E premte, 19.04.2024, 11:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Pena e poetit e ngjyer në zjarrin e epsheve të dashurisë

E hene, 10.07.2023, 07:42 PM


Pena e poetit e ngjyer në zjarrin e epsheve të dashurisë

Nga Albert Vataj

E trishtë është zemra e një poeti, e një poeti që druhet të ngjyejë penën në përroin vërshues të epshit. E së andejmi të na sjellë atë përmbytje ngulmesh të ethshme pasioni. Të na shpërfaq atë kurajë miklimesh delikate që zvarget përmes hukamash e buzësh që djegin përgjatë një kurmi që gufon prej poreve një aromë, një aromë që do të dehte çdo tërbim e do të yshtte çdo engjëll në gostinë e zjarrit.

Ndoshta diku thellë teje, në mes territ që dridhet prej hutimit e ngurimit, një shkëndi ka mundur të bulojë sythin e një ofshame, e vetëm një zemërgur nuk do ta nxirrte faqe drite këtë vullnesë mugëtimi pranvere, e të sodiste me ëndjen teksa ajo bukuri do të shumohej në çdo petale luleje, do të lodronte me çdo farfuri fluturash, në çdo buzë do të ndez një puthje, e në çdo prekje do të çel një epsh.

Një penë që është ngjyer gjithnjë në gjak, do të cytej të lëshonte vërshimin e vet në andjen për me dëshmu kufijtë. A ndoshta një fluturim për të kthjelluar prej mërryljes së dyshimit e territ çdo hov që turret zjarmues në kopulimin e gjithë ngjyrave që jetësojnë më të dëshirueshmet përfytyrime.

Penë e poeti thuaje se ngulmet e mendjes dhe harlisjes shkallmojnë çdo rrekje për ta mbajtur këtë vërshim të kyçur brenda gardheve të perceptueshmes. Pa droje dëshmo, më më të bukurat fjalë se epshet e zgjerojnë përherë e më shumë pafundësinë, universin të cilit i përket, si shpërthimet galaktike, duke e mbajtur gjithnjë të mbushur me shkreptima yjesh qiellin ku kullotim sytë, sytë e ujitur prej lotëve të zjarmimit, çasteve të flatrimit në eter të shpirtrave.

Qëndise me fjalë të ngjyera në epshin e dashurisë, poet, rrugën nga gishtat e ngërthyer, pulitja e buzëve në puthje, deri te përplasja e trupave, e do të shohësh se si gjaku s'do të të mjaftojë të shkruar himnin e këtij shugurimi shpirtrash. Ngjitu në krahët e këtij flatrimi, lart, shumë lart, ku kurrë më parë s'ke qenë. Me një Eol do të kuvendosh për erërat që lodrojnë nëpër flokët e shpupurishur, me një Afërditë do të shihesh si me të hyjshmen ëndërr që ta qëndisi dalldinë me më të hirshmet pekule, në prehrin e Helenës së Trojës tragjike do të dëgjosh ninullën e pafajësisë që paqton çdo trazim që ndërzen bukuria. Një Odise do të gjesh në çdo Itakë të harbimit të mishit dhe një Penelopë do njohësh, një Penelop që end e ç'end pëlhurën ky pena jote ditirambe do të qëndis… dhe elegji.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora