Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Asociacioni s'është gjë tjetër pos ndarje e Kosovës
E shtune, 11.03.2023, 08:30 PM
ASOCIACIONI S’ËSHTË GJË TJETËR POS NDARJE E KOSOVËS
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Historia e botës
nuk njeh edhe një rast tjetër ku një minoritet që përbën vetëm 4 për qind të
popullsisë së përgjithshme të shtetit, të ketë brenda atij shteti asociacionin
e vet.
Sot, situata
gjeopolitike në botë ka ndryshuar në mënyrë drastike. Mbështetësja kryesore e
Serbisë – Rusia, e angazhuar në agresionin ndaj Ukrainës, objektivisht është
dobësuar. E mbetur pa një mbështetje efektive nga Rusia, e dobësuar dhe pa
krahë duhej të ishte edhe Serbia. Në rrethana të tilla, pritej që Serbia ta
ulte zërin dhe diskursin agresiv ndaj Kosovës Pritej që Serbia ta pranonte
realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Përkundrazi, Serbia po bëhet
më agresive, po përdor një retorikë shumë më irracionale se dikur. S’ka sesi të
mos shtrohet pyetja: Ku e merr këtë forcë Serbia?! Rezulton se ajo e merr
forcën nga mbështetja e Perëndimit.
Gjatë luftës së
Kosovës të viteve 1998-1999, Serbia ishte pushtuese, Kosova ndërkaq zhvillonte
luftë çlirimtare. Luftën e humbi Serbia. Palës humbëse s’i mbetet tjetër pos të
nënshkruajë kapitullimin dhe t’i pranojë kushtet e ngadhënjyesit. Pala humbëse
s’ka të drejtë të shtrojë as edhe një kërkesë të vetme. Por tani ndodh e
kundërta. Ndonëse humbëse e luftës pushtuese, Serbia po del me kërkesa, si ndaj
Kosovës, ashtu edhe ndaj faktorit ndërkombëtar.
Në hartat serbe,
Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e Serbisë. Kur sinoptikët serbë e tregojnë
temperaturën në qytetet e Serbisë, nuk lënë pa e pasqyruar edhe temperaturën në
kryeqytetin e Kosovës – në Prishtinë. Beogradi nuk e përdor fjalën Kosovë. Në
vend të saj e përdor toponimin serb - Kosovë dhe Metohi. Për dialogun midis
Kosovës dhe Serbisë i përdor fjalët “dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës”.
Fuqitë perëndimore
– Uashingtoni, Berlini dhe Parisi kërkesën serbe për themelimin e asociacionit,
zajednicës, dodik republikës apo të shtetit brenda shtetit kanë mundur ta
asnjanësojnë apo ta neutralizojnë me një kundërkërkesë të vetme: “Para se të
kërkoni një bashkësi komunash serbe në Kosovë, paraprakisht duhet të themeloni
një entitet shqiptar në luginën e Preshevës, ku do të përfshiheshin tri
komunat, si Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Nuk mund ta kërkoni për vete
atë që s’ia njihni tjetrit”. Një kundërkërkesë e këtillë, sakaq do ta
amortizonte kërkesën serbe për zajednicë. Për fat të keq, një kundërkërkesë të
këtillë, perëndimorët nuk ia shtruan Serbisë. E nisur nga parimi i
pandryshueshmërisë së kufijve, një kundërkërkesë të këtillë s’ia bëri Serbisë
apo Uashingtonit dhe Brukselit, as Kosova.
Me themelimin e
asociacionit, bashkësisë së komunave serbe, zajednicës, dodik republikës apo
shtetit brenda shtetit, ndërlikohet edhe ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Po të ndërmerrej akti i bashkimit të Kosovës me Shqipërisë, atëherë Serbia do
të reagonte duke thënë: “Ju mund të bashkoheni me kë të doni, por pa e
përfshirë bashkësinë e komunave serbe”. Dhe ja, ndarja e Kosovës.
Themelimi i asociacionit, i zajednicës, i dodik republikës apo i shtetit
brenda shtetit nuk është asgjë tjetër pos ndarje e Kosovës apo amputim i një
pjese të territorit të saj.
Shpesh ka ndodhur
në histori kur Fuqitë e Mëdha kontestet ndërmjet dy a më shumë palëve i kanë
zgjidhur asisoj që të paraqesin vatra potenciale krize në të ardhmen.
Themelimi i
asociacionit, i zajednicës, i dodik republikës apo i shtetit brenda shtetit e
shndërron Kosovën në vatër potenciale dhe permanente krize në rajon.
A thua kanë
menduar Fuqitë perëndimore për fatin e pasurive natyrore të Kosovës?! Në pronësinë e kujt do të vihen miniera e
Trepçës dhe Ujëmani?! Nën administrimin e Kosovës apo nën menaxhimin e
asociacionit?! Apo nën qeverisje të përbashkët?!
Çështja e Kosovës
u mbyll me pakon e Ahtisarit. Më vonë u shtua sintagma: “Ahtisari plus”.
Themelimi i asociacionit s’ka të bëjë fare, as me pakon e Ahtisarit, as me atë
që u quajt “Ahtisari plus”. Sipas Beogradit, asociacioni apo bashkësia e
komunave serbe duhet t’i ketë kufijtë e vet. Një asociacion me kufij të
përvijuar paraqet federalizim apo konfederalizim të
Kosovës. Asociacioni apo bashkësia e komunave serbe, nuk është asgjë tjetër pos
entitet siç është Republika Serbe (Republika Srpska) në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Entiteti i Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, i udhëhequr nga Millorad
Dodiku (Milorad Dodik / Милорад Додик), e ka shndërruar BH-në në shtet jofunksional.
Dodiku është mik i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit dhe i Putinit. Ndodhet në
listën e zezë amerikane, d.m.th. për ShBA-në është person i padëshiruar.
Sipas kushtetutës,
minoritet apo grupet etnike në Kosovë i gëzon të gjitha të drejtat, sipas
standardeve më të larta të BE-së. Çdo kërkesë përtej kësaj, nuk është veçse
pretendim territorial. Me fjalë të tjera, asociacioni, bashkësia e komunave
serbe, zajednica apo dodik republika, s’janë dot gjë tjetër pos pretendim
territorial i Serbisë ndaj Kosovës. Bashkësi komunash serbe për një pakicë që
përbën jo më shumë se 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës! Kjo
nuk arsyetohet me asnjë argument, as me argumentin historik, as me argumentin e
bashkëkohësisë as edhe me argumentin hipotetik.
E mbështetur nga
Moska dhe nga Putini, vitet e fundit Beogradi ndoqi ndaj Kosovës politikën e
forcës, të trysnisë dhe të shantazheve. Zhvilloi luftë psikologjike dhe luftë
speciale, ndërsa në skenën ndërkombëtare – edhe propagandë gebelsiane.
Kjo politikë e
Beogradit, sot po gjen edhe mbështetjen e Uashingtonit, të Berlinit dhe të
Parisit.
Ta mbështesësh
politikisht Vuçiqin është njësoj si ta mbështesësh Sllobodan Millosheviqin.
Kështu ngase politika e Vuçiqit nuk është asgjë tjetër pos vazhdim i politikës
së paraardhësve të tij – Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit (Vojislav Šešelj
/ Војислав Шешељ,
1954- ).
Po qe se formohet asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica, dodik
republika, përkatësisht shteti brenda shteti, njohja e Kosovës nga Serbia nuk
ka kurrfarë vlere, kurrfarë peshe dhe kurrfarë rëndësie. Me krijimin e
asociacionit, Kosova del humbëse e plotë. Fituese e vetme del Serbia.
Në një anë Vuçiqi
ngul këmbë dhe insiston për themelimin e asociacionit, ndërsa në anën tjetër
deklaron se kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Domethënë ky e
kërkuaka krejt Kosovën! Kërkon bashkësi komunash serbe, duke thënë në të
njëjtën kohë se kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Para qëndrimeve dhe prononcimeve të tij, perëndimorët heshtin. Heshtin
Uashingtoni, Berlin, Parisi.
Përse Beogradi
ngul këmbë për themelimin e asociacionit?
Sot serbët nuk
mund të shpërngulen nga Kosova dhe të vendosen në Serbi. Këtë s’ua lejon
Beogradi. Pas themelimit eventual të asociacionit dhe me kalimin e kohës, një
pjesë e serbëve mund edhe të shpërngulen për t’u vendosur në Novi-Sad, në
Beograd ... Si pasojë, prej 4 për qind, numri i tyre mund të zvogëlohet. Ata do
të shpërnguleshin, jo pse i dëbon dikush, por për arsye se Kosova ka shkallë të
ulët të zhvillimit ekonomik. Në një Kosovë ekonomikisht të pazhvilluar, ata nuk
do të shihnin perspektivë.
Pavarësisht nga
rënia – eventuale – e numrit të serbëve në Kosovë, Beogradi do t’i dilte zot
asociacionit apo entitetit serb. Entitetin serb në Kosovë, Beogradi do ta
konsideronte si tokë të veten, pavarësisht nga fakti në ka ose jo serbë në të.
Kjo nuk vlen për
Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Prej këtyre tri bashkive apo
komunave, shqiptarët shpërngulen ditë për dite. Kjo zonë, shpejt do të mbetet
pa shqiptarë. Ndaj tyre Serbia ushtron gjenocid të heshtur. Pas një kohe të
shkurtër, po të çohet një shqiptar dhe të propozojë shkëmbim territoresh,
Beogradi do të kishte thënë: “Për çfarë shkëmbimi flisni?! Numri i
shqiptarëve në luginën e Preshevës numërohet në gishta”.
Para gjenocidit të
heshtur serb në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Fuqitë
perëndimore heshtin. Heshtin edhe Tirana me Prishtinën.
A thua ndër
shqiptarë, ka diçka që u pengon perëndimorëve?! Mos vallë perëndimorët nuk na
njohin për evropianë?! Mos vallë perëndimorët dyshojnë në përcaktimin dhe
orientimin perëndimor të shqiptarëve?! Mos vallë një pjesë e shqiptarëve
funksionojnë me sistem joperëndimor dhe joevropian të vlerave?!