E shtune, 18.09.2021, 04:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Mexhid Yvejsi: Ç'është Dita e Nevruzit?

E enjte, 12.03.2009, 07:40 PM


Ç’ËSHTË  DITA E NEVRUZIT?

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Me 22 mars është Dita e Nevruzit ose Dita e Sulltan Nevruzit. Që nga viti 1966, Dita e Nevruzit është festë zyrtare në Shqipëri.

            Nevruzi është një festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane. Sot, kjo ditë, në Iran, është dita e Vitit të Ri, kurse në Shqipëri është festë fetare-zyrtare për Komunitetin Bektashi…!   

Dita e Nevruzit – festë zyrtare në Shqipëri

Si ka ndodhur kjo?

            Në muajin shkurt, 1966, Kryetari i Shqipërisë, dr. Sali Berisha

(emri duhet të shkruhet Salih), i propozoi Kuvendit Popullor që ta shpallë  Ditën e Nevruzit festë zyrtare në Shqipëri.

             Kuvendi Popullor,  propozimin e kryetarit, dr. S.Berisha, e miratoi dhe 22 marsi u shpallë festë zyrtare fetare në Shqipëri. Kjo festë zyrtare fetare, siç thuhet, u shpallë për hir të Komunitetit Bektashian të Shqipërisë, me këto arsyetime:

             1. E kaluara atdhetare e disa personaliteteve shqiptare që kanë qenë bektashinj, që nga Lidhja e Prizrenit e këndej…

             2. Anti-komunizmi i disa të tjerëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e diktaturës komuniste, dhe së fundi, sepse:

             3. Në Tiranë ndodhet Kryegjyshata Botërore Bektashiane…!

Nevruzi si festë fetare gjithshqiptare!

Për herë të parë, me 22 mars 1966, Dita e Nevruzit u festue zyrtarisht në Shqipëri. Ceremonia kryesore u zhvillue në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë.

           Atë ditë, fjalën e rastit e mbajti z.Tomorr Aliko, sekretar i Kryegjyshatës. Fjalën kryesore e mbajti Haxhi Dede Reshad Bardhi, Kryegjyshi i bektashinjve dhe më në fund fjalën përshëndetëse e tha Kryetari i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, z.Pjetër Arbnori, i cili ndër të tjera tha:

               “Nevruzi nuk është festë vetëm e sektit bektashi, por edhe e të gjithë shqiptarëve…!”

            Dje, Shqipëria komuniste krenohej se ishte shteti i parë ateist në botë! Sot, Shqipëria demokratike, mburret me tolerancën fetare, aq sa

të shpallë edhe për “sekte” festa zyrtare “fetare”..!

            Pasojat e ateizmit shqiptarët i përjetuan dhe po i përjetojnë, kurse pasojat e “sekteve” dhe të “profeteve” veç kanë filluar të na helmojnë…!

Ç’është Bektashizmi?

Bektashizmi nuk është sekt, por është një tarikat, apo udhë shpirtërore, si shumë të tjera, që ka për themel Librin Hyjnor, Kur’anin dhe Traditën apo Sunnetin e Muhammedit (a.s.)…

                  Pra, Bektashizmi është një udhë mistike islame, kurse bektashinjtë janë muslimanë, por që janë edhe pjestarë të këtij tarikati. Fjala tarikat është fjalë arabe, e cila rrjedh nga fjala tarikah (shumësi: tara’ik) që do të thotë rrugë ose drejtim.

                  Rruga, udha, tarikati, apo drejtimi, me disa metoda të veçanta, duke iu përmbajtur Sheri’atit, nën drejtimin e një udhërrëfyesi, me anën e pastrimit shpirtërorë të largon prej egos, vetes,  por të afron drejt Krijuesit, të Vërtetës…

                    Bektashizmi, si shumica e tarikate tjera në fenë Islame, e ka marrë emrin prej pasuesve, ndjekësve,  nga themeluesi, Haxhi Bektash Veliu.

Kush ishte Haxhi Bektash Veliu?

Haxhi Bektash Veliu ishte i biri i Ibrahimit, të birit të Sejjid Musait, që ishte i biri i Sejjid Hasanit.

                    Sejjid Hasani ishte i biri i Sejjid Ibrahimit, kurse ky ishte i biri Sejjid Mehdiut, i cili ishte i biri i Sejjid Muhammedit, i biri i Sejjid Hasanit.

                     Sejjid Hasani ishte i biri i Ibrahim Mukerrem Muxhabit, që ishte djali i Imam Musa Qazimit, i cili rrjedh nga Familja e Bekuar e Muhammedit (a.s.)   

                     Haxhi Bektash Veliu (1248-1341)ishte një burrë i edukuar, ishte i arsimuar, një personalitet i shquar,  njeri i ditur, shpirtërisht shumë i ngritur, i udhëzuar, veprat e e tij janë më e mira dëshmi…

                     Një natë, Haxhi Bektash Veliu e kishte parë në ëndërr Pejgamberin (a.s.), i cili i kishte thënë:

                     “O djalë! Mbaje të pastër rrobën tënde, që t’i përfitosh të mirat”.

                       Haxhi Bektashi tha se e pyeta Pejgamberin (a.s.):

                       “O Pejgamber i Zotit! Po, cila është rroba ime?”   

                       Pejgamberi (a.s.) ishte përgjigjur:

                       “Zoti ty të ka mbuluar me pesë lloje rrobash, të cilat janë:

                       Rrobet e Islamit, të Imanit, të Njëshmërisë, të Njohurisë dhe të Dashurisë. Këto janë rrobet që duhet t’i mbash pastër, nga ana e jashtme, dhe nga brenda.”

                        Kur e pyetën një ditë Haxhi Bektashin se kush janë besimtarët e vërtetë?  Ai kishte thënë:

                        “Besimtarë të vërtetë janë ata të cilët i zbatojnë detyrimet e Sheri’atit.”

                        Gjatë shekujve, besimtarët muslimanë të tarikatit bektashian vërtet ishin të mbuluar me këto pesë lloje të rrobave: Islamin dhe Imanin e mbanin pastër, Njëshmërinë (Teuhidin) e kishin në zemër, kishin Njohuri të lartë, kurse Dashurinë të zjarrtë… 

Por, në këtë rast po kufizohem vetëm tek Nevruzi, ç’është, nga erdhi?

Prejardhja e festës së Nevruzit 

Prejardhja e festës së Nevruzit është nga Persia. Nga Persia rrjedh edhe vet fjala Nevruz. Fjala Nevruz rrjedh nga persishtja, madje nga persishtja e vjetër, nga fjalët: Nava = e re dhe ruzanh = ditë, pra, që do të thotë: Ditë e Re.

              Kjo festë, Ditë e Re, pra, Nevruzi është një festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane, që kremtohet tash e 3000 vjetë…

             Kremtohet edhe sot e kësaj dite në Iran, por si fillim i Vitit të Ri, kremtohet edhe në Irak, Afganistan, Uzbekistan Azerbajxhan, Turkmenistan, Kazakistan, Taxhikistan, Kurdistan dhe në disa vende të tjera…

              Kjo festë, Nevruzi, përputhet me fillimin e pranverës, ringjalljen e natyrës, mbas dimrit të ftohtë, të gjatë, të vështirë. Në këtë ditë është ekuinoksi, barazohet dita e nata dhe duke filluar prej kësaj dite ka më shumë ditë, ka më shumë dritë…

                Persianët e lashtë, si edhe shumë popuj tjerë të Lindjes, besonin në bestytni: besonin se kishte ditë që sillnin fat, sikur që besonin se kishte ditë që sillnin fatkeqësi. Por, Nevruzi i takonte një prej atyre ditëve që sillte vetëm fatmirësi dhe e kremtonin me madhështi…!  

                Historianë, hulumtues, gjurmues të ndryshëm të lashtësisë e përcaktojnë Nevruzin si një nga festat pagane më popullore në të gjitha kulturat  e lashta në Mesopotamin e Vjetër…

                 Nevruzi kremtohej shumë shekuj para se të vinte në këtë jetë Zaratustra, mësues i urtësisë, themelues i fesë së vjetër (dualiste) persiane, rreth tetë shekuj para Krishtit ose Hazreti Isait (a.s.)…

                 Kur persianët filluan të përqafojnë fenë Islame pas vitit 650, në fillim, për dy shekuj, u ndalue kremtimi i Nevruzit, por më vonë u lejue, për arsye tregtare-ekonomike, sepse shkëmbeheshin dhurata, bëheshin shpenzime dhe kështu nxitej, stimulohej ekonomia…!

                 Gjatë pushtimit mongol (1219-1500) të atyre viseve, kjo festë, Nevruzi, u ndalue sërish.

                   Në periudhën e sundimit të dinastisë së mbretërve Safavidë, pas vitit 1500, Nevruzi dalngadal fillojë të kremtohej, por gjithnjë si kremte e fillimit të Vitit të Ri, si fillim i pranverës, si një Ditë e Re…

                   Me ngadhnjimin e Revolucionit Islamik në Iran (1979), prijësi i Revolucionit Islamik, Imam Humeini e dënoj këtë kremte si një festë pagane, jo islame, por me kalim kohe, meqë nuk rrezikohej Republika Islamike e Iranit, në heshtje u lejue për t’u kremtue…!

                    Nëpër disa vende nëpër botë, Nevruzi kremtohet edhe nga Baha’itë dhe Ismailitë. Ismailitë, një degë e madhe nga Islami Shi’it, e festojnë Nevruzin në frymën e falënderimeve për All-llahun (xh.sh.), për dhuntitë e mirësitë e Tij.

                     Nevruzin e përkujtojnë, e kremtojnë edhe në trojet shqiptare disa nga tarikatet, por jo të gjitha…E kremtojnë, ndër të tjerë,  kaderitë, rifa’itë, sa’aditë, halvetitë, nakshibenditë…, por jo si fillim i Vitit të i Ri, por si ditëlindja e Imamit Ali…!

                     Dhe më në fund mund të shtrohet pyetja: Pse në Shqipëri, kjo festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane, është shpallur festë fetare zyrtare, gjithshqiptare? Këtë mund ta kuptoni - vetëm nëse pakëz  mendoni…?!!! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora