E premte, 23.04.2021, 02:22 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha II)

E shtune, 20.12.2008, 05:04 PM


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

Takimi i dytë me Berishën

Në shtator 1997 vdiq Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë. U caktua një delegacion i përbërë nga Presidenti Meidani, zv/kryeministri Fino dhe unë si deputet. U nisëm nga Tirana në Zyrih dhe prej atje direkt e në Bombei të Indisë. Më pas drejt e në Kalkuta. Morëm pjesë në ceremoninë e varrimit të Nënë Terezës. Në momentin e ceremonisë së varrimit ku kishin shumë kryetarë shtetesh ndodhej edhe zonja Hillari Klinton nga fundi i sallës shikoj Berishën. Po bënte pak zhurmë me një polic indian ,pasi nuk e linte të dilte ndër rradhët e para , ku ishte delegacioni ynë zyrtar. Më në fund arrin tek ne. Por nuk kishte karrike . Atëhere ngrihem nga vendi dhe ia liroj ish-presidentit tim , pushteti i të cilit më kishte djegur gazetën. Ulem në një karrike bashkë me një nga pjestarët shoqërues të Presidentit Meidani. Saliu ulet , më jep dorën dhe nuk flet. Kurse pas ceremonisë së varrimit ne morëm udhën për tu kthyer.Ishim me linjën ajrore Kalkuta- Bombei- Zurih , kurse Saliu në linjën Kalkuta- Bombei- Frankfurt- Tiranë. Për dreq në dhomen VIP të aeroportit takohemi me Berishën. Meidani, Fino dhe unë ishim ulur e po pinim nga një kafe, kur në cast hyn vrullshëm, pa e ditur se jemi ne aty, edhe Saliu . Nuk po dinte të ulej. Mbeti për pak minuta në këmbë. I hodhi një veshtrim gjithë inat Meidanit dhe Finos.

-Hajde Doktor këtu !- i fola dhe u ngrita.

-Falemenderit Lesi !- tha dhe mori një gazetë e cila ishte në gjuhën indiane. Vetëm e vetëm që të mos e shikonte në sy Meidanin dhe Finon që i kishte pesë metra përballë të ulur hapi gazetën indiane dhe bënte sikur lexonte.

-Doktor ! Është në gjuhën indiane gazeta ! – e ngacmova .

-Po shoh fotografitë !- u përgjigj me një inat që vetëm unë e ndjeja.

-Po iki ! Me erdhi avioni – tha dhe u ngrit me vrik. Një çantë e madhe e zezë e anonte trupin e tij stërmadh. Mu duk fyese që ish-presidenti im të mbante vetë një çantë që ia daraviste dinjitetin e një burri Shteti. Një mendje me vinte e një më shkonte vetetimthi që të ngrihesha dhe ta merrja unë. Në fund të fundit ka qenë ish-president Republike, mendova.

-Ma jep mua çantën !- fola dhe ia mora pa e pyetur. E shoqërova gjer tek shkallët e avionit. Kur u ktheva me thumboi Bashkim Fino.

- Ty duhet me të djegë gazetën që të kesh mik !- dhe ktheu kokën duke qeshur nga Meidani .

-Ia mbajte valixhen atij që të dha dajak pesë vjet !- prapë fliste e nuk pushonte Fino. Ai nuk pushonte duke me thumbuar dhe në avion gjer në Tiranë. Bile e tregoi si barcaletë në kafenë e parlamentit sapo u kthyem, natyrisht duke e hiperbolizuar tregimin e tij për valixhen e Berishës. Unë prapë do t’ia mbaja valixhen ish-presidentit tim. Në Shqipëri mund të grindesh, por jashtë shtetit duhet të jemi vellezër me njeri tjetrin. Kushdo qoftë!

Heqja e imunitetit të Berishës

Fill pas ngjarjeve të rremujshme të 14 shtatorit 1998, ku turma e PD-së hyri e dogji kryeministrinë, parlamenti shkoi drejt votimit për heqjen e imunitetit të ish-presidentit Berisha. Për arsye sigurie punimet e Kuvendit ato ditë zhvilloheshin në katin e katërt të selisë së Kuvendit, dikur salla e Plenumeve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Isha deputet i pavarur, ndonëse PS-ja më kishte lënë zonë të lirë në Lezhë. Por faktikisht në atë zonë në Lezhë ishte e vështirë të fitoje dhe më përkrahjen e PS që vinte si fitimtare pas 29 qershorit 1997. Fitova në saj të autoritetit absolut të gazetës “Koha Jonë”. PS-ja kishte interes për autoritetin e gazetës dhe më kishte kandiduar, ndonëse nuk dinte se pavarësia ime mbetet edhe sot e kësaj dite që jam një drejtues partie politike. Mbi dinjitetin tim personal nuk pranoj as Nanon e Berishën, por as të dy bashkë. Kështu kam lindur dhe kështu do të vdes; pavarësinë kështu e kam mësuar, ndonëse një mik i imi Armand Shkullaku më thotë se “ kjo pavarësia jote është luftë e përhershme më këdo që është në pushtet !”. U futa në politikë duke u zgjedhur deputet edhe për një motiv që ende sot nuk e shpjegoj dot, bile nganjëherë as vetë nuk e besoj, pa le të tjerët. Kisha parë “baballarët e kombit”, siç quhet me ironi deputetët nga salla e gazetarëve dhe pyesja veten se “ çfarë bëjnë në sallë ?”. Dhe hyra edhe unë tek “baballarët e kombit”. Ç’të shikoje ! Në Kuvend janë edhe e mira , edhe e keqja, edhe mafia, por edhe droga; edhe korrupsioni , por edhe përkushtimi. Nuk ka nevojë prokurori i Përjgithshëm të shkojë gjetiu për të vënë pranga. Vetëm në parlament ai e realizon planin 200 për qind !

Nejse. Skender Gjinushi ishte kryetar Parlamenti . Sapo Tirana ishte akoma nën tym e shkatërrim nga djegiet që u bënë në kryeministri me 14 shtator. U zgjodh komisioni i votimit për imunitetin e Berishës. Me një dinakëri Gjinushi më propozoi mua si kryetar komisioni të votimit. Në momentin që mbaroi votimi dhe para se të hap kutinë për të numëruar votat e fshehta, më vjen Gjinushi.

Nuk ka rendësi se çka brenda në kuti. Nxirri të gjitha kundër Saliut !- tha dhe iku në sallë. Nuk më la kohë as ti ktheja përgjigje. Me hipi inati për këtë metodë të cilën nuk e pranoja brenda meje. Si ti çoja nervat atij dhe disa socialistëve militantë dhe antisalistë të tërbuar merrja fletën e votimit, e ktheja nga salla dhe media dhe më pas thoja siç ishte votuar. Natyrisht që salla do t’ia hiqte imunitetin, pasi kishte me shumicë socialistë, por nuk donin që të dilte se dhe brenda rradhëve të PS mund të kishte ndonjë votë proSaliut. Kishte vota që nuk ishin dakort me heqjen e imunitetit dhe i lexova. Gjinushit kishte ulur kokën dhe sa herë e ngrinte me shikonte me inat sikur donte të më hante. Në fund donin të ndryshonin process verbalin nja dy anëtarë të komisionit të votimit , por iu thashë se nuk e firmos. U frikësuan dhe pranuan. Sapo mbaroi numërimi dhe dolëm për të ikur Gjinushi më ofrohet i shoqeruar nga truprojat.

- Me ty nuk ka marrëveshje ! Ti duhet të kesh Saliun President që të djegi prapë!- foli dhe ngrysi vetullat e trasha .

-Ik ore na lerë rehat!- ia ktheva dhe në sekondë më shikojnë me tersellëm nja dy roje të kryetarit të parlamentit. Ika. Gjinushi në zyrë, unë në shtëpi. Saliut iu hoq imuniteti. Nganjëherë më vinte brenda vetes që të merrja hak kundër Saliut. Por ndergjegja nuk më lejonte të bëja të njëjtën gjë që kishte bërë pushteti i tij. Dhe duhet pranuar se ndër vitet pas ’97 isha jashtëzakonisht i rëndësishëm në qarqet politike. Por, nuk doja hakmarrje. Nuk ma bënte zemra . E mendoja krejt ndryshe demokracinë . E doja si në Europë . Ndaj luftoja, por vonë kuptova se me këtë klasë politike Shqipëria do të kishte ndalesa për aty ku endërronin gjithë shqiptarët. Megjithatë kjo klasë politike ishte nëpër kembë e nuk largohej mënjëherë. Brezi i ri në politikë që po lindte nuk lejohej nga liderët e vjetër për tu rritur e marrë fatet e vendit në dorë. Nuk ishte vetëm luftë brezash, por dhe luftë mentalitetesh.

Edhe donte, edhe nuk më besonte!

Gjatë viteve 1997-2001 në parlament sa herë bëja ndonjë rrëmujë parlamentare kundër ministrave të qeverisë socialiste, të cilat i shkonin për shtat Saliut ai mundohej të më jepte përkrahje dhe miqësi, por prapë nuk besonte. Unë në të vertetë i kritikoja ministrat për fakte konkrete korrupsioni, dhe nuk e bëja për Berishën. Kisha bindjen së më mirë “sherr” në parlament dhe publikim faktesh korruptive sesa të rrish në parlament pa folur. Natyrisht që Saliut i interesonte lufta ime . I përdorte herë pas here faktet dhe dokumentat që publikoja kundër ministrave. Pa “ të drejtën e autorit”, por gjithsesi ai dilte në konferencë shtypi në PD dhe thoshte po ato gjëra që unë kisha folur në Kuvend. Por fuqia publike e Saliut ishte ku e ku më mua. Ai ishte lider i opozitës. Edhe më jepte dorën në koridor, por nuk më shikonte në sy. Fliste , më lavdëronte, por kurrë në sy nuk më pa njëherë deri nga qershori i vitit 2002. Kur erdhi puna për vota për Presidentin e Republikës , pasi mbaronte mandati i zotit Meidani më ofrohej , më vinte dorën në sup dhe qeshte. Ishte gazmor. Nuk e dija se edhe qeshte ky njeri apo bënte shaka! E kisha përfytyruar gjithnjë serioz dhe duke bërtitur. Asokohe isha zgjedhur kryetar i PDK së Shqipërisë. Berishës i duhej çdo votë. Na thirri kryetarët e partive aleate në kryesinë e Kuvendit. Ishte verë e nxehtë. Kishte ardhur me kemishë. Zakonisht nuk e ndan xhaketën nga vetja. Më ftuan edhe mua për herë të parë dhe zyrtarisht si PDK e cila kishte qenë aleate e PD ndër vite, ndonëse me oshilacione të vogla. Ishin Berisha, Mediu, Pollo, Shehu, Laço, Spahija dhe unë. Më duket se ishte dhe një tjetër, por nuk e mbaj mend. Ishte dhe Preç Zogaj pa status politik. Folën sejcili për emrin e ri të presidentit. Dikush jepte një emër, dikush një tjetër. U bë rrëmujë.

Ah ! Zoti Lesi na jep një emër që ta propozojmë – tha Berisha. Të gjithë shikonin herë Saliun, herë mua. Dy armiq ishin bërë miq! Ç’ti thoja, ndërkohë që ai dhe Nano e kishin ndarë mendjen se për cilin. Ndaj ne ishim gur në fushën e shahut të tyre.

- A di çfarë mendoj unë – mora fjalën dhe po prisja reagimin e Fatmir Mediut, që siç më thanë nuk kishte dashur të vinte PDK në këtë mbledhje.

- Nëse ke emër të shkëlqyer do ta propozojmë !- ndërhyri Saliu. E dija se sapo vinte nga takimi me Nanon dhe e kishin ndarë lojën me njeri tjetrin. Donte të na thoshte se iu pyeta pa na pyetur realisht ndaj mënjëherë u përgjigja:

- Ç’na lodh kot ! Na jep emrin që ke vendosur me Nanon dhe ta mbyllim këtë histori .

- Jo jo ! Na duhen mendimet tuaja !- prapë ndërhyri Berisha. Ishte aktor i madh. Edhe e kishin paravendosur me Nanon, por gjoja e donte nga goja jonë ! Kjo është politika !

- Mirë, mirë ! Ke ndonjë emër ti Teodor ? – iu drejtua vrik Teodor Laços.

- Alfred Moisiu !- tha si ta kishte në majë të gjuhës.

- Të lumtë ! Emër i shkelqyer. Njeri shumë i mirë. Ky të jetë President !- e vendosi Saliu a thua se na kishte pyetur. Alfred Moisiu ishte emri që kishin rënë dakort paradite Nano dhe Berisha në takimin e fshehtë mes tyre. Teodori ishte porositur që ta propozonte. Ne e miratuam si propozim të opozitës !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora