Kulturë
Ilir Muharremi: Lamtumirë miku im Haqif Mulliqi
E enjte, 27.07.2023, 07:59 PM
Lamtumirë
miku im Haqif Mulliqi
Nga
Ilir Muharremi
Kaltërsia
e qiellit bëhej verbuese dhe përvëluese. Dielli ishte ngjitur sipër dukej si
një copë diamanti që shkëlqen. Matanë
horizontit pikturohet një figurë me sy të butë, është plot mirësjellje, dëgjohet
një zë melankolik dhe frymëmarrje e rënduar.
Vdekja
ankuese, tu afrua me hap hajduti, erdhi si pronare, por prapë mik i dashur je
pronar i vetes tënde sepse e shohë fytyrën tënde atje matanë këtij horizonti .
Trupi
pozon i mbuluar me këto copa druri që ta
ndalin frymëmarrjen. Vdekja është e lirë, është qëllim, por jo të gjithë e
duam, ajo na do neve në realitetin e vet. Trupi yt sot pranon kurora lulesh të
cilët më pas do të thahen në altarin e jetës. Tashmë sheh veten, duke hedh hapa
drojshëm, nga kjo dërrasë e cila më vonë do kalbet, dëgjon pëshpërimin e zemrës
që gatitej për horizontin e ri, e trupi po shndërrohet në ajër. Nga ky ajër
raporti yt është i ndërjselltë me ne materie të vdekura, ose kufoma të gjalla
që picërrimi i dritës tënde futet në porret tona. Shpirti e ndjen raportin
tënd, por nuk e besojmë. Besojmë vetëm kur vdesim vet, mungesë argumenti mbi të
vërtetën të cilës drita i bën ballë dhe shpall protagonistin.
Vdekja
është më reale se jeta. Të vdesësh sot, nesër, pasnesër, pas një viti, e njëjta
gjë është. Ndjehu i lirë sepse tashmë portat e triumfit të shpirtit u hapen dhe
u krijua një vend ndoshta i ri ose ndoshta përsëritje shekujsh.
Personazeht
e dramave, qëndisje e thellë filozofike, nuanca absurde, drejt një fundi pa
fund, pa fillim, ndodhi, shkëputje, tension dhe tension. Personazhet u
ringjallen nga dramat, të shikojnë, hedhin valle, prekin fytyrën tënde, disa të
tërheqin, të zgjohesh nga ajo dërrasë monotone e cila zëvedëson shtratin tënd.
Shijes i humb kuptimi, ngjyrat fitojnë tone
çudake, personazhet vërtiten rreth teje, kërkojnë replikën, koncetin
regjisorial, presin këshillën, disa presin rendin t’i vije ta thonë tekstin,
disa kërcejnë, vallëzojnë, këndojnë sepse festojnë përjetësinë. Vijat
regjisoriale kalojnë në pronësinë e
personazheve të dramave, dikund në tekst shkruan “Pauzë”, vetat stepen, presin
ta vazhdojnë dialogun, dialogu fillon nga pyetje të shkurtëra, pa përgjigje,
tashmë përgjigjet heshtin. Matanë personazheve qëndrojnë predikuesit e vdekjes
së shpejtë. Ata thiren si stuhitë e së drejtës, shkundësitë e drejtë të pemës
së jetës, ata u krijuan dhe u thirrën nga vet njerëzit, të cilët krijojnë vetëm
gjëra tokësore. Personazhet vazhdojnë tekstin, dialog, dialog, pauzë, replika.
Kaltërisa e qiellit vazhdon të jetë shumë përvëluese.