bënin të vdekurve, sepse ata e mendonin se njeriu jeton në botën
tjetër. Shprehja që përdoret edhe sot “shkoi në botën tjetër” e vërteton më së
miri këtë. Kjo Zonjë me të drejtë e interperton këtë fjalë si një urim që u
bëhej të vdekurve dhe përdor në vend të kësaj fjale shprehjen “ Qoftë me
Hajër”
Fjala hajër është fjala hair, por gjatë përdorimit në rrjedhë të kohës, theksi
ka kaluar në rrokjen e parë dhe zanorja i- është zëvendësuar me j-, ashtu siç
ndodh në shumë fjalë të shqipes që i- dhe j- këmbehen me njera-tjetrën pa ia
prishur kuptimin fjalës, pra pa formuar fjalë të re. Si rezultat i fjalës hajër
janë formuar dhe fjalë të përveçme,emra njerëzish. Hajër- Hajri emër burri dhe
më tej Hajri- Hajrie emër i gjinisë femërore. Kjo fjalë kaq e vjetër kështu
përdoret në të gjithë territorin e shqiptarëve.
Po ajo që të bie në sy është se në librin e mësipërm kjo fjalë ruan formën e
parë në krahinën e Dëshnicës. Ajo përdoret në formën hair dhe që përbën një
vlerë të veçantë për ne. Bile në këtë krahinë, nga ky emër nuk është formuar
emër i përveçëm i gjinisë mashkullore. Forma e vjetër Haire përdoret si emër i
gjinisë femërore. Dhe në fshatin e këtij autori, në fshatin Çorrogunj, kemi
emrin Haire si emër i gjinisë femërore i përdorur për gratë, çka na bën të
mendojmë se forma e vjetër është ruajtur tek emrat e njerëzve të gjinisë
femërore. Emri Haire nuk vjen nga emir i gjinisë mashkullore hair, sepse kjo
formë nuk përdoret për emra njerëzish, ashtu sikundër ndodh për formën tjetër
Hajër-Hajri- Hajrie.
Në trevën e Përmetit ku bën pjesë krahina e Dëshnicës, ruajtja e formës së
vjetër Haire që gjendet në pllakat e varreve, që u përkasin mijëvjeçarëve para
Krishtit e ruajtur e plotë tek emrat e njerëzve, është prova më e mirë që kjo
trevë vjen në këtë mijëvjeçar të ri me një kulturë të lashtë dhe që na
vërtetohet edhe një herë ajo që thoshte Naimi :
”Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjallë ka qenë.”
U dhanë vetëm disa
shembuj që vërtetojnë se ky fjalor që përdoret në Dëshnicë dhe i mbledhur me
kujdes nga Gëzim Voda është një pasuri e madhe kombëtare dhe do të jetë burim
studimesh për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë mbas nesh.