Editorial
Ndue Dedaj: Siguria e jetës dhe e pronës, si siguri kombëtare
E merkure, 10.08.2022, 07:55 PM
SIGURIA E JETËS DHE E PRONËS, SI SIGURI KOMBËTARE
NGA
NDUE DEDAJ
Për
të garantuar sigurinë kombëtare shteti ka strategji dhe struktura të posaçme si
Forcat e Armatosura etj., por kjo duket diçka përtej njeriut, sigurisë së tij
të jetës dhe të pronës. Dakort që na mbron shteti ne nënshtetasve të vet në
rast se na sulmon ndonjë fuqi e huaj ushtarake, mirëpo ne kemi nevojë jo vetëm
njëherë në histori për t’u mbrojtur nga armiku, por përditë, pavarësisht se në
çfarë forme na shfaqet ai. Me armë e ushtri si në Ukrainë. Me larje hesapesh
mes bandave të narkotrafikut etj. Me vrasje elektorale si në Elbasan. Me therje
me thika si në shoqërinë primitive. Me aksidente rrugore dhe në miniera që
përditë këpusin jetë njerëzish. Me skafe qe marrin jetë fëmijësh në plazhe. Me
vrasje në familje, ku viktimat janë gratë dhe vajzat. Me shkrepëse që iu vënë
zjarrin pronave: ullishteve, vreshtave, pyjeve e për rrjedhojë dhe shtëpive në
afërsi të tyre. E gjitha kjo është një luftë me të cilën ti si qytetar duhet të
përballësh. Kush të mbron nga këto fronte të krimit? Shteti dhe vetëm shteti. Shteti
yt dhe ata që mbajnë vulat e tij. Presidenti. Kryeministri e të tjerë shtetarë
si këta. “Daun të rrëzojnë shtetin këta piromanët me zjarret që vënë
gjithandej”, thoshte njëri që e hante meraku se mos po mërzitej qeveria në këto
ditë të nxehta plazhi. Sigurisht lapsus. Jo, askush nuk kërkon të rrëzojë
shtetin, çka nga ana tjetër do të ishte krim. Shteti është ushtria, SHISH,
gjykata, prokuroria e të tjera institucione që nuk votohen. A, qeveria,
Parlamenti që iu është deleguar pushtet nga vota, ato po, mund të “rrëzohen” po
me votë. Shtetit nuk i hyn ferrë në këmbë po ra një qeveri dhe në vend të saj
zgjidhet një tjetër, përkundrazi i bëhet mirë punës. Por kjo është një temë
tjetër, në këtë rast mjafton të thuhet që përkujdesja e militantëve partiakë jo
gjithnjë vlen.
Po
si mund të na mbrojë shteti? Si do të jetë ai dalzotësi ynë? Duke na soditur
nga Tirana, apo duke ofruar shërbim për qytetarët dhe në skajin më të largër të
vendit? Në një kohë që krimi gjen përhapje përherë e më shumë në terrenin e
braktisur, në zona ku mbillet droga, iu vihet flaka pyjeve çdo verë, dëmtohet
mjedisi natyror nga punimet e HEC-ve etj., gjykatat hiqen prej andej dhe
përqëndrohen në qendra qytetesh kryesore!? Bashkitë pa të ardhura nuk ia dalin
dot në një territor ku nuk punohet e prodhohet, nuk ka infrastrukturë, shkolla,
turizëm etj. Tashmë territori i lënë shkret si mall pa zot inspektohet në të
rrallë nga zyrtarë dhe nëpunës të qendrës. Atëherë atë e marrin në zotërim të
“zotët” e tij, hajnat, kultivuesit e hashashit, zjarrvënësëit etj. Po
fokusohemi kryekrejet te zjarret, meqë ato janë problemi i ditës. Zjarri në
zonën Bukmirë-Shpërdhazë-Shëngjergj (Mirditë) ishte i pazakontë dhe rrezikonte
shtëpitë dhe vreshtën e njohur, nga e cila prodhohet vera “Arbëri”, nga më të
mirat e vendit. Tre fshatra të përzhitur nga flakët, mijëra ha pyje lisi të
shkrumbuara. Një hartë e tërë pyjore e zhbërë sa hap e mbyll sytë. U shkatërrua
njëherësh një nga habitatet e rritjes së thëllanzës, lepurit, dhelprës, ujkut,
derrit të egër etj. Kurse turizmin harroje, turistët nuk vijnë të vizitojnë
shkretëtira. U dogjën qindra ha pyje, po a shkoi në vendin e ngjarjes ndonjë
prokuror? Nuk e dimë, mundet që po, mundet që jo. Nëse zjarret merren si një
rutinë e stinës së verës, asnjëherë nuk do të ketë përgjegjës për to. Ka gjasë
që në SPAK të kenë shkuar padi për dëmtime prone, nga subjekte të ndryshme, me
një vlerë shumë më të vogël se ajo e këtij zjarrit pa “autor”. Ndërkohë që janë
dhe prokuroritë lokale e rajonale që mund të hetojnë. Nëse zjarrvëniet mbetën
gjithnjë pa autor, ato nuk kanë për të pushuar ndonjëherë. Ky soj shtjellimi
apo argumentimi mund të ngjajë si i çuditshëm, por në të vërtetë ky është
problemi, pandëshkueshmëria nga më e vogla te më e madhja. Zjarrvënësi duhet të
zhdëmtojë një më një atë që ka shkatërruar dhe jo të dënohet sa me thënë, si
një kundravajtës i thjeshtë që ka thyer rregullat e qarkullimit duke mos kaluar
në vijat e bardha. Apo, më keq, duke u mbyllur dosja e zjarreve me të filluar
shirat!...
Nëse
në raste të tilla gjerat i shohim thjeshtë si një fatalitet nga i cili nuk
shpëtojmë dot, kinse zjarre bien dhe në Amerikë, nuk kemi zgjidhur asgjë. Bie
një zjarr, dy, tre gjatë gjithë verës, por jo deri në 26 zjarre në ditë!? Të
hënën zjarret ishin aktivë në Berdice, Grudë dhe Bardhaj të Shkodrës, në
Dushkarak të Selenicës, në Bukmirë, Shengjergj e Shpërdhazë të Mirditës, në Mal
Bardhë, Milot e Skuraj të Kurbinit, në kodrat e Shën Premtes Divjakë, në Sinjë
Beratit etj. Si shpjegohet që më shumë digjen pyjet anash rrugëve, përfshi dhe
atë të Kombit, se sa në pyjet e shtrenjta e tejplakura në thellësi të
bjeshkëve. Problemi është se ne nuk e zotërojmë më territorin fizikisht. Shteti
nuk ka krijuar një regjim mbrojtjeje të natyrës, florës dhe faunës, mjedisit,
pyjeve, kullotave, burimeve, vreshtave, ullishtave, shtëpive etj. Nuk kemi më e
pakta vrojtues zjarresh. Kemi patronazhistë sa të duash, derë për derë, që na
“monitorojnë” se për kë do të votojmë, por nuk kemi sinjalizues sezonalë për
zjarret në pyje. Një xhandar në kohën e Zogut mjaftonte për të siguruar rendin
dhe qetësinë, kujtojnë të moshuarit. Edhe në regjimin e kaluar punëtori i
Policisë qëndronte mes njerëzve në fshat, minierë, kooperativë dhe ishte i
informuar për keqbërësit e ndryshëm që dëmtonin pronën e përbashkët. Sot asgjë
nga këto nuk ndodh më. Nuk të zë syri askund ndonjë tabelë si dikur “Mbroni
pyjet nga zjarri”, vetëm nëse vjen ndokush i huaj me ndonjë projekt që të na i
shkruajë.
Ka
ndërkohë një “kontradiktë” mes qeverisë dhe zjarreve të korrikut e
gushtit, ministrat janë me pushime në
det, brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që flakët djegin sipërfaqe të tëra
toke. Patë ndonjë ministër të shkojë në Bukmirë-Shpërdhazë-Shëngjergj, ku u
dogj një nga visaret pyjore dhe ekologjike të vendit, ku mund të ndërtohej një
rezervat kafshësh të egra si rrallëkund tjetër? As njëqind kilometra nga
Tirana, nga ku mund të shihej dhe tymi. Jo. Po çfarë duhet të digjet më tepër
që qeveria të zbresë në terren me të gjitha mjetet!? Vërtet punojnë strukturat
shtetërore që menaxhojnë fatkeqësitë natyrore si emergjencat civile, shërbimi
zjarrfikës, organet pyjore, policia, ushtria etj., po kur e keqja s’ndalet
atëherë shqetësimi duhet të vërë në lëvizje dhe qeveritarët më të lartë për një
aksion më të përqëndruar, siç ndodhi vitin e kaluar me zjarret në Llogara e
Karaburun etj. Nuk mund të rrihet në shpresë të shiut, nëse do të mbarsën retë
e do të bjerë shi sot pasdite, nesër paradite apo pas një muaj. Publiku ka
nevojë të njihet më përmsat e asaj që po ndodh, që të bëhet pjesëmarrës, jo të
raportohet me një gjuhë të ngurtë nga zyrat, si “zjarri është vënë nën
kontroll”, kur nuk mbrohen dot as shtëpitë, ndonëse hyn makina.
Nëse
sigurinë kombëtare nuk e shohim në kompleks dhe në gjërat e përditshmërisë, të
natyrës ekonomike, sociale, kulturore, përfshi dhe ato më njerëzoret, por vetëm
tek gjërat e mëdha, si integriteti territorial i vendit, ruajtja e kufijve,
aeroporteve, bankave, institucioneve të shtetit etj., nuk do të ishim realistë,
pasi siguria është cënuar kur njerëzve po ua rrëmben pronën, tokën, pyjet,
burimet ujore, mineralet e të tjerë kjo lufta e përditshme me e pa tym, por do
të ikin drejt Perëndimit, siç kanë bërë tash kaq vite. Integriteti i një vendi
është kur ai është i gjithi si një trup i gjallë dhe jo me pjesë që i “vdesin”
çdo ditë nga terrirori. Ky është leximi që qytetari pret të bëjë shteti dhe të
ndërhyjë për ndryshimin e gjendjes. Duket kaq e thjeshtë, por nëse pyjet do të
ishin pastruar e liruar nuk do të kishim arritur në shfarosje masive të tyre në
disa zona, duke mos pasur kurrëfarë sigurie as për nesër.
Janë
të shumtë zërat publikë të shqetësuar për këtë gjendje. Kontribuesja e shquar
në zhvillimin rural shqiptar prej tridhjetë vitesh, austriakja Marianne Graf,
shkruan se një arsye e kësaj drame është se gjatë viteve të tranzicionit
urbanja dhe gjithçka artificiale ka marrë një rëndësi të madhe, ndërkohë që
fshati është lënë jashtë vëmendjes si diçka e vjetëruar. Të gjitha lukset
vlejnë më shumë se gjërat bazë me të cilat njerëzit jetojnë, për çka qeverisja
është ngarkuar të kujdeset. Ka shumë pak burime financiare dhe vlerësim për
ruajtjen e natyrës, jetës tonë - mos është mungesë edukimi, padituri,
arrogancë, indiferencë?! Të gjithë i kemi rrënjët tek fermerët e vegjël, por
nuk i trajtojmë ata me dashuri dhe mbështetjen e duhur. Gjithsesi le të
shpresojmë, nuk është kurrë vonë për t’i mbledhur forcat e ndërtuar diçka
pozitive, për çka dhe unë do të ndihmoj sa të mundëm. Feniksi gjithashtu është
ngritur nga hiri!...