Kulturë » Keka
Gjon Keka: Kuvendi i Lezhës, simbol i besës dhe bashkimit arbëror
E merkure, 01.03.2023, 07:55 PM
Kuvendi
i Lezhës, simbol i besës dhe bashkimit arbëror
(Me
rastin e përvjetorit të 579 të Kuvendit të Lezhës)
Nga
Gjon Keka
Historia
e epokës së kryeheroit tonë arbëror Gjergj Kastriotit është e mbushur me frymën
e lirisë dhe të fitoreve, pastaj të dritës së urtësisë, vizionit,
strategjisë, udhëheqjes dhe bashkimit.
Ai jo vetëm u bë figurë madhështore historike që drejtonte një shtet e ushtri,
por edhe figurë universale, përbashkuese dhe mbi të gjitha figurë europiane më
me ndikim në kohën në të cilën jetoi dhe veproi.
Kështu,
duke ditur se ai si i vogël u morë peng nga sulltani dhe u edukua në oborrin e
tij, ai në zemrën e mendjen e tij e gjakun atëror nuk e kishte harruar atdheun
e tij prej nga ai u morë peng pa dëshirën e tij dhe të prindërve të tij. Një
mosharresë e atdheut sikur e shohim tek Gjergj Kastrioti, është diçka e rrallë
në historinë e njerëzimit, mos ta them një rast ndoshta homerik i tij dhe
vetëdijes së brendshme të tij të lartë e ndjenjës për atdheun e tij të
paharruar duke e ruajtur imazhin e atdheut arbëror në zemrën e tij të vogël.
Por
që edhe pse i rrethuar nga armiqtë ne oborrin e sulltanit, ai imazh i ruajtur u bë imazh i cili do të
bëhej realitet në zemrën e tij të madhe, e cila i thoshte të rikthehet në atdhe
dhe ta mbushë atë me frymën e lirisë dhe të lavdisë. Rikthimi i lavdishëm i tij
në atdhe dihet dhe është përshkruar me rastin e përvejtorëve të 28 nëntorit 1443,
datë të cilën ai e shenjtëroi dhe e vulosi përgjithmonë në historinë e kombit
tonë arbëror europian.
Sikur
mësojmë nga kronikat, sulltani pas vdekjes së babait të Gjergj Kastriotit, nuk
ia kishte lënë pasardhësve të tij të drejtën që i takonte natyrshëm, por në vend të tij ai e kishte emëruar
guvernator Hasan Begun. Kjo e përforcojë në zemrën e Gjergjit të Madh se vetëm
rikthimi i tij mund ta vendos në vend të drejtën e tij dhe të Arbërisë, e mbi
të gjitha vetëm rikthimi i tij ia rikthen vendit nderin, fytyrën dhe frymën e munguar të lirisë dhe të
pavarësisë.
Ndërkaq,
Gjergj Kastrioti dërgoi Korrierët e tij në të gjitha anët e vendit me lajmet
për atë që kishte ndodhur dhe me urdhër që të merrnin armët pa vonesë. Ndërkohë
zëri tashmë kishte dalë përpara lajmëtarëve të tij; kudo që shkonin ata gjetën
tashmë gjithçka në gatishmëri të plotë për të bërë vendin e tyre të lirë e të
pavarur; kështu të gjithë armiqtë pushtues dhe renegatët u sulmuan nga të
gjitha anët dhe u dëbuan nga Arbëria.
Poashtu
në fjalimin e rikthimit të tij shihet se malli për atdhe e kishte marrë aq
shumë Gjergj Kastriotin, prandaj edhe rikthimi i tij ishte i bekuar dhe me një
gëzim të madh të zemrës së tij dhe arbërorëve që e përjetuan aktin e ngritjes
së flamurit arbëror dhe të shpalljesë së Arbërisë të lirë e të pavarur.
Ky
ishte akti i parë misionar i lavdisë së tij, rikthimi në atdhe dhe ngjallja e
frymës së lirisë dhe ngritjes së vendit në nderin e natyrshëm dhe të
pavarësisë.Kjo tanimë ishte vulosur dhe vendi gëzonte imazhin e tij të
natyrshëm arbëror; jetonte, udhëhiqej, mbrohej, nga një personalitet i
jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm sikur ishte Gjergj Kastrioti.
Akti
dytë misionar i madh e i bekuar ishte kuvendi i Lezhës i datës 2 mars të vitit
1444, i cili u mbajtë në Katedralen e Shën Nikollës, ku në të cilin ai i
bashkoi arbërorët rreth vetes së tij në një Besë të përbashkët e cila ishte
vula e lavdisë dhe fitoreve të kombit tonë. Gjergj Kastrioti ishte një arbëror
i urtë e vizionar e dinte mjaftë mirë se i vetëm nuk ishte në gjendje ta
përballonte një detyrë të tillë kaq të shenjtë kombëtare e cila kërkonte unitet
dhe bashkim forcash, ndaj e mendoi
menjëherë të përgatiste një Kuvend të të gjithë princave të Arbërisë dhe me
vëzhgues të pranishëm si përfaqësues ndërkombëtar të asaj kohe nga Venediku,
Raguza etj.
Në
këtë Kuvend u dekretua Besa dhe u themelua Kuvendi pëbashkues, ku në krye të
saj u votua në mënyrë unanime për Gjergj Kastriotin si kryetar i saj dhe si
gjeneral i përgjithshëm i Ushtrisë arbërore. Posa përfundoi punën Kuvendi,
Gjergji i Madh menjëherë i përvjeli krahët e palodhur të tij, dhe mendjen plotë
dritë e syrin me shikimin e shqiponjës drejtë fitoreve të reja që e prisnin në
fushën e betejës së Arbërisë për ekzistencën e saj, lirinë dhe pavarësinë.
Kështu, tre muaj pas themelimit të Kuvendit më 29
qershor 1444 ai me Ushtrinë e tij i shkaktoi otomanëve pushtues një disfatë të
madhe në Torviollë, e cila u kurorëzua
me fitore historike, në fakt ky ishte
vetëm fillimi në serinë e fitoreve të reja që do të ndodhnin në vitet më pas,
kjo fitore e madhe dhe historike i dha atij reputacionin e të pamposhturit dhe
jehona e kësaj fitore u dëgjua edhe në tryezat e mbretërve e princave europian.
Sikur
dihet në kuvndin e Lezhës u betuan të gjithë princat arbëror në Besë se më
shumë duan një vdekje të lavdishme në mbrojte të atdheut, se sa të jetojnë në robëri. Besa e dalë nga
Kuvendi i Lezhës luajti rol jetik e të pazëvendësueshëm, dhe u bë simbol e
shtyllë e bashkimit politik e ushtarak dhe fuqisë drejt fitoreve e lavdisë në
krye me Gjergj Kastriotin.
Edhe
sot kur po shkruaj, Kuvendi i Lezhës
duhet të jetë gurthemeli i Besës dhe Bashkimit ndërshqiptar duke patur në zemër
e mendje udhëheqësin tonë të pavdekshëm Gjergj Kastriotin, si një shembull për
të gjitha kohërat dhe epokat. Ai e vendosi vulën e Besës dhe përbashkësisë,
vulë kjo jo vetëm për arbërorët, por me
këtë shëmbull ai i ftoi edhe kombet e Europës së asaj kohe se si duhet
bashkuar, ku vetëm një Europë e bashkuar mund të jetë e fuqishme dhe t'i mposhtë
armiqtë e saj si dhe të arrihen fitoret historike.