Mendime
Florim Zeqa: Pandemia e krimit të organizuar!
E enjte, 20.07.2023, 07:54 PM
Pandemia
e krimit të organizuar!
Shkruan:
Florim Zeqa
Që
nga periudha e luftës dhe ajo e pasluftës, të gjitha qeveritë e “hodhën grepin”
tek mërgimtarët. Kush më pak e kush tjetër më shumë të gjithë i plaçkitën
pamëshirshëm mërgimtarët duke filluar nga Fondi 3 përqindërshit, “Vendlindja
Thërret” e deri tek fondet e Albin Kurtit, të cilat po ngarendin njëri pas
tjetrit, siq janë; “Fondi Emergjent” (gjatë pandemisë), “Fondi Sovran” dhe
“Fondi i Sigurisë” për të cilat nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë
llogaridhënje për fondet e sipërpermendura!
Krimi i organizuar daton
nga fondi i 3 %-shit dhe Vendlindja Thërret
Krimi
i organizuar ekonomik daton nga periudha e luftës çlirimtare, përkatësisht nga
bartësit e fondit të krahut të luftës "Vendlindja Thërret" dhe ai i
ish- paqes "Fondi i 3 %", fonde të popullatës kosovare në diasporë.
"Bartësit
e këtyre dy fondeve famoze janë shpërdoruesit e mundit dhe djersës së
mërgimtarëve, duke bërë pasuri marramendëse, zotërojnë prona të shtrenjta e
kapitale qindra-milionëshe, asete publike e çka jo tjetër.
Do
të ishte jetike për shtetin dhe fondamentale për kthimin e besimit tek
mërgimtarët Ligji i VETTING-ut për të gjithë ata, që në emër të luftës, si
krahu i luftës po ashtu edhe ai i paqes, pjesë manipuluese e fondit
"VENDLINDJA THËRRET" dhe atij të “3 %”, të cilët zhvaten gjithçka në
këtë vend të nëpërkëmbur nga ish-shefat e qeverisë oficiele në perëndim dhe nga
"kumandantët e luftës" edhe atë, ende pa arritur që Kosova të bëhej
shtet i pavarur.
Nëse
duam të kemi shtet ligjor e demokratik, paraprakisht duhet që t'u jepet leksion
ligjor e popullor me ndëshkimin e të gjithëve atyre që kanë manipuluar e
vjedhur paratë e popullit, duke filluar që nga keqpërdorimet dhe vjedhja e
parave të mërgimtarëve nga "Mega Aksioni" i qeverisë
"Bukoshi", Fondi "Vendlindja Thërret" që mbushen thasët me
paratë e mërgatës sonë.
Privatizimet
e pasluftës në Kosovë u bënë me paratë e vjedhura nga dy fondet, Fondi
"Vendlindja Thërret" dhe Fondi 3%, një pjesë e të cilave dyshohet të
ishin huazuar e investuar në bashkëpronësi me kompanitë e inkriminuara të
pasluftës në Kosovë.
Vetingu i munguar
Procesi
i VETTING-ut në Kosovë, pikënisje duhet të ketë dy fondet e sipërpërmendura për
të kaluar në privatizimin e egër dhe kriminal të pasurive publike në Kosovë,
tenderomania, homologimi, asfaltimi i rrugëve, ndërtimi e rindërtimi i
shkollave e deri të emërimet e stafit diplomatik në shtetet euro-perëndimore,
përkatësisht biznesin e pushtetarëve me konsullatat e Republikës së Kosovës në
shtetet perëndimore e deri tek fondet e Albin Kurtit të cilat po ngarendin
njëri pas tjetrit, siq janë; “Fondi Emergjent” (gjatë pandemisë), “Fondi
Sovran” dhe “Fondi i Sigurisë” për të cilat nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë
llogaridhënje për fondet e sipërpermendura! Dhe jo vetëm kaq, edhe me ‘Qeverinë
Kurti’ po vazhdojnë skandalet, siq është ai më famozi, skandali ndërkombëtar i
z. Martin Berishaj dhe skandale të tjera dhe të njëpasnjëshme në të gjitha
digasteret e shtetit.
Andaj,
procesi i Vetingut jo vetëm që është i munguar, është i nevojshëm dhe i
domosdoshëm, porqë po neglizhohet qëllimshëm nga pushtetarët aktualë, të cilët
bukur shpesh po e “lagun fytin” me para të krimit të organizuar dhe
korrupsionit pandemik në Kosovë. Pandemia e krimit të organizuar po vazhdon
edhe në ditët e sotme me përmbajtje të re por me strategji të njëjtë.
Varfëria e popullatës,
pasojë e kusarëve politik
Përderisa
gjysma e popullatës kosovare jeton në varfëri (rreth 16 % në varfëri të
skajshme), familjarët e politikanëve, supermenëve të këtij populli të varfër
bëjnë jetë luksoze që i kalon nivelet e shteteve të përendimit dhe gëzojnë të
gjitha privilegjet; shkollim cilësor, shërim, punësim, rekreacion (pushime në
vendet më të bukura në botë). Këto ua mundësojnë pagat e larta mujore prej disa
mijëra eurosh dhe të ardhura enorme nga aferat korruptive!
Kjo
klasë kusarësh politik, që vjedhi pamëshirshëm pasurinë shtetërore, është
fajtore për varfërinë ekstreme në vendin tonë, për vetvrasjet e çlirimtarëve,
për shkatërrimet familjare, për degradimin kulturor të shoqërisë sonë, ku si
pasojë e riciklimit të politikanëve nga njëra parti në tjetrën, nga krahu i
djathtë në të majtin dhe anasjelltas ka ndodhur shkatërrimi në embrion
(familje) i bërthamës së shtetit. Futja e disa patrive brenda së njëjtës
familje i ka përçarë vëllëzërit e të njëjtëve prind mes vete, i ka ndarë miqë
dhe shoqëri duke i armiqësuar skajshmërisht njëri-me tjetrin. Nuk ka më keq dhe
më zi, kur në një familje 4 anëtarëshe janë futur 5 parti.
Kjo
klasë politike pa dallim pushtet dhe opozitë është përgjegjëse edhe për
zbrazjen e Kosovës së lirë nga popullata shqiptare, si pasojë e gjendjes së
rënduar ekonomike dhe të pashpresë për jetë në Kosovë, ka shkaktuar thyrje të
thella shpirtërore si pasojë e denigrimit social dhe moral, e cila e ka
prodhuar një epilog fatal për Kosovës, ku çdo i dyti qytetarë e ka ndarë
mendjen për ikur dhe për të mos u kthyer më asnjëherë në këtë vend.
Si
përfundim i këtij shkrimi, më së miri i shkon për shtati thënja e intelektualit
të përmasave botërore, të pavdekshmit Esat Stavileci, po citoj; "Shqipëria
dhe Kosova të përbashkët e kanë paaftësinë, në Shqipëri për ta mbrojtur
shtetin, në Kosovë për ta bërë shtetin".