Faleminderit
Dorian Koçi: Fan Noli - figura e parë poliedrike e mendimit shqiptar
E marte, 14.03.2023, 08:12 PM
Fan Noli - figura e parë poliedrike e mendimit shqiptar
Nga
Dorian Koçi
Hyrje
Çdo
përvjetor i lindjes dhe vdekjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës
shqiptare, përbën një ngjarje të shënuar kulturore në hapësirat kulturore mbarë
shqiptare. Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme
të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa
për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin, shqiptarët
para tij. Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli i ankohej këtij të fundit se
nuk kishin se me çfarë të krenoheshin nga e shkuara përsa i përket kulturës
politike, përveçse një konservatorizmi mjeran, sot ne kemi mundësi që sa herë
flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve,
por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij. Emri i tij
Theofan (gr. shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe
shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës
shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë
jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si
qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet. I nderuar
thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë por i nderuar shumë pak në kulturën
urbane të qyteteve tona, ai mund t’u japë brezave të rinj vizionin e gjerë të
tij që shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri
tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e
deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj.
Ndikimi i Botës së Re në
botëkuptimin e Fan Nolit
Fan
Noli i përket brezit të ri të patriotëve shqiptarë që hynë vrullshëm në
vorbullat e ngjarjeve politike e që në pak vjet realizuan pavarësinë e
Shqipërisë, konsolidimin e shtetit kombëtar shqiptar dhe ndërtimin e
institucioneve bazë si parlamenti, qeveria dhe kisha kombëtare. Fermentimi
ideologjik i angazhimit në politikë i brezit të ri të politikanëve shqiptarë
ishte vokacioni për të modernizuar botën konservatore shqiptare. Ajo nuk ishte
ideologji e kristalizuar, por të gjithë binin dakord me fjalët e Stavro
Vinjahut që duhet "të shkulemi nga Orienti", duke përcaktuar qartë
pozicionin properëndimor të Shqipërisë. Përplasja në rrafshin politik ishte në
fakt, një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes
funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në
mesjetë, të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe
personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga politikanët
e brezit të ri. Fan Noli ishte i drejtpërdrejtë dhe i pakompromis për të vënë
para idetë e tij, ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar
nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të
vjetra. Një nga djemtë e Shqipërisë që banonte në Amerikë, si e kishte quajtur
veten Noli në poezinë e tij “Jepni për Nënën” kur ushtroi detyrën si
Kryeminstër në Shqipëri përveçse ndërmarrjes së reformave u kujdes dhe për
nderimin e memories historike amerikano-shqiptare. Të hënën e datës 5 gusht,
1924 revista e njohur “TIMES” në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër
telegrafik, por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Kryeministri Fan Noli i
Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder
të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e
Shqipërisë, iu vu emri në Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë
se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në
Konferencën e paqes të vitit 1919”. Në
vazhdën e politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së
Wilsonit (1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë kaluar pa u vënë re nga
politika amerikane. Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e prodhoi këtë
lajm ai ishte më tepër një veprim simbolik për të shprehur mirënjohjen ndaj
SH.B.A sesa veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë
në politikat e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si
Kryeministër i vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me
Faik Konicën dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në
politikën e kulturën politike shqiptare. Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në
vitet ‘20, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e
lira dhe demokratike. Nga zgjedhjet që u zhvilluan në mars të vitit 1921, vendi
u përfaqësua me 78 deputetë. Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të
shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë
në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori
njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një
kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi
plotfuqinë parlamentare. Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin
legjislativ, i quajtur Këshill Kombëtar mori emrin Parlament. Si organ i vetëm
legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga
populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë). Këshilli i
ri Kombëtar i filloi punimet më 21 prill 1921. Si në çdo parlament kishte një
të djathtë e një të majtë (megjithëse atëhere në Shqipëri nuk përdorej një
terminologji e tillë). Ky diferencim nuk u bë që në fillim: përkundrazi, në fillim
në të dyja partitë e përfaqësuara në parlament, në Partinë Popullore, të
kryesuar nga Fan Noli dhe në Partinë Përparimtare, të kryesuar nga Hoxhë Kadriu
kishte deputetë progresistë. Noli, i ngarkuar nga “Vatra” si deputet për në
Parlamentin Shqiptar erdhi me idenë për
të krijuar Partinë Kombëtare por nuk arriti dot ta realizonte. Atëherë në këto kushte vendosi të hyjë në
Partinë Popullore, ku u bashkua me 28 deputetë të cilët e zgjodhën njëzëri
kryetar. Vija politike e ndjekur nga
Partia Popullore, ishte për kryerjen e reformave demokratike duke përfshirë
jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Zgjedhja e Nolit në krye të partisë ishte
tregues i besimit që kishin anëtarët e tjerë ndaj tij. Megjithatë anëtarësimi i
tij në këtë parti nuk ishte i rastësishëm. Partia Përparimtare ishte më shumë
një grupim i klasës së bejlerëve që më shumë se
interesat kombëtarë mbronin interesat e tyre të pronësisë. Kjo binte ndesh me idealet e
Nolit, pasi ai aspironte për një parti me frymë liberale që kishte si qëllim
bashkimin kombëtar dhe ndërmarrjen e reformave kundër bejlerëve veçanërisht për
rindarjen e tokës. Vizioni i tij për Shqipërinë ishte i qartë. Duke menduar se
vendit i mungonte bashkimi në të gjitha frontet, shikonte organizimin e
shtresës së fshatarësisë si të vetmin shpëtim për të kapërcyer prirjet
shpërbërëse që karakterizonin vendin.
Nga
fundi i vitit 1921 dhe fillimi i 1922-së u bë një rigrupim i forcave në
parlament: Partia Popullore, në të cilën e morën epërsinë Ahmet Zogu dhe
elementët e lidhur me të, përfaqësonte tashmë krahun konservator, ndërsa
deputetët progresistë që bënin pjesë në fillim në Partinë Popullore si dhe në
Partinë Përparimtare (kjo e fundit ndërkaq u shpërnda) formuan grupin e
Opozitës, emërtim ky që u përdor për herë të parë në seancat e tetorit 1922,
megjithëse grupi në të vërtetë ishte kristalizuar kohë më parë. Për herë të parë gjatë kësaj legjislature u
kristalizuan konceptet pozitë-opozitë si dhe debatet dhe ballafaqimet politike.
Ballafaqimi i dy forcave politike në parlament u shfaq kryesisht në dy aspekte:
në përpjekjet e opozitës për të forcuar kontrollin e Këshillit Kombëtar mbi
Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, dhe në veprimtarinë legjislative. Përgjatë këtyre viteve të funksionimit të
parlamentit demokratik Fan Noli sëbashku me disa deputetë si Luigj Gurakuqi,
Stavro Vinjahu, Gjergj Fishta, Ali Këlcyra, Hoxhë Kadriu etj. udhëhoqën
procesin modernizues të shoqërisë, ekonomisë dhe jetës politike në Shqipëri.
Parlamenti demokratik shqiptar 1921-1924 themeloi bazat e legjislacionit modern
shqiptar në sferat administrative, ekonomike, agrare, transport dhe kulturore.
Në sferën ekonomike ai miratoi ligje që avanconin përpara në mënyrë të moderuar
ekonominë shqiptare drejt përafrimit me një ekonomi kapitaliste. Arritje e
shënuar në këtë drejtim ishte miratimi i "kontratës tip", e cila
detyronte pronarët e tokave të mos dëbonin ose cënonin bujqit qiramarrës, nëse
këta të fundit shlyenin detyrimet kontraktore ndaj tyre. Ky ishte një hap i
moderuar, por me shumë rëndësi për kohën, pasi ky ligj u kundërvihej
arbitrariteteve të pronarëve, aq të përhapura në atë kohë, dhe inkurajonte
marrëdhëniet kapitaliste në fshat. Një rëndësi të madhe kishte edhe ligji për
vendosjen në tokat shtetërore të shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Kosova
dhe Çamëria, si dhe të bujqve pa ose me pak tokë. Nga pikëpamja kombëtare, kjo
ishte një vepër e shquar me ndikim pozitiv në unitetin kombëtar dhe rritjen e
atdhetarizmit, ndërsa nga pikëpamja sociale, ky ishte një hap përgatitor drejt
reformimit të marrëdhënieve agrare në Shqipëri.
Po kështu në sferën ekonomike parlamenti shqiptar bëri një punë të madhe
duke krijuar një legjislacion të ri shqiptar për dhënien e koncesioneve, i cili
krijonte baza për zhvillimin e shpejtë ekonomik të vendit dhe për forcimin e
buxhetit të shtetit e funksionimin financiar të tij. Ai përmirësoi ndjeshëm
legjislacionin fiskal në vend, duke ia përshtatur atë gjendjes ekonomike të
vendit si dhe nevojave financiare të shtetit të ri. Kjo ka qenë një punë shumë
voluminoze dhe e rëndësishme për të jetësuar funksionimin e shtetit të ri e të
varfër shqiptar në kushte tepër të vështira të fillimeve të jetës së tij.
Madje, ai bëri edhe disa sprova të para për reformimin e sistemit tatimor drejt
një modeli më të avancuar, ku spikasnin përpjekjet për reformimin e tagrave
doganore, vergjisë dhe të dhjetës. Nuk
mbeti jashtë vëmendjes reformimi i sferës juridike shqiptare që deri në atë
kohë përdorte ligjet osmane. Në sferën juridike, ai bëri ndryshime me rëndësi
në kodet e mëparshme civile, penale të trashëguara nga periudha osmane dhe, mbi
të gjitha, krijoi një sistem efektiv gjyqësor, i cili dha një kontribut të madh
në paqtimin e vendit, në jetësimin e lirive dhe të drejtave juridike të
qytetarëve dhe në krijimin e besimit tek popullsia për funksionimin e shtetit
në bazë të ligjeve. Transporti dhe
komunikacioni mes qyteteve shqiptare dhe botës u reformua përmes miratimeve të
akteve me rëndësi që e anëtarësuan Shqipërinë në rrjetin botëror të
komunikacioneve. Në sferën kulturore dhe arsimore, ai krijoi bazat ligjore të
zhvillimit të një arsimi dhe kulture me përmbajtje e shpirt kombëtar dhe me
orientim progresiv. Në të njëjtën kohë
parlamenti shqiptar përmes debateve parlamentare kontribuoi në themelimin e
etikës administrative dhe qytetare që janë frymëzuese dhe sot. Ngjarjet që
pasuan në Lëvizjen e Qershorit 1924 u perceptuan nga bashkëkohësit si një
betejë mes të vjetrës dhe së resë, koservatorizmit dhe liberalizmit demokratik
për të ndërmarrë një sërë reformash ekonomike dhe shoqërore nën modelin e
urbanizimit të shteteve të Ballkanit pas rënies së Perandorisë Osmane dhe
kapërcimin e hendekut ndarës ndaj zhvillimeve politike, ekonomike dhe kulturore
në kontinentin e vjetër sesa një shndrrim pushteti përmes revoltës. Faik Konica
në kabllogramin e dërguar në emër të Vatrës në 30 dhjetor 1924 në Hotelin
Windsor në Bari ku Noli qëndronte pas largimit të detyruar të tij nga Shqipëria
shkruante se “luftuat një betejë fisnike për përparimin, qytetërimin e
indipendencën e Shqipërisë. Me kohë dhe me largim, populli shqiptar ka për ta
çmuar më mirë çkini bërë për të… Që u mundët është faji i bashkëpunëtorëve
tuaj, të cilët duken aq qesharakë, sa dukeni i madh”.
Misioni misionar i
ndriçimit të kombit
Shqipëria
si vend, me shtresëzimet e veta sociale ka habitur, jo vetëm të huajt që kanë
shkruar për karekterin e veçantë të shqiptarëve në raport me popullsitë e tjera
në Ballkan por edhe vet politikanët që kanë udhëhequr dhe përfaqësuar për
momente të caktuara vullnetin e shqiptarëve. Duket se mungesa e jetesës së
gjithë popullsisë nën një influencë të vetëm shtetërore e fetare, kapërcimi i
rendeve të ndryshëm shoqërorë pa u thelluar aspak në asnjërin prej tyre,
traditat e ndryshme të pushteteve politikë, administrativë e gjyqësorë duke filluar
nga ai i despotëve të pavarur bizantinë, traditës venedikase me Këshillin e të
dhjetëve, pushtetit lokal të venomeve dhe Kanuneve, dhe pushtetit perandorak
otoman nën presionin e një modernizimi të ethshëm të ardhur nga Europa, kanë
krijuar klimën e veçantë sui generis të shqiptarëve dhe sjelljeve të tyre
sociale. Fan Noli si njohës i mirë i habitatit politik dhe social të
Shqipërisë, ish-ministër e ish-kryeministër, shkrimtar e historian, në një
bisedë me Eqerem bej Vlorën ia përshkruante kështu përvojat e tij nga qeverisja
e bashkëpatriotëve të vet. “Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu
shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato
gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu
ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit
fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është
sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve
sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane,
këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha
refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”
Politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë në vitet 1921-1924 i
përcaktoi në masë të konsiderueshme vizioni historik i Fan Nolit dhe
shtrembërimi i vullnetshëm i këtij vizioni nga ana e konservatorëve feudalë
shqiptarë. Autoriteti moral i Fan Nolit në politikën shqiptare në vitet ‘20
buronte nga udhëheqja e suksesshme që ai i kishte bërë betejës kulturore dhe
politike në SH.B.A, për të arritur ringjalljen e Shqipërisë së pavarur. Më
vonë, si ministër i punëve të jashtme dhe si kreu i shtetit për një periudhë
gjashtëmujore me anë të tentativave diplomatike dhe kulturore ai u përpoq të
përvijonte për shtetin e rithemeluar kufijtë e Shqipërisë, pra, si rrjedhim
popullsinë shqiptare kudo ku banonte pavarësisht kufijve administrativë.
Pavarësisht largimit të tij të detyruar, Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e
vet e mbeti fisnik deri në palcë përsa i përket atdhedashurisë. E deshi
Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin miserabël që
kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru” si do t’i
cilësonte kundërshtarët e tij politikë në poezinë himn “Marshi i Barabajt”. Fan
Noli në emigracion vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet
dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme
dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari”
do të kuptohej nga brezat që vinë. Mirëpo pavarësisht këtyre kontributeve të
mëdha, ndjekjet e atyre që se deshën e përndoqën deri kur do të vendosej në
Amerikë në 1932, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e
vet ishte një Peshkop i “kuq”. Fan Noli u rikthye në SH.B.A në vendin ku jo
vetëm ishte shuguruar Peshkop i Kishës Shqiptare por edhe ishte formuar si
personalitet nga pikëpamja politike dhe kulturore.
Maratonomaku i marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane
Marrëdhëniet
shqiptaro-amerikane për Nolin do të ishin të një rëndësie të veçantë përgjatë
gjithë jetës së tij. Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Noli do
të riaktivizohet politikisht për të kontribuar në njohjen e qeverisë së re
shqiptare dhe vendosjen e marrëdhënieve dipomatike me SH.B.A-në. Qeveria
Demokratike e Përkohshme, e krijuar në Berat më 20 tetor 1944, ishte një qeveri
që përfaqësonte F.N.Ç dhe Partinë Komuniste Shqiptare, që e udhëhiqte këtë
front. Formimi i kësaj qeverie të njëanshme nuk u prit mirë nga grupimet
nacionaliste, që ende operonin në terren të përfaqësuara nga Balli Kombëtar dhe
Lëvizja e Legalitetit, por ajo gjeti një farë mbështetje në rrymat politike të
emigracionit shqiptar. Kështu, kërkesën e Qeverisë të Përkohshme Demokratike
drejtuar nga Berati, qeverive të Aleatëve të Mëdhenj, e mbështetën menjëherë
organizata “Vatra” në SH.B.A e kryesuar nga Fan Noli dhe “Komiteti i Shqipërisë
së Lirë”. Në emër të këtij të fundit, në Londër, më 30 tetor 1944, Tajar
Zavalani i dërgoi një letër Idenit, Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme,
në të cilën i kërkonte njohjen e Qeverisë së Përkohshme të Enver Hoxhës dhe
udhëheqjen e procesit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit të Kombeve të
Bashkuara. Kjo mbështetje e emigracionit
shqiptar lidhej me sa duket me dijenë e ekzistencës, së opinioneve të aleatëve
për të ardhmen e Shqipërisë. Në të vërtetë planet e Aleatëve për rregullimin e
Ballkanit dhe në veçanti për Shqipërinë nuk ishin inkurajuese. Planet e
rregullimit të Ballkanit dhe së ardhmes politike të Shqipërisë bënin fjalë për
opsione të ndryshme që përfshinin shkëputje territoresh të ndryshme për të
kënaqur fqinjët e Shqipërisë, bashkime në konfederata me Jugosllavinë e
Bullgarinë e deri dhe te pavarësi të kushtëzuar. Për emigracionin shqiptar dhe Fan Nolin ishte
shqetësues fakti që Shqipëria nuk ishte thirrur si vend anëtar i Kombeve të
Bashkuara, edhe pse kishte qenë një nga viktimat e para të agresionit fashist.
Në këtë rast dhe raste të tjera, Noli nuk do të mënonte të mbështeste çfarëdolloj
iniciative që garantonte kufijtë e Shqipërisë dhe një stabilitet politik të saj
po aq sa nuk do të ngurronte ta qortonte qeverinë komuniste të Tiranës në vitet
1946-1950, kur kjo qeveri nuk rivendosi marrëdheniet diplomatike me SH.B.A, për
shkakun absurd të mosnjohjes së traktateve të nënshkruara para luftës. Për këtë
arsye, disa herë ai komunikoi me udhëheqjen komuniste shqiptare nëpërmjet disa
telegrameve. Noli këmbëngulte se për t’u pranuar në OKB dhe për të shmangur
rrezikun grek, Shqipërisë i duhej patjetër të kishte marrëdhënie të mira me
aleatët britanikët dhe amerikanët. Pranimi i Shqipërisë në OKB do siguronte një
njohje kolektive të qeverisë shqiptare dhe rrjedhimisht, edhe sigurimin e
tërësisë së saj territoriale. Në këtë kontekst, në mesazhin dërguar Enver
Hoxhës, ai sugjeronte “pranimin e menjëhershëm të traktateve, i cili do të
sillte automatikisht njohjen amerikane, pranimin në OKB dhe mundësinë për të
mbrojtur me sukses integritetin e Shqipërisë.”
Mirëpo qeveria shqiptare vazhdonte të shprehte rezervat e veta për sa i
përket pranimit të traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939 me SHBA Këto
rezerva, që në thelb, ishin qëndrime izolacionaliste. Ato shprehnin frikën dhe
dyshimin ndaj perëndimorëve, por edhe tutelën diplomatike të vendosur nga
Jugosllavia. Emigracioni shqiptar në Amerikë, Fan Noli dhe “Vatra”, qenë të
pakënaqur nga delegacioni shqiptar i kryesuar nga Tuk Jakova dhe mënyra se si e
ushtronte politikën e jashtme të Shqipërisë në kërkesën e saj për t’u
anëtarësuar në OKB. Noli, duke parë mos reflektimin e qeverisë shqiptare për
çështjen e traktateve, i shkroi një letër Enver Hoxhës më 30 shtator 1946. Në
letër theksonte: U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në
parim dhe pa kondita sepse kjo është vetëm një çështje formule, pa rëndësi
praktike. Në fakt, Shqipëria nuk cënohej
asgjëkund, nëse pranoheshin traktatet. Duket se ishte një frikë e ekzagjeruar
dhe e imponuar prej jugosllavëve dhe sovjetikëve, sesa një realitet që më shumë
do të ndikonte keq në ekonominë shqiptare. Vladimir Didejer, historian dhe
njeri i afërt i Titos, pas prishjes shqiptaro-jugosllave do të shprehej në
librin e vet, “Marrëdhëniet Shqiptaro-jugosllave 1939-1948”, të botuar në
Beograd më 1949 se në qoftë se qeveria shqiptare do t’i kishte pranuar kushtet
e traktateve, “qarqet financiare amerikane do ta kishin skllavëruar
ekonomikisht Shqipërinë, përfundimisht.”
Ky përfundim tingëllonte ironik, jo vetëm për faktin se Jugosllavia i
kishte pranuar të gjitha traktatet për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me
SHBA, por edhe sepse vetë Enver Hoxha deklaronte në pleniumin VI të PKSH, në
prill 1946, se votimi i delegatit amerikan kundër pranimit të Shqipërisë në
Kombet e Bashkuara lidhej me mospranimin e disa traktateve dypalëshe dhe sidomos,
me atë të vitit 1922, për kombin e favorizuar, i cili praktikisht nuk ka gjetur
zbatim”, ndërkohë u bënte të ditur të
pranishmëve që të njëjtat traktate ishin pranuar nga Çekosllovakia dhe
Jugosllavia. Pra dukej qartë edhe sipas fjalëve të Hoxhës, që mosmiratimi i
traktateve dhe varësia ekonomike e Shqipërisë nga SH.B.A ishte më shumë një
pretekst për të mos normalizuar marrëdhëniet ose në rastin më të mirë, për të
imponuar kufizime ndaj Misionit Civil Amerikan. Për 45 vjet më radhë Shqipëria
dhe SHBA nuk do të kishin marrëdhënie diplomatike dhe kësisoj Shqipëria ishte i
vetmi vend në Lindjen komuniste që kish refuzuar vendosjen e marrëdhenieve
diplomatike me SHBA pas Luftës së Dytë Botërore.
Reformatori i jetës
shpirtërore të shqiptarëve
Kur
e pyesnin Fan Nolin sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai
gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare edhe pse
vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe
materiale të shqiptarëve. Një propozim i ardhur nga radha e intelektualëve
patriotë ortodoksë në 1908, të cilët vuanin faktin se përveç që shqipja
ndalohej nga autoritetet osmane, ata nuk mund ta praktikonin gjatë liturgjisë
fetare, sepse ndalohej nga autoritetet kishtare greke, krijoi premisat e
fillimit të punës titanike të Nolit për themelimin e Kishës Autoqefale
Ortodokse Shqiptare. Shqiptarët në fillim të shekullit XX u ndodhën përpara një
dileme, nëse duhej të ruanin statusquo-n në gjendjen fetare në Shqipëri apo
duhej të përqafonin një degë tjetër të kristianizmit që kështu të hiqnin qafe
ndikimin grek dhe të fitonin proteksionin e fuqive dhe popujve të perëndimit?”
. Për këtë dilemë pati dy versione, gazeta “Kombi” e Bostonit propozoi “kthimin
e shqiptarëve në ortodoksë unikë, domethënë të ruhej liturgjia ortodokse por të
njihej Papa si udhëheqës suprem shpirtëror” , një rast i tillë ishte popullsia
e Shpatit në Elbasan, kurse shoqëria shqiptare e Egjiptit mbështeste
“konvertimin në protestantizëm, e cila jo vetëm kishte pasues të fortë në
perëndim por gjithashtu, duke qenë gjë e re në Shqipëri, mund të tërhiqte
pasues nga të tre fetë.” Siç kuptohet
dhe nga pyetjet dhe dilemat e ngritura identitetet e veçanta fetare kanë qenë
një pengesë serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe klasa intelektuale
shqiptare ishte gati të bënte dhe kompromise të këtij lloji, të cilat natyrisht
nuk dihet nëse do të priteshin mirë apo përqafoheshin nga populli i thjeshtë.
Në fakt shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për veprime të tilla, pasi ata nuk
ishin aq të pjekur politikisht sa të ndërmerrnin një hap të tillë, ndaj në
lëvizjen kombëtare shqiptare zuri vend më shumë propozimi i Fan Nolit, i cili
nuk e shikonte problemin në ekzistencën e tre feve, por në faktin që “asnjëra
nga besimet e njohura në Shqipëri nuk praktikohej në gjuhën shqipe dhe klerikët
qenë armiq me njëri-tjetrin” . Më andej Noli shtonte se “fatkeqësia nuk qëndron
aq shumë në ndryshimin e feve sesa në krerët fetarë. Ata nuk duhen të jenë të
huaj, por shqiptarë dhe patriotë” . Këtu zë fill projekti i Nolit, i cili
themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare, duke e shkëputur nga ndikimi
grek dhe u duke u dhënë një shembull të mirë edhe shqiptarëve të besimeve të
tjera sesi mund të fitonin pavarësinë shpirtërore dhe forcimin e vetëdijes së
tyre kombëtare.
Përfundime
Përvjetorët
e Fan Nolit janë gjithmonë data të shënuara përkujtimore që risjellin në
memorien e kombit rrugët e vështira të simbiozës së idesë kombëtare, lëvrimit
të gjuhës e letërsisë shqipe e modernizimit të shtetndërtimit shqiptar. Noli
për Faik Konicën do të ishte “Padyshim, shkrimtari i sotëm shqiptar më i
rëndësishëm, reformator i kishës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor muzike
dhe njeri me shumë dhunti të tjera, i cili ka botuar përkthimin shqip të disa
pjesëve të Shekspirit”. Përmendja e disa
prej disiplinave të ndryshme të dijes saktëson mendimin e pranuar prej kohësh
se Fan Noli është figura e parë poliedrike e mendimit shqiptar.
Bibliografi:
Burime Arkivore
1-
PRO 1944. FO 371/43558
2-
AMPJ, viti 1946, dos,144, fl.122, Telegram i Nolit dërguar H. Kapos në Beograd,
22 mars, 1946.
3-
AMPJ, viti 1946, dos.61. Letër e Fan Nolit për general E. Hoxhën, kryeministrit
të Shqipërisë në Tiranë, 260 Blagden Strret, Boston 16, Mass, 30 shtator 1946.
Libra
1-
EqeremVlora. Kujtime 1885-1925, IDK, Tiranë, 2010.
2-
Faik Konica. Vepra të zgjedhura, Dituria, Tiranë, 1994.
3-
Genc Durrësi, Kasem Durrësi atdhetar dhe demokrat,Tiranë: Globus-R, 2009.
4-
Hamit Kaba. Nga lufta në paqe, Shqipëria dhe SH.B.A (1939-1946). Akademia e
Studimeve Albanologjike, Institituti i Historisë, Tiranë, 2021.
5-
Hamit Kaba, Kufijtë e Shqipërisë në projektet e Aleatëve të Mëdhenj gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria dhe të Mëdhenjtë, Tiranë: Klean, 2016.
6-
Kristo Frashëri, Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris 1946 (vështrim
historik), Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2015.
7-
Nasho Jorgaqi. “Jeta e Fan S. Nolit, Vellimi II, Ombra GVPaskal Milo, Të
vërtetat e fshehura. Incidenti i Kanalit të Korfuzit, Tiranë: Botimet “Toena”,
2010.
8-
Rudina Mita, Hysen Kordha, Pluralizmi politik shqiptar gjatë periudhës
1914-1924, Rama Graf, Tiranë, 2011
9-
Stavro Skëndi. Zgjimi kombëtar i shqiptarëve. Tiranë : Phoenix : Shtëpia e
Librit dhe e Komunikimit, 2000.
Revista
1-
Shqipëria e Re, 1 prill 1921
2-
Revista TIMES, 5 gusht 1924.