E hene, 17.05.2021, 12:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Marin Sirdâni: Në çka fajësohet Skanderbegu? (I)

E hene, 15.12.2008, 10:31 PM


Në çka fajësohet Skanderbegu?

Nga Marin Sirdâni

Pjesa I

Ndër vepra të ndryshme që flasin mbi Skënderbegun, pos punve të çuditshme t'atij kreshniku përnjëmend të pashoq, bien në sy edhe disa punë që nuk pajtohen me nji “Athleta Christi” e “Defensor Fidei”. Kundrohen disa sende, due me thanë, të cilat lypin zhvillim për të kuptue mirë shkaqet e rrethanat që e nxiten at farë burrit me veprue, në disa raste, në nji mënyrë jo fort të knaqshme.

Barleti, fjala vjen, e shkrimtarë tjerë t'asaj kohe, diftojnë se ky, për së vogli, iu shtrue ritit të cirkoncizjonit (te bamit synet), e kur iu mbush mendja me kthye në vendlindje, mbyti kanceljerin e Sul1tanit, e në Krujë, mishketoi ushtrin turke që gjindej n'at qytet. Këtyne, u shton Gjon Muzaka, princi i Myzeqesë, se ai [Skenderbeu] i ndau të motrën, Zanfinën, të martueme me Karl Muzak Topinë, edhe se i rrëmbeu krahinën e Tomonishtes. Biemmi, mandej, i ven faj pse s'dijti kurr me u ngij me lufta.

Po këto ngjarje që u përmendën më sipër, biografët e Skënderbeut nuk i bien aq qartas, a ma mirë me thanë, nuk i bien krejt njinji; tuj lanë pa përmendë kush nji rrethanë e kush nji tjetër.  Kështuqë, po s'i përqasi lexuesi me vëmendje njanin me tjetrin [thanjet e autoreve per Skenderbeun], ndahet shpesh me nji kuptim të mangët të ndodhes. Për të mos u lanë pra, deri ku të jet e mundun, vend këtyne dyshimeve, si edhe me lehtsue punën e atyne, që dëshirojnë me pasë një ide sa ma të qartë mbi këto ngjarje, po parashtrojmë këtu poshtë rrjedhjen e zhvillimin e tyne, per me e pa ashtu se sa faj mundet me iu vu Skënderbeut për të tilla akte.

Qysh në luftën e Kosovës, 1389, princat shqyptarë e panë qartas rrezikun që u kanosej prej anës së Turkut. Per me i dalë punës përpara, njani mbas tjetrit, kërkuen përkrahjen e Republikës së Venedikut, e cila ishte shteti ma i fuqishm që kishin për qark. Me këtë u lidhën, e këtë e njoftën per kryezotneshë.

Por këtë herë nuk u shtynë Turqit ma thellë përmbrenda kufinit të Shqypnis, pse u qiti trazime mbreti i Tartarvet, Timurlengu. Mbasi kryen punë me atë mbret, u kthyen rishtas, në vjetin 1410, me vijue në mposhtjen e Ballkanit.

Venediku, prej friket mos të bjerrte tregtinë n'ato vise, u mor vesh me Sulltanin, e në muejin e Frorit t'atij vjeti, u lidh t'i paguej nji tribut per vendet që zotnojte në Shqipni. Princat shqiptarë atëherë, të lshuem doret prej asaj Republike dhe mbasqe prej ngatrresave të përparshme nderveti nuk u bahej me u bashkue tok në një e me i ba ballë Turkut, u ngushtuen të njohin sipraninë e Sulltanit, kush tuj u lidhë me i pague tribut, kush tuj i shkue në ndihmë me ushtri, e kush tuj pranue ushtrinë e tij ndër kështjella. Kshtu u pajtuen me te sa me shpëtue prej atij rrezikut iminent, se në praktikë ia luejten lojën shoqi shoqit [turqit e shqiptaret] sa herë i panë gjasen qysh në fillim.

Megjithkëtë, disa princave, iu duk poshtnim me hy në gojë të Turkut pa i ba fije kundërshtimit, prandaj s'vonoi e krisi lufta. Njani ndër këta, Gjon Kastrioti, princi i Krujës, luftoj trimnisht të thuesh krejt at vjetë, 1410, por së mbramit fuqia e madhe turke e lodhi ushtrinë e vogël të tijën e iu desh me lypë paqë. Sulltani, i egërsuem kundra Gjonit për kundërshtim që i bani, nuk u mjaftue të ndreqej me të, vetëm të njihte sipraninë e tij tu i la një tribut, por për siguri se do t'i mbetëte besnik, i lypi peng edhe njanin ndër djemtë. Gjon Kastrioti, per mos me humbë vedin e vendin, i pranoi ato kondita. Për këtë ngjarje, bajlozi i tij ne Venedik, e lajmon Senatin se Zotnia e tij u ngushtue t'i japi të birin peng Sulltanit: "Ipsum esse astrictum a Turchis et habere proprium natum in obsidem apud eos (l).

Se i cili ndër të katër djemtë e Gjon Kastriotit u dha peng këtë herë nuk dihet me siguri, por nuk ka fije gjaset se qe Skenderbeu; permateper, mund të thuhet me shumë arsye, se ky n'atë vjetë nuk kishte le ende. Por edhe t'ishte qenë i lemë, s'asht për t'u besue se tuj pasë Gjon Kastrioti katër djem, do t'i epte peng Sulltanit shi ma të voglin djale, krejt foshnje.

Mbas një dokumentit të manastirit të Hilandarit, para vjetës 1421, Gjon Kastrioti me tre të bijt Reposhin) Konstantinin e Gjergjin) blen prej atij manastiri, në Mal Shejt, kullën e Shën Gjergjit; e me 1421, i njajti princ me të katër të bijt, Stanishin, Reposhin, Konstantinin e Gjergjin, i falë atij manastiri fshatet Radostina e Trebishta (2)

Prej këtij dokumenti duket se Stanishi, që mungon në blemjen e kullës, qe ai që u dha peng në vjetën 1410; e prej faljes së fshateve kuptohet se, me një mënyrë a me një tjetër, ky u kthye ndermjet vjetve 1410-1421; e se Gjergji deri n'at vjetë s'ishte qënë i dhanë peng, por gjithandej te prindja e vet.

Se ç'vjetë u dha peng Gjergji nuk mundet me u caktue lehtas. Për shkak të luftave të shuma që i takoi Gjon Kastriotit me ba kundra Turqve, që më 1407 e deri 1430, historjanët e asaj kohe ndërlikojnë përfundimin e njanës me tjetrën, e shpesh ngatrrojnë edhe emna e data. Me siguri veç dihet se të paktën tri herë Gjon Kastrioti qe thye prej Turqve, e se të tria herët qe shtrëngue të bajë paqë me kondita të randa. Në njanën ndër këto paqe qe shtrëngue t'i japin në peng besnikrie të katër djemtë Sulltanit, e ky u lidhte me i lanë të lirë në fenë e krishtenë e me i rritun mbas gjendjes që u perkitëte; e mbas dekës së tij, me dërgue njanin të marrë rendin e princnisë së Krujës. Këtë e dëshmojnë të tanë historjanët e asaj kohe, por nuk bien në godi për vjeten e kësaj ngjarje. Barleti e zen të ndollun në vjetën 1412; Lavardin e Biemmi me 1413; Anonimi i Sansovino-s e Dhimiter Frangu me 1415; Hahn e Hopfme 1410; Hammer, Paganel e Fallmerayer me 1423. Mbas Biemmit, Pisko-s, Hahn-it e Hopf-it i mori peng Sulltan Mehmeti I; mbas të tjerve i mori Sulltan Murati II. Fan Noli (3) në historinë e vet, e zen të ndodhun nën Sulltan Muratin II në vjeten 1421, e duket se ka arsye të plotë.

Këtu e shoh me udhë me iu shmangë vijimit të kallximit të nisun, për arsye se prej vjetës së kësaj ngjarje, në të cilën Skënderbeu ishte tetë a nandë vjeç, rrjedhin shumë gabime kronologjike në historinë e tij. Po i përsëris pra argumentat që qet Fan Noli per me provue aserten e vet, të cilat, kishe me thanë, se janë të mjaftueshme per me u sigurue mbi këtë pikë.

Mbasi dokumentat e manastirit të Hilandarit, që cekëm më sipër, nuk lanë me dyshue se perpara Shtatorit, 1421, Gjergji Kastrioti nuk u dha peng, e tuj u ditun se ai kur u dha peng s'qe veç tetë a nandë vjetësh, e se në vjeten 1428 ishte në një gradë të naltë n'ushtrin turke (4), s'mundet me pasë ndodhë ajo ngjarje shumë kohë mbas asaj vjete. Laoniku e Phranza, ngjitas me rrethimin e Belgradit të vjetës 1421, diftojnë edhe një disfatë të Gjon Kastriotit prej anës së Sulltan Muratit II. Laoniku, thotë se Gjon Kastrioti u thye edhe u shtrëngue me i shkue me ushtrinë e vet kudo të kishte luftë:" Interea Ivanes victus ibat injanuas regis, eumque sequebatur quocumque cum copiis militatum abisse (5); "Phranza thotë se Sulltan Murati II e mundi të thuesh shqimit Gjon Kastriotin: "Et Johannen Castriotam plane si bi subjecit (6)."

Sa pse njimend Gjon Kastrioti në vjeten 1421 ishte i ngushtuem me u lidhë me Turk e provon edhe fakti se Republika e Venedikut, nji vjet mbas, ne vjeten 1422, dërgoj një ambasador të veçantë te ai për me ia mbushë menden t'a prishte aleancën që kishte me Turk (7)

Tuj qenë pra, se para vjetës 1421 Gjergji nuk u dha peng; e shi n'at vjetë i ati, Gjon Kastrioti, u ngushtue të lidhë aleancë me Turk, të cilën mbas një vjetit, 1422, mundohet me e prishë Republika e Venedikut; e se ky, i dhanun peng nandëvjeçar, ishte në një zyrë të naltë ushtarake në Turqi në vjetën 1428; duhet me thanë, se pengzimi i tij, ndodhi në vjeshtë a në dimën të vjetës 1421. Me kaq po kthejmë në kallzimin e këputun.

Historjanët e treguem më sipër na diftojnë edhe se Sulltan Murati II, porsa i pati afër vedit të bijtë e Gjon Kastriotit, prishi besën e dhanun: me lanë të lirë në besim, e i shtrëngoj t'i shtroheshin ritit të cirkoncizjonit [I detyroi me dhune me u ba synet]. Por mbasi këtë ngjarje nuk e bien njësoj biografët e Skenderbeut; për mos me shkue tuj përsëritë të njëjtat shprehje, po citojmë vetëm ndonji ndër ta, sa me pa ndryshimin që kanë në këtë kallxim.­ Barleti thote,“Deducti ad Ottomanum adolescentuli,, priman perfidiam ejus in eo sensere, quod abjecta, quae eorum parentibus praestita erat, fide, circumcidi Mahometano ritu illico jussi su nt.” (8)  “Dhimiter Frangu thotë se, “Lo fece circoncidere in quella pueritia et porgli nome Scanderbeg”. (9)  Gjon Muzaka e bjen kështu,  “Lui si chiamava Giorgio Castrioto, ma quando si fe Turco, chiamarono Scanderbeg”.(10)

Pra, prej çka u shenue tashti ma sipër, nuk rezulton qartas, a i shtrëngoj Sulltani me u cirkoncidue [ba synet] të katër të bijtë e Gjon Kastriotit a por njanin. Barleti me një palë thotë se të katërt, po Dhimiter Frangu, Gjon Muzaka e të tjerë përmendin vetëm të voglin, Gjergjin. Ka gjasë se Sulltni, la m'anësh tre djemt e parë, pse ma të rritshëm, shtrëngoj të mbramin ti shtrohej cirkoncizjonit, me mende se tuj qënë ai kaq i vogël, e prandaj i pa forcuem në fenë e krishtenë, do t'iu rranjoste lehtas në zemrën e njomë të tijnë besimi i ri.

Dhimiter Frangu, (11)  mbasi difton gzimin që çfaqi Sulltani kur i pat para të katër djemtë e Gjon Kastriotit, thotë se i çuditun ky tuj kundrue bukurinë e cilsitë e jashtzakonshme të Gjergjit, tetëvjeçar, ndau me vedi mos me ia kthye ma t'et, por me e rritë në kurtin e vet, e prandaj bani me e cirkoncidue n'at moshë të re e ia ngjiti emnin Skënderbe.

Ky kallxim i Dhimiter Frangut, se vetëm Gjergji u cirkoncidue, forcohet edhe prej dy fakteve që po citojmë këtu poshtë.

Në Korrik, 1428, Gjon Kastrioti njofton Senatin e Venedikut me anën e bajlozit [ambasadorit] të vet, At Dhimitrit, se nuk ishte përgjegjës, po qe se i biri i tij, që ishte kthye ne muhamedan, shkel tokë t'asaj Republike. Senati i përgjigjet se do ta marri para sysh at punë, por i lutet Gjon Kastriotit të përdori influencën e vet atnore pranë të birit, që Skenderbeu mos të trazoj viset e Republikës. (12)

Në këtë kohë edhe të tre vllazent e Skënderbeut ishin në zyra të nalta ushtarake; por a pse s'kishin aq zotsi, a por pse s'u besojte Sulltani, nuk i dergojte me kryesue ushtrinë ndër luftra. Barleti, kur difton se Sulltan Murati II bani Skënderbeun Sanxhak, thotë se edhe të vllazent i gradoi me të tilla nderime: “Coeteri quoque fratres iisdem omati dignitabus” (13)

Ma vonë, më 10 Korrik 1439, Gjon Kastrioti, të cilin Senati i Republikës së Raguzës e kishte ba qytetar nderit të sajë qysh në vjeten 1413, lutë at Senat t'i japi at nderim edhe të bijve. Senati e pranon lutjen për tre djemtë e parë, por për të mbramin, Gjergjin, e përjashton. Në vendim, emni i Gjergjit asht shkrue e mandej prishë. (14)

Prej dokumentit të parë duket se vetëm Skënderbeu u cirkoncidue, e prej të dytit mirret me mend se tre djemtë e parë të Gjon Kastriotit a s'qenë kurrë kthye muhamedanë, ose ishin muhamedanë sa për faqe, se me zemër ishin të krishtenë e vetëm prit shin rastin me ikë prej Adrienes e me kthye në vendlindje. Për Gjergjin, të cilin e dijshin, se për së vogli e kishin cirkoncidue, e që aso kohet dërgohej shpesh prej Sulltanit si kryekomandar i ushtrisë turke në ekspedita të ndryshme, deri kundra shteteve të krishtena, kishin arsye me dyshue për fenë e tij, e prandaj duket se Senati i Raguzës e përjashton.

Sa për Reposhin, djalin e madh, Barleti na thotë se ishte ba mungar [murg], por përpara edhe ky qe me të tre vllazent i dhanë peng n'Adriene; e se aty, u martue me një zojë turkinë e pat me të një djalë, Hamza Kastriotin. (15) Gjon Muzaka përkundra nuk e zën Reposhin të dhanun peng Sulltanit. Për të thotë se kishte qenë djalë shumë i përshpirtshëm e ishte ba mungar në manastirin e malit Sinai, ku kishte pasë jetue e dekë: "Repossio predetto Ju uomo de santa vita e se n'ando at monte Sinai e se fe frate e li morese." (16).  Kjo asertë e Gjon Muzakës dhe e disa shkrimtarve tjerë, se Reposhi nuk qe dhanë peng para se t'u bajte mungar, historikisht asht krejt e gabueme, tuj qenë se biografët e Skënderbeut, Hamza Kastriotin e diftojnë për djalë të Reposhit të lemë n'Adriene.

Të gjitha këto dëshmi të ndryshme të prume deri këtu ndoshta mund të pajtohen në këtë mënyrë: Gjon Kastrioti i ngushtuem prej Sulltan Mehmetit I në vjetën 1410, i dha në peng besnikriet djalin e dytë, Stanishin; por në vjetën 1421 iu desh t'i japi peng të katër bijt Sulltan Muratit II. Ky Sulltan, prish besën e dhanun me i lanë të lirë në besim, bani me cirkoncidue djalin e vogël, Gjergjin. Mbas ndonjë vjeti, djali i parë, Reposhi, u martue me një turkinë e pat me të një djalë, Hamza Kastriotin; por i ramë në pendim, iku në malin Sinai e u ba mungar për të shlye fajin që bani tu u martue me një turkinë. Këtu, para se ti japim fund kësaj çeshtje, vlen me u sigurue lexuesi edhe për moshën në të cilën u dha peng Skënderbeu. Mbas Barletit, porsa i kishte mbushë nandë vjet; “Vu dum enim nonum attigerat annum”. (17).  Nandvjeçar e zë edhe Lavardin: “Car a peine avoit-il attent neuf ans.”(18)  Dhimiter Frangu e Anonimët vetëm tetë vjetësh: "Fanciulo d'otto anni" (19).  Laonicus, nuk e cakton vjetin, por thotë se ishte foshnje: “Puer venit injanuas regis” (20)e Gjon Muzaka i thotë të gjithë të vegjël: “tuttipiccoli”.(21)

Tash ti tuj pasë parasysh moshën e re të Skënderbeut, tetë a nandvjeçare, e rrethanat që e ngushtuen t'i shtrohej ritit të cirkoncizjonit nuk i do zanë për një mungesë karakteri. Ai, foshnje, me at akt të padashtun, nuk u ba muhamedan në mënyrë që t’i shrranjosej prej zemrës së tij feja e të parve. Një provë e qartë se ai, edhe sa qe në pengzim, e ruajti besniknisht në zemr të vet dashninë e nderimin ndaj asaj feje, që për së vogli ia kishin pasë edukue në zemër prindja, e dëshmon fakti se ai mbajti përherë afër vedit një çetë ushtri shqiptare të krishtenë. Këtë Dhimiter Frangu, na e thotë faqe. “Haueua Seanderbeg tenuto sempre, et tuttar, a teneua appresso di se una moltitudine di Christiani fautori del pad re, li quali ad ogni hora l'ammaestrauano seeretamente nella fede Cristiana rieeuata nel Saerosanto Battesimo. (22)  I njajti thotë edhe se kur u drejtue Skënderbeu për Shqipni e përcollën treqind kalorsë shqiptarë që kishte pasë në shërbim: “ehe erano stati al suo seuitio”.( 23)  Kshtu, si ushtarë që kishin qenë në shërbim të Skenderbeut i bjen edhe Anonimi i Sansovino-s. (24)

Se pse përnjimend Skenderbeu kur ktheu së parit në vendlindje qe i percjellun prej treqind djelmoshave shqiptarë nuk mohohet prej kurrnjë historjani, po se qenë të krishtenë provohet posë prej ngjarjes që u zhvillue n'at rast në Krujë, edhe prej faktit se ditën e Krishtlindjes, pak kohë mbasi mbrrijtën, u pagzue vetëm Hamzai e disa Turq (25); e n'ushtri shqiptare, aso kohe që ende ishte dheu i jonë krejt i krishtenë, nuk përmendet kurrë ndër ta ndonjë muhamedan shqiptar.

Por jo veç çka u tregue më sipër e provon aserten tonë. Barleti na thotë se Skënderbeu për hatër t'asaj feje që besniknisht e kishte ruajt në zemër të vet, kurdo i takoj me luftue kundra të krishtenve e ndali dorën, e bani vetëm aq sa u lypte mos me ra në sy për tradhti a për ligshti. Kur në vjetin 1430 Maxhart kishin hy   mbrenda kufijve të Turkut e po shkojshin tu ba dame të mëdha, Sulltan Murati II dërgoi kundra sish Skenderbeun me nji ushtri të madhe për me ua rrudhë guximin; e aq bukur, thotë Dhimitër Frangu, dijti ky me u sjellë me ta, sa doli ngadhnyes pa i damtue faret,  “n quale in quella impresa si di porto si astutamente, et eon tanta prudenza, che intratenne gli Ungari un pezzo senza punto combattere ... Onde tenne modo eon la sua SDmma prudenza, ehe i Christianissimi Ungari, senza venire alle mani, se ne ritomasserv a dietro, et cosi riusei il desiderio suo."(26) Qysh ditën e parë mandej që kthej në vendin e vet, e per njizetekatër vjet që qeverisi princninë atnore, e diftoj faqe, me fjalë e me vepra, se nuk kishte pasë fitue kurrfarë simpatiet për Turq e për fenë e tyne (27); e tuj ndjekë me përshpirtni jetën e krishtenë,  “luftoj panda deri ditët e mbrame të jetës së vet, si një Makabe i dytë, për mbrojtjen e nderin e kombit, e për lumninë e emnit të krishtenë”.( 28)

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora