Mendime
Enver Bytyçi: Njohja e Kosovës nga Greqia e ka emrin Dendias!
E marte, 14.03.2023, 07:55 PM
Njohja e Kosovës nga Greqia e ka emrin Dendias!
Nga
Enver Bytyçi
Kryeministri
i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Prishtinë ministrin e Jashtëm të Greqisë,
Nikos Dendias. Ata shkuan në Gërmi për të drekuar dhe ishin vetëm, pa asnjë
shoqërues tjetër nga të dy palët. Kurse pritja nga zonja Osmani ishte krejt
protokollare, por me sinjale miqësie dhe mirëkuptimi të dukshëm. Një drekë dhe
bisedë e tillë aq miqësore, aq intime, aq diskrete, aq entuziaste nuk ishte
parë më parë, përveçse në drekat e darkat që Edi Rama dhe Hashim Thaçia kanë
kaluar me Aleksandër Vuçiç, madje shpesh të shoqëruara nga tingujt e mandolinës
së Ivica Daçiç. Nuk ve bast, por ka mundësi që mbrëmjet e kryeministrit Rama me
presidentin Vuçiç u bënë edhe nën shoqërinë e eskortave!
Ndërsa
kjo që ndodhi me Albin Kurtin në pritjen që ai i rezervoi shefit të diplomacisë
greke kishte ndodhur me Ibrahim Rugovën gjatë pritjeve që ai u bënte
presidentëve dhe kryeministrave të botës perendimore. Ndërkohë duhet thënë se
prej kohësh zoti Kurti dhe zonja Osmani dëshmojnë këtë afrimitet me liderët
grekë. Kujtoj këtu samitin e vendeve të Europës Juglindore në Selanik para disa
muajsh, në të cilin presidentja e Kosovës ishte së bashku me kryeministrin grek
në krah të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Por
çfarë paralajmëron një sjellje e tillë e përzemërt e liderëve të Kosovës me
Athinën. Për mua kjo ka qenë lëvizja diplomatike më e zgjuar e lidershipit të
ri në Kosovë. Greqia ka interesa në Ballkan dhe ajo orientohet sipas situatave
që zhvillohen. Vërtet grekët si popull kanë ndjeshmëri ndaj sllavëve, përfshirë
edhe serbët, për shkak të të njëjtit religjion. Por qeveritë greke në
përgjithësi janë orientuar gjithmonë drejt Perendimit. Kur Kostas Simitis
përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë në pranverën e vitit 1999, madje
në kundërshtim me opinionin publik e qëndrimin e Kishës Ortodokse, ai dëshmoi
vendosmërinë e qeverisë së tij për të qëndruar pro aleancës euro-atlantike.
Duhet
besuar se e njëjta gjë ndodh edhe me Nikos Dendias e lidershipin e sotëm të
Athinës, i cili ka dëshmuar se i përket orientimit perendimor. Greqia nuk e
njeh ende shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Por ajo i është afruar së tepërmi
kësaj njohjeje. Gjasat janë se nënshkrimi i marrëveshjes franko-gjermane në
Ohër me 18 mars, (nëse ndodh) të shoqërohet në javët ose muajt e ardhëm me
njohjen e Kosovës nga ana e Athinës zyrtare. Greqia ka tashmë në Prishtinë
përfaqësinë e saj diplomatike. E respekton Kosovën në të gjitha tryezat
ndërkombëtare. Zhvillon një tregti të suksesshme me biznesin kosovar. Ka lidhje
e marrëdhënie diplomatike më të afërta se sa shumë shtete, të cilat e kanë
njohur Kosovën që kur ajo shpalli pavarësinë. Vizitat e ndërsjellta midis
Athinës dhe Prishtinës të personaliteteve politike janë shumë të shpeshta,
ndoshta unike në llojin e vet.
Të
gjitha këto afrimitete, përfshirë dhe drekën e djeshme në Gërmi të Prishtinës
të Dendias dhe zotit Kurti, dëshmojnë se Greqia është afër njohjes së shtetit
të Kosovës. Këtë e tregon gjithashtu fakti se Dendias për të disatën herë
deklaron se „Greqia do ta mbështesë rrugën e integrimit euro-atlantik të
Kosovës“! Nëse ndodh kjo dhe në momentin që mund të ndodhë, njohja greke
shoqërohet së paku nga dy njohje të tjera, ajo e Sllovakisë së Lajçak-ut dhe
Rumanisë. Qiproja do të vonohet disa muaj, por ajo do t’i bindet vullnetit të
Athinës zyrtare. Mbetet vetëm Spanja e Borrellit si vendi më pak i sigurt për
njohjen e Kosovës. Nëse zoti Borrell nuk ia del të bindë vendin e tij për ta
njohur Kosovën, ai do t’i humbasë të gjitha kredencialet e tij në sytë e
diplomacisë europiane.
Ndërtimi
i një diplomacie dhe politike miqësore me Greqinë ka qenë gjetja më e zgjuar e
lidershipit të sotëm të Kosovës. Kjo lloj diplomacie e afrimit me Athinën bën
që Kosova dhe institucionet e saj të lexohen shumë pozitivisht në bashkësinë e
shteteve perendimore. Dhe për më tepër çoi në pranimin de facto të shtetësisë
së saj. Sepsë kur një vend premton mbështetje në integrimin e Kosovës në BE e
NATO, ai shtet njëkohësisht e njeh shtetësinë e saj.
Ka
njerëz që janë të apasionuar të zhvleftësojnë akte të tilla politike e
diplomatike, sidomos kur është fjala për Greqinë, duke rikthyer përplasjet dhe
konfliktet historike me shqiptarët. Por kjo nuk i ndihëmon përballjes së
Kosovës me Serbinë. Prandaj dhe marrëdhëniet do të thoja miqësore të
kryeministrit, presidentes dhe lidershipit kosovar me Athinën marrin një
rëndësi të madhe. Afrimi i politikave dhe qëndrimeve midis të dy vendeve është
produkt i diplomacisë dhe politikës që zhvillohet në Prishtinë, por edhe e
qëndrimit pranues të Athinës! Ndoshta këto marrëdhënie të ngushta e miqësore
mund të bëhen modeli i një politike dhe diplomacie të tillë edhe me shtetet e
tjera mos-njohëse anëtare të Bashkimit Europian. Po ndodhi njohja e këtyre
vendeve, atëherë ia vlen ose do t’ia vlejë që Albin Kurti ta hedh firmën në
marrëveshjen sipas projektit franko-gjerman. Të shohim!