E marte, 18.05.2021, 12:45 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ismail Ismaili: Kongresi i Berlinit

E enjte, 11.12.2008, 10:11 PM


KONGRESI I BERLINIT

 -Dokumentet e viteve 1878-1879

Depeshe të dërguara nga Stambolli dhe Shkodra[1]  

 

Pjesa hyrëse

 

Nga Ismail ISMAILI

 

Me qëllim të hedhjes dritë mbi ngjarjet që u zhvilluan në kohën kur nuk ishim të zotë të vendosnim për fatin tonë, do të botojmë dokumente që dëshmojnë copëtimin e tokave tona nga të tjerët. Në këto telegrame, depeshe, të cilat do të botohen, besojmë për herë të parë në gjuhën shqipe, lexuesi do të ketë rastin të hetojë se kush dhe si garonin Fuqitë e Mëdha për ta copëtuar truallin shqiptar në favor të fqinjëve tanë.

Kjo ndarje dhe copëtim  ndodhi atëherë kur Turqia lëkundej nga të gjitha anët dhe kryesisht gjatë viteve 70ta të shekullit XIX , kur u shfaqë në skenë Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar të trondiste pozitat ndërkombëtare të dy perandorive koloniale, të Anglisë dhe të Francës. Disfata që pësoi Franca nga Prusia (1871), i dha rast Rusisë cariste të hidhte poshtë nenet e Traktatit të Parisit (1856), që e pengonin të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që kishte pësuar politika e zgjerimit të saj në Gjermani e në Itali, kishte filluar të aktivizohej në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe të detit Egje. Gjatë kësaj kohe edhe Italia, e cila kishte përfunduar bashkimin e saj politik dhe kishte hyrë në radhët e Fuqive të Mëdha, ndonëse ishte ende e dobët, aspironte të vinte një këmbë në bregdetin lindor të Adriatikut.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë Anglisë e Francës, të cilat përpiqeshin, si edhe më parë, ta mbanin në këmbë Perandorinë Osmane, tani, gjatë viteve 70, qëndronin dy fuqi të tjera të mëdha që dëshironin shembjen e saj të shpejtë - Rusia cariste dhe Austro-Hungaria. Për të vënë në jetë planin e saj ekspansionist, Rusia filloi të nxiste popullsitë e shtypura të Turqisë Evropiane, për kryengritje kundër Portës së Lartë dhe sidomos shtetet sllave ballkanike, për luftë kundër Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ajo doli me flamurin e “pansllavizmit”, i cili në të vërtetë çonte në nënshtrimin e kombësive sllave dhe jo sllave ndaj politikës cariste.

Në këto rrethana shpërtheu në korrik të vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundër osmane në Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në edhe Bosnjë. Ajo politikë pan sllave nxiti për kryengritje kundër osmane edhe shqiptarët, por këta nuk lëvizën, sepse panë që Beogradi dhe Cetina kishin qëllime aneksioniste ndaj trojeve të tyre. Në qershor të 1876, kur u pa se plani i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar, Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia më 30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën përkrahjen e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi armatimet e nevojshme dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë “vullnetarë” rusë për të luftuar për çlirimin e “vëllezërve” sllavë nga zgjedha osmane.
Por, lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë krijoi një situatë tepër të ndërlikuar në arenën ndërkombëtare. Cilido që të ishte përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për të rregulluar, secila sipas interesave të vetë, hartën politike të Evropës Juglindore. Në të vërtetë, një javë pas fillimit të luftës, më 8 korrik 1876, Rusia dhe Austro-Hungaria bënë, me anën e dy notave të veçuara, një marrëveshje të fshehtë në Rajhshtat (Reichsttadt) të Bohemisë për ta rregulluar Gadishullin Ballkanik sipas interesave të tyre ekspansionistë. Vjena e Peterburgu vendosën të mos ndërhynin ushtarakisht në konfliktin e Serbisë e të Malit të Zi me Turqinë. Por të dyja palët ranë në ujdi që, po ta fitonte luftën Perandoria Osmane, nuk do të bëhej asnjë ndryshim në hartën politike të Gadishullit Ballkanik. Megjithatë, në këtë rast do ta detyronin Portën e Lartë të zbatonte në favor të popullsisë sllave disa reforma si ato që iu dhanë Kretës më 1886, ndërsa po ta fitonte luftën pala tjetër (Serbia e Mali i Zi), Bosnja do të kalonte nën zotërimin kryesisht të Austro-Hungarisë dhe pjesërisht të Serbisë, e cila do të merrte gjithashtu një pjesë të Kosovës, kurse Mali i Zi një pjesë të Hercegovinës dhe pjesë të Shqipërisë Veriore. Bullgaria do të bëhej një shtet autonom dhe Rumelia një vilajet autonom. Në këtë rast Vjena vuri conditio sine qua non që të mos krijohej një shtet i madh sllav në Gadishullin Ballkanik. Kjo do të thoshte që as Serbia nuk duhej të shtrihej deri në Adriatik, as Bullgaria nuk duhej të përfshinte Maqedoninë, sepse, si njëra, si tjetra, do ta pengonin ekspansionin e Austro-Hungarisë drejt Egjeut. Në notën austro-hungareze parashihej krijimi i një shteti autonom shqiptar, kurse nota ruse nuk e përfillte fare fatin e Shqipërisë. Në Rajshtat çështja shqiptare hyri për të parën herë në qerthullin e diplomacisë evropiane si çështje politike. Megjithëse interesimi i kësaj fuqie dukej i qartë, prapë se prapë territoret shqiptare mbeten të pa mbrojtura nga gllabëruesit. Fjala mbrojtje do të jetë absurde të përmendet në këtë aspekt sepse edhe ato fuqi që përpiqeshin ta ruanin tokën shqiptare të pa ndarë, këtë e bënin vetëm se aty shihnin edhe mbrojtjen e interesave vetjake. U organizuan Konferenca e konferenca, por më e njohura për ne, është ajo e Berlinit në të cilën të tjerët hidhnin vija kufitare mbi trojet shqiptare pa pjesëmarrjen e vet shqiptarëve.

Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878)

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.
Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan në seanca të veçanta të Kongresit, kërkesat e tyre politike e territoriale.

Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit, Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15qershor.
Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin, që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild, kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të shërbente si një element ekuilibri në lindje.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.
Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik.
Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.
Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit, mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.

Dokumentet që kemi në dorë, bëjnë fjalë për përpjekjet e Malit të Zi që Traktati i Berlinit të realizohet pikë për pikë dhe kufiri në mes të Shqipërisë, që nuk njihej fare nga Fqinji jonë, dhe Malit të Zi të caktohen sipas lakmive të tyre. Me gjithë përpjekjet e Austrisë dhe Gjermanisë që vija kufitare të jetë sa më e drejtë, kjo nuk kaloi sepse Franca, Rusi, Italia, Serbia ishin më të zëshme, ndërsa Turqia (gjithnjë sipas dokumenteve në fjalë) abstenoi në votim.

Të gjitha korrespondencat që kemi janë të shkruara në gjuhën frënge përveç tri nga telegramet që janë në gjuhën serbe.

 

 

Depeshi 1.

 

Depesh i shifruar nga Bojo Petroviq  - për Princ. Nikollën, nr. 861, data

1/4/78

 

Shkëlqesisë së Tij Princit të Malit të Zi, Cetinë

 

 

 

 

 

Si gjithnjë frika e dështimeve sa i përket copëtimit të trojeve shqiptare e shtyri diplomacinë fillestare të Malit të Zi që të gjurmojë nëpër labirintet e miqve dhe të atyre që i konsideronin kundërshtar. Këtu një diplomat malazez shpjegon mundësinë e reagimit të krerëve të Malit të Zi për ta bindur Anglinë që të jetë në anën e tyre, ndërsa sa i përket Austrisë dihej mirëfilli se ishte kundër ambicieve territoriale malazeze dhe ajo kërkonte krijimin e principatave autonome për Bosnjën dhe Hercegovinën, Shqipërinë dhe mbetjen e Bullgarisë, ndërsa me Serbinë dhe Malin e Zi kërkonte që të ketë marrëveshje tregtare, por edhe kjo nuk ishte ende e sigurt.

 

Depeshi 2.

 

Depesh i Vezirit të Madh dërguar - Princ Nikollës

 

Telegram i dërguar                                         i pranuar më 21/08/1978, ora 6 para dite

më 20/8/78, ora 5 pasdite                                 Konstantinopol

 

Veziri i Madh për shkëlqesinë Princin e Malit të Zi,Cetine.

 

 

 

Nuk pranin së dërguari telegrame dhe depeshe nga të gjitha anët duke aluduar mbi zbatimin e Traktatit të Berlinit. Nuk ngurroi as edhe Princi i Malit të Zi për t’i shkruar “Lartmadhërisë mbretërore”, Sulltanit për zvarritjen nga ana e pushtetit turk të zbatimit të Marrëveshjes në fjalë. Këtu posedojmë depeshin e Vezirit të Madh i cili i shkruan në emër të Mbretit, Princit Nikollë dhe ndër të tjera e siguron atë se qeveria turke do t’i zbaton zotimet e marra. “ Jam i ngarkuar, thotë ndër të tjera, që në emër të tij, t’ju siguroj, Ju, që qeveria mbretërore është e bindur dhe dëshiron nga ana e saj, që të ruajë raporte sa më të mira të fqinjësisë dhe mirëkuptimit të dyanshëm më Qeverinë Tuaj. Sa i përket përmbushjes së Traktatit të Berlinit, që ka të bëjë me Malin e Zi dhe veçanërisht me këmbimin e territoreve që duhet të ktheheshin, jam gjithmonë i gatshëm që t’ju siguroj, Ju shkëlqesi, se Porta e Lartë e ka parasysh nevojën për të rregulluar situatën me gjithë kundërshtitë që paraqiten dhe se Ajo do të merr të gjitha masat nga ana e saj që rezultatet të mos mungojnë”. Turqia nuk qante kokën fare sa i përket territoreve shqiptare që duhet t’i jepeshin Malit të Zi por problemi kyç kishte mos përmbushja e afatit të caktuar nga Traktati i Berlinit dhe më tej shton nëse i ngarkuari me zbatimin e kësaj marrëveshje  Mudir Mehmet Ali Pasha do të shkojë së shpejti në vendin e ngjarjes me instruksione të reja që kishte marrë nga Porta e Lartë.

 

                                                           

Depeshi 3.

 

Lartmadhërisë Princit të Malit të Zi, Cetinë

Përgjigja e Princ Nikollës në depeshin e Vezirit të Madh, më 20 gushtit 1878

 

Nga Shkëlqesia Princi i Malit të Zi - për Shkëlqesinë Vezirin e Madh, Konstantinopol

 

 

 

 

 

 

 

 

Princi Nikollë nga ana e tij mbetej i kënaqur me përgjigjen e Vezirit të Madh por atë e mundonte fakti se funksionarët e Portës së Lartë, të cilët si duket nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të përgatitur terrenin dhe për të biseduar me popullatën e atjeshme për t’i përgatitur që të mos kundërshtojnë edhes pasi që sipas tij kjo është punë e kryer. Ironi e kulluar po të rrëmbej territoret që të kanë takuar shekuj me radhë e ti mos ngri krye por ji i bindur në vendimet që kanë marrë të tjerët në emër të këtij populli të vuajtur. Princi shkon edhe më tej me kërkesat e tij ndaj Portës së Lartë : “Lartmadhëria Juaj, do të ndajë mendimin me mua se dërgimi i  përforcimeve në njerëz dhe artileri si dhe ndërtimit i fortifikatave nuk bëhen vetëm  sa për t’i vendosur banorët, por lidhen edhe me përmasat tjera; e një gjë e tillë po ndodh për çdo ditë.

            Në të kundërtën, nëse bëhet suspendimi i të gjitha këtyre punimeve të këtij lloji dhe realizohet tërheqja e trupave mbretërore dhe e artilerisë së rëndë, ky do të ishte fakt i pamohueshëm për t’ua bërë më dije banorëve të këtyre territoreve se Traktati duhet të zbatohet dhe vilajetet që janë duke rezistuar më me ngulm, vet vetiu do ta kuptojnë se kjo është një punë e kryer dhe nuk mund të ndryshohet asgjë në këtë aspekt. Shpresojmë se kjo do të ndodh.....”.

 

Depeshi 4.

 

Depeshi i princit Nikollë për Husein Pashës, 6, 18 tetor 1878

 

 

 

 

 

 

Në përgjigje të telegramit tuaj që pata nderin ta marr nga Sh. e Juaj të datës

(...) jam i gatshëm që t’ju njoftoj se Qeveria e Malit të Zi është shumë e përkushtuar që ta përmbush marrëveshjen në tërësi, gjithnjë duke pritur që Porta e Lartë të vendos njëherë e mirë për ta bërë të njëjtën gjë nga ana e saj. Kryesisht, duhet të përmbushen të gjitha angazhimet që dalin nga dokumenti ndërkombëtar, ku parashihet evakuimi i trupave të rregullta nga territoret që duhet të lirohen dhe ato të vihen nën Malin e Zi. Evakuimit duhet t’i paraprijnë të gjitha marrëveshjet që janë lidhur në mes të dy qeverive.

 

Nuk ka datë dhe as nënshkrim të Princ Nikollës.

 

Depeshi 5.

 

Nr 15,  Z. Colonna Ceccaldi, 29 mars,10 prill 1979

 

Ndihma e Malit të Zi në realizimin e qëllimeve të veta buronte edhe nga qrqte franceze që ishin të bindur se Mali i Zi duhet të fus në grushtin e tij ato pjesë territoresh që i lakmon për vete. Një i quajturi Colonna Ceccaldi ndër të tjera shkruan se për këtë

qëllim është në gjendje ta ndihmon Qeverinë fëmijërore të Malit të Zi. Për këtë arsye i Propozon Princit të këtij shteti që të pranon në gjirin e vet një ekspert të çështjeve ndërkombëtare i quajttë Zotëri de Sainte Marie,i cili përndryshe ishte edhe shok Kolegji,i Princit. “ Njëherësh ju pyes nëse keni mundësi ta emëroni si komisar të dytë francez ose edhe në rolin e dragomanit, pasi që ai flet serbisht dhe turqisht mund t’ju jetë shumë i nevojshëm”.

 

Depeshi 6.

 

Notë dërguar Kalid Beut N. 187, 13/5/1879

 

“Zoti ministër

Kam nderin ta lus Sh. Tuaj që të ketë vullnetin e mirë, për t’ia tërheq vëmendjen Portës së Lartë sa ju përket ngjarjeve që po ndodhin kohëve të fundit në vilajetin e Shkodrës dhe të cilat janë tërësisht në kundërshtim me gjendjen e paqes që ekziston në mes të Turqisë dhe Malit të Zi”.

Malin e Zi e shqetësonin shumë lëvizjet dhe përgatitjet që bënte populli shqiptar në atë kohë për t’u përpjekur që të mbronte territoret e veta. Demonstratat dhe përgatitjet e njerëzve për t’u rreshtuar në mbrojtje të vendit, për krerët e këtij shteti të brishtë ishin një atak direkt ndaj tij. Ndër të tjera në këtë notë thuhet :” Ne kërkojmë sot nga qeveria Mbretërore që të merr masa efikase për t’i dhënë fund organizimit të bandave të armatosura mbi territorin e saj, të cilat janë të drejtuara kundër Malit të Zi”.

Ata shkojnë edhe më larg duke dhënë shifra të sakta të përbërjes së grupeve të armatosura që ata i llogaritnin si plëng prishës. Të gjitha këto të dhëna ata i grumbullonin nga konsujt e huaj që ishin të vendosur në Shkodër. “Numri i luftëtarëve që i përbëjnë bandat e armatosura, të cilat kanë përfshirë territorin dhe fortifikatat e braktisura, në mënyrë klandestine më 10/12 të këtij muaji nga trupat otomane, arrin tashmë deri në 10 000 njerëz. Është rrezik që këto banda do të sulmojnë edhe pronat e vjetra të Malit të Zi. Në këtë grumbull njerëzish të të gjitha llojeve, ka vetëm 800 deri në 1000 veta që ju përkasin territoreve të reja, të cilat i janë dhënë Principatës dhe çështjet që lidhen me këta persona mund të konsideroheshin si çështje e brendshme e Qeverisë së Malit të Zi. Por pjesa tjetër e këtij kontingjenti, myslimanë apo katolikë, që është rekrutuar në territoret që i takojnë qeverisë së Lartmadhërisë Mbretit Tuaj, i konsiderojmë si çështje me të cilat duhet të merret Qeveria juaj”.

          Sipas këtyre zotërinjve, ka mjaft banor që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në këto grupime, por ata janë të detyruar nga disa krerë që nuk ju takojnë këtyre trojeve. Këtu aludohet në krerët e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, të cilën qeveria e Malit të Zi sa herë që i shkon për shtati interesave të saj, e quan të paqenë, por atëherë kur duhet akuzuar dikën për pengim të zbatimit të marrëveshjes fajin ia hedh pikërisht krerëve të kësaj Lidhjeje. Qyteti i Shkodrës ishte halë në sy për malazezët dhe më tej thuhet në depesh :

“Që të jemi edhe më të saktë, ne kemi konstatuar në detaje se këtyre ditëve qyteti i Shkodrës është shndërruar në një qendër të vërtetë ku është duke u përgatitur një lufta kundër Malit të Zi. Që para dy ditësh, tregu është mbyllur dhe tregtarët malazez janë dëbuar nga atje. Po këtyre ditëve, një bandë e përbërë prej 1500 njerëzish, kryesisht myslimanë, është nisur nga ky qytet, të armatosur dhe të pajisur me gjëra tjera, për të shkuar në territoret e aneksuara nga Mali i Zi. Malësorët dhe qytetarët, në bazë të thirrjes që është bërë nga Lidhja, selia e së cilës është ne Shkodër, janë bashkuar në Koplik, lokalitet që gjendet vetëm tri orë larg nga selia e guvernatorit të përgjithshëm.

Së fundi, Bibë Deda, kryeplak i Mirditës, i cili deri më tani nuk merrte pjesë në asnjë lëvizje që organizohej në Shqipëri kundër nesh, është larguar nga Shkodra dhe është kthyer në bjeshkët e tij, me qëllim që të çon në këmbë edhe këtë pjesë kundër Malit të Z. Bibë Deda, i detyruar të qëndrojë në Shkodër që prej shumë kohësh, nuk do të mund ta lëshonte këtë qytet pa autorizim special të Qeverisë së Përgjithshme në këtë vilajet”.

Qeveria e Malit të Zi përpiqet përmes kësaj note që ta detyron Turqinë për t’i luftuar bandat shqiptare siç i quan ajo grupe e armatosura që luftonin për ruajtjen e tërësisë tokësore shqiptare.

 

Kopja e kësaj note do t’ju dorëzohet përfaqësuesve të fuqive që janë nënshkruese të Traktatit të Berlinit dhe që janë të akredituar pranë Portës së Lartë.

                                                                                    Pa nënshkrim dhe i mungon vitit

 

Depeshi 7.

 

Nr. 187, 25 IV

LETRA E Z. GREEN DËRGUAR NJË VOJVODE MALAZEZ

 

Nr 37                                                                           Shkodër

6 korrik 1878                                                               6 korrik 1879           

           

Edhe në këtë letër hetohen tentativat e këtij shteti të ri ballkanik që të ketë sa më shumë përkrahës për t’ia arritur qëllim për zbatimin e Marrëveshjes famëkeqe të Berlinit. Përfaqësuesi anglez i cili ishte i vendosur në Shkodër këmben letra me vojvodët e ndryshëm duke u përpjekur t’i bind ata se ai bënte të pamundurën që marrëveshje të zbatohet dhe kontaktonte me përgjegjësit ushtarak turq për t’i bindur ata që ta tërhiqnin ushtrinë e tyre nga krahina e Kuqit e cila duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi. Zotëri Green shërbente në atë periudhë si urë lidhëse në mes të Qeverisë malazeze dhe Husein Pashës

Kirby Green

Depeshi 8.

 

Përgjigje Zotëri Green-it

 

Zotëri i nderuar Green.

Tashmë Ulqini ju ishte dorëzuar malazezëve por të pangopur me atë që përfituan ata dërgonin ushtar në regjionin e Kuqit ku duhej të vendosej kufiri i ri. Propozimet e reja të paraqitura nga Husein Pasha nuk ishin aspak të favorshme për krerët malazezë. Ai u kishte propozuar atyre që të mbaheshin kontakte direkt me krerët e Shkodrës për të sheshuar marrëveshjen e Virpazarit dhe komplikimet që dalin nga ajo. Kontakte të tilla për qeverinë e fqinjit tanë ishin jo vetëm të PAPRANUESHME POR EDHE QESHARAKE.

 

Depeshi 9.

 

Nr. 51 , 7 qershor 1879

NB: e shkruar me dorë Princ Nikolla pa nënshkrim.

Guci – Merkoviq,

Shkodër, Shqipëri, më 7 gusht 1879

 

Zotëri Vojvodë

Përshkruhet takimi që është bërë me përfaqësuesin austriak Z. Lipiq, i cili i njoftoi ata në mënyrë të qartë dhe të saktë mbi instruksionet që i kishte marrë kohëve të fundit, nga ana e St Andrassy dhe sipas të cilave bëhet me dije se do t’i udhëheq punët e Komisionit. Sipas Lipiqit mbi tërë gjatësinë e vijës në mes të Detit Adriatik dhe Gucisë instruksionet e tij ishin koncize dhe definitive, për çka ai nuk kishte asnjë dyshim dhe se duhet absolutisht t’i përmbaheshin tekstit të Traktatit të Berlinit dhe të traseve të hartës së Shtabit të Përgjithshëm austriak.

Seanca të shumta organizoheshin për ta përcaktuar vijën e kufirit të një vendi përfaqësuesit e të cilin nuk ishin ulur fare në tavolinën e bisedimeve. Të gjithë përfaqësuesit që nuk çanin kokën fort për territoret shqiptare habiteshin me propozimet angleze apo austriake që përpiqeshin sado pak ta zbutnin këtë lloj rikolonizimi të atyre tokave të pazot. Për malazezët përfaqësuesi austriak në shumë raste dukej si avokat që mbronte të drejtën “turke” siç e quanin ata. Ishin kundër një paraqitje të tillë duke konsideruar vetën si legjitim për të copëtuar toka që nuk i takonin as atyre por as edhe të tjerëve që ishin grumbulluar aty për të definuar vija gjeometrike që kalonin mbi fusha, male dhe liqene të një vendi që banorët e tij nuk ishin” popull” sipas Bizmarkut të famshëm. 

Vizatoheshin vija herë më të drejta e herë më të lakuara, herë mbi male e herë mbi fusha duke bërë pazare apo gara se cili do të jetë në favor të Malit të Zi e cili do të mbronte të vërtetën legjitime që si duket aty nuk njihej me këtë term. Fillonin nga Gorica Topalla dhe shkonin në vi të drejt deri në det, por kjo nuk i kënaqte lakmitë malazeze dhe ruse dhe mu për këtë ata përdorin shantazhe duke u shprehu se nuk do të marrin pjesë në votime e njëherësh edhe në punimet e komisionit të kufijve.

Pas shumë debatesh u hodhën në votë në atë kohë vija e caktuar nga përfaqësuesi anglez i mbështetur edhe nga Lipiq dhe propozimi rus e paraqitur nga Z. Kaulbars. U votua e dyta me gishtërinjtë e atyre që sot e kanë gojën plotë demokraci :  Rusia, Mali Zi, Italia dhe Franca. Vija angleze u mbështet nga Anglia, Austria dhe Gjermania.

Turqia në momentin e votimit abstenoi duke u shprehur se ajo ka vijën e saj për vet dhe kështu e favorizoi në mënyrë të heshtur propozimin rus.

 

Shërbëtori juaj i devotshëm, Matanoviq, 7/8/79

 

Depeshi 10.

 

DEPESH I Z. VRBICES PËR HUSEIN PASHËN

GUVERNER GJENERAL I SHKODRËS SË SHQIPËRISË

(Koncepti)

7/19.VIII.79

Hysen Pasha, Shkodër

 

Shkëlqesia e tij është shumë i befasuar kur mësoi se Kuqët, e shpërngulur në Podgoricë që nga fillimi i luftës, të armatosur, kanë sulmuar vijat tona duke djegur të gjitha të lashtat. Në të njëjtën kohë forcat e rregullta otomane kanë marrë pozita mjaft kërcënuese si dhe në mënyrë klandestine ju janë bashkangjitur shumë përforcime, në fshatin Rikale në anën e Zevnas që është mbi kampin tonë në Dinosh dhe nga ana tjetër janë marrë masa ushtarake në kundërshtim me situatën aktuale përreth Podgoricës ku janë dërguar edhe bateri të reja mbi Gorricë.

Këto akte janë tërësisht kundër Marrëveshjes dhe kundër qëndrimit tuaj. Princi më ka ngarkuar që t’ju kërkoj shpjegime dhe t’ju lus që të urdhëroni të ndalohen këto menjëherë, çka do të ishte në interes të marrëdhënieve të mira që Evropa ka vendosur në mes të dy shteteve.

      Komandanti i Shtabit Suprem Verbica

 

Depeshi 11.

 

 

MATANOVIQ I SHKRUAN Z. VRBICA

 

Depesh i 9/VIII/1879 nga Podogica

Z. Vojvodë Masho Vrbica ,Cetinë

 

Komisioni ka pranuar një letër nga Gucia e dërguar nga krerët e shqiptarëve. Përfaqësuesit e Komisionit do t’ua përcjellin qeverive të tyre. Ky është përkthimi i kësaj letre:

Për hirësitë Zotërinj Komisarë

, ne jemi informuar se për ta kryer mandatin që ju është besuar nga ana e kabineteve, sa i përket kufizimit me Malin e Zi, ju keni ardhur në vendin e ngjarjes. Është e pamundur të bëhet kjo ndarje pa praninë e krerëve dhe bajraktarëve shqiptarë dhe pa e pasur në duart e tyre një prokurë të rregullt nga tërë Shqipëria. Nëse kjo ndarje (kufizim) bëhet sipas pikëpamjeve dhe qëllimeve të Malit të Zi, kufiri do të jetë baras me zero dhe i rrezikshëm, pasi që pa praninë e krerëve dhe bajraktarëve të Shqipërisë sonë, kjo çështje nuk mund të rregullohet dhe në këto kushte ne nuk do ta japim kurrë pëlqimin tonë dhe se asnjë gisht i territorit shqiptar nuk mund t’i jepet Malit të Zi. 

       Më 3 gusht 1295 (1879), (pastaj janë vulat, I.I.) :

  1. Vula e Komitetit të shpëtimit kombëtar të Gucisë
  2. Vula e kreut të Plavës Rifati
  3. Vula e Kreut të Pejës me rrethin Hairedinit
  4. Vula e Kreut të Prizrenit me rrethinë Nuredinit
  5. Vula e Kreut të Dibrës me rrethinë Jusufit

Kjo letër do t’i bashkëngjitet procesverbalit të seancës që do të mbahet nesër, në të cilën do të studiohet itinerari që duhet të respektohet nga Komisioni për të shkuar në Klement.

Pranoni përshëndetjet e shërbëtorit tuaj të devotshëm.

Niko Matanoviq, 877/ 9/VIII/1879   

Depeshi 12.

 

Carigrad, 11 gusht 18791

 

Zotërisë, G. Vojvoda M. Vrbica Ministër i punëve të brendshme, Cetinë

 

Zotëri Drejtues

Përfaqësuesit malazezë nuk e ndalnin vrapin e tyre duke vizituar kancelaritë e ndryshme dhe të dërguarit diplomatik nuk pushonin së trokituri në dyert e qeveritarëve turq. Safet Pasha, drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Portës së Lartë dhe mu për këtë ai ishte zgjedhur si kontaktues kryesor në mes të përfaqësuesit malazez dhe Qeverisë së Portës së Lartë. Radoniqi me çantë të mbushur plotë letra përpiqej ta bindte këtë diplomat turk që të jetë sa më azhur për zbatimin e zotimeve të marra nga qeveria e Turqisë dhe sa më parë që është e mundur të dorëzojë Plavën dhe Gucinë, por nuk munguan edhe njoftimet tjera që kishin të bënin me punën e komisionit, me punën e Husein Pashës dhe kundër pjesëmarrjes së turqve në Zetë. Është për të ardhur keq që Radoniqi sa herë që takohej merrte vetëm premtime të thata. Tek secili që shkonte topi hidhej të tjetri që nuk ishte aty. Kjo ndodhte jo pse Porta e Lartë merakosej për territoret shqiptare por, ankthi i saj lidhej me gangrenën që i kishte hyrë përbrenda shtetit dhe e brente pak nga pak duke ia shkëputur nga trupi pjesë që ajo i konsideronte të vetat. 

Radoniqi ankohet në depeshin e tij :

“Për dërgimin e komisionit gjithashtu kam biseduar mjaft, si me Safet Pashën ashtu edhe më të gjithë deputetët. Për punët e komisionit, që deri më tani kanë shkuar mjaft keq, tërë fajin e kam hedhur mbi supet e Husein Pashën. Vet, Safet Pasha foli mjaft rëndë për Husein Pashën dhe më premtoi se atë dhe të tjerët do t’i ndërrojë dhe do t’i jap instruksione komisionit që të punojë më me zell. Por, ende kjo nuk është bërë me gjithë insistimet e mia të shpeshta dhe me gjithë deklaratat e shumtë të përgjegjësve të Portës, të cilët deklarojnë se Husein Pasha duhet të ndërrohet. Qeveria e ka margjinalizuar, por në Oborrin mbretëror ai ka mbështetës të mëdhenj. Ata e përkrahin dhe thonë se është mjaft i nevojshëm për Shqipërinë.

Ministria nuk ka asnjë kompetencë. Ministrat nuk mund të fillojnë asgjë dhe asnjë vendim nuk mund ta marrin në emër të tyre. Këshilli ministror dhe mbledhjet e tyre nuk kanë asnjë rëndësi. Të gjitha punët kryhen në Oborr mbretëror. Osman Pasha është në krye të kamarilit të Oborrit, i cili i kryen të gjitha, i pengon të gjitha dhe i mjegullon të gjitha. Të gjithë janë të pakënaqur me gjendjen që mbretëron në Carigrad. Deputetët, duke parë që nuk mund të bëjnë asgjë kundër kamarilit të Oborrit, nuk dinë të kryejnë punët dhe nuk kanë kompetenca.

Sa ju përket punëve tona mund t’ju them se nuk shpresoj se do të kryhet në favor tonë asgjë, vetëm po harxhojmë të holla dhe dëshiroj të di kur do të kthehem. Këtu jeta është shumë e shtrenjtë sa nuk mund të krahasohet me askund dhe varfëria mbretëron gjithkund. Të gjitha veprimtaritë kanë pushuar së funksionuari, tregtia dhe veprimtaritë tjera dhe sikur duket se po pritet ndonjë rrotullim  nga brenda.

M’i dërgon 500 pasaporta sepse ka shumë nënshtetas tanë nga Bari (Tivari) dhe Kraina të cilët janë të pajisur me letërnjoftime (teskere) turke. Do të ishte mirë që secili qytetar yni të ketë pasaportë”.

Kështu e përfundon letrën e tij Radoniqi i cili vuante për ahengjet që i mungonin dhe për veshtë e shurdhër që nuk e dëgjonin për të rrëmbyer sa më shumë territore për shtetin e vet të posa lindur.

    Pranoni Z. Ministër respektin dhe nderimet e mia V. S. Radoniq

                   (Arkivi i Cetinës, Min. Inos. Dep. 1329, 11/08/1879)

 

            Depeshi 13.

 

Verbica, gusht 1879

 

Në takimin që pata sot me Safet Pashën, ai më deklaroi se duke parë situatën momentale dhe kokat e nxehta të shqiptarëve, me gjithë dëshirën e saj, Porta e Lartë gjendet e përballur me pamundësinë e dorëzimit të Gucisë, Malit të Zi. Por kur dihet se ka pasur bisedime dypalëshe për këmbim, Ajo është e interesuar të vazhdon negociatat në lidhje me këtë çështje dhe nëse nuk mund të gjendet një kompromis sa ju përket territoreve, Porta e lartë është e gatshme që t’i sakrifikojë edhe të parat.

Unë ju përgjigja Shkëlqesisë se çështja nuk mund të zgjidhej përmes asnjë kompromisi dhe instruksionet që kisha ishin shumë të çarta se edhe ideja e këmbimit ishte përjashtuar dhe se unë duhet të kërkoj me ngulm që ekzekutimi të bëhet ashtu siç është vendosur.

Njëherësh, unë ua bëra me dije se kemi plotësisht të drejtë të ankohemi për faktin se Porta e Lartë nuk e ka marrë këtë çështje me plotë seriozitet dhe çdo keqësim i situatës do të jetë vetëm si pasojë e neglizhencës së Portës së Lartë.

Unë shtova edhe këtë se ky propozim mbështetet nga vet Shkëlqesia e tij Princi Nikolla.

 

Depeshi 16.

 

Z. Vërbica për Stanko Radoniqin, Konstantinopol

- Përfaqësuesi i ministrit të Malit të Zi

 

Komisioni ndërkombëtar i kufijve në Podgoricë e ka pranuar letrën e dërguar nga Gucia përkthimi i së cilës është ky : (nuk po e përsërisim sepse kjo letër është paraqitur më herët në depeshin nr. 877 të  datës 9/VIII/1879  )

Këtu po përcjellim reagimet e Qeverisë së Malit të Zi përkitazi me letrën :

 

“Pa hyrë në motivet ose në shprehjet e dëshirave të banorëve myslimanë të Gucisë, ne jemi të befasuar që kjo letër e njohur si kërcënuese, është e nënshkruar edhe nga krerët e rretheve të Gjakovës, Pejës, Prizrenit dhe Dibrës. Me çfarë të drejte këta individë, funksionarë otomanë dhe banorë të një pjese të Mbretërisë ku Porta e Lartë ka trupa të rregullta, përzihen në punët e Gucisë dhe kështu në mënyre zyrtare i dërgojnë letër komisionit ndërkombëtar dhe trajtojnë një çështje politike. Kërkojmë që t’ia paraqitni dëshpërimin tonë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Portës së Lartë duke ua bërë me dije se është lidhur paça me Turqinë dhe se Turqia ka pushtetin mbi këto rrethe, ndërsa ata krerë reagojnë në emër të Shqipërisë, ekzistencën e së cilës ne e injorojmë. Përderisa dominimi turk mbizotëron në këto territore, Qeveria e saj duhet të jetë përgjegjëse për faktet dhe veprimet e këtyre individëve mbi të cilët gjithnjë mundet të vë dorë dhe sipas të gjitha gjasave këto veprime janë të tumirur dhe kryhen edhe nga pushteti lokal. Duhet që sa më shpejt të përfundojë kjo gjendje dhe Qeveria Otomane duhet të merr masa efikase në mënyrë që këta mos të përzihen në punët e Gucisë, të cilat duhet të kryhen sa më shpejtë që është e mundur. Ne presim me padurim rezultate të favorshme dhe sqarime sa i përket kësaj letre me Shkëlqesinë Safet Pashën.”

 

Vërbica, e dorëzuar në Kotor në ora 12.58, ndërsa në Podgoricë në ora 2.35 pas dite.

10/12/1879         

 

                                                           

Depeshi 17.

 

LETËR E SIMA POPOVIQIT DERGUAR MASH VERBICES

 

Podgoricë 14 gusht 79

 

I dashuri V. Masho !

 

“Anëtarët e nën komisionit, dje në mëngjes (e hënë), janë nisur për në Kuç. Nëse ndodh diç e rëndësishme nga kjo ngjarje qoftë për mendimet dhe për disponimet e anëtarëve, Niko do të më shkruajë ndërsa unë do t’ua përcjell”.

Punët që ka kryer komisioni në krahinën e Kuçit lidhen direkt edhe me çështjen e Palvës dhe Gucisë. Sipas përfaqësuesit malazez punë parësore është të caktohet vija e kufirit në këtë krahinë, por kur të ulen në tavolinën e bisedimeve ku duhet gjithsesi të votohet, çështja që lidhet me Plavën e Gucinë duhet të jetë e përfunduar. Ata nuk janë të kënaqur me punën e komisionit që sipas tyre nuk ka qenë korrekt dhe mu për këtë janë marrë vesh me qeverinë ruse që ata të mos e pranojnë këtë raport. “ Nëse vepron kësi soji Komisioni nuk mund të ec më tutje, prandaj ata janë të detyruar të njoftojnë qeveritë e tyre. Kjo mënyrë e punës është më e pëlqyeshme për ne. Nëse vjen deri të votimi ne sigurisht do të kërkojmë që kufiri të jetë deri tek vija e Kuçit që do të thotë deri tek Cijevna, duke i lënë Turqisë vetëm ato katër fshatra të Grudës, të cilët janë në anën tjetër të Cijevnes”.

         Qeveria e Malit të Zi shpreson në mbështetje nga ana e Francës, Italisë, Rusisë si dhe shpresojnë se të njëjtën gjë  do ta bëjë edhe Anglia. Nuk do të ketë mbështetje nga Austria dhe Gjermania. Pas kësaj, fusha është e hapur për të vepruar nëpër qeveri në mënyrë që të korrigjohet marrëveshja e Berlinit sa i përket jo natyrshmërisë dhe vendeve strategjike.

Përshëndetje vëllazërore                                                           S. Popoviq

 

(Në këndin e djathtë është shënuar numri 34 ; nën te : kopja e kësaj letre është nën numrin rendor 13).

                                                                       

Depeshi 18.

 

17 gusht 1879.

Vojvoda Stanko Radonjiq i shkruan vojvodës Masha Verbices

 

Istamboll, 17 gusht 1879

 

 

 

“Sa i përket punës sime ju kam shkruar se do të mund t’ju lajmëroj së shpejti për rezultatet që do të arrij, në bashkëpunim me Portën e Lartë. Në telegram kam përmendur çështjen e Plavës dhe Gucisë, e cila është në rend dite, në Pleqësinë ministrore. Safet Pasha ma dha fjalën që jo vetëm se kjo çështje do t’i përcillet qeverisë për ta kryer por që kjo do të realizohet sa më shpejt që është e mundur...

Si duket Plava e Gucia janë asht në fyt si për Portën e lartë, e cila përpiqet të hajë me dy lugë ashtu edhe për Qeverinë e Malit të Zi, e cila ishte në ofanzivë të paparë diplomatike për t’i rrëmbyer këto territore që për të ishin të një rëndësie shumë të madhe strategjike. Në Stamboll punët zvarriten gjithnjë, duke hedhur fajin herë të njëri ministër herë të tjetri e besa edhe të vet oborri mbretëror. Kjo lojë nuk bëhej për ta mbrojtur tërësinë tokësore të shqiptarëve, por nga nostalgjia e Fuqisë e cila ishte në perëndim e sipër.

Faji kryesor për mos përmbushjen e marrëveshjes sipas Portës, ju hidhet krerëve të Lidhjes shqiptare të cilët përgatiten që t’i mbrojnë territoret e tyre deri edhe në njeriun e fundit. Ironi e kulluar nga ana malazeze, edhe vet diplomati i tyre në Stamboll shprehet kështu sa i përket Lidhje Shqiptare :... ndër të tjera i thash Pashait se Lidhje Shqiptare është vetëm një farsë e Husein Pashës dhe së faktikisht kjo nuk ekziston fare...”

Ky diplomat nuk lë mjet pa përdorur për ta bindur Portën që ta përmbushë marrëveshjen të cilën e kishte nënshkruar vet. Nëse kjo nuk respektohet Mali i Zi marrëveshjen do ta jetësojë edhe me forcë...

 

Zotëri Ministër pranoni respektin tim më të thellë.

V.S. Radoniq  

( 1328, 17/8 79)

 

Depeshi 19

 

Kopja e raportit të Jastrebovit i datës 10 dhjetor 1879 N0 71

 

Populli shqiptar dhe krerët e të gjitha krahinave të ballafaquar me pazarllëqe të bëra nga Fuqitë e Mëdha dhe nga vet Porta në dëm të tokave të tyre, përpiqen të marrin fatin e tyre në duart të veta. Sipas depesheve të shumta kemi mundësi të vërejmë revoltën e tyre dhe përpjekjet e tyre për t’ju kundërvënë vendimeve të Traktatit të Berlinit me forcë.

Gjithnjë sipas këtij depeshi mësohet se janë përgatitur turqit (shqiptarët) në numër të madh për t’ju kundërvënë copëtimit të trojeve të tyre dhe në këtë vazhdë janë  rreth 2 000 turq janë grumbulluar në Gusi. Pritet që këtyre trupave t’ju bashkohen edhe 4 000 të tjerë nga të gjitha pjesët e Malësisë së Madhe, Pejës, Gjakovës por edhe të Prizrenit.

Mukat pasha i ngarkuar nga Porta e lartë të bisedojë me shqiptarët e grumbulluar në Gucie nuk ia doli t’i bind ata që të tërhiqen dhe ta respektojnë marrëveshjen ndërkombëtare. Ndër të tjera ai citohet të ketë thënë :”Ne (Porta e Lartë) jemi të interesuar ta respektojmë marrëveshjen por jo me çdo kusht.....Nga këto territore që duhet t’i dorëzohen Malit të Zi, ne kemi hequr dorë që prej kohësh....Është e pamundur të mos përkrahet kjo kryengritje e popullatës së Gjakovës, Pejës dhe Gucisë kur dihet se nuk janë pyetur fare për fatin e trojeve të tyre, çka do të thotë se vet marrëveshja është e përshkuar me gabime. I mbetet Malit të Zi t’i merr vet këto troje prej të cilave ne nuk kemi përfituar kurrë asgjë.....”

Depeshi përfundon me pohimin se batalioni që vinte nga Mitrovica, i përbërë nga 4 000 veta të armatosur është ndaluar nga forcat turke dhe është detyruar të kalojë net të tëra në Klinë...

 

Arkivi i Cetinës, Ministria e Punëve të Jashtme No1345, 10/12/1879   



[1] Dokumentet janë hulumtuar në Arkivin e Malit të Zi në Cetine, ndërsa kopjet ruhen në Arkivin e Kosovës. Dokumentet janë kryesisht të fondit: “Ministarstvo Inostranih Delova Crne Gore, Cetnije” (Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora