Speciale » Alia
Lutfi Alia: Bala, luftëtari legjendar i epokës Kastriotiane
E premte, 03.02.2023, 08:30 PM
BALA, LUFTËTARI LEGJENDAR I EPOKËS KASTRIOTIANE
Nga Lutfi
ALIA, Siena – Itali
Në shekullin XV,
Arbëria u trondit nga sulmet e vazhdueshme të hordhive barbare të Perandorisë
Osmane. Janë të njohura masakrat që kryen turqit në popullatën civile, dihet se
pas çdo fushate sulmesh kundër vendit tonë morën robër, që i dërguan në
Anadoll; plaçkitën, dogjën dhe shkatërruan vlerat kombëtare arbërore.
Në këto rrethana,
sidomos pas vdekjes të Gjergj Kastriotit më 17 janar 1478, grupe të shumta
familjesh arbërore, për të shpëtuar jetën dhe për të ruajtur fenë e krishterë,
vendosën të braktisin atdheun. Shumica e ikanakëve zbarkuan dhe u vendosën në
Itali. Historiografia italo-shqiptare referon zhvillimin e tetë eksodeve masive
të arbërorëve gjatë shekujve XV – XVIII, me zbarkimin në Itali të mbi 250 000
arbërorëve.
Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit u intensifikua ikja e
arbërorëve dhe në një nga ikanakët e asaj kohe ishte Bala, një ndër luftëtarët
e epokës Kastriotiane dhe personazhi qendror i poemës liriko-epike “Kënga e
sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu. Bala me bashkëatdhetarët, fillimisht
shkuan në komunën e Mozzojuso dhe më pas me banim në komunën e Palazzo Adriano.
Bala ishte personazh historik i njohur, si e përshkruan dhe Gavril Dara i Riu
në poemën liriko – epike, madje dhe në ditët e sotme, në disa komuna të
Siçilisë të banuar me arbëreshë, tregohen ngjarje dhe këndohen këngët e tij. [Giuseppe
Schirò Jun. 1959, f. 53]. [Nikola Keta, Tesoro di Notizie su
de’Macedoni”, botuar në vitin 2002 në kujdesin e komunës Kontesha
Entellina dhe Universiti i Studimeve të Palermos, faqe 242].
Me ato eksode të shekullit XV mbërrijtën në Itali dhe
pararendësit e Gavril Dara i Riu, i cili tregon dhe për origjinën e familjes: “Të parët e mi të
ardhur nga Arbëria në vitin 1485, ishin Mërkuri e Njanji i Darëve, të cilët
stisën katundin Palazzo Adriano. Ata ruajtën ndezur në zemër kujtimin dhe
dashurinë për atdheun. Gjyshi im mblodhi së pari “Këngët e pleqërisë”, që më
pas u botuan pjesërisht nga peshkopi Krispi dhe nga Dhimtër Kamarda, të cilët e
kuptonin sa vlen nderi i kombit. Në mes të dorëshkrimeve të gjyshit, Ati im
Andrea Dara gjeti të fshehura, ato më të shtrenjtat, këngën “Rënkimet e Nik
Petës dhe të Pal Golemit”, ndërsa në fund të fletës kishte shkruar: këto quhen
Kënga e sprasme e Balës. Pasi u njoh me këtë dorëshkrim, Andrea zuri të endej
lart e poshtë, a thua se kish dalë për gjah, duke pyetur pleqtë dhe plakat nëse
i dinin këngët e Balës; ca këtu e ca atje, ai mblodhi gojë më gojë pjesën më të
madhe që mungonte në shkrimet e të atit dhe i shtoi në dorëshkrimin e tij. Pasi
u njoh me dorëshkrimet e Gavril Darës Plaku dhe të këngëve të reja të Balës që
mblodhi, i hyri shkrimit të një vepre, i shtyrë nga fakti se këto vargje ishin
fragmente pak a shumë të arrira, por duke i lexuar kuptoi se mungonin disa
pjesë”. [Albansk Samling, Theca. II.17, fashikulli VIII (A-3)]. [Giuseppe
Schirò Junior, Storia della litteratura alba-nese Nuova Accademia Editrice,
1959, f. 53 – 63]
Në vazhdim të
kontributeve të gjysh Gavrilit (1765 – 1832), të babait Andrea (1796 – 1872),
Gavril Dara i Riu (1826 – 1885) i mblodhi dhe i sistemoi këto dorëshkrime, i
renditi së bashku dhe fillimisht i botoi pjesë – pjesë në periodikun “Arbëri i
Ri” i Giuseppe Schirò – Plaku. Pas vdekjes të Gavrilit të Ri, duke filluar nga
viti 1900, pjesë më të plota të poemës u botuan në italisht dhe në shqip në
revistën “La Nazione Albanese”. Si libër më vete, poema epiko - lirike “Kënga e
sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu, u botua në vitin 1906 dhe mbetet
kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare.
Bala, personazhi
qendror i poemës “Kënga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu, është person
real, është personazh historik, madje i prezantuar dhe në nje pikturë murale të
shekullit XV.
Gavril Dara i Riu, duke iu referuar shkrimeve të gjyshit
Gavril Dara Plaku dhe të atit Andrea Dara shkruan: “Bala, ai që shkroi këto
vargje, ishte një ushtar i madh, prej atyre, që bashkë me Gjergj Mirëshpinë
ndërtuan këtë katund, pasi erdhën pas vdekjes të Skënderbeut dhe pasi ranë në
duart e turkut Kruja dhe e gjithë Arbëria. Pleqtë e plakat arbëreshe dhe në
ditët e sotme tregojnë se Bala ishte një plak i shëndetshëm, i ashpër, i
vetmuar, që i kalonte ditët dhe muajt duke u ngjitur në çukat e maleve, duke
vështruar nga lindja dhe duke iu falur Albanisë, ose shetiste nëpër pyjet duke
folur me vehte dhe duke kujtuar shokët e rinisë së tij, që derdhën gjakun për
lirinë e atdheut. Në ditët e dimrit, kur bora mbulonte malet dhe fushat, plaku
Bala ulej pranë zjarrit dhe iu tregonte djemëve dhe vajzave arbëreshe historitë
e atyre kohëve të shkuar, që ai i quante epoka e madhe. Im atë Andrea, për
poetin Bala tregonte se ishte inspiruar edhe nga një pikturë e tij në Kishën
Nënë (Chiesa Madre) në Palazzo Adriano, ku Bala prezantohet luftëtar me ngjyra
të ndezura, me hundën me majë, me helmetë, me majën të artë në kreshtën e
perkrenares dhe me parzmore si e luftëtarëve tonë”. [Gavril Dara Junior.
Inter. 1906, p. 29 – 31]. [Giuseppe Schirò Junior, Storia della
litteratura albanese Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63]
Kjo e dhënë e rëndësishme e Gavril Dara i Ri dhe e
theksuar nga Giuseppe Schirò Junior, më nxiti interesin të njihem me këtë
pikturë, pa dyshim e shekullit XV, ku prezantohet Bala luftëtari arbëror në
radhët e ushtrisë të Gjergj Kastriotit, por në pamundësi të një udhëtimi të
gjatë deri në Palazzo Adriano, kërkova ndihmën e mikut tim Hasan Aliaj,
drejtori i gazetës “Rrënjët – Le radici”. Hasani kontaktoi arbëreshin
Kalloxhero Raviota i cili u lidh me arbëreshen fisnike zonjën Ilaria Parrino, e
bija Profesorit Ignazio Parrino, studiuesi i shquar i historisë të letërisë
arbëreshe. Zonja Ilari e fotografio këtë pikturë murale dhe nëpërmjet
Kalloxhero na e dërgoi si po e prezantoj në këtë shkrim.
Piktura murale e plakut Bala në Kishën Nënë (Chiesa
Madre) në Palazzo Adriano.
Fotografia dhuruar nga zonja arbëreshe Ilaria Parrino.
Nuk njihet autori i kësaj pikture. Në pjesën e poshtëme
në anën e majtë ku mund të ishte shkruar emri i piktorit dhe viti, është një
dëmtim, që mund të ketë fshirë ndonjë shkrim.
Si shihet, plaku Bala prezantohet me mustaqe dhe mjekër
kuqaloshe, me sytë të trishtuar, me vështrim të përmalluar në drejtim të
atdheut, me helmetën me majën mbi kreshtën, me parzëmore si e luftëtarëve tanë
të asaj kohe, me fustanellën arbërore dhe me opingat e lidhura me gjalma, si i lidhnin
malësorët tonë, deri në mesin e shekullit XX. Një karakteristikë e veçantë e
kësaj pikture, që çuditërisht nuk e kanë përshkruar Gavril Dara i Riu dhe as
Xhiusepe Skiro i Riu, është se plaku Bala mban ne duar shtizën me flamurin e
kuq, që ka në qendër kryqin ortodoks, çka sugjeron se Bala ishte i besimit
ortodoks. Sfondi i pikturës është qielli i zymtë, i mbuluar me re të përhimta,
ashtu si i përshkruan në këngët e tij, në ngjarjet dramatike të luftës të
trimave arbëror kundër hordhive barbare turke. Në pjesën e poshtëme të pikturës
prezantohen malet që lartësohen me ngjyra të errta të zymta.
Pra, Bala kishte qenë një ndër luftëtarët e epokës
Kastriotiane dhe kur vendlindja u pushtua nga turqit, iku në Siçili, fillimisht
në komunën e Mozzojuso dhe së fundi i vendosur me banim në Palazzo Adriano. [Giuseppe
Schirò Jun. 1959, f. 53]. [Nikola Keta, Tesoro di Notizie su
de’Macedoni”, botuar në vitin 2002 në kujdesin e komunës Kontesha
Entellina dhe Universiti i Studimeve të Palermos, faqe 242].
Bala ishte ndër arbërorët, që e vuante ikjen nga atdheu,
çka e shprehte në poezitë – këngë. Giuseppe Schirò Junior thekson:
“Personaliteti historik i plakut Bala nuk mund të vihet në dyshim, as nuk mund
t’i hiqet autorësia e këngëve të tij, me vlera dhe aktuale për historitë, që i
tregonte si kujtime personale të atyre viteve kur luftohej kundër dyndjeve të
ushtrisë të barbarëve osmanë. [Giuseppe Schirò Junior, Storia della
litteratura albanese. Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63].
Në dorëshkrimet e Gavril Dara Plaku, të Andrea Dara dhe
në veprën “Kënga e sprasme e Balës” të Gavril Dara i Riu, ashtu si në studimet
e analistëve, të kritikëve letrarë e të historianëve nuk ka të dhëna për
origjinën e Balës, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të përcaktojmë
prejardhjen e arbërorit Bala.
Tre pjestarët e familjes Dara që i mblodhën dhe i
pasqyruan në dorëshkrime këngët e Balës, nuk e kanë vizituar Arbërinë, nuk i
njihnin vendet ku u zhvilluan betejat dhe as ngjarjet që përshkruhen, por ata i
morën i ruajtën dhe i pasqyruan në krijimet e tyre, ashtu si i ishin në
origjinalin e këngëve të plakut Bala.
Duke analizuar toponimet, që Bala i përmend në këngët e
tij, rezulton se janë të pranishme në territore të përcaktuara qartë, me
shtrirje të kufizuar në trevat Shengjergj - Martanesh - Bulqizë, si fusha e
Vajkalit në Bulqizë, Mali me Gropa mbi Shëngjergj, Vau i Valkalit në luginën
mes Shengjergjit dhe Martaneshit; Gurra dhe Lugu i Kusarit pranë malit të
Kaprollit; në Val janë toponimet Përroi i Shtogut, në fshatin Peshk është Mokra
(Mokreu si e quan plaku Bala), fshati Gjon ku banonte Nik Peta me nënën Lena,
ashtu në kufirin verior fshati Shkalla, emër që në poemë është i shkruar në
italisht Scialla.
Plaku Bala në këngën e fundit tregon se me kalorësit e
tij rendi pa pushim, përshkoi nëntë male e nëntë fusha, duke prerë dhe duke
vrarë armiqtë osmanë deri përtej Brinjës të Mokreut. Në këto vargje Bala evokon
luftimet në Nëntë Malet e trevës së Kunavisë dhe si dihet historikisht, mali i
nëntë ishte Martaneshi, ku Bala përfundon luftimet pikërisht në Brinjën e
Mokreut, toponim mbi Delician e fshatit Peshk. Në analogji me këtë rrethanë të
luftimeve në nëntë malet është kënga e Martaneshit, dedikuar betejës së ashpër
kundër turqëve në vitin 1813, me vargjet: “Mahmut Pasha një dhemb dragoi/të
nëntë malet ç’i kërkoi/Martaneshin nuk e shtroi”. Në vitin 1861, paria e
pleqërisë të Martaneshit mori pjesë në Beslidhjen e Nëntë Maleve, që u mblodh
në Dibër, për të kundërshtuar dorëzimin e taksave administratës turke. Pra, si
kuptohet ka një vazhdimësi historike të emërtimit Nëntë Malet, që fillon me
principatën e Arbërit të dinastisë Progoni (1190 – 1215), ku bënin pjesë të
Nëntë Malet; vazhdoi në Principatën e Kastriotëve, si e tregon plaku Bala,
ashtu si përmenden në dy këngët, dedikuar ngjarjeve të viteve 1813 dhe 1861,
dhe të ruajtura deri në ditët e sotme.
Disa toponime në trevën e Martaneshit, evokojnë luftimet
e herëshme kundër hordhive turke, ndër të cilat rendis: Valikardhi, Kroi i
Ballabanit, Varri i Kaurrit në Ndërbalë të fshatit Gjon; arat e balës në
fshatin Lena, në Val janë toponimet Rrëkeja e Taborrit, Përroi i Asqerit, Gjama
e Shtogut (Përroi i Shtogut), Shkëmbi i Skenderbeut para kështjellës në Qytezën
e Valit, Guri i Turkut dhe poshtë tij Varret e Turkut, ashtu si në pjesën ku
fillon lugina e Valit është toponimi Vau i Valkalit, Gurra dhe Lugu i Kusarit,
mali i Kaprollit.
Nuk e ekzagjeroj të them se, Bala ishte nga Vali i sotëm,
luftëtari në rradhët e ushtrisë të Skenderbeut, i detyruar të emigroi në
Siçili, ku nderohej dhe respektohej nga arbreshët, si bashkëluftëtar i
Skenderbeut dhe autori i këngëve, që evokonin epokën e madhe të rezistencës
kundër hordhive barbare osmane.
Emri Bala dhe këngët e tij u shpëtuan nga harresa nga tre
përfaqësuesit e familjes fisnike Dara, respektivisht Gabriele Dara Plaku, djali
Andrea Dara dhe nipi Gabriello Dara (Gavril Dara i Ri), i cili e përfundoi
poemën epiko-lirike “Kënga e sprasme e Balës”. Të tre pjestarët e familjes Dara
kanë theksuar se Plaku Bala, ishte autori i këngëve, që ato i ruajtën dhe i
transmetuan gojarisht nga arbëreshët. Gavril Dara i Riu, në dorëshkrimet e tij
shprehet qartë: “Historia ishte shkruar prej të tjerëve dhe i përkiste një
periudhe të shkuar, që fillonte me Balën”. Në mbyllje të analizës dedikuar
poemës epiko-lirike “Kënga e sprasme e Balës”, Prof Giuseppe Schirò Junior
shkruan: “Bala është autori i shkëlqyer i kësaj poezie heroike, është këngëtari
i ngjarjeve të epokës së madhe të Skenderbeut, është poeti i parë arbëror i
diasporës, i pari në kolonitë arbërore në Itali dhe i letërsisë arbërore.
Prania dhe personaliteti historik i plakut Bala nuk mund të vihet në dyshim, as
nuk mund t’i hiqet përkatësia e këngëve të tij, që janë kujtime personale të
Balës, me vlera aktuale për historinë tonë”. [Giuseppe Schirò Junior, Storia
della litteratura alba-nese Nuova Accademia Editrice, 1959, f. 53 – 63].