E enjte, 25.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Sa bukur!

E merkure, 19.07.2023, 09:22 PM


BUKUR!

VËRTET, SA BUKUR!

Nga Visar Zhiti

BIBLIOTEKA DHE FOSHNJA:

…erdhën njerëz të bukur në Bibliotekën e bukur në Downers Grove, Chicago. Salla e bukur, me ato radhët e gjata me karrige, që nga pianoja e deri te dera në fund, po mbushej me shpejtësi dhe, teksa uleshin, vazhdonin bisedat me njëri-tjetrin. Po bëhemi Shqipëri dhe këtu, e madhe në zemër, ja, kemi shqiptarë të Shqipërisë, nga Kosova e Çamëria, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne) e nga Mali i Zi, po, po, por jemi dhe amerikanë…

Kishin ardhur dhe nga qytete të tjerë, madje dhe nga shtetet pranë, ishte dhe një nga Gjermania, Altini, të rinj plot, por edhe flokëzbardhur siç janë luleborat këtej dhe shkonin te tryezat ku ishte libri, e merrnin dhe kërkonin autorin. U krijuan radhë të vogla e të shpeshta para tij, donin një autograf…

Shih, shih, dhe një fëmijë i vogël, e mbajnë në krahë, s’është bërë ende një vjeç, e kanë marrë me vete mami me babin Bledi Stefa, Davidi i bukur, dua dhe unë ta marr në krahë, pranë është dhe një babi tjetër, i Olivias, që i bëri 40 ditë. Në karrocën e tij Davidit mbase i kishin vënë ndonjë libër me figura, por ai xhaxhi që çeli veprimtarinë, Taipi, edhe ai sapo është bërë gjysh me Elirën, tha se jemi mbledhur të gjithë për një libër tjetër, “Këpuca e aktorit” të xhaxhi Visarit…

Do të flasim për të sotmen dhe të ardhmen, duke kujtuar dhe të shkuarën, kështu është romani që na ka mbledhur këtu.

FILLUAM:

…E organizojmë këtë takim ne, Klubi Shqiptar i Librit, e vazhdoi fjalën e tij të mirëseardhjes Taip Beshiri, jemi një grup shokësh e miqsh, që mblidhemi shpesh e vendosëm të hapemi më shumë me ju. Së pari tha ai, do të lexoj përshëndetjen që Presidenti i Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Adnand Mehmeti, dërgonte nga New Yorku. Dhe ia lë drejtimin e veprimtarisë Dr. Jani Gjonit. Ai menjëherë foli se ç’ishte ky roman, arketipin dhe vlerat që sjell, “Këpuca e aktorit” si metaforë e ecjes dhe ftoi Odise  Priftin të thotë dy fjalë për jetën e autorit dhe veprat e tij.

Dhe u vazhdua me diskutim e parë nga Doktor Minella Aleksi, ndërkohë dhe ai autor i një libri dhe i shumë artikujve në media, ai lexoi shkrimin e tij kritik që kishte botuar në gazetën ExLibris, ku ndër të tjera cekte raportet e romanit “Këpuca e aktorit” më të vërtetat dhe historinë, me shpërpjestimet dhe zbehjet që krijohen me ata që bëjnë histori…

Edhe Inxh. Artan Nati, që po shkruan dendur artikuj në gazeta, shikoi lidhjet e romanit me mitologjinë e lashtë, por dhe me politikën e ditës.

Edhe Inxhinieri tjetër Milto Skrami në fjalën e tij zbuloi vlera të tjera, që e bëjnë romanin modern, tërheqës, ndër më të rëndësishmit në botimet e reja.

Përsëri vjen në foltore Taipi dhe lexon fjalën e Doktor Xhabir Alilit, i cili ka ikur në vendlindje, në Maqedoni. Edhe shoku ynë i grupit Dhimo Jano ka ikur në Greqi dhe mungon diskutimi i tij, por jo meraku për këtë takim.

Ja, në foltore vjen Dr. Ernest Nasto, Fjala i tij ngrihet dhe kap pjesën qiellore, andej nga na vijnë shpirtërat, bukuria e tyre hyjnore, Nënë Tereza, thotë ai, At’ Fishta, Frashëri… Atjoni, Hiri (Grace) etj, etj.

Po si u shkruar ky roman?

Drejtuesi i takimit, Jani, fton të flasë bashkëshorten e autorit, Eda Agaj Zhiti dhe ajo nxjerr disa ”sekrete”, por dhe i thur një himn bibliotekave, që ruajnë kujtesën e botës. Jam e emocionuar, tha ajo, kam përballë mësuesin tim të parë, tim atë…

Profesor Gezim Basha kërkon fjalën. Ka ardhur nga larg. Jep lëndën e letërsisë në një kolegj në shtetin pranë, është kritik letrar dhe përkthyes, e paraqet drejtuesi i veprintarisë.

Gëzimi sjell vërtet gëzim mendimi dhe emocionesh. Me elegancën e fjalës u thotë të pranishmëve se letërsia lexohet vetëm si e tillë, as si histori e as si politikë. Në romanin “Këpuca e aktorit”, që sa nis, shohim presat e kovës së një ekskavatori si thika, ato lajmërojnë një krim shtetëror dhe në fund lexojmë, ‘…jam shtatzënë dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë.’ Kjo është shpresë dhe poezi, autori është poet… Gëzimi lavdëroi veprimtarinë, praninë, nivelin e lartë të diskutimeve, rrallë kam parë takime të tilla shqiptarësh, përfundoi ai.

Foli dhe një mërgimtar i hershëm, Fejzi Sulejmani, i arratisur nga Shqipëria dikur dhe me znj. Vjollca nisën pyetjet nga salla.

Po i shikoja me dashuri njerëzit përballë. Davidi i vogël aty ishte ende, në krahët e të atit dhe lëshonte zëra gazmorë. Ishte hera e parë që merrte pjesë në përurimin e një libri. Dashi xhironte me celular. Te tryeza e librave rrinte në këmbë bashkëqytetari im, lushnjari Bujar… Të njohur plot. Të gjithë dinin të dëgjonin bukur… Pranë familjarëve dhe Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, ja dhe Edlira… në rreshtin tjetër, Elsa me Nikon, ja dhe Nikoja tjetër me Merin… Imelda… Rita, Vjollca… Mirela me Nasin… Nebiu, Turi më tutje, Tasi, Elvisi… Labi… Ray me bashkëshorten, Fatmiri me bashkëshorten, Mirjani me bashkëshortin, Mondi… Agroni… Arben Bejleri… Mynyri, Artedi… etj, etj, ndjeva dritën e yllësive të kaq shumë syve që më rrethonin bukur… e ç’mund të thosha, që sjell përshëndetjet nga Shtëpia Botuese Onufri në Tiranë, nga drejtoresha, znj. Hudhri, të redaktorit nga Rumania, Dr. Luan Topciu, të miqve nga Miçigani, nga Wisconsin? Këtu folën kaq bukur të gjithë dhe ju jeni kaq të bukur të gjithë, veçse mirënjohje pafund… dhe erdhën të tjerë përsëri të më kërkoni autografe, u ula sërish në tryezën mes dy vazosh të mëdha me lule të bukura, lule motre, flatra shqiponje… dikush vinte me dy libra, donte autograf për një të tijin, që s’erdhi dot, ishte në punë, për në Shqiperi e donte një tjetër autografin, me tre libra, me pesë… çastet m’u bënë lule… një vazo tjetër e përhershme… dolëm… sheshi para Bibiotekës ishte plot me vetura, në shumë prej tyre në ndenjësen tjetër ishte dhe një libër i ri, ku do ta çonin, në shtëpi, në të ardhmen?… Eda ashtu ishte lutur.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora