E premte, 25.06.2021, 10:29 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XVII)

E shtune, 06.12.2008, 04:12 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XVII

Ditët e fundit të qershorit, 1948, nuk ra bilbili i zgjimit. Shumë nga ne nuk u ngritëm fare, të gëzuem me pushimin nga lodhja dërrmuese. Disa kërkuen me dalë nga barakat për nevojat personale, por roja i ktheu mbrapa. Të hutuem, pritshim me padurim çdo shej që tregonte ndryshimin e gjendjes në kamp. Rreth orës së drekës, dyert e kampit u hapën e drejtori, i shoqnuem nga nji duzinë rojesh me shkopij në dorë, urdhnoi daljen e të gjithëve në oborr. Mbas rreshtimit të zakonshëm, ai ftoi nji komandant brigade të lexojë gazetën e përditshme, me za të naltë. Në kamp nuk lejohej gazeta. Herë mbas here, mbaheshin konferenca para nesh, thelbi i të cilave ishte nji seri akuzash kundër “armiqve të popullit” e “imperializmit angloamerikan”. Por kësaj rradhe, kishte diçka që kalonte kufijt e zakonshëm. Nga titujt, kuptuem gjithçka. “Rezolucioni i Informbyrosë” dënonte udhëheqësit jugosllavë, për devijim e revizionizëm. Për ma shumë se dy orë, nën diellin përvëlues të Bedenit, pa qenë në gjendje me lëvizë, pa bukë, pa ujë, ndigjuem me kureshtjen ma të madhe, çdo fjalë, çdo rresht e çdo theks të lektorit. Për katër vjet me radhë, ishin bombardue, ditë e natë, me vlerat e mëdha të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-jugosllave, me ndihmën e Jugosllavisë së Titos, me gjakun e përbashkët të derdhun në luftën kundër fashizmit. Tashti, ishte e kundërta. Ndryshimi ishte aq i madh e i shpejtë, saqe nuk ishim në gjendje me kuptue. Ishte e mundun nji kthesë e këtillë? Çka do të bahej me Shqipninë tonë komuniste? U kthyem në barakë pa fjalë, por me nji gëzim të papërshkrueshëm! Spekulimet nuk kishin kufij. Disa filluen me përgatitë rrobet, në pritje të nji lirimi të shpejtë. Të tjerët pritshin nji “zbutje” të madhe. Të gjithë e mirëpritëm ndryshimin. Historikisht, Jugosllavia kishte paraqitë nji rrezik për vendin tonë. Kosova lëngonte nën Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Largimi nga dominimi jugosllav, ishte padyshim i dëshirueshëm, po Shqipnia komuniste, ç’rrugë do të merrte?! Prishja e marrëdhanieve me Jugosllavinë e Titos, ka qenë grushti i parë që lëkundi “besimin” e ri. Shpresat e katër vjetëve ishin thye, ose të paktën, ishin vue në dyshim. Ashtu si me çdo ideologji që kërkon dorëzimin e plotë të individit në krahët e “kolektivit”, dyshimi që kishte hy, ishte krymbi vdekjeprumës. Në mungesë të nji besimi themeltar, boshlleku i krijuem do të kishte prue me vetë shkatërrimin e sistemit, sikur udhëheqësit e kuq të mos kishin nxjerrë nga bodrumet e mbylluna, apelin e nacionalizmit tradicional shqiptar. “Internacionalizmi proletar”, kishte dështue! Nji qëndrim i këtillë politik, megjithëse përkëdhelte sentimentin e shumicës së popullsisë vendëse, nuk pati ndonji efekt mbi filozofinë ose praktikën e qeverisjes nga udhëheqja komuniste. Na e kuptuem! Kjo qeveri, në fakt, udhëhiqej nga interesat e ngushta vetjake që shërbeheshin shumë mirë nga diktatura e proletariatit. Si rrjedhim, iluzionet tona fillestare në mundësinë e nji “kthese” mbas shkëputjes nga dominimi jugosllav në jetën politike e ekonomike të Shqipnisë, u shuen shpejt. Ajo që mbeti, ishte nji ndërpremje e shkurtër treditore e punës, e rifillimi i jetës së përditshme, me një egërsi ma të madhe. Frika e qeveritarëve komuniste nga nji ndërhymje e fuqishme jugosllave në Shqipni, u ndie edhe në kampin tonë të izoluem. Rojet u banë ma të ashpra, drejtori ma agresiv, dënimet ma të shpeshta e ushqimet, ma të pakta. Litari rreth qafës sonë, shtrëngohej çdo ditë!

Ditët e dielë, kishim pushim. Disa nga ne merreshin për punë të ndryshme që kërkojshin policët e familjet e tyne, ose shërbime të tjera të rastit. Ngriheshim në mëngjes, merrshim racionin e bukës e të çajit, ma vonë bollgurin për drekë e bollgurin për darkë. Në muzg ndryheshim brenda barakave, deri ne agimin e dites se ardhme. E diela na sherbente me pastrue trupin e rrobet, natyrisht kur kishte ujë. Disa herë nxjerrshim leckat në diell, e i shkundshim nga pluhni. Kohën e lirë e kalojshim të shtrimë në krevat për pushim, ose me biseda shoqnore. Përmbi të gjitha, na filluem me njohë njeni-tjetrin, sidomos grupi i studentëve nga të tre burgjet e Shqipnisë. Me kujdesin ma të madh filloi shkëmbimi i mendimeve tona me çiltërsi. Për mue, kjo u revelue si nji fitore e madhe. Mbas kaq kohe kisha mundësi me folë, pa frikë se mirëbesimi im do të keqpërdorej nga të tjerët. Në këtë rreth të vogël të rijsh idealistë, dalëngadalë, po farkëtohej nji miqësi e vertetë e mbështetun në mirëbesim e bindje politike te përbashkët e që premtonte shumë për të ardhmen e vendit e shoqnisë shqiptare. Sëmundjet kronikë të ideologjive të ndryshme, të fesë, të krahinës, që kishin sjellë aq dam në vendin tonë në të kaluemen, në mesin tonë, kishin humbë vlerën e tyne specifike, e mbeteshin vetëm si kujtime shqetësuese. Në burg, në kamp, në vuejtje të përbashkët, solidariteti i të shtypunve kalonte dimensionet artificiale të “politikës së ditës”, e hidhte bazat për ndërtimin e shoqnisë, mbi vlerat njerëzore të secilit prej nesh, si individë e qytetarë të lirë. Në kamp më forcohej bindja se, në mesin tonë, kishte brumë që gatonte nji të ardhme të mirë, kishte qytetarë në gjendje me formue nji shoqni të lirë. Fryma e solidaritetit që lindi e shkëmbimet e lira të mendimeve tona, gjejshin shprehjen e tyne në nji lloj kodifikimi të “filozofisë” sonë politike, fillestare, ndoshta e papërpunueme mirë, por sigurisht, e vume në rrugë të mbarë. Rezistenca jonë ideologjike e fizike kundër diktaturës e metodave të saj në Shqipni, vishej çdo ditë me nji kuptim ma të gjanë, nji rrobë që, sigurisht ishte edhe justifikimi i saj. Vetë angazhimi kundër kamxhikut te vorfnisë, shtypjes, smundjes, paditunisë, padrejtsisë, e fenomeneve të damshme të natyrës, katastrofa të paparapame, barrë e randë, e padurueshme, përulëse, shkatërruese e dinjitetit dhe mirëqenies njerëzore, merrte nji karakter prometean, si nji duel kryenaltë dhe gjoks-hapët kundër perëndive të së keqes, të pamend e të pazemër, hyjni hakmarrëse e xheloze të guximit tonë. Nën tiraninë e kuqe, lufta e njeriut kundër njeriut ishte nji akt që theu në mënyrën ma të pafalshme, këtë angazhim fisnik; ajo luftë ishte nji akt që në mënyrë të pashmangshme, degjenerohej në shtypje, në vdekje, në shkatërim. Sa ma shumë egërsohej regjimi i terrorit, aq ma shumë shtohej bindja jonë se komunistët shqiptarë, nuk do të na falin kundërshtimin tonë dhe, se jeta jonë në burg, do të zgjatej pambarim e në vuejtje përherë ma të mëdha. Sepse, kjo rini që po dergjej mbrapa telave me gjemba, përfaqësonte për shtypsin, pasqyrën e ndërgjegjes shqiptare, thelbin e nji ideali që komunistët kishin tradhtue, simbolin e pastërtisë së mendimit e të qëllimit të aktit revoltues. Kjo rini e burgosun, si nji vegim diellor i papërmbajtun, verbonte sytë e tyne të mbyllun e të pafuqishëm me pa botën e krimit, e lëkundte bindjen e tyne deri në dyshim. Nji “jo” kambëngulëse e jona ishte aty, para syve të diktaturës, dëshmitarë e frymës së lirë që refuzon dorëzimin e pakusht të skllavëve që nuk ngrejnë kokën kurrë! Nganjiherë, me gjithë dashuninë vllaznore për të mjerët si unë, ndiejsha nji lloj gëzimi pa fisnikëri, kur vuejtjet randoheshin edhe ma shumë. Në atë gjendje revoltimi, mendojsha se këto vuejtje do të shpërthejshin nji ditë me nji kryengritje, sepse njerëzit do të ndiejshin edhe ma shumë peshën e randë të nji dobësie që lindë tek secili nga ne, si rrjedhim i nënshtrimit të vazhdueshëm e frikës!

Gjatësia e kanalit e rriti shumë largësinë prej kampit. Gjatë kthimit në mbramje, rojet na rrahshin me shkopij, që të shpejtojshim hapin. Të dobtët mbeteshin gjithmonë mbrapa. Nji mbramje, nji fatkeq, pranë meje, u rrëzue, pa muejtë me ecë ma gjatë. Unë u ndala. Nji krah i fuqishëm e ngriti në kambë. E morëm së bashku mbi supet tona deri në kamp. I smuri nuk foli. Thirrëm infermierin që e vuni në “spitalin” e kampit. Mbas darkës, shoku im, nji vlonjat, që miqësova me takimin e parë e unë, shkuem te i smuri. Ishte i ngrimë. E puthëm në ballë viktimën që nuk i dijshim as emnin, e u larguem. Pak ditë ma vonë, nji tjetër fatmjerë, në moshën mesatare e trup të dobët torturohej nga rojet që e detyrojshin me mbajtë në kurriz nji qerre të mbushun me baltë. Ai qëndroi pak, kambët iu dridhen e, ma në fund, ra në gjuj. Rojet e rrahën. Ai nuk nxorri za. Shoku vlonjat më shpjegoi se ishte nga Vlora, ish-profesor i shkollës tregtare. “Do të njof me atë”, më premtoi. Të nesërmen, të dy së bashku vizituem profesorin që pushonte në krevat. Fliste me ngadalë, por me nji bindje që më bani për vete. Ishte i pjekun, njihte situatën mirë dhe e vendoste atë me autoritet në kuadrin e gjendjes ndërkombëtare. Kuptova se kisha zbulue nji shok me vlerë, dhe e vizitova shpesh e me dëshirë. I mbyllun hermetikisht brenda telave me gjemba të kampit, profesori vlonjat më hapi nji dritare, nga ku lindte shpresa e një të nesërmeje të lirë. Nga shprehjet e rojeve, kuptuem se emni Partia Komuniste e Shqipërisë ishte ndryshue në Partia e Punës së Shqipërisë. Në dukej i parandësi, ky ndryshim më preku në nji mënyrë të papritun. Kjo “parti komuniste” që, për katër vjet kishte vendosë “diktaturën e proletariatit” në formën e saj ma të egër, mund të quhej gjithçka, të hidhte çdo parrullë që dëshironte, por jo të zinte me gojë “punën”. Sepse ka nji fisnikëri imanente në punën që tejkalon kufijt e propagandës së diktaturës, e që asht e pa-arrijtshme nga diktatura. Puna tejkalon partinë, grupin, shtetin. Në brendinë e saj, ajo ka diçka thellësisht njerëzore që i takon çdo njeriu, në çdo vend e në çdo kohë. Ajo është ndershmënia e fitueme me djersë, e justifikimi i kryenaltësisë së individit si ndërtues e si krijues, përsa kohë që ajo asht e lirë. Puna e detyrushme asht vetëm skllavëni! Shikojsha vogëlushin me flokë të bardhë, si e quejshim na Pirron, të riun gjashtëmbëdhjetëvjeçar nga Korça, baba i të cilit lëngonte në burgun e Burrelit. I dënuem për tentativë arratisjeje në Greqi, vogëlushi Pirro ishte i burgosuni ma i dashtun i kampit. Historia e jetës së tij ishte e pabesueshme, e shtypja që ushtrohej mbi familjen e tij, ishte tej-tokësore: të gjithë, prindë e fëmij, ishin në burgje ose në kampe përqendrimi. Shikojsha flokët e këtij vogëlushi martir, zbardhue para kohe, në këtë moshë ende fëmijnore, e nuk u bindsha se nji çnjerëzim i këtillë kishte origjinë shqiptare dhe se populli im shqiptar, kishte ra aq poshtë, sa të krijonte fatkeqësi të këtilla, përtej kufivje të mundësisë njerëzore me shpjegue. Oh! Vetëm për Pirron, vetëm për Pirron, regjimi i tiranisë komuniste duhej akuzue e dënue! Nji ditë ngjau ajo që nuk pritej. Në nji çast revoltimi të papërmbajtun, Nimani, burri tropojan që më kishte dhanë kapotën me u mbulue natën e parë në kamp, i dha nji shuplakë në fëtyrë brigadierit tonë, aq të randë, saqë ai mbeti në vend, pa fjalë, pa lëvizë nga tronditja e pësueme. Në mes të nji heshtjeje të plotë të gjithë brigadës, burri guximtar kërcënoi: “Po të raportosh në komandë, do të marr shpirtin!” Askush nuk nxorri za. Brigadieri shikoi rreth e rrotull, uli kokën e doli jashtë nga kazerma. Përsëri asnji za, por heshtjen e madhe e mbulonte nji valë gëzimi e përgjithshme. Ishte thye akulli i frikës. Brigadieri që na torturonte, nuk ishte ma i paprekshëm. Efekti psikologjik i shuplakës, nuk mund të llogaritej. Në veten tonë ndjeheshim sikur muri i hekurt që na rrethonte, nuk ishte i pathyeshëm. Po lindte nji hov i ri guximi që na trimnoi të gjithëve me rezistue. “Shuplaka” ishte revelacioni i hovit shpirtnor që lindi nga guximi i egër i viktimës, në ballafaqim me torturuesin. Akte të këtilla guximtare shpërblejshin orët e gjata të poshtnimit e të frikës; ata rivendosshin në piedestal të nderit, dinjitetin e njeriut të lirë, tani të nëpërkambun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora