Mendime
Ndriçim Kulla: Shqipëria po qan teksa bijtë e saj po i ikin!
E marte, 09.08.2022, 08:00 PM
Shqipëria po qan teksa bijtë e saj po i ikin!
Nga
Ndriçim Kulla
Sipas
statistikave rreth 620 mije shqiptar janë larguar nga Shqipëria për shkaqe
social - politike gjatë këtyre 9 viteve,
ku shumica e tyre janë opozitar.
“Deti
u bë mal me njerëz, dhe toka det me lot”, këndonte Ardit Gjebrea, në vitet ‘90,
në atë këngë të tij të mrekullueshme në festival, që besoj ka arritur të
përlotë shumë njerëz në Shqipërinë e asaj kohe, që po përjetonte migrimin më të
madh të historisë së saj. Ishte vërtet diçka e dhimbshme, e tmerrshme në
historitë njerëzore, por edhe një shfryrje e madhe e dufit dhe dëshirës për
liri që aq shumë e dashuronin shqiptarët. E përsëri, me gjithë vuajtjet dhe
kalvarin e “Shqipërisë që po ikte”, “Shqipëria që po mbetej” kishte shpresë, aq
shumë shpresë dhe besim se shumëçka do të ndryshonte. Kanë kaluar tre dekada që
atëherë, brezi i të rinjve të asaj kohe tash po rrit fëmijët apo po gëzon
fëmijët e fëmijëve të vet, gjeneratat kanë ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, e
megjithatë, për çudinë e të gjithëve, zemra dhe shpirti i saj mbetet po ajo e
“viteve ‘90”.
Kam
një cinik këtu pranë që në çdo fjalë a mendim që unë hedh mundohet të më
thumbojë e më thotë: “Çfarë, do të mohosh gjithçka është bërë, mos do të thuash
se Shqipëria s’është vend më i mirë, më i pasur, e më i bukur për t’u jetuar se
sa në vitet ‘90”. Jo, i them, Shqipëria është zhvilluar, por jo me shpejtësinë
e njerëzve të vet, jo, as me pritshmëritë e tyre më pesimiste, se ndryshe nuk
do të përjetonim sot po të njëjtën dhimbje e trishtim kur lexojmë e shohim me
sytë tanë një Shqipëri që përsëri po ikën, ngadalë, shtruar, ashtu si pa u
ndjerë, ashtu si pa u kuptuar, pa anije, britma, tragjizma nëpër media, por me
një konstante e vazhdimësi shumë më të frikshme se ajo e viteve ‘90. Po përsëri
ciniku brof përpjetë e thotë: “Varfëri e migrim ka kudo, në çdo vend, si mund
të pretendojmë të mos ketë në Shqipëri?”. Jo, jo, ia kthej, edhe me më shumë
vendosmëri, por me një zë që tani ka filluar të më dridhet nga mallëngjimi.Më
duket se ky është zëri i kryeministrit Edi Rama i them. Ai përgjigjet
zyrtarisht gjithmon kështu.Nuk janë njësoj këto migrime, pavarësisht se skenat
i kanë aq të ndryshme, njëri zhurmëmadh, por plot shpresë, kurse ky i sotmi, i
pazhurmshëm, por besimthyer. “Shqipëria po qan”, këndonte atëherë Gjebrea, “ajo
e di si duron, po i shkundeshin filizat”. Po tani vallë ç’mund të themi, të
ulërasim, të bërtasim nga trishtimi, kur shohim se Shqipërisë po i largohen më
të mirët, më të shkolluarit, më punëtorët, shtylla e asaj administrate, e atij
shteti që shtyn përpara çdo komb, më kreativët dhe më profesionistët, forca
lëvizëse e biznesit dhe ekonomisë që klasa e mesme i siguron çdo vendi që synon
të ketë të ardhme.
Mos
vallë, pikërisht tani Shqipërisë nuk po i shkunden filizat, por po i shkulen
rrënjët, po i priten krahët, po i shkulet shpirti? I kam shqyrtuar statistikat
e atyre që po ikin tani , shumica kanë qenë gjithë kohën të punësuar, të zotë,
të aftë, edhe pse të heshtur, të duruar, se aq mirë e njohin, por dhe aq shumë
e dashurojnë Shqipërinë. Janë po ai brez ose pinjoll i atij brezi “Shqipërie që
mbeti” në fillim të viteve ‘90, jo pse nuk mundej, por sepse dëshiroi dhe besoi
se Shqipëria mund të bëhej. Është po ai brez që punoi aq fort, jo në një, por
në disa punë njëherësh, se ata e dinin se e tillë është Shqipëria dhe ekonomia
e saj, nuk të ofron më shumë; ai brez që deshi të ndërtonte diçka, një jetë me
duart e tij, një biznes, një karrierë që mjaft herë ia mbërriti; ai brez që sot
ka dhe një shtëpi të bukur për veten dhe familjen, ndoshta dhe një shtëpi në
plazh (edhe pse me kredi), ai brez njerëzish që duruan përtej stërmundimit, që
u përpoqën, luftuan ndershmërisht, përtej naivitetit dhe burrërisë shqiptare,
që ky vend, kjo administratë, ky shtet t’i linte të paktën të shpreheshin, t’u
thithte kapacitetet, e kësisoj t’u tregonte edhe respekt, edhe mirënjohje, tek
e fundit edhe përkujdesje. Ata po ikin, por qenë dhe janë më të mirët e këtij
vendi, të aftë, të ditur, të kultivuar, që e nxjerrin bukën dhe nga dheu,
përderisa gjejnë punë të mirë-paguara kudo ku shkojnë. Mirëpo, njeriu që të
zhvillohet për shtetin dhe vendin e vet, ka nevojë për barazi e meritokraci,
këto janë flatrat e tij shpirtërore, që ky brez nuk i pati kurrë, kjo është më
e pakta bukë që Shqipëria, edhe ashtu e varfër siç është, mund t’ua jepte e nuk
ua dha.
Ndaj,
është shumë më tragjik e vdekjeprurës për të ardhmen e saj, kjo ikje e heshtur,
e përditshme, e njerëzve më profesionistë të këtij vendi, jo si emigrant të
thjeshtë, por me avionë, me kontrata e viza pune. Ja, pse Shqipëria që mbeti
dikur në vitet ‘90, tani po ikën, bashkë me pinjollët e vet, në atë ikje që
mund të quhet mërgimi më i madh i trurit e mendjes që ky vend ka provuar
ndonjëherë. I kam dëgjuar disa syresh prej tyre, që teksa ikin më thonë: “Kur
isha ende i ri, në vitet ‘90, më patën mësuar se në qoftë se je i zoti dhe
punon shumë, nuk mund të mos çash në jetë, qoftë edhe në Shqipëri, ndaj unë
qëndrova .” Nuk mund të them se nuk e provova edhe unë,(madje kam provuar
shumë), as se jam i mërzitur apo i dhembur me rrjedhën e jetës sime jo të
lehtë, por një mësim të tillë nuk mund t’ia jap sot sime bijë. Nuk mund t’i
shpjegoj, pa e gënjyer, se me meritë e drejtësi mund të ndërtojë një jetë të
mirë në këtë vend siç jam munduar të bëj edhe unë. Ndaj vetëm hesht, hesht e
iki me mendje si ata që largohen . Është pikërisht kjo heshtje, kjo heshtje
gjëmim-madhe ajo që duhet të na shpjegojë politika e gjithë këtyre viteve e
majtë dhe e djathtë, ajo prej së cilës ajo duhet të nxjerrë mësime e t’i bëhet
busull për çdo program e lëvizje politike, të sotme e të ardhme. Është thelbi
dhe arsyeja e kësaj ikje, ajo që duke e kuptuar sa më mirë e sa më thellë, mund
ta ndriçojë që të mos përsërisë gabimet e së përditshmes në mos ngjalljen e
shpresës dhe në krah-këputjen e besimit. E përsëri ciniku më ndërhyn duke më
thënë: “Po ikin, po pse nuk patën guximin të qëndrojnë e të flasin, të
shkruajnë, të luftojnë për ta ndryshuar ketë vend?”. Përkundrazi, i them, ata
duruan kaq gjatë, pikërisht se e njihnin këtë vend. Ata folën e shpeshherë me
vepra, por ministri dhe shefi i administratës ishte i korruptuar, e s’i dëgjoi
njeri idetë e tyre. Ata shkruan, por drejtori i kërcënoi se ishte partiak, nuk
u hapi rrugë se kishte dhënë lekë për vendin e punës. Ata qenë të urtë, të
matur, dhe e deshën plot durim këtë vend; i mikluan për t’i futur në politikë e
“për të bërë prokopi” siç flitet shpesh, por ata qenë të ndershëm, aspak naivë,
por të ditur në pamundësinë e tyre të madhërishme, se vetëm kështu mund të
bëhej Shqipëria. Ata bënë biznes, edhe të suksesshëm, por tatimori dhe
doganieri u lypte ryshfet, pabarazia e taksave që paguanin të drejtit dhe të
padrejtit i vrau, i lëndoi, në pafajësinë e tyre të mrekullishme shtetformuese,
se vetëm pa korrupsion, pa klientelizëm mund të ecë përpara ekonomia e këtij
vendi. Por ata folën, me besimin dhe shpresën e patundur në mrekullitë që mund
të bëjë liria dhe demokracia, edhe politikisht, si ai brezi gri i saj, si ai
zëri i pandikuar, i pablerë, i mazhorancës së heshtur, sa herë që Shqipëria
gjendej në udhëkryq. Ishin ata që kur qeveria socialiste e asaj kohe ishte e
zhytur në krim e korrupsion, besuan në kartën e moralit dhe i dhanë Berishës
atë që edhe mund të mos imagjinohej disa vjet më parë, të drejtën për t’u
rikthyer edhe njëherë në pushtet. Ishte po ky zë, që foli politikisht, duke i
dhënë mandatin e bashkësisë së Tiranës për tre herë resht Edi Ramës, e pastaj
kërkoi të provojë një figurë të re politike, asokohe shpresëngjallëse. E së
fundi, foli në zërin e 1 milion votave që rrëzuan Berishën dhe i hapën rrugë
një fryme të re asokohe, atë të Rilindjes. Po sot, çfarë ka mbetur nga gjithë
ajo masakër e iluzioneve të tyre? Zhgënjim dhe ikje.
Ndoshta
pikërisht, për këtë arsye ata po ikin, sepse kanë folur ashtu siç flitet, me
votë, por politikagjat këtyre 9 viteve ua ka marrë frymën, ua ka shuar zërin,
ua ka nxirë jetën. I kam parë sytë e trishtë të një “mërgimtari” të cilin e
kasha komshi në zyrën time të sapolarguar teksa më thoshte: “Shqipëria, druaj
se nuk ka më nevojë për ne, misioni ynë, misioni i brezit të viteve ‘90, kam
frikë se ka përfunduar, ky vend nuk na ndihmoi e nuk na dha aq shumë sa ne i
dhamë, nuk na deshi aq shumë sa ne e deshëm. Tani na duhet të mendojmë për
shpirtin tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”. E teksa ata shkojnë e
përsëri do të shkojnë, gjithkujt duhet t’i buçasë në vesh trishtimi i tyre tek
flasin, heshtja e tyre tek qajnë e mallëngjehen. E ardhmja e tyre, pa dyshim,
që do të jetë më e mirë, ndoshta dhe e shkëlqyer, po për jetën e atyre që do të
mbesin në këtë vend, po për fëmijët e të rinjtë e këtij vendi, ç’të ardhme
vallë do të ketë? Por edhe duke ikur, ata po flasin, edhe duke ikur heshtja e
tyre flet më shumë se sa të gjithë ne që kemi ngelur në këtë vend. Mbetet
detyrë urgjente e politikës ta kuptojë e ta dëgjojë, por edhe e gjithë
popullit. Perikliu, kryetari i madh i Athinës, teksa mblidhte një ditë popullin
rreth atyre që kishin mbetur nga lufta e Peloponezit, me një zë të përmallshëm
pat britur: “Ky vit e bjerri pranverën e vet…”. Duke e ndjerë thellë gjëmën e
dhimbjes së tyre më jepet me ofshajtë edhe unë kështu: “Shqipëria po e bjerr
pranverën e së ardhmes së saj”. Vetëm se duhet t’ia vërë mendjes mirë populli
kësaj gjendje, se me bjerrë pranverën e fuqive të veta është shuplaka më e
rëndë që ai mund t’i bëjë një shteti, një vendi, duke i sjellë ndërkaq më të
rrezikshmin varfërim. Kurse, ndaj ju të gjithëve që keni për detyrë kujdesin
dhe drejtimin e këtij kombi, do të doja t’iu ulërija: “Përmbusheni deri në fund
detyrën tuaj, duke e ruajtur këtë popull prej trandjes së emigrimit”.
https://www.facebook.com/nkulla