E shtune, 04.02.2023, 03:12 PM (GMT)

Mendime

Syrja Etemi: Kjo kohë hutaqe më ka bërë të flas me vetveten

E diele, 04.12.2022, 07:44 PM


AUTOINTERVISTË

KJO KOHË HUTAQE MË KA BËRË TË FLAS ME VETVETEN...

Shkruan: Syrja ETEMI

Në këto ditë të dreqosura, kur s’kam me kë të bisedoj, flas me  vetveten, me fantazinë time të ndezur. Karshi meje, herë përfytyroj ndonjë plak të mençur të  fisit, herë “vegoj” ndonjë personazh nga librat jo të paktë që kam lexuar, madje, karikaturoj edhe ndonjë gazetar apo publicist imagjinar, i cili “duhet t’i ketë lexuar shkrimet e mia, apo kontemplacionet e mbarsura përplot budallallëqe e marrëzira”. Kësaj radhe do të zhvilloj një kafemuhabet me një gazetar, i cili, dogri më është qasur te dhoma ime e vockël: 4 x 4, (kur  ime shoqe me fëmijët kishin shkuar te “t’vetët”, si i themi ne pollnjanët). Gazetari i ftuar nga imagjinata ime e hazdisur, pasi u ul këmbëkryq në shilte me postaqi aty kah fundi i sobës, ma ofroi diktafonin “Olympus” dhe filloi me rrebeshin e pyetjeve ngacmuese:

- Bisedën do ta nisim duke u bazuar në  meditimet tua poetike të papublikuara deri më tani, dakord?

-S’di a ke gjetur njeriun e merituar për këtë. Unë të grisha për një kafe të pimë e t’i qahemi njëri-tjetrit...

-Një udhë e dy punë…

Pse në belbëzimet tua poetike: “Kështu do të fliste Albatustra” e filloni me poezinë dedikuar provincës tënde: “Shllishtinë…”?

- Mbasi po këmbëngulë, atëherë - dakord, po ia nisi:

Unë, çdoherë në rropatjet e mia jetësore jam nisur nga rregulla e artë gnoseologjike e Komenskit të madh, me preferencën sugjestive: “Për të njohur botën, njeriu çdoherë duhet të niset nga e afërta - drejt së largës; nga e lehta - drejt të vështirës; nga konkretja drejt abstraktes, nga e njohura - drejt të panjohurës”, sepse pa njohur vetveten, nuk mund të njohësh të tjerët. Prandaj, kanë porositur grekët e vjetër: ”Gnoti seauton!”, d. m. th. :  Njihe vetveten!

- Sa e njeh vendin tënd të lindjes?

- Shllishtinës sime ia njoh frymëmarrjen si mjeku pacientit të tij (Si thonte Murat Isaku për Gajren e tij). “Asaj ia njoh  çdo gur e shkëmb, çdo lule e bimë, çdo peme e druri ia njoh gjethin në të dy anët. Këtu e di ku merr frymë Pollogu e ku hap gjoksin Sharri; fluturimin e harlisur të kumrive, hapin e lehtë të drenushës që shkel mbi barin e njomë të shullaneve; dalloj nga larg ngjyrat e ylberit; njoh çdo rrugë e dhiare; di kur qet krye mjegulla e harbuar e dimrit; çdo pikë vese të luleve pranverake; motit ia njoh çehren ende pa dalë drita. Njeriut të fisit tim ia njoh çdo rrudhë në ballë; nga larg ia njoh hijen e gëzimit e të trishtimit… ia lexoj ofshamën ende pa  hapur gojën… “

- Vallë keni arritur ta njihni apo ta kuptoni jetën që rrokulliset në gjeografinë e ngushtë të provincës Tënde të sertë?

- Në qoftë se jetën e identifikojmë me kohën, mendoj se shumë pak kam arritur  ta honepsi e ta konceptoj atë. Prandaj, edhe diku në meditimet e mia shpesh edhe të ngatërruara, kujtoj  Borhesin nazeqar, të cilin, kur e patën pyetur papandehur, se: “Ku dhe, si e kalon kohën”? Ai prerazi përgjigjet: “Tërë kohën e kaloj për ta kuptuar kohën”. Unë do të thosha: Tërë tik-taket e jetës i shpenzoj për ta njohur a kuptuar atë. Jeta është një udhëtim në kohë, destinacioni është i panjohur. Ajo çka kam mundur të kuptoj nga kjo ngarrendje, është fakti se jeta  përbëhet nga dy anë, nga dy pole të përkundërta: drita dhe errësira, dita dhe nata e saj, ashtu siç është edhe vet njeriu konstrukt i dy pjesëve antagoniste, që janë në luftë të vazhdueshme: Uni dhe Mbiuni; ashtu si ekziston edhe vet Globi në pafundësinë e Universit - me Polin e Veriut dhe të Jugut. Si thotë një sentencë shqiptare pollogase: Edhe melaqja edhe shejtani janë brenda te insani. Pra, edhe e mira edhe e keqja si kundërshti permanente, gjenden në Ne si gjallesa kontraverse. Prandaj, vetëm në saje të forcave të kundërta ekziston tërësia. ”Vetëm në saje të së shëmtuarës ekziston e bukura”.

- Si e konceptoni kohën e sotme, të cilën e gëlltisim në rropullimë jete, gjithnjë duke u bazuar në atë shumëformësi refleksesh në disa poezi të kësaj përmbledhjeje?

- Në një faqe të përmbledhjes imagjinare “Kështu do të fliste Albatustra”, gjen një kundrim antipod me titull: “Non cogito, ergo sum”, d.m.th. – si kundërthënie e Dekartit me thënien: ”Cogito, ergo sum”. Këtë thënie q’e kam devijuar… e preku edhe Qose mjekërthinjuri. Kështu, më mirë jetojnë ata që s’ mendojnë fare, ata që nuk shkrijnë kokrrën e mendjes; ata q’e posedojnë instinktin e dhelprës, si do të shprehet Ai, për të vazhduar (edhe pse e kam përmendur edhe më herët): “Dinakëria nuk është mençuri, sepse dinakëria është çështje e instinktit që e ka edhe dhelpra”. Edhe Jezusi në një rast do t’i ngushëllojë mendjepaktët duke thënë: ”Lum të varfërit nga mendja!”, sepse ata edhe në përtejbotë do të kenë arsye  të mos i nënshtrohen Gjykimit të Madh, e në mënyrë direkte do të marrin vizën (lejen) për në Parajsë.

- Në një cep të vëllimit tuaj poetik, lexuesi gjen edhe një poezi të vockël që mban titullin: Jeta dhe vdekja  ku, me një retorikë paksa fillozofike do të shkruani: “Jeta dhe vdekja/ Dy pika një takim/ Njëra fillim/ Tjetra mbarim/ Njëra e idhët/ Tjetra-pelim”. Meqë vdekjen ende nuk e keni përceptuar, ku e dini se ajo është e idhët pelim?

- Edhe këto dy nocione janë antipode, sepse ekzistencialja është kahabitacion i këtyre dy kundërshtive: j e t a  që di të jetë edhe e hidhur dhe,  v d e k j a  që është e pelimtë. Thjesht për mua vdekja nuk ekziston, por ekziston vetëm farmaku i saj, sepse unë deri sa jetoj jetën e hidhur, nuk jam i vdekur e, kur ajo do të vijë, unë nuk do të jem gjallë, në mënyrë që, torturat që do t’i përjetoj, të mund t’ua dëshmoj të tjerëve, domethënë-të gjallëve të trishtuar. Mund të them edhe këtë se vdekja nuk u përket atyre që kanë shkuar në përtejbotë. Ajo u përket gjallesave, sepse ne jemi gjallë. Në një moshë mjaft të re - dikur, një shok imi i shkollës braktisi këtë jetë dhe iku në qiell. Thënë thjesht: Ai, tani vdekjen nuk e ndjen. Vdekjen e ndjej unë që jam gjallë. Kështu për mua jeta dhe vdekja, vdekja dhe jeta më duken vetëm dimensione për transformimin e qenies apo kthimit nga një gjendje në një substrakt tjetër. Një transformim nëpër tri dimensione kohore: në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Etapa këto që krijojnë një amallgamë kongruente sa të duket si një përjetësi universale.

- Nga ky nëntekst, do të shpalosja edhe një poezi të titulluar: “Ka Zot”. Çfarë vlerash i atribuoni Krijuesit të Gjithëfuqishëm, dhe se, a besoni në Zot, apo këtë e bëni vetëm si një rropatje informale-sa për të thënë?

- Jo, ky besim imi i thellë në Zot nuk është sa për të thënë, apo “me zier groshë pa ujë”. Vetëm dykëmbëshat minorenë kanë ”fuqinë” morbide të mos besojnë në një Fuqi gjithëkohore dhe gjithëhapsinore. Absolutisht në Zot besoj, por kurrsesi në ideologjitë fetare që, secila, në formën e saj, predikon se Zoti i Tij është më i Madh. Sepse, Ai është Një, qoftë i të krishterëve, qoftë i myslimanëve apo i ebrejve, hinduve apo të të tjerëve. Kështu, shpeshherë, duke shfletuar faqet e “mësueses së jetës” bindemi se ithtarët apo titullarët e këtyre religjioneve, në emër të fesë së tyre “hyjnore”, kanë pushtuar e zaptuar toka, kanë shfarosur  “të pafetë”, kanë vjedhur pasuri të huaja, kanë shembur civilizime e, ç’nuk kanë bërë... Kur bëhet fjalë për islamizmin, jo si doktrinë, por si ideologji, si A.Xh. (që e ka thënë diku), mund të konstatoj si vijon: “Si  ideologjia  komuniste, ashtu edhe ajo islame (pra bëhet fjalë për ideologji e jo për religjion), kanë tentuar t’i rrënojnë  identitetet  kombëtare, duke  ofruar  shkrirjen në një  identitet  universal, që ishte paravan pas të cilit fshiheshin interesat, dikur të sllavëve apo sot të arabëve.“

- D.mth. sipas jush ZOTI  ekziston?

-Vetëm hajnat duan që të mos ekzistojë gjyqi. Sigurisht se ky krahasim nuk ka primesa pezhorative, por ka metaforën e vet reale. Dmth, ekziston një Fuqi e Madhe e cila na survejon sjelljet dhe veprimet tona. Kështu, çdokush do të jep llogari për punët dhe veprat e veta që bën në këtë Botë.

- Sa besoni në transendencë?

- Jeta është vibrim, një trans nëpër hapësirë apo kalim nga një mënyrë e pulsimit dhe ritmit, në një gjendje  apo formë tjetër. Ndoshta me ndërprerjen e kësaj jete që po e bëj në këtë  kohapësirë, fryma  ime do të del nga fiziku i pagëzuar nga prindërit e mi si: S- Y- R- J-A,  dhe do të fluturojë në  Univers ku do të reinkarnohet në ndonjë fizik të ndonjë jashtëtokësori që do të lind diku  në ndonjë planet tjetër, ta zëmë - në “Rongopongo“ apo “Takatinka“. Thjesht, secila gjallesë rrezaton jonet e veta në  gjithë universin. Vetëm fizisi apo materja shkrihet atje ku bashkëjeton përkohësisht me spiritusin. Ndoshta ky shpirt që pulson në mua, ka ekzistuar edhe ndonjëherë më parë në ndonjë fizik tjetër - në ndonjë planet tjetër. Kushedi… Ndoshta…

- Shpesh në kontemplacionet tuaja përdorni metafora që asocojnë, herë në optimizëm e, herë në pesimizëm të skajshëm… Ku mund të përceptojmë ndonjë jetë ku do të bulëzonte shpresa dhe optimizmi i palëkundur?

- Mendoj se jeta është një shtjellë e përligjur me optipesimizëm, e cila duhet gjithnjë të plotësohet me vepra të mira e humane. Kolosi i madh i mesjetës, Da Vinçi në një thënie aklamative do të trokasë në ndërgjegjen e individit duke u shprehur: “O, ti që flen, më thuaj se ç’është gjumi? Gjumi i përngjet vdekjes. Ti, pse nuk bën vepra të mira në mënyrë që edhe kur të vdesësh, të jesh i gjallë!?  Ti tani je i gjallë  dhe u përngjan të vdekurve të trishtuar.”

- Si e shpjegoni këtë zymtësi që duket se do të indicojë në  trazira  marramendëse  ndëretnike, që mund ta quajmë edhe Luftë? Ç’ mendim keni për luftën?

- Lufta, eh lufta! Tmerr e  Ferr! Ferr e Tmerr! Lufta është e tmerrshme, ashtu thuhet… por, më të tmerrshëm janë ata që shkruajnë e këndojnë për luftën pa mos marrë pjesë në të, pa mos e përjetuar katrahurën. Meqë Unë s’e kam përceptuar akoma atë që do të ndodhë nesër apo pasnesër, nuk mund  edhe ta definoj atë; ajo nuk varet nga unë, por varet nga Ne e, unë jam unë përballë Ne.

- Pyetjen e radhës që do ta parashtroj, ndoshta është dashur të ta bëja që në fillim të bisedës: Pse shkruani?

- Të gjithë kalemxhinjtë e llastuar e presin një pyetje të këtillë stereotipe dhe paraprakisht përgatiten të japin ndonjë përgjigje sa më sugjestive e interesante, në mënyrë që të dallohet nga ato që i kanë dhënë të tjerët e mos t’u atribuohet etiketa e kompilatorit. Ndoshta edhe këtë që do ta them unë, dikush tjetër mund ta ketë thënë që më herët. Ndoshta. Prandaj, mund edhe të më pandehni për plagjiat, por pa hiri.

… Paj, shkrimin e kam si një eglenxhe. Të jem më i sheshtë: Shkruaj për të vrarë kohën… Të vras marrëzitë e hapësirëkohës. Shkruaj për ta arsyetuar ekzistencën time në këtë kuantum depresiv. Shkruaj “për të lënë  pjesët e mia në të, mu ashtu si bën pisha me boçat e saj pranverave e vjeshtave; si gjarpri që e lë lëkurën në një shkurre therrake.” Kur e bëj këtë, ndjej në shpirt një fiksim të ëmbël. Poezia për mua është një ilaç, burim ngushëllimi, ikje nga vetvetja dhe katandisje në botën imagjinare, në të cilën bëhem ai që dua të jem dhe të bashkëjetoj me kë të dua unë.

...Kështu, në përfundim të intervistës, nuk di se a u përshëndetëm, më kishte pllakosur gjumi i rëndë deri sa më zgjoi cingërima e orës 9-00.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora