E premte, 19.04.2024, 10:08 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Plot 100 vjet porosi e At Gjergj Fishtës

E diele, 07.05.2023, 07:47 PM


Pergatiti Fritz RADOVANI:

PLOT  100  VJET  POROSI  E  AT GJERGJ  FISHTES O.F.M.

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

(1871 - 1940)

Kriteret që duhet të plotësojnë ai që kerkon me kenë deputet i Kuvendit të Shqipnisë:

At Gjergj Fishta (1923) – Revista Hylli i Dritës

“Për shtetin tonë asht nevoja të mblidhet sa ma parë Kuvendi i Dheut ose Konstituenta, sepse nevojitet nji rreformë rrajsore si nga trajta politike edhe në parimet kulturore, simas të cilave të ndërtohet përfundimisht shteti Shqiptar.

Për me ligjërue me ndonji kalangerrç “gishti” intrigat e ambicjet e njënes a të tjetrës kastë, të njënit e të tjetrit idiot surrullup e surrat-qerep, s’ ia vlen as mundimi të mblidhet Kuvendi i Dheut, e asht nji krim të shpenzohen paret e Shtetit – gjaku i popullit të ngratë – për nji komedi kaq të damshme e të poshtme.

Së pari e kryesorja, delegati për Asamblenë Kushtetuese duhet të jetë Shqiptar. Kur tham “Shqiptar” kuptoj Shqiptarin tamam Shqiptar, domethanë: Shqiptar me gjuhë e Shqiptar me të lindun – që të ketë lind mrenda kufijve të Shtetit Shqiptar:

e jo Shqiptar adoptiv – bir në shpirt i Shqipnisë – Shqiptar me dy pasaporta në xhep: me valixhe në dorë e me shtëpi në shpinë të kalit – sot këtu, nesër kushedi se ku: si zogjtë, që ndërrojnë vend simbas ndrrimit të stinës.

Prej kësaj rregulle të përgjithshme do të përjashtohen të gjithë ata, që me botime të veta të vlefshme kanë ndriçue e begatë letërsinë shqipe, e me të holla e vepra të tjera patriotike janë orvatë për triumfin e lirisë sonë kombtare.

Së dyti, delegatët duhet të jenë burra të ndershëm e njerëz bese e burrnije.

Së treti, ndër kandidatët thjesht Shqiptarë e burra të ndershëm, duhen zgjedhë ma të ditunit e kuvendarët ma të mirë. Zgjedhësi që zgjedh delegatin, deputetin për hir të një partie politike, ai ban nji faj të randë ndaj kombit.

Brumi i kombit Shqiptar, muhamedan a kristian kjoftë, asht i shëndoshët, e si ata që mbahen me parti qeveritare, si ata që përkrahin Opozitën, në këtë brumë mund të gjejnë mjaft burra të ndershëm e të zot të punës: këta le të zgjidhen: e këta mandej, kur të shkojnë në Asamble, në daçin të mbahen me Qeveri e në daçin me Opozitë.

Burrat e ndershëm do t’a shohin vetë se kah asht e drejta, do të dijnë se kah të mbajnë, mjafton që mrenda të mos ketë piça e rrugaçë, sallahana e intrigantë të paturp e marre. Sistemi politik e administrativ i sotëm duhet shkulë me gjithë rrajë, nëse duem që Shqipnia të jetojnë e të përparojnë.

1923                                                       At Gjergj Fishta.

.................................................

Shenim nga F.Radovani:

Mendoj se duhen lexue me shumë kujdes këto dy porosi nga votuesit tanë, porosia e Luigj Gurakuqit dhe e At Gjergj Fishtës, dy kolosët që s’vijnë ma.

Vertetë që janë shkrue plot 100 vjetë perpara, po sot janë shumë aktuale.

Ndoshta ma aktuale se asnjëherë, mbasi edhe rreziku asht shumë i madh!!

Drejtuesit e korruptuem të shtetit Shqiptar rrezikojnë zhdukjen e shtetit!

Zbatimi i fjalës së Këtyne Dy kolosëve të Popullit Shqiptar, asht një mësim  shumë aktual per ”sistemin politik e administrativ të sotem që duhet shkulë me gjithë rrajë, nëse duem që Shqipnia të jetojnë e të përparojnë.”

Melbourne, 7 Maji 2023.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora