E premte, 26.04.2024, 12:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Vlash Prendi: Festival Folklorik , apo...!

E diele, 16.07.2023, 07:58 PM


FESTIVAL FOLKLORIK, APO...!

- Mendime rreth Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023 -

NGA VLASH PRENDI

E ndoqa me vemendje Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, këtë eveniment dikurë të rendësishëm, që sot fatkeqësisht vëtëm emrin ka të tillë. Si një individ që jam marrë shumë me mbledhjen e pasurive gojore dhe krijimtari folklorike, duke botuar tre libra kushtuar kësaj fushe dhe si një person që kam dhënë ndihmë modestë në organizimin e veprimtarive të tilla, mendova se pas një pauze tetë vjeçare, grupet e 12 qarqeve do të shpalosnin në kalanë e Argjirosë në Gjirokastër mrekullitë tona folklorike të mbledhura nga goja e popullit, duke shfletuar edhe fletët e historisë sonë aq të diskutuar kohët e fundit. E them këtë, sepse në shumë raste, pushtetarët, deputetet dhe politikanët tanë tallen dhe i ironizojnë pasuritë tona folklorike, këtë pasuri të pazëvendësueshme për fatet e një kombi. Më vjen për të qeshur dhe për të qarë, kur dëgjoj shpesh “baballarët” e kombit të thonë: “... mos na diskuto folklorizma këtu”, “... këto janë folklorizma”, “... mos u merr me folklorizma”, kur dihet mirëfilli se në shumë raste nga të dhënat folklorike, sidomos përmes këngëve, legjendave dhe gojëdhënave janë zbuluar shumë fakte historike, janë shpjeguar shumë ngjarje dhe janë ndriçuar shumë figura patriotike. Parë në këtë kontekst, folklori ka vendin e tij dhe rendësinë e tij të jashtëzakonshme në historinë e një kombi.

Ne jemi një komb i lashtë sa vetë historia, prandaj edhe krijimet folklorike nuk na kanë munguar asnjëherë. Ka patur në festivalet e viteve të kaluara prurje të bukura me këngë e valle ardhur nga lashtësia, të cilat mbeten monument i festivaleve dhe dëgjohen me endje edhe sot në ditët tona. Kjo ndodhte, sepse specialistët e folklorit, mjeshtrit e këngës folklorike nuk e bënin organizimin dhe mbledhjen e pasurive folklorike nga zyra, por dilnin në terren, shkonin shtëpi në shtëpi me magnetofon dhe laps e letër në dorë dhe mblidhnin perlat e folklorit tonë direkt nga goja e popullit. Mbaj mend se para shumë vitesh në shtëpinë time kanë qënë disa herë në kuadër të organizimit të ekspeditave për mbledhjen e vlerave kulturore dhe shpirtërore të popullit, prof. Mark Tirta dhe prof. Nebi Bardhoshi, me të cilët kemi diskutuar shpesh here mbi vlerat e folklorit dhe traditat e vyera të kombit tonë. Në prag të Festivalit Folklorik të vitit 1978, kompozitori i njohur Ruzhhdi Keraj, kolturologu Preng Përshqefa dhe këngëtari i shquar Ali Halili, patën ardhur jo vetëm në shtëpinë time, por edhe në fshatin tim, për të mbledhur pasuritë folklorike nga të moshuarit që t’i dërgonin në Festivalin e Gjirokastrës. Kështu krijohej mundësia që këngët, vallet dhe ritet e ndryshme të merreshin nga goja e popullit dhe të ishin vërtetë pasuri folklorike. Vetëm duke organizuar ekspedita të tilla me specialistë, njohës dhe interpretues të këngës folklorike, mund të arrihet që në festivale të shpalosen këngë dhe valle të reja, të pa interpretuara më pare.

Festivali i sivjetëm ishte një manifestim i rastësishëm kulturorë, si dhjetra festivale që organizohen në vendin tonë nga shoqata dhe institucione të ndryshme me raste përvjetoresh ose festash lokale dhe kombëtare, pasi ky event kulturorë organizohej me rastin e 115 vjetorit të lindjes së diktatorit Hoxha, organizohej pas tetë vitesh heshtje dhe solli pak elementë të rinj si në krijim, mbledhje të materialeve folklorike dhe interpretim. Kam qënë kritik edhe në dy festivalet e mëparëshme, sepse dukuri të tilla nënvlerësuese i kam vënë re edhe më pare, prandaj i kam kritikuar nëpërmjet dy shkrimeve problematike të botuara në gazetat e kohës, por mesa duket dukuritë negative po thellohen akoma më shumë, falë neglizhencës së Ministrisë së Kulturës, Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Drejtorive Kulturore në qarqë dhe specialistëve pranë pallateve të kulturës në rrethe, që kanë detyrë parësore hulumtimin, studimin dhe ruajtjen e vlerave folklorike dhe shpirtërore të trevës së tyre. Si rrjedhim, në këtë festival u vunë re disa dukuri të njohura edhe më pare, por tani më të dukshme. Linte për të dëshiruar përgatitja e grupeve të rretheve, për shkak të kohës së kufizuar dhe mungesës së fondeve përkatëse që duheshin për të zhvilluar parapërgatitje normale për këtë manifestim kulturorë. Ky fenomen solli edhe dukuri të tjera, sepse nga mjaft grupe u sollën në këtë festival këngë dhe valle të interpretuara edhe më parë. Qarku i kukësit e nisi programin e tij me këngë majëkrahu, një rit i vjetër i folklorit tone, bazuar në elementët burrërorë të dhënies së kushtrimit, madje edhe festivali i sivjetëm pati nderin të hapej me një rit të tillë, interpretuar me mjeshtëri nga motrat Beci, pjesë e Ansamblit Artistik të Mirditës. Ishte një mënyrë të kënduari shumë origjinale, dëshmi e të kënduarit të periudhës pagane dhe perlë e traditës muzikore të lashtë shqiptare. Këto lloji këngësh që duhen gjurmuar, zbuluar dhe kënduar më shumë janë këngët më të vjetra të mbërritura gojë më gojë deri në ditët tona dhe që ruajn një orgjinalitet mahnitës. ?shtë mënyra më e lashtë e të kënduarit, që gjatë zhvillimeve historike ka sherbyer si një mjet komunikimi në raste luftrash, në rastë fatkeqësishë, në njoftime të zakonshme dhe tani edhe si komunikim artistik i shqiptarëve. Në këtë festival, numri i këngëve majekrahu ishte tepër i kufizuar, por Lezha dhe kukësi e sollën në festival si dëshmi e këngës së lashtë shqiptare me origjinë pagane që nuk mund të humbë lehtë. Në programin e qarkut të Kukësit ra në sy kënga kushtuar poetit dhe meshtarit të madh Pjetër Bogdani, kënduar nga treshja tradicionale e Kuksit, ose kënga e bukur “Moj kajane”, shoqëruar vetëm me dajre. Vend të vaçantë kishin edhe vallet tek ky grup folklorik. Vallja dyshe e grave të kukësit shoqëruar me rit tjerrje, ose riti “Filli i jetës” që u transmetua përmes ninullës. Edhe Tropoja kishte bërë përpjekje serioze. Mund të veçoj këngën për Bajram Currin, kënduar nga I.Muça, “Lavdi paçin trojet e mia” dhe "Kërcim epik i burrave të Tropojës”, Nuk duhet harruar edhe Hasi me kolazhin “Rexha” pa shoqërim muzikor si dhe instrumentalja me çifteli e fëmijëve. Nëse shohim Ansamblin e R.M. së Veriut, shumë këngë të interpretuara ishin të njohura dhe interpretuar në festival të ndryshme folklorike, por mund të dallojmë këngën “Kur jam kanë 12 vjet”, apo “Vajzën tuj nuk e due”, si dhe vallja e Rekës.

Grupi artistik i qarkut të Lezhës u përfaqësua si gjithmonë denjësisht në këtë festival. Ishte një gjetje e bukur kënga “Shkrepi dielli mbi Vinjallë” Kënduar nga dueti Lika, fragment i shkëputur nga “Garda krutane” e Kolë Jakovës, ose “Tir, nana tir”, megjithse e njohur, por e përpunuar me disa element të reja dhe kënduar nga A. Rrika. Kastriot Kola erdhi me këngën “Rron një popull n’trojet veta”, “Ajkuna qan Omerin”, rit pagan i gjamës së burrave, i sjellë për here të parë në festival nga grupi i të rinjve të “Art beslidhja” që drejtohet nga mjeshtri Llesh Prenga, por duhej bërë më shumë kujdes me veshjen, si dhe “Motive dasme mirditore”. Në fakt motive dasme synojnë të sjellin në festival shumë grupe, por duke i përseritur shpesh këto motive, kërkojnë të fusin element të reja pa e ditur se kështu i prishet bukuria motivit dhe ai e humb origjinalitetin. ?shtë për t’u përgëzuar fakti që në këtë festival pati një numër të konsideruar lahutarësh, të cilët në shumë raste vijnë me këngë shabllon vetëm sa për të ruajtur traditën. Lahutari Pjetër Matusha e ka ndërruar tre herë tekstin e këngës. Meqë jemi këtu, duke lënë menjëanë modestinë e tepruar, dua të them se ky tekst është shkruar nga autori i këtyre radhëve, vite të shkuara kur serbët paraqitën dosjen për lahutën pranë UNESK – os dhe miratuan lahutën si instrument me origjinë sllave. Atëherë unë shkruajta këngën “Moj lahutë simbol burrnie”, të cilën ia dhashë këngëtarit ta këndonte në një koncert folklorik në Lezhë. Në provën gjenerale u interpretua “Balada e Ago Imerit”, madje edhe në titra kështu u prezantua, ndërsa në festival u këndua një tekst i ndërthurur për lahutën dhe xhubletën, me disa fjalë nga teksti origjinal, pa asgjë të përbashkët me të. Nuk e kuptoj, kush i përpunon pa leje këto tekste këngësh, duke shkelur haptas Ligjin për të Drejtën e Autorit? Këto fenomene nuk duhet të ndodhin kurrsesi, sidomos në një festival të tillë kombëtar, që është i monitoruar nga specialistët më të mire të folklorit. Mora një shembull konkret që e njoh mire, por shembuj të tillë ka shumë. Gjetje artistike ishin edhe “Vallja e nuseve mirditore”, apo “Dy djem t’ri” kënduar nga Halil dhe Dhurata Aliu.

Dibra si kurdoherë është përfaqësuar denjësisht me disa numra, por si edhe tek grupet tjera edhe këtu pati përseritje materialesh, motive të njohura dhe tekste të reja që nuk mbanin aromën folklor. Megjithate këngët “Dibër ishe, Dibër mbete”, kënduar nga rapsodi Eduart Hoxha dhe “Hajde moj lazore” nga duet burrash, të cilat u pritën mire nga shikuesit. E realizuar ishte edhe vallja e burrave. Grupi i Tiranës vjen me një koncert që linte për të dëshiruar. Kishte shumë perseritje numrash, pasi riti i mbjelljes përmes valleve u përserit tre here nga grupe të ndryshme thuajse në të njëjtën skemë, aq më tepër që është interpretuar edhe në festivale të tjera. Një gjetje mendoj se ishte një këngë vaji e interpretuar nga Hanke Bajrami, “Matanë lumit, matanë bregut” dhe një valle dyshe fëmijësh, megjithse me motive të njohura. Në këtë kuadër u paraqit edhe grupi i Krujës, tek i cili munda të veçoj “Djali n’Krujë e vajza n’Prezë” kënduar nga D. Baruni dhe A. Rrushi, Riti i këngëve të mbylljes së dasmës dhe “Vallja e Osman Takës”, por u duk se u eklipsua qyteti i Kavajës. Nëse do flasim për qytetet e Shqipërisë së Mesme, kishin thuajse të njëjtën strukture programi, këngë të njohura dhe të interpretuara vite më pare, valle me motive të njohura, rite që sjellin pak të reja etj. Tirana, Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Vlora kanë këngëtarë, vallëtarë, instrumentistë dhe folkloristë të njohur, të cilët nuk morën pjesë në festival. Megjithatë unë mund të veçoj këngën për Gjergj Kastriotin kënduar nga vëllezërit Paloka, rit i dasmës shkodrane dhe “Dedë Gjoluli” nga L. Ejlli, ndërsa nga grupi i Elbasanit baladat “Kush i bie atij fylli”, “Fylli i Tanës” dhe “Shkojnë zogjtë trumë, trumë” – ninullë erdhën si numra të rinj. Tek grupi folklorik i Gjirokastrës tërhoqën vemendjen këngët “Moj kalaja gurë argjentë”, “Në çdo gurë gdhendur lavdia”, “Rrëzohet një zog nga mali” nga grupi i Përmetit dhe riti i dasmës gjirokastrite “Ku hodhe këmbët, të rafshin dhëmbët”. Të vjen keq, sepse disa grupe folklorike ose kaluan në heshtje, ose nuk u përfaqësuan në nivelin e duhur, kur dihet se minutazhi i përfaqësimit ishte i barabartë për të gjithë. Kështu, pak ranë në sy grupet e Kuçovës, Bulqizës, Gramshit, Peqinit, Devollit, Kavajës, Delvinës etj, të cilët duhej të kishin përfaqësim dinjitoz në këtë event kombëtar. ?shtë për të ardhur keq, sepse nga dy festivalet e fundit nuk erdhën këngë të tilla që mbahen mend edhe sot si: “Do marshojmë me partizanë” nga grupi i burrave të mirditës, “Kënga e Çelo Mezanit”, “Për liri s’të fal shqiptari” kënduar nga mjeshtrat e këngës Fran Vorfi dhe Fran Preçi, “Shkon syzeza n’arë me korrë” kënduar nga Taze Ndoci, “Vallja e Gurrës së lashtë” nga koreografja Angjelina Leka e ndonjë tjetër, që kanë mbetur gjatë në memorjen e shikuesit. Nuk është shumë e rendësishme të analizohen të gjitha grupet dhe prurjet e tyre, pasi ata bënë çfarë mundën dhe sollën sipas mundësive traditat e tyre, por e rendësishme është të ndalemi në disa faktorë objektive dhe subjektive që ndikuan në paraqitjen nën nivelin e duhur të disa grupeve dhe si rrjedhim i gjithë festivalit.

Të organizosh një festival tradicional të përmasave kombëtare, me pjesmarrjen e të gjithave rretheve dhe zonave etnokulturore të Shqipërisë, nuk është e lehtë dhe nuk i duhet lënë spontanitetit. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, duhej të kishin hartuar më pare rregulloren dhe të kishin nxjerrë disa muaj më pare udhëzimet përkatëse për mbledhjen e materialeve folklorike, parapërgatitjen, përgatitjen dhe zhvillimin e festivaleve në rrethe dhe më tej, Festivalit Kombëtar. Për hir të së vërtetës duhet thenë se serioziteti për organizimin e këtyre festivaleve nuk ka qënë në nivelin e duhur. Ky është edicioni i 11 i zhvillimit të këtij festivali, ku 10 të tillë janë zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa njëri prej tyre, ai i vitit 1995 u zhvillua në qytetin e Beratit. Mendova se po thyhej një tabu, sepse ishte e arsyeshme që nga institucionet perkatëse mund të percaktoheshin disa rregulla të reja për zhvillimin e tij. Kështu, këtë përvilegj e meriton edhe kalaja e Rozafës, e Lezhës, e Elbasanit, e Prezës, pse jo edhe kalaja e Prizrenit. Ky panair i pasqyrimit të traditave tona folklorike dhe shpirtërore mund të zhvillohet edhe një here në tre vjet, duke pare se të rinjtë tanë nuk janë të dhënë aq fort pas folklorit. Kjo u pa edhe në këtë festival, në të cilin u promovuan pak elementë të rinj, sidomos këngëtarë.

Një rendësi të madhe ka faza përgatitore e festivalit. Duke qënë festival kombëtarë, i vacantë në llojin e vet edhe përgatitja duhet bërë serioze. E them këtë, sepse kam vënë re se nuk është punuar sa e si duhet me tekstet dhe motivet muzikore të këngëve apo valleve. Shumë këngë të këtij festivali ishin të krijuara nga poetë të ndryshëm, të cilët tashmë kanë krijuar ekskluzivitetin e tyre nëpër festivale dhe shumë pak të mbledhura në popull. Parë në këtë kontekst, ky nuk mund të jetë një Festival Folklorik Kombëtar, por një koncert variete, që organizohet në raste përvjetoresh. Kjo për vetë faktin se kur kënga, vallja apo riti ka një emër krijuesi, nuk është më burimore dhe folklorike. Kënga folklorike ka autor anonim popullin, merret nga goja e popullit, madje edhe motivet e këngëve dhe valleve duhet të merren nga populli. Ndryshe nuk ka si shpjegohet furtuna e madhe e kritikave të specialistëve, kulturologëve, këngëtarëve, folkloristëve dhe dëgjuesëve ndaj këtij festivali. Pranë qarqeve duhen ngritur grupe specialistësh për të punuar me tekstet, muzikën, koreografinë, madje edhe regjisurën e grupeve, punë që deri tani i është besuar një personi të vetëm. Vihet re mjaft lehtë ky fenomen, sepse janë mbushur rrjetet sociale me tekste këngësh, valle dhe këngë nga autorë të ndryshëm që janë interpretuar në festival. Një problem tjetër është edhe zbehja e vlerave folklorike të disa disiplinave të veçanta të këngës sonë tradicionale. Fjala është për këngën majëkrahu, e cila sa vjen dhe po humbet karakterin e saj tradicional. Me sa mbaj mend unë, në festivalin e vitit 1915, ka patur një numër të kosiderueshëm rapsodësh që e patën praktikuar këtë lloji këngë të lashtë, ndërsa kësaj radhe u mjaftuan me vetëm me dy të tilla, sepse nuk praktikohet mbledhja e vlerave kulturore dhe folklorike në popull. Në këtë nivel është edhe pasqyrimi artistik i riteve të ndryshme. Ishin mbushur programet me rite të ndryshme dasme, shumica e të cilave nuk pasqyronin saktësisht ritet tradicionale që zbatoheshin historikisht në dasmat tona. Pashë ritin e Buzmit interpretuar nga grupi i Kosovës, i cili linte shumë për të dëshiruar, sepse ajo që ndodh në skënë, duhet të jetë artistikisht e përafërt me atë që ndodh në jetën e perditëshme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për interpretimin e ninullave, ku gati në të gjitha grupet ishte planifikuar një e tillë, por në tekstet e disa prej të cilave dukej qartë se ishte  ndërhyrë.

Një problem tjetër mjaft shqetësues është edhe përzgjedhja e këngëtarëve, instrumentistëve, vallëtarëve dhe specialistëve shoqërues të grupeve. Në këtë festival u vu re se pak u promovuan këngëtarët dhe vallëtarët e rinj. Baza e grupeve duhet të jenë interpretues me përvojë, por duhen orientuar në rrugën e kërkimit dhe interpetimit folklorik edhe të rinjtë. Në shumë raste, në disa sekueca televizive u pa qartë se mjaft pjesmarrës në këtë festival nuk kishin asnjë rol, vetëm sa për të thenë se ka marë pjesë në këtë eveniment kombëtar. U tha se morën pjesë 1200 artistë, po sa prej tyre interpretuan këngë, valle dhe melodi? Festivalit i mungoi mendimi i specializuar i  personaliteteve të kulturës dhe folklorit si: Esat Ruka, prof. Fejzulla Gjabri, prof. Ndoc Papleka, Bardhosh Gaçe, Poeti Gjovalin Dushaj, folkloristi dhe poeti Fran Laska, apo zëri i bukur i këngëtarëve të njohur si: Mark Gjoka “Mjeshtër i Madh”, i cili përgatiti plot pasion grupin e qarkut të Lezhës, këngëtari i mirënjohur Fran Preçi, Muharrem Mezani, Gjon Frroku “Mjeshtër i Madh”, këngëtarja e talentuar Mrike Trumshi, Pajtim Struga, Shaqir Sinani, Zhani Struga, vëllezërit Lleshi interpretues në disa festivale etj. Duheshin ftuar patjetër edhe studiues të folklorit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si: Ymer Neziri, Rahmi Tuda, prof. Anton N. Berisha, Fazli Syla, Rexhep Mnishi, Shkëlzen Raça, Nuhi Vinca, Rustem Berisha, Muharrem Gashi, Krenar Doli e ndonjë tjetër, jo thjesht për të ndjekur festivalin, por edhe për të menduar më shumë për bashkëpunimin kulturorë, folklorik mbarëkombëtar. Si rrjedhim, sheshi para skenës së Festivalit, duhej të ishte mbushur me të ftuar, specialistë të folklorit, veteranë të kërkimeve folklorike, këngëtarë, vallëtarë dhe instrumentistë veteranë, të cilët Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, duhet t’i njohë dhe duhet t’i ketë të evidentuar. Në një aktivitet që zhvillohej pas 8 vjetësh, nuk mund të mbushej salla natyrore me njerëz të rastësishëm, që nuk kanë asnjë interes për folklorin dhe kërkimet folklorike, sepse edhe ftesat publike që bëhen në shumë rastë, janë fiktive dhe pa vlerë.

E kam theksuar edhe në një artikull tjetër para disa vitesh, se skena e festivalit i ngjan më tepër një bunkeri te stilizuar, se sa një podium atristik që transmeton ide tradicionale dhe ornamentale në përshtatje me vlerat e folklorit tonë. Edhe modifikimet e bëra, nuk ia zbutën fare paraqitjen kësaj skene, e cila vetëm në dy metra lartësi fliste për traditën, sepse ishte stilizuar në formën e ornamenteve popullore, pjesa tjetër pothuajse ishte jashtë funksionit. Po t’a shohësh nga larg pjesën hyrëse, projektohet një skemë që nuk ka aspak lidhje me folklorin, prandaj edhe skenografia e aktiviteteve të tilla të rangut mbarëkombëtarë duhet të studiohet mirë dhe të jetë në funksion të ideve që kërkon të transmetojë festivali. Një nga pikat e dobëta të festivalit ishte edhe pasqyrimi i tij në media. Gazetat heshtën, televizioni po ashtu, e transmetoi një ditë më pas, portalet më shumë e pasqyronin sipas interesave duke bërë kritika dhe vrejtje të panumërta. ?shtë paradoksale që nga 12 stacione që disponon TVSH – ja në programin satelitorë, të mos e transmetojë direkt, qoftë vetëm njëri prej tyre këtë aktivitet të rendësishëm kombëtar. U tha se marrin pjesë një numër i konsiderueshëm gazetarësh, por pak prej tyre reaguan për vlerat artistike dhe gjetjet folklorike të tij. Dhe së fundmi, organizohet një aktivitet i tillë mjaft i rendësishëm për kulturën dhe folklorin tone, marrin pjesë 25 grupe folklorike, ku derdhin në skenë gjithë mundin dhe talentin e tyre dhe të mos vlerësohen! Ashtu si edhe në festivalet tjera, duheshin vlerësuar, jo vetëm grupet, por edhe interpretuesit, instrumentistët, vallëtarët dhe veshjet. Kështu do të motivohej gjithsejcili që në të ardhmen të bëhej një punë më e studiuar, më e saktë, më profesionale, duke e afruar me vlerat folklorike që burojnë nga shpirti krijues i kombit tone. Ky festival ishte një tregues pozitiv i punës artistike të grupeve, me pak nocione folklorike, prandaj nëse duam të organizojmë herë tjetër aktivitete të tilla, përgatitjet e tij, nuk duhet t’ja lëmë spontanitetit, por duhen marrë masa vite më pare, që në skenën e festivalit të vijnë vlerat e vërteta folklorike, shpirtërore dhe kombëtare të popullit tonë.

VLASH PRENDI



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora