E merkure, 28.09.2022, 07:19 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Don Marin Shkurti

E hene, 11.07.2022, 08:25 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 46, Zamak i Flamurit Kastriotit …

DON MARIN SHKURTI

Don Marin Shkurti asht Martiri i Tretë i Kishës së Dajçit Bregut të Bunës.

Don Marin Shkurti ishte i datëlindjës 1933.  Emnohet famullitar në Dajç, ku më 8 dhetor 1961 thotë meshën e parë. Shërben në Stajka deri në vitin 1967, kur mbarë Shqipnia perfshihet në “Revolucionin Ideolugjik Kultural”.

Shtëpijat e atyne krahinave janë përgjithësisht prej gurit. Kjo mundet me kenë edhe një prej shkaqeve që edhe Burrat atje, kanë karakterin e fortë.

Ndersa, tek veshjet e grave gjithshka asht origjinale dhe e papërsëritëshme edhe në vendët tjera të Evropës. Ngjyrat dhe kombinimet e shumta të sajat tregojnë mendimin artistik të krijuesve shqiptarë t’ atyne krahinave. Ndoshta, një studim i plotë i kësaj veshje do të nxirte në pah edhe një vlerë tjetër të madhe të kostumit shqiptar, përveç, xhubletës së malësorëve të Veriut dhe jepanxhës së grave katolike të qytetit të Shkodrës. Këta objekte janë gurrat prej kah arti i veshjës buron përjetësisht tue i shpjegue me vepra mbarë botës së qytetnueme se shqiptarët, nuk janë bisha malësh, por janë pjesë e pandame e botës qytetnueme Evropiane, e lanun me dashje në skam, vorfni e ngatrresa nga vetë Evropa dhe qeverisjet ballkanike.

Kjo botë më rrëthonte kur isha i vogël pa mbushe 5 vjeç, tek daja Don Kolec Prennushi, famullitar i paharrueshem në Dajç të Bregut të Bunës.

Nder ato zona u ka ardhë hakut përmbytja dhe tërmetët. Në vitin 1949 dhe 1979 pothuej, dy herë këta fshatra janë rrafshue me shumë viktima në njerzë. Kishat dhe shkollat ishin në të gjitha katundet, madje, edhe të vjetra. Ma e vjetra asht Kisha e Shirqit, një fshat afër Dajçit. Në Dajç edhe fshatarët pleq njihnin shkrim e këndim. Fëmijët kanë ndjekë shkollën me qejfë edhe pse shumë shtëpi ishin ngushtë nga ana ekonomike. Dëshira për mos me mbetë çobaj ishte e madhe. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luejtë kleri. Mbas vitit 1950, kur atje vdiq Don Koleci, atje ishte Prift Don Dedë Malaj, Ky meshtar me një kulturë të mirë dhe të formueme në Romë, ra viktimë e qëndrimit burrnorë ndaj mospranimit të nënshkrimit të Statutit në vitin 1951, dhe në vitin 1959 u pushkatue. Ishte bashkëpunëtor e vazhdues i denjë i qëndrimit të Don Kolec Prennushit ndaj kësaj çështje. Mbas Don Dedës, përgatitët për meshtar nga Imzot Ernesto Çoba dhe shugurohet prej tij në dhjetor të 1961, fshatari nga Samrishi Don Marini.

Asht i vertetë piksynimi i Imz Çobës per shtimin e elementit të rij si dhe, gjetja e pershtatëshme e këtij elementi të traditave shekullore Shqiptare.

Veprimtaria e Tij u shtrij deri në thellsitë Malore, tue mos u gabue në këte pergjedhje të mrekullueshme, e cila kje vertetë një mrekulli i Shek. XX.

Në vitin 1967, Kleri akuzohet se kryen vepra të ndalueme “antikushtetuese”, pagëzon fëmijë, kunorëzon të martuem, vojon të sëmurë. Fillon ndjekja dhe survejimi. Sinjalizohet për arrëstim edhe Don Marini, dhe më 14 nandor 1968, arratiset me gjithë farë e fisin në Jugosllavi, tue pre Bunën përballë shtëpisë ku ishte lindë në Samrishë. UDB-ja jugosllave bie në marrëveshje si gjithmonë me Sigurimin e shtetit shqiptar dhe mbas pak ditësh që arratiset, priftin bashkë me të gjithë njerëzit e familjës e dorëzojnë në duert e katilëve të Sigurimit shqiptar, më 17 nandor 1968.

Torturohën mizorisht të gjithë. Dosja përmban edhe një proçes të gjatë ku Don Marini, kërkon me shfajsue një nuse të vëllaut të tij, e cila ishte shtatëzanë, së cilës nuk i kanë tregue se ku po shkojnë për mos me rrezikue jetën e sajë. Hetuesi nuk merr parasyshë asgja edhe pse një mjek i maternitetit lëshon raportë për mos ndjekje penale të kësaj grueje derisa të lindin. Ajo dënohet 10 vjet burg dhe lindi fëmijë në Sigurim të Shkodres.

Me datën 5 mars 1969, trupi gjykues i përbamë nga Kryetar Jorgo Dhroso; anëtarë, Xhemal Gramshi dhe Gita Baci; prokuror Kostaq Shandro, hapin gjyqin kundër “armikut të popullit, tradhëtarit të Atdheut” Don Marin Shkurti me familjen e tij prej 17 vetësh, dhe mbyllin dosjën me vëndimin, për Don Marin Shkurtin, me vdekje, me pushkatim. E nëse analizojmë sot vendimin e gjykatës së Shkodres “del haptas urrejtja per Klerikun e pafaj!”

Pjesa ma e madhe e familjës dënohet mbi 10 vjet burg. Mbi 20 vjetë dënohen të katër vëllaznit e tij. Vëndimi i dhanun për ekzekutimin e Don Marinit nuk u ndryshue as nga Gjykata e Naltë, as nga Kuvendi Popullor. Në fjalën e fundit Don Marini tregon se, arësyeja e arratisjes ishte pamundësia me shërbye në punën e tij shpirtnore si meshtar mbrenda Shqipnisë, dhe frika e arrëstimit për shërbimet fetare që kishte krye. Don Marin Shkurti nuk ka as veprimtari spijunazhi, as shërbim në favor të një shteti të huej. Në tri ditët e mbajtuna në Jugosllavi ai nuk asht pyet dhe as nuk ka dhanë ndonjë informatë ushtarake në dam të Shqipnisë, atëherë, pse u pushkatue Don Marin Shkurti?

Ai deklaron: “ Kur isha fëmijë tue pa figurën e priftit tonë Don Kolecit, kur vdiq Ai, mue më thirri një za: Marin, katundët janë pa Prift! Shkova tek Don Deda dhe i tregova dëshirën por, dhe vëndimin që kishe marrë. Ai më tha: Edhe pse ndoshta mund të burgosin dhe të torturojnë si Don Kolecin dhe Meshtarët tjerë, mos u tremb! Forca e Krishtit asht ma e madhe se e djallit, të lumtë! Unë vëndosa me u ba Prift dhe jam i lumtun që po vdes për Fenë e Krishtit! Mësimet që kam marrë nga Don Deda, për mue janë kenë aq të mëdhaja sa e tham pa frikë, Ai më ka mësue me vdekë si ka vdekë Ai vetë!”

Vendosmënia e Don Marin Shkurtit ishte një provë e gjallë e deshtimit të plotë të politikës antikombtare ngaj Popullit Shqiptar. Asht folë e shkrue vetem per “suksese të PPSh”, po e verteta e deshtimeve të programeve të saja dihet dhe njifet mirë jo vetem nga Populli Shqiptar, po edhe Europa!

Që Shqipnia asht Shteti ma i padiskutueshem i kontinentit Europjan, këte e dijnë mirë të gjithë, por tashti koha nuk pret ma: Europë hapi dyert!

Thanja e Shen Papës Gjon Pali II: “Europa duhet t’a dij se ajo që ka ngja në Shqipni, shqiptarë të dashtun, nuk ka ngja asnjëherë në histori!” (1993), asht shpjegimi ma i sakti që tregon se kush kje dhe kush asht ky Popull, per të cilin fliste i madhi Gjon Pali II, dhe lutej per Te Nanë Tereza?

Dhe mbylljen e materialit këte herë do t’ ja japin Don Marin Shkurtit:

“Ju, mendoni se me këtë “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por, mos harroni, se gjaku i jonë që derdhët tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e Kishave, ai prap do ti rindërtojnë këto Kisha, që ju po prishni!”

E koha provoi ate që tha Don Marin Shkurti! Fjala e Tij para pushkatimit jo larg prej asaj kohë u ba realitet! Ky ishte Martiri Don Marin Shkurti!

Don Marin Shkurti asht Zamaku i Tretë i Kishës së Dajçit Bregut të Bunës.

Melbourne, 11 Korrik 2022.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora