E diele, 25.07.2021, 01:39 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (IX)

E shtune, 06.12.2008, 07:00 PM


Kur fillojnë e thyhen netët e marsit

Pragnisje:

Në mëngjesin e 5 marsit ai ende nuk kishte vënë gjumë në sy. Ishte ende natë, njëra nga netët e errëta të fillimit të  pranverës, në një cep të Gjermanisë së poshtme. Kishte pritur gjithë kohën njerëzit që kishin vendosur të niseshin me të. I  pari, nga Duisburgu, një qytet i largët, kishte ardhur Xhemë Gashi. Kishte blerë një veturë të vjetër, "Benz", ngjyrë të  bardhë dhe kishte thënë thjesht: "Shkojmë deri në Shqipëri me të dhe pastaj ua lëmë shokëve që merren me furnizimin. E di  se kanë nevojë për të".

Pastaj kishin ardhur të tjerët, njëri pas tjetrit dhe kishin ardhur krejt si zakonisht. Ai ishte përpjekur të dallonte  diçka të veçantë tek ata, por nuk e kishte gjetur. Ishte ndjerë i qetë dhe kishte thënë me vete se nuk kishte gabuar në  zgjedhjen e tyre. Kishte qenë i bindur për këtë, çdo gjë që kishte rrjedhur deri atëherë ia kishte dhënë këtë besim,  megjithatë, ka një moment, një çast, kur ndoshta edhe për pak kohë, mund të luhatesh. Disa prej tyre po linin në shtëpi  familjet, kishin fëmijë të vegjël, ja, Xhema për shembull, mendoi ai me vete, kishte një djalë 5 vjeçar, Samiu po ashtu.  Nuk ishte e lehtë t'i lije vetëm e të niseseshe për në luftë, për më tepër në një luftë që ishte vetëm në fillimet e saj.

Prej ku po niseshin e deri në kalimin e kufirit, në dy anët e të cilit flitej shqip dhe kjo i dhimbte atij më shumë se çdo  gjë tjetër, ishin më shumë se 1500 kilometra rrugë, do të kalohej përmes tre shteteve, pastaj deti Adriatik. Nuk ishte një  udhëtim i zakonshëm.

Nata e mbrëmshme kishte qenë e gjatë, tepër e gjatë, njëra prej netëve të cilës nuk i dihej as fillimi e as fundi. Ishte më  shumë një ditënatë. Pas dy a tre orëve do të fillonte të zbardhte, por atëherë ai do të ishte në fillimin e vargmalave të  Tirolit Jugor.

Të gjithë të tjerët po flinin. Burrat në një dhomë, në dhomën tjetër ishin Xheva, Shema dhe fëmijët. Kur mendonte për ta,  fëmijët, ndjente gjithmonë një shtrëngim malli. Diçka i bulonte vrullshëm në veten e tij. Nuk ishte mungesa e fëmijve. Kudo  që shkonte, ai merrte pranë fëmijët e vegjël dhe luante e fliste me ta, sikur të ishin të njohur prej vitesh. Kur e shikoje  ashtu, të madh, burrëror, pasi më parë kishe dëgjuar bisedën e tij, e kishe të vështirë të besoje se ishte i njëjti njeri.  Edhe një natë përpara kështu kishte ndodhur. Fëmijët e të vëllait, Ramizit, i kishin ardhur të katërt pranë, ai më shumë  donte vajzën, ndoshta edhe nga emri, Kosovare. Pastaj djemtë, sikur ta ndjenin se do të kishte një largim, nuk donin të  iknin. Vajza kishte shkuar tek dada Xhevë. Ndjeu përsëri afërsinë e tyre dhe e dinte se atje larg, vetëm mallin e tyre do  të kishte.

Shokët filluan të zgjoheshin. Poshtë prisnin tre makina. Natën që po shkonte ai i kishte thënë Xhemë Gashit se ai dhe Xheva  do të udhëtonin me të. Aty do të sistemonin edhe uniformat ushtarake dhe pajisjet e tjera.

"Nëse ndodh gjë në kalimin e kufirit apo gjatë rrugës, do të themi se janë vetëm tonat. Të tuat dhe të miat. Të tjerët le  të vazhdojnë rrugën".

"Mirë”, tha Xhema, krejt qetësisht, si të ishte fjala për të bartur diçka të zakonshme.

Kur u nisën, qyteti ishte ende në gjumë. Fashat e dritave të makinave çanin errësirën. Në çdo orë që kalonte, ata i  afroheshin vendlindjes. Nuk ndjenin asnjë lloj mërzie që po iknin.E vetmja keqardhje e tyre ishte se Kosova kishte qëlluar  aq larg.

Tashmë ajo ishte larg me kilometrat që kishin përpara. Dhe me padurimin për të mbërritur, gjithnjë në përpjesëtim të  zhdrejtë me dëshirën.

Ishin nisur. Edhe një herë bashkë. Xheva rrinte dhe shikonte peisazhin përreth. Nuk do t’i shihnin më këto zgjatime malesh  që rendnin nëpër terr. Gjithçka do të mbeste pas, vite të shkuara, dhimbje e kaluar. I vinte keq që me disa nga miqtë e tij  nuk kishte arritur të ndahej, por kjo nuk ishte edhe aq e rëndësishme. Kishin mjaft kohë përpara.

"Çikë, po shkojmë”, i tha ai ngadalë Xhevës. Kishte gjithçka në ato krejt pak fjalë.

"Po shkojmë”, tha edhe ajo dhe ai e ndjeu se kjo kishte qenë gjithnjë dëshira e saj. Nuk i vinte keq që po iknin. I kishte  ardhur keq vetëm kur kishin ardhur...

Fragmente nga një bisedë me Hashim Thaçin

"Për Fehmiun kisha dëgjuar shumë herët, qysh kur isha në vitet e para të studimeve, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, për  angazhimin e tij, si i burgosur politik, për qëndrimin e pathyeshëm në burgjet jugosllave, për rezistencën që kishte  zhvilluar në Kroaci kundër ushtrisë serbe. Të gjitha këto i kisha dëgjuar nga shokët e tij: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu,  Shaban Muja, etj. Mirëpo, personalisht Fehmiun kam takuar në verë të vitit 1994 në Gjermani, tek i cili qëndrova disa ditë.  Aty për herë të parë e kam takuar edhe Xhevën, bashkëshorten dhe bashkëluftëtaren e tij të pandashme. Kishte vite që ne  njiheshim indirekt, nga të tjerët.

Familja Lladrovci vazhdimisht ka qenë e përkushtuar ndaj çështjes atdhetare. Fehmiu u burgos në mes të viteve të  tetëdhjeta, kurse vëllau i tij, Ramizi që herët ishte i inkuadruar në lëvizjen klandestine të kohës. Unë, në fillim të  viteve 1991 dhe 1992, kam qëndruar shpesh në familjen Lladrovci, ku së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë kemi biseduar për  organizimin e rezistencës së armatosur. Gjithsesi, duhet ta theksoj kontributin e babait të Fehmiut, bacës Tush, i cili për  ne e kishte të hapur gjithmonë derën e shtëpisë dhe na ka strehuar dhe ushqyer në çdo kohë.

Unë: Si ndodhi kalimi i kufirit në marsin e vitit 1998?

"Kadri Veseli dhe unë kishim përvojë të kalimit të kufirit. Kalimi i kufirit me Fehmiun, Xhevën dhe me atë grup, ishte  përjetim i veçantë. Kur arrita në bazën më të afërt pranë kufirit, sepse ndërkohë isha i angazhuar në një punë tjetër,  mbeta i mahnitur kur Fehmiun dhe Xhevën i pashë të veshur në uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte  trupgjatë, njeri shumë serioz dhe me përkushtim të veçantë. Kalimi i kufirit ishte mjaft i vështirë, sepse nga fshati  Vllahën i Hasit kaluam nëpër Bjeshkët e Pashtrikut, gjatë tërë natës, në acarin e fillim marsit 1998, për të arritur në  Demjan të Hasit. Në Demjan, gjatë ditës, u strehuam në një pyll të vogël dhe qëndruam gjatë tërë kohës. Kjo duhej bërë për  të mos rënë në sytë e njerëzve lëvizjet tona.

Pas hyrjes në Kosovë, Fehmiu luajti një rol të rëndësishëm në forcimin dhe organizimin e UÇK-së, në sajë të përvojës së  arritur në luftërat e Kroacisë dhe të përgatitjes ushtarake që kishte përfituar atje.

Ndërkohë, Fehmiu zhvilloi një intervistë me gazetarin e BBC-së, një paraqitje tashmë e mirënjohur për publikun e gjerë, në  të cilën shfaqi konceptin e tij, vizionin dhe vendosmërinë e luftës së UÇK-së. Edhe më parë Fehmiu kishte paraqitje  mediale, por në intervistën e BBC-së ishte më i plotë, sepse ishte brenda strukturave të UÇK-së. Aty shihet qartë se sa i  besonte drejtësisë së luftës Fehmiu. Ajo intervistë u shndërrua nga mesazh medial në simbol të vendosmërisë dhe forcës së  karakterit të Fehmi Lladrovcit dhe UÇK-së”.

E vërteta për intervistën e famshme të Fehmiut ose përfaqësimi i parë medial i UÇK-së në botën e jashtme

Në mes të 10 marsit dhe 22 shtatorit 1998, ka mjaft prej atyre ngjarjeve të cilat e bënë edhe më të përkushtuar jetën e  Fehmi Lladrovcit, njëkohësisht edhe më të njohur emrin e tij. Njëra prej tyre, ndoshta nga më të njohurat, është edhe  intervista, në cilësinë e komandantit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhënë gazetarit të njohur britanik Devid  Lloid, dhe transmetuar në kanalin televiziv BBC World, në maj të vitit 1998. Në të vërtetë intervista është përgatitur në  fundin e muajit prill.

Është fillimi i pranverës së vitit 1998 dhe ende nuk ishin bërë të njohura strukturat e UÇK-së, ende nuk ishte ngritur  Drejtoria Politike e saj, dhe nuk kishte të emëruar zëdhënësin e saj politik. Duke mos patur lidhje të tilla, pra një  adresë se ku mund "të trokitej", gazetari britanik, ashtu si shumë të tjerë, ende nuk e kishin gjetur rrugën drejt frontit  të luftës. Nga ana tjetër, ata që ishin në luftë, shpeshherë nuk e dinin se me cilët kishin të bënin, se sa të besueshëm  janë ata që po shkojnë, sa mund t'u besohet dhe sa të saktë do të ishin më tej. Në fund të fundit, gjithçka ishte në  fillimin e një shtrirjeje masive të radhëve të UÇK-së, saqë koha e mbetur për të kontrolluar sa nga vijnë dhe ku shkojnë  gazetarët e huaj, ishte shumë e paktë. Pikërisht këtu qëndron edhe shkaku i disa keqkuptimeve që ndodhnin me gazetarë të  huaj, por ndoshta kjo ishte edhe më mirë, sepse jo rrallë ishin bërë përpjekje që edhe përmes "shtypit" të penetronin në  zonat e luftës njerëz të lidhur me qarqet e luftës së Serbisë. Kjo nuk kishte ndodhur vetëm me dy "gazetarë" francezë, por  edhe me një njeri tjetër që ishte paraqitur si gazetar i lirë hollandez, e në të vërtetë ishte krejt i huaj për shtypin.

Lajmi se një gazetar britanik në Drenicë kishte ardhur përmes lidhjeve me Jashar Salihut, kryetar i Fondit "Vendlindja  thërret" dhe nënkryetar i LPK-së, do të ishte disi i papritur në zonën e parë operative. Ende ishte gjithçka në ringritje.  Nga ana tjetër, kjo do të ishte intervista e parë nga zonat e luftës, duhej të ishte domosdo një paraqitje sa më dinjitoze  të ishte e mundur. Askush tjetër nuk mund ta bënte këtë më mirë se sa Fehmi Lladrovci.

Dikush i propozoi që në intervistë të jetë i maskuar, të vendosë një maskë në fytyrë. Nuk e pranon, e refuzon preras dhe  thotë se nuk është kthyer në Kosovë që të jetë anonim dhe nuk ka pse të fshihet. Ai është këtu në vendin e tij dhe për  vendin e tij. Ka njëfarë hezitimi nga ai që propozon. As që e kishte menduar ndonjëherë se mund të fliste me maskë për  luftën e popullit të tij. Ende është droja se mos ky njeri, edhe kështu kaq i mitizuar, do të bëhet edhe më "i madh", dhe  nuk do të dihej nëse do t’i pëlqente gjithkujt një afishim i tillë. Në fund të fundit nuk ka rrugë tjetër. Ai është nga të  paktët që mund të bëjë këtë. Bien në një mendje, edhe sepse në thelb, edhe ai do të dëshironte të ishte ashtu siç e kishte  menduar Fehmiu. Një baticë-zbaticë e fjalëve të dikurshme do të jetë gjithnjë e pranishme.

Ai është serioz, si gjithnjë. Për herë të parë në jetë, ndoshta edhe për të hequr një pjesë të mallit për mikun e tij të  dikurshëm, Adem Jasharin, ka lënë mjekër. Nuk e ka më atë shikimin e menduar që kishte patur dikur, sepse nuk kishte asnjë  brengë më, ishte më i qetë në gjithçka që kishte mbartë me vete dhe çdo gjë e tij shpreh një siguri të jashtëzakonshme.  Ishte më i shëndoshë se kur kishte ikur nga Perëndimi, sepse halli i madh i moskthimit i ka rënë nga supet.

Në të vërtetë, është pak i emocionuar, e di përgjegjësinë e madhe që ka marrë mbi vete dhe që njëkohësisht i kanë besuar  shokët e tij. Ai e di po ashtu se BBC është një nga mediat radiotelevizive më prestigjioze në të gjithë botën. Në të  njëjtën kohë ky është edhe përfaqësimi i parë politik i UÇK-së në botën e jashtme. Para saj, askund, nuk është bërë një  intervistë nga zonat e luftës, e edhe më pas, ato do të jenë të pakta, dhe asnjëra prej tyre nuk do të ketë jehonën e saj.

Nga ana emocionale, kjo intervistë ka një ndër momentet më madhore të Fehmiut, ose më saktë të afishimit të idealit të tij.  Gjatë gjithë intervistës ai ka qenë tepër serioz, disi i vrenjtur, ushtarak i lindur, i bindur në atë që thotë, por edhe  duke e ditur se kjo do të ishte një luftë e rëndë, e ashpër dhe e përgjakshme. Ka këtu një moment i cili, si të thuash, e  dritëzon krejt intervistën në anën emocionale dhe ideore të saj, dhe ky shfaqet pas pyetjes së gazetarit britanik: "Keni  kaluar një kohë të gjatë në burg politik. A jeni të gatshëm të vdisni për Kosovën?"

Ky është i vetmi moment që Fehmiu shkëputet nga serioziteti i tij dhe flet gjithçka që kishte në shpirt; buzëqesh me një  dritë të veçantë dhe përgjigjet: "Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta. Të gjithë ushtarët e UÇK-së  janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë në duar që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe asnjë nuk do ta kursejë jetën.  Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora