E hene, 17.05.2021, 12:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Berisha I)

E hene, 15.12.2008, 03:44 PM


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

Kapitulli i dytë - Sali Berisha

Takimi i parë me Berishën

Në dimrin e vitit 1992, ende pa ardh pranvera, shkova në zyrat e PD në rrugën e Kavajës ,afër shtypshkronjës "Mihal Duri". Në këtë shtypshkronjë shtypnim gazetën "Koha Jonë", e cila asokohe dilte dy herë në javë. Përditë përballeshim me hyrje- daljet e demokratëve, por një ditë vendosa të shkoja vetë për një intervistë për gazetën "Koha Jonë". Asokohe gazeta ishte akoma e pashpërngulur në Tiranë me zyra. Shkonim dhe vinim herë me tren dhe nganjëherë me makinë nga Lezha në Tiranë e kthim.

Hyra tek selia e PD-së. Në katin e dytë të zyrave trokita tek paradhoma e kryetarit të PD-së zotit Berisha. Gjeta dy vajza të reja, sejcila më e bukur se tjetra.

-Jam i gazetës "Koha Jonë" të Lezhës. A mund të takojë zotin Berisha për një intervistë?- thashë dhe u ula në një karrike pa pritur përgjigje. Gazeta sapo kishte fillluar të shitej edhe në Tiranë dhe në Shqipërinë e Mesme, pasi aq na mbante takati ta shpërndanim me makina. "Koha Jonë" kishte filluar me datë 11 maj 1991 si gazetë lokale e pavarur. Ishte e para gazetë e pavarur në Shqipëri. Nuk dinim se cfarë ishte pavarësia editoriale, por në mendjen tonë të fillimpunës mendonim se të jesh i pavarur do të thotë ti japësh të dyja palët në gazetë , edhe PP (PS) , edhe PD e partitë e tjera. Në atë kohë pra në vitin 1991 dhe 1992 , bilëz edhe dy vite më vonë, tregun mediatik e zotëronin gazetat partiake. Ne vinim me një gazetë , e cila mori famë pas botimit të intervistës së datës 9 gusht 1991 të Frrok Cupit, i cili ishte shkarkuar prej Berishës nga kryeredaktor i gazetës RD. Mbaj mend asokohe me Aleksandër Frangaj, Martin Leka, Alfons Zeneli, Marash Mirashin, Vera Ivanaj e korrektorin Pal Dragusha që turreshin njërëzit të blinin gazetën "Koha Jonë" në Tiranë për intervisten e Çupit që e kishte bërë fertele Sali Berishën. Me Aleksandrin, i cili mbetet një ndër miqtë e mirë në median e asaj kohe, shtypnim fillimisht me frikë 10 mijë kopje gazetë, por ajo përpihej sapo dilte. Jemi tek data 9 gusht 1991. Shtypshkronja nuk ishte rrotativë, e cila shtyp shpejt dhe shumë kopje, por ishte e kohës së "qepës". Bëmë dy ditë duke shtypur gazetë dhe veçse nxirrnim në treg. Përpihej gazeta dhe prapë urdhëronim punonjësit e shtypshkronjës për të botuar të tjera mijëra kopje.

Më këtë emër gazete isha tek paradhoma e zotit Berisha, i cili, duke qenë verior dhe aq më tepër nga një krahinë tepër malore mban tepër inat kur e kritikon. Vetëm këtu nuk ndryshon Ai !

-Është i zënë !- mu përgjigjen të dyja vajzat njëheresh. Kisha qenë tek zyrat e para të PD-së në fillim të njohjes së saj si parti , diku afër zyrave të sotme të PSD. Por atëkohë kisha takuar Frrok Cupin i cili ishte kryeredaktor i gazetës RD dhe Preç Zogaj drejtor i gazetës së PD.

-Mund ta pres ?- iu drejtova vajzës që mu duk tamam sekretare e Berishës.

-Nuk e di !- tha prerë vajza. Kujtova se kishte mbledhje të tij me drejtuesë të PD dhe prita. Kur dëgjova zërin e tij të ngritur që gërthiste në zyrë. Ohu , mendova qenka me nerva . Më mirë të vijë njëherë tjetër dhe sakaq iu drejtova vajzave.

-Paska njërëz, ndaj po iki !- fola ashtu shpenguar dhe u bëra gati të ikja për të ardhur njëherë tjetër.

-Jo , jo ! Është vetëm doktori në zyrë- mu përgjigj pa e ditur se më kishte dhënë një detaj ekselent gazetarie .

-Si vetëm ?!- pyeta , ndërkohë dëgjoja zërin e tij të ngritur "... Partia Demokratike do të shembë këtë keshtjellë të komunizmit . Ne do të sjellim Demokracinë dhe lirinë....". Vajzat ngritën supet dhe nuk dinin se si të ma thonin të vertetën. Ai kishte një miting pasdite dhe para mitingut recitonte fjalimin vetëm në zyrë për të provuar veten. Ndërkohë hap derën Berisha.

-Kush më ka kërkuar ?- pyeti

-Ky gazetari !- dhe drejtuan gishtin nga unë.

-I kujt gazete je ?- foli Saliu

-I gazetës "Koha Jonë" !- thashë mënjëherë.

-Ehë ! Hajde , futu !- e tha si me pertesë Saliu.

Hyra në zyrën e tij. Kishte një tavolinë mbledhje të gjatë. E pyeta për disa çeshtje të ditës dhe dola. E pashë se si me zor me priti sapo i thashë "Koha Jonë". I ishte kujtuar intervista e Frrok Çupit vitin e kaluar. Në numrin e rradhës të gazetës dola me titull " Berisha fliste me vete në zyrë !". Që prej atij botimi gazeta "Koha Jonë" u shpall armike e selisë blu, ndonëse qeveritë e partisë së Punës dhe asaj Socialiste i dërmuam me kritika përditë. "Koha Jonë" nuk futej më nga sekretaret në zyrën e Berishës. Ishte inatçi i madh.

1 Nentor 1995, tritol në shtëpinë time

Kishim përkrahur fuqishëm me gazetë dhe shpirtërisht ardhjen e PD në pushtet me 22 mars 1992. Por ai dreq shkrimi im për të folurën me vete të Saliut në zyrë na dërmoi fare. Në të vertetë nuk e bëra shkrimin me ironi, por përdora një fakt të vertetë ndër faktet e tjera të cilat mi dha vetë Saliu. Por PD herë merrej me PS dhe shumëherë turrej drejt gazetës "Koha Jonë" për ta mbyllur. Blerim Çela asokohe kryetar i Kontrolli të Lartë të Shteti na mbyti me kontrolle dhe kishte kërkuar ndjekje penale për mua si drejtues i gazetës se gjoja kisha botuar "gazetë të paligjshme". Inati berishian sa vinte e shtohej. Kontrolle , shantazhe, rrahje gazetarësh dhe ndjekje penale filloi me ne pushteti i demokratëve. Ç'na kushtoi shtrenjt ai shkrim i imi për Saliun ! Fillova të mësoj dyert e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Me thërrisnin në mënyrë të rregullt dy herë në javë. Vaskë Simeoni dhe Petrit Fusha ishin dy prokurorët e mijë. E dinin edhe ata se ishte hakmarrje ndaj meje nga Berisha, por nuk ua mbante ta mbyllnin çeshtjen penale. Me mua ata mbanin kalamajtë e tyre me bukë. Pas meje në prill 1993 me vendim të Prokurorisë së Tiranës kryeredaktori i gazetës Aleksandër Frangaj futet në arrest shtëpie në Lezhë për një shkrim. Pushteti filloi të lajthisë. Gazeta erdhi me zyra në mars 1993 në Tiranë dhe filloi të bëhej gazetë kombëtare. Kaluam në vend të parë për tirazh dhe u bëmë ndërkohë gazeta numër një në opinionin publik. Berishës i thonin servilët se "Koha Jonë" del vetëm me 3 mijë kopje në ditë , kurse ne realisht shitnim në ditë 35 mijë kopje. Kjo gjë në vitin 1993. Ne shkruanim kundër gabimeve të qeverisë dhe Berishës dhe çdo ditë racioni i dajakut na jepej nga shikasit e Bashkim Gazidedes. Andi Bushati , Ben Blushi, Martin Leka, Armand Shkullaku e disa gazetarë të tjerë ishin nën përgjimin direkt të SHIK-ut. Blendi Fevziu shkruante , por nuk rrihej nga SHIK-u. Ishte tiranas i vjetër ai . E njihte forcën e pushtetit. Ne akoma nuk e kishim mësuar mirë se çdo të thotë ti kundërviheshe pushtetit. Aq me tepër Berishës që kishte notat hiperbolike në popull. Në janar 1994 Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka arrestohen dhe dërgohen në qelitë e burgut të Tiranës. Akuza absurde se kishin nxjerrë "sekret shtetror" ! Ndërsa mbremjen e 1 Nentorit 1995 Zoti më shpëtoi familjen nga vdekja e sigurtë. Asokohe banoja në qytetin e Lezhës në lagjen “Gurra”. Në katin e pestë kisha një apartament një dhomë e një guzhinë. Jaraz Gjika dhe Gjon Shtjefni ishin dy komshinjtë e mijë jashtëzakonisht të mirë. Të dy kishin familje korrekte përderisa linim çelësin e shtëpisë tek njeri tjetri. Ishin shumë më të vjetër se unë, ndaj më keshillonin që “të mos ngatërrohesha me qeverinë”. Gjoni me thoshte me thoshte se “ me ujin, zjarrin dhe qeverinë nuk kruhet njeri !”. Unë me dy të parët nuk kruhesha. Me qeverinë po ! Por qeveria nuk është vetëm në Tiranë. Ajo është kudo ku ka nëpunës që paguhen prej shtetit. Siç duket gazeta ime kishte prekur segmente shumë të rrezikshme shtetrore me shkrimet e saja përderisa guxuan në orën 20.00 të vinin tritol tek dera e apartamentit tim. Atë si kur të ma ndjentë zemra mora rrugën prej Tirane ku bënim gazetën çdo ditë dhe u nisa herët. Mundet aty nga ora 18.00 e lashë gazetën në dorën e Aleksandër Frangajt dhe u nisa. Kisha një foristradë “Nissan”. Në të hyrë të qytetit të Lezhës, andej nga rruga e vjetër që vije nga Tirana për në Lezhë mu tek kthesa ku ngjitesh për në lagjen “Gurra” ndalova nja 10 minuta në një kafe. Ndofta gaboj , por në një qoshe të kafesë ishin nja pesë djem qafëlesha të cilët bënin sikur pinin ndonjë gotë dhe me shikonin fshehurazi. Njeri prej tyre ishte kontigjent krimi dhe që punonte për PD-në. Atë çast nuk ia vuri veshin pamjes dhe vështrimit të tyre. Por kur ndodhi shpërthimi i tritolit mu fanitën portretën e tyre që dolën para meje me nxitim . Mundet të jem gabim , por tritoli ishte në çantën e tyre. Si për dreq ndërrova mendje dhe nuk mora rrugën për në shtëpi, por nisa makinën për në bilardon përballë varrezave të qytetit. Nuk e luaja mirë lojën, por sapo e kisha mësuar dhe nuk më rrihej kur kisha kohë. Sa kisha filluar lojën kur vjen me vrap Arben Rrozhani, korrespodenti i gazetës për Lezhën, i cili banonte në të njëjtën lagje me mua. Hyri me vrap dhe thirri me sa fuqi kishte.

-Drejtor ! Drejtor ! Shpejt ! Ka vënë tritol tek shtëpia jote !- thirri më të madhe. Sytë mu mjegulluan. Trupi mu dridh i tëri. Mbaj mend edhe sot e kësaj dite që kam bërë një vrap të gjatë për tek dera e makinës. Pyeta Arbenin nxitimthi dhe sa nuk po më linte zemra.

Ka shpëtuar familja ime ? Di gjë ?- dhe ecja me një shpejtësi që nuk e di ç’të them. Isha marrosur krejt. E cili nuk çmendet kur ti thonë se “ të kanë vënë tritol tek shtëpia kur familja ishte brenda “? Kam marrë maloren e lagjes a thua se isha Shumaker.

-Nuk e di shef !- foli Arbeni- Di vetëm që dëgjova tek dyqani i lagjes kur thanë “ Ka vënë tritol tek apartamenit i Nikoll Lesit “. Dhe unë degjova një shpërthim të fuqishëm- vazhdoi ai. U futa në rrugën që ngjitesh për tek pallati ku banoja në një rrugë të pashtruar dhe plot gurë. Tym nxirrte makina pas dhe gurët fluturonin anash nga gomat. Mendoja djalin e vogël gjashtë muajsh Julianin që sapo kishte filluar të rrokullisej nëpër shtëpi dhe që për çudi e ndillte dera e jashtme dhe sa herë na ikte nëpër dhomën e pritjes e gjenim tek koridori i derës së jashtme. Elvisi gjashtëvjeçar i bënte shoqëri Julit të vogël. Çfarë nuk po mendoja kur ngjita shkallët e pallatit nga dy a tre njëherësh . Julin, Elvisin , Natalen dhe kunaten që na mbante djalin e vogël kur ishim në punë, Lolën. Jam gjendur pranë derës së hyrjes së apartamentit tim. Një gropë e madhe afërsisht një gjysëm metri nga të gjitha anët ishte hapur mu tek dera. Nuk kishte derë. As tek komshinjtë. Sipër dhe poshtë katit tim ishin thyer xhamat dhe dëmtime të tjera. Përballë ishte pothuaj rrëzuar muri i tualetit që binte mu përballë derës kryesore. Shtëpia plot me njërëz. Me del para Natalia duke qarë. Edhe kunata po qante. Mu këputën krahët. Mos ! –thashë me vete. Më shkoi mendja për keq. E si të mos shkojë kur të venë tritol në banesë.

- Elvisi, Juli ! Ku janë ?- thirra.

- Kanë shpëtuar !-foli bashkëshortja dhe nuk pushonte së qari me lotë që i rridhnin si breshër. Jam ulur në divanin që e kisha që në kohën e Enverit. Harrova se kisha njërëz në shtëpi. U ngrita . Iu dhashë dorën. Mora në krah djalin e vogël Julin që dërdëlliste. Ku ta dinte ai se kishin dashur ta varrosnin njërëzit e errësirës. Elvisi gjashtëvjeçar diçka kuptonte se kishte ndodhur. Ndjehej i frikësuar. Shtërngonte të emën dhe shikonte nga dera e jashtme , pasi nuk kishte as derë e as mur ndërmjetës. Sapo kishin pastruar paksa hyrjen kryesore. Pyeta për dëmet për fqinjët. Ndërkohë vjen policia. Filluan matjet , fotografimet etj. Një tension të tillë nuk kisha provuar kurrë. Mos e provoftë njeri !

- Hë mo Nikoll Lesi ! Edhe tritol të vuri pushteti ?- ishte Dritero Agolli që hyri në shtëpi. Pas një takimi në Shkodër ishte ndaluar për një kafe në Lezhë. Fjala për tritolin ishte përhapur në qytet. Pasi mësoi se nuk pësuan gjë familja vazhdoi duke më ngritur moralin që më kishte rënë në fund të këmbeve.

- Nuk ta ka vënë Sali Berisha vetë o Lesi ! Majfton fryma e pushtetit që vjen nga Tirana dhe ka salinjë të tjerë që vënë tritolë !- tha duke pirë një gotë raki që ia nxora . Nuk flisja dot. Vetëm luaja kokën. Ndërkohë thirra vellëzërit Gjonin dhe Gjinin, të cilët pikë gjaku nuk iu dilte në trup. Iu thashë se ata të gjenin një marangozë që të mbyllnin derën kryesore si të donin ,pasi unë do të merrja familjen dhe do të udhëtoja direkt për Tiranë. Në mesnatë u bëmë gati me plaçkat më të domosdoshme. Tre makina foristradë me ndiqnin aty rreth orës një të natës. Nuk më bëhej të rrija më në atë shtëpi në të cilën mund të kishte fjetur vdekja. Në Tiranë kisha një shtëpi me qera, në të cilën flija sa herë vonohesha në gazetë dhe shtypshkronjë. Edhe në shtypshkronjë na linin për në fund ndonëse shkonim në fillim. Diku nga ora 3 e natës fillonte shtypja e gazetës. Ndaj nuk mund të udhëtoja natën për në Lezhë, pasi të nesërmen më duhej që në ora 8 të isha prapë në punë. Vetëm unë e Aleksandër Frangaj e dimë se ç’kemi hequr për disa vite. Një Zot në qiell mund ti ketë parë vuajtjet tona.Ishim idealistë më shumë se c’duhej !

Kaluam Mamurrasin. Julin ishte në gjumë që në Lezhë. Elvisi herë flinte , herë zgjohej sapo makina binte në gropë.

- Babi ! Ku po shkojmë ? A do të na vënë prapë tritol?- pyeste pasi për herë të parë në jetën e tij kishte mësuar atë natë një fjalë të ashpër, TRITOL.

- Jo shpirti im !Jam unë këtu me ty. I ka kap policia !- thoja për ti larguar frikën dhe tmerrin që kishte përjetuar. Policia as që kishte kapur gjë, pasi nuk kapej shteti prej policisë ! Dikur arritëm në Tiranë. Ngjitëm plaçkat në shtëpinë e re që nuk ishte e jona. Dikur nga ora pesë e mengjezit mbaruam sistemimin. Djemtë ishin në gjumë. Nuk e di çfarë endërrash po shikonin. Me lodra apo me tritol ?! Natalia nuk flinte. As unë. Kështu na zuri drita e mengjezit. Tmerri duket sikur nuk ka fund kur vjen. Natalia më tregoi fill e për pe se ç’kishte ndodhur në Lezhë. Kishin dëgjuar një erë që vinte si djegie jashtë derës. Kunata kishte dalë në koridorin e shtëpisë, të vetmin koridor që mund të ketë një dhomë e një guzhinë në apartament. Po kërkonte djalin gjashtëmuajsh në duart e Elvisit.

-Natale !- kishte bërtitur- Diçka po digjet tek dera. Teli i korentit më duket. Natalia kishte marrë nga nxitimi kalamajtë në krahë si dy lodra.

-Shiko se mos digjet kablli i dritave tek sahati !

Kishte hapur derën Lola dhe mënjëherë ka bërtitur.

-Bombë ! Kanë vendos bombë! Ka një fitil të gjatë që po digjet !- ishte degjuar britma e saj nëpër shtëpi. Natalia me dy djemtë në dorë dhe prehër bashkë me të motrën ishin futur në ballkon. Disi më larg derës kryesore ndodhej ballkoni. Natalia më tregon se i lutesha Zotit për dy djemtë. Për vete nuk mendoja. Vetëm dy djemtë më fal o Zot !-thoja më zë të ulët në pritje të shpërthimit të “bombës” që ishte tritol. Sekondat më dukeshin vite. Kur shpërtheu u dëgjua një zhurmë, xhama që binin, muri dhe dera kishin hyrë brenda. Pluhur, tym dhe erë si e barutit. Këto më tregoi Natalia ndërkohë që dielli i datës 2 nentor 1995 ra mbi fytyrat e dy djemve që akoma flinin.

Në këtë moment pushteti i Berishës kishte shënuar fillimin e një lufte të gjatë me ne, derisa në 1997 ra dhe iku. Pushteti ishte xhindosur në marrëzi, kurse ne, gazetarët e "Koha Jonë", u përbetuam derisa ta rrëzonim Saliun. Ata dajak e ne me gazetë. Ata me arrestime , ne me rritje tirazhi, aqsa në mars 1997 tirazhi i gazetës shkoi në 85 mijë kopje të shitura në ditë ose sa trefishi i gjithë tirazhit të të gjithë gazetave në vitin 2005. Me 3 mars 1997 pushteti në fuqi dogji natën redaksinë e gazetës. Një turp i tillë nuk kishte ndodhur në historinë botërore.

3 Mars 1997

Me 2 mars mbaruam gazetën me Ben Blushin dhe ikëm të gjithë në shtëpi. Ishte kohë shtetrrethimi. Luftë gjithandej. Leviznim të gjithë drejtuesit e gazetës me roje , bile të armatosur, pasi mund të na qëllonim ushtarët e Saliut që kishin zbritur nga malet. Shkova në shtëpi si përnatë herët, pasi në ora 18.00 fillonte shtetrrethimi. Atë ditë kishim dalë më thirrjen e Arben Imamit i cili nga maja e tankut në Jug të vendit kishte bërë thirrje për të rrëzuar pushtetin fashist të Sali Berishës. U ula për të fjetur diku nga ora 23.00. Në udhën përgjatë gjimnazit "Petro Nini Luarasi" ku kam shtëpinë ushtonin zinxhirët e tankeve të Gardës dhe të Ushtrisë. Nuk më zinte gjumi. Edhe imë shoqe Natalia nuk flinte. Zinxhirët e tankeve uturonin mu përballë hyrjes time. Me sa dukej edhe ata që ishin në tank e dinin se ku banoja, pasi tanku me një mitraloz sipër e drejtonte grykën nga dritarët e mija. Kishim fikur të gjitha dritat. Asgjë nuk pipëtinte përveç tankut dhe një gjuhe tepër veriore me civilët e armatosur. Edhe djali i madh, por që ishte 6 vjeç, nuk flinte. Iu ofrova dritares . Hapa paksa kanatën me kujdes. Tanku aty rrinte. Një pamje makabër. Gryka e gjatë e topit ishte diku afër dritares së gjumit.

-Babi ! Do të vrasin gjermanët këta partizanët me tank ? – me pyeste Elvisi, djali 6 vjeçar.

-Po. – përgjigjesha dhe mundoja ta largoja nga cepi i dritares. Ne ishim në errësirë, kurse jashtë dukeshin në dritë të gjithë ata mbi tank. Ishin pa uniformë ushtarake.

-Nuk ka gjermanë këtu. Pse e ka drejtuar topin nga ne, babi ? – insistonte djali. Hej bela , thashë me vete. Ç’ti them ?

-T’ju hedhim bomba si në film ?- fliste djali dhe mua edhe më vinte të qeshja, por dhe të qaja.

Kështu vazhdoi ajo natë me tankun përballë dritares së pallatit ku banoja. Dikur djalin e zuri gjumi. Vetë po pija cigare , ndonëse nuk jam duhanxhi. Nga ora dy e mesnatës bie zilja e telefonit të shtëpisë. Nuk e mbaj mend saktësisht orën ,porse dicka e tillë duhet të ketë qenë.

-Zyrat e gazetës “Koha Jonë” janë në zjarr. Po digjen !- tha zëri përtej telefonit dhe e mbylli. U shushata krejt. Si ka mundësi ?- pyesja veten. Mos është lojë dhe nuk guxoja të dilja jashtë. Kaluan pak minuta dhe mora në telefon shoferin tim Anesti Nikolla, që banonte në të njëjtin pallat me mua prej vitesh.

-Ndize makinën pasi më duket kanë djegur redaksinë e gazetës “Koha Jonë”- i thashë mënjëherë. Makinën e linte mu përballë shtepisë tek një privat. U vesha shpejt e shpejt.

-Ku shkon ? Je çmendur të dalësh në këtë orë ?!- më tha Natalia dhe më kapi prej krahësh. Qante dhe nuk më leshonte. Djali i madh 6 vjeçar u ngrit nga gjumi prej zhurmës së thirrjeve të së emës. I vogli, dy vjeç, Juli flinte për shtat palë qejfe.

Po shkoj të shikoj për redaksinë e gazetës nëse e kanë djegur siç më morën në telefon- fola ,por këmbët nuk më bënin të dilja, kur shihja gruan dhe djalin e madh që më kishin rrethuar tek koridori në shtëpi.

- Do të vrasin Nikollë ! Të lutem mendo për dy djemtë. Do ti lësh jetim !- qante dhe sa nuk plaste Natalia. Ndërkohë shoferi i ra ziles së shtëpisë. I thashë se nuk do të shkojmë dhe të mos e ndizte makinën. Por Anesti insistoi se do të shkonte vetë deri tek zyrat e gazetës për të parë.

Jo, jo !- i fola rreptë.

-Po shkoj . Nuk e kanë me mua ,por me ty, këta – tha dhe iku si furtuna. Po futesha në bela . Mos i ndodhte gjë shoferit. Shkova tek telefoni. Formova numrin e drejtorit të Policisë së Tiranës Pashk Tusha. I thashë se kështu me kanë telefonuar. Ai edhe pohonte, edhe mohonte duke thënë se akoma nuk e kemi konfirmuar. E dija se policia ishte në konflikt me ushtrinë e Saliut që kishte ardhur nga malet dhe ishte vendosur në Presidencë. Më pas mora në telefon Sali Shehun, asokohe shef i komisariatit numër dy në Tiranë, sot është deputet i PD-së. Vendi nuk më zinte. Shoferi kishte tre orë që nuk ishte kthyer. Mos e kishin vrarë?- thoja me vete. E shoqja me telefonte nga shtëpia se ku është Anesti. Unë nuk dija se ç’ti thoja. Jashtë prapë tanku aty rrinte. Me grykë të gjatë sa nuk hynte në dritare. Dikur u zbardh dita.Shoferi nuk kishte ardhur.Shkova me një taksi që mezi e gjeta. Ende zyrat e gazetës nxirrnin tym. Flaka digjte ndonjë tavolinë gazetarësh. Kompjuterat e gazetës ishin shkrumbuar . Dyert djegur. Nëpër koridoret e redaksisë së gazetës vinte erë e thartë tymi. Nuk e di se çfarë lende ishte leshuar për ti djegur, por ekspertët e policisë thanë më vonë se ishte përdorur edhe flakëhedhësja. Gjunjët nuk më mbanin. U ula mu tek shkallët e gazetës në hyrje. Plot njërëz kishin ardhur dhe shikonin të mërzitur. Nga ora 8 e mengjezit mbërritën të gjitha stacionet televizive të huaja, të cilët ishin në hotel Ronger që prej fillimit të revoltave. Në hotel kisha strehuar që prej disa ditësh një grup gazetarësh të “Koha Jonë”, të cilët nuk kishin shtëpi në Tiranë të cilët kërkoheshin nga SHIK-u për tu rrahur apo vrarë. Faturat e hotel Rognerit ishin katastrofike për mua, por bëra një marreveshje me drejtuesit e hotelit që do ti paguaja kur të kisha lekë. Hotel Rongeri ishte më i sigurti asokohe. Kishte trupa të huaja ushtarake që e ruanin. Nga ora 9 erdhën të gjithë gazetarët. Shumica nuk e dinin. Kishin ardhur për në punë, por gjetën zyrat e shkrumbuara nga policia sekrete e asaj kohe. Hynin nëpër zyra. Kërkonin kompjuterat e tyre, por gjenin shkrumb. Donin ditaret e punës së gazetarit, por tavolinat ishin djegur. Pyeta policinë nëse dinin gjë për shoferin tim dhe rojen e zyrave të gazetës. Ngrinin supet. Erdhën ambasadat e huaja për të parë kasaphanën . Iu kërkuam të bënin presion mbi pushtetin që të gjente shoferin tim , gazetarin Zamir Dule që flinte në bodrumin e gazetës, pasi nuk kishte lekë për të fjetur gjëkundi si dhe rojën e gazetës. Shoferin e gjetën në komisariatin numër tre, Zamir Dulen e sollën të copëtuar nga rrahjet e oficerave të SHIK-ut. E kishin marrë zvarrë natën dhe donin ta digjnin të gjallë mes flakëve. Një oficer i ri e kishte shpëtuar për së gjalli.Quhet Tonin Voci. Por e rrahën dhe e mbytën të tjerë me grushta në komisariatin e policisë së Tiranës vetëm se punonte për gazetën “Koha Jonë”. Rojen e godinës e gjetën diku nga mesdita të lidhur në malin e Dajtit. Tmerr dhe masakër mu në mes të Tiranës. Nuk kishte ndodhur në historinë botërore, më thoshte një gazetar i stacionit televiziv gjerman ZDF, një rast i tillë mbi një redaksi gazete . Gazeta nuk doli në treg për 45 ditë. Më çfarë të dilte ? Zyrat na ishin djegur. Kompjutera nuk kishim më. Frika ishte kudo nën kërcënimin e armeve dhe shantazhin e shikasve. Atë mesnatë dhe ditën e 3 marsit 1997 nuk do ta harroj gjatë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora