E hene, 02.08.2021, 07:49 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shkodër 1990: Rikthimi i fesë 23 vjet pas ndalimit

E premte, 05.12.2008, 11:20 AM


Mesha e 11 nëntorit
Nga A. Dushi/ A. Gjypi

 

Asnjë prej rreth 50 000 vetëve që u grumbulluan atë ditë nuk ishte i sigurtë nëse do të kthehej në shtëpi. Shumë prej tyre në ditët e pastajme u rrahën, u torturuan e bënë disa muaj burg, përpara se të vinin ndryshimet e mëdha dhe të përmbysej përfundimisht regjimi. Ai oqean njerëzish ishte i pushtuem nga dy ndjesi, ajo e jetës dhe e vdekjes. Seicili e ndjente veten më shumë se kurrë pranë atyre që pushojshin në paqe aty poshtë.

 

SHKODËR - Kanë kaluar 18 vite që nga ato ditë të cilat do të fundosnin përgjithmonë historinë famëkeqe 23-vjeçare të ateizmit të detyruar në Shqipëri. Pikërisht 18 vjet më parë, përkatësisht më 11 dhe 16 nëntor 1990, qyteti i Shkodrës, prijës i demokracisë, do të mposhtte frikën e rrezikun e diktaturës që, ndonëse në grahmat e fundit, vazhdonte të ishte prezente dhe do të rihapte pas 23 vjetësh objektet e kultit, duke zhvilluar dhe ritualet përkatëse.

 

Më 11 nëntor 1990, në kishën pranë varrezave katolike të Rrmajit, do të mbahej mesha e parë masive para një numri tepër të madh qytetarësh shkodranë, pa dallime fetare, pas ndalimit me ligj të fesë në vitin 1967.Ndërsa pak ditë më vonë, më 16 nëntor 1990, në Xhaminë e Plumbit në Shkodër do të bëhej falja e xhumasë, po për një numër të madh njerëzish, dhe këtu pa dallime fetare, të cilët mbushën sheshin e varrezave katolike të Rrmajit dhe atë para Xhamisë së Plumbit, për t’i thënë “Mjaft!” një të drejte të mohuar padrejtësisht nga diktatura: lirisë së besimit fetar dhe ushtrimit të riteve të tij.

 

Rihapja e Kishës tek varrezat e Rrmajit

 

Mesha e parë solemne për një numër të madh qytetarësh shkodranë u mbajt te kisha te Varrezat e Rrmajit, më 11 nëntor 1990. Mbajtësi i saj ishte një klerik i cili e kishte kaluar gati gjysmën e jetës në burgjet e komunizmit, Dom Simon Jubani. Duke iu përgjigjur kërkesës së disa besimtarëve shkodranë që mendonin se kishte ardhur koha të bëhej ky hap, Dom Simon Jubani pati guximin ta hidhte atë hap. Dëshmitarët e atyre ditëve tregojnë se gjithçka kishte nisur spontanisht, por që shumë shpejt ishte formëzuar dhe kthyer në një veprim të organizuar deri në detaje.

 

Siç kujton vetë Dom Simon Jubani, gjithçka nisi më 4 nëntor 1990. “Më 4 nëntor 1990, në orën 09:00 paradite, vjen në shtëpinë time një qytetar shkodran, Mark Murana, i cili punonte shofer autoambulance. Ai më tha se do njerëz të mbledhun tek vorret katolike, ku kanë të dashtunit e tyre, ndërsa janë duke i pastru ato, dojshin me ba meshë dhe e kishin dërgu Markun me më thirrë mue, që isha meshtari që e kishte shpinë ma afër.

 

Dhe unë, tue shpresue se askush nuk do të guxonte me më thanë gja, për shkak të fjalëve që ishin përhapë se komunizmi në lindje po binte shpejt, bana gati valixhen me të gjitha orenditë e meshës dhe u nisa. Ai popull i paktë që ishte mbledhë në varreza, pasi ishte muaji i të vdekurve apo i purgatorëve, sipas besimit katolik, ishte tu pastru vorret e të afërmve të tyre dhe nga frika e ndonjë pasoje as më përshëndetën, duke u dukur sikur nuk kishin punë me mua. Unë shkova drejt vendit ku dikur kishte qenë elteri, Marku erdhi me një tavolinë në dorë.

 

Aty mbajta meshën pas gjithë asaj kohe ndalimi, pa e pasë mendjen se çfarë mund të ndodhte, por vetëm duke u përfshi nga bërja e sakramenteve dhe entuziazmi që arrita në këtë ditë. Dalëngadalë turma drejt elterit u shtu. Mesha e parë në madhështinë e vet mbeti një fakt i izoluem, por shërbeu si fillim i atij organizimi që një javë më pas solli 11 nëntorin, meshën solemne të rikthimit të besimit”.

 

Nga data 5 e deri në orët e para të datës 11 nëntor, varrezat katolike të Rrmajit u kthyen në një shesh ndërtimi. Muratorë, marangozë, bojaxhinj punonin pa pushim për të kryer punën e krijuar një mjedis të përshtashëm për meshën që do të mbahej para popullit. Zef Gjoni, një nga më aktivët në këtë ngjarje, kujton se ajo nuk ishte diçka e organizuar, por gjithçka nisi spontanisht: “Ishim një grup prej 6 vetash, me pas gjithçka mori rrugën vetvetiu.

 

Ishte një sipërmarrje, e cila nuk njihte frikën, pavarësisht se të gjithë ne e mendonim. Të gjithë ne, ai grup njerëzish, por dhe të tjerë që na ndoqën gjatë një jave, shkonim tek kapela e kishës së Rrmajit për ta rindërtuar. Nuk kishte lider, gjithsecili mundohej të kryente atë punë që i takonte në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që me 11 nëntor gjithçka të ishte e përsosun”.

 

Gjatë gjithë javës organizatorët ishin në tension për sigurinë e klerikut 63-vjeçar Simon Jubani. Ai lëvizej çdo ditë në banesa të ndryshme duke shmangur ndonjë të papritur që mund të ofronte Sigurimi i Shtetit. Çdo frikë, çdo ndjenjë pasigurie ishte larguar pëfundimisht nga qytetarët, të cilët paraditen e së dielës, më 11 nëntor, u drejtuan për në varrezat katolike. Shkodranë të cilët i përkisnin tre besimeve fetare e kishin bërë zgjedhjen e tyre që më parë.

 

Dom Simon Jubani do të sillej në kapelën e varrezave ku dhe do të mbante meshën, i rrethuar nga shumë burra e të rinj, që kishin vendosur të jepnin gjithçka për ta mbrojtur. Ceremonia zgjati jo me shumë se 40 minuta. Dom Simoni ishte i përqendruar në dhënien e meshës, duke treguar një ftohtësi të admirueshme ndaj regjimit. Asnjë fjalë, asnjë falënderim, asnjë dëshirë për shtrirje dore.

 

Pas fjalëve të fundit ai u rrethua nga mbrojtësit e shumtë dhe më pas u largua përmes turmave që krijuan një korridor gjatë gjithë rrugicës së varrezave. Çdo gjë ishte mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dom Simon Jubani, lidhur me këtë ditë, shprehet se “ajo ditë ishte diçka hyjnore. Ishte një ditë e papërsëritshme, kur rinia shkodrane, pa dallim feje, më thirri, më mbrojti, më barti në krahë deri tek elteri, për me kremtue meshën e parë në mjedis të terrorit komunist.

 

Kjo ngjarje ua heqi frikën gjithë shqiptarëve dhe hapi në vendin tonë një epokë të re, atë të lirive fetare që janë në themel të gjitha lirive të tjera. Asnjë prej rreth 50 000 vetëve që u grumbulluan atë ditë nuk ishte i sigurtë nëse do të kthehej në shtëpi. Shumë prej tyre në ditët e pastajme u rrahën, u torturuan e banë disa muaj burg, përpara se të vinin ndryshimet e mëdha dhe të përmbysej përfundimisht regjimi. Ai oqean njerëzish ishte i pushtuem nga dy ndjesi, ajo e jetës dhe e vdekjes.

 

Seicili e ndjente veten më shumë se kurrë pranë atyre që pushojshin në paqe aty poshtë. 11 nëntori është i papërsëritshëm përsa i përket guximit dhe masivitetit të pjesëmarrjes së besimtarëve pa dallim feje”, shprehet Dom Simon Jubani. Pas 23 viteve ndalim të lirisë së besimit dhe riteve të tij, shqiptarët kishin ndjekur për herë të parë një ceremoni fetare. Jehona u përhap me shpejtësi jo vetëm në Shqipëri. Tashmë gjithçka zhvendosej në një tjetër objekt kulti, i cili, duke qenë monument kulture, nuk ishte prishur nga komunizmi.

 

Xhamia e Plumbit pret besimtarët

 

Xhamia e Plumbit përgatitej që pas pesë ditësh, të premten e 16 nëntorit, të bënte faljen e namazit për të gjithë shkodranët. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht. Ishin dëshirat dhe ëndrrat e një populli, të ndrydhura e të heshtura, që u përhapën me vrull. Rinia shkodrane, duke marrë bekimin e prindërve dhe të moshuarve, iu përvesh punës. Do të ishte kleriku i njohur e i nderuar mysliman, 69-vjeçari Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i burgosur për shumë vjet nga regjimi komunist, ai që do këndonte Ezanin dhe do të falte xhumanë pas 23 vitesh heshtjeje.

 

Të rinjtë, për siguri nga ndonjë incident i organizuar apo dhe i rastit, e morën Hafiz Sabriun natën, pa gdhirë dhe e çuan në shtëpinë e familjes së nderuar Myftia, pranë xhamisë. Djemtë e kësaj familjeje e shumë qytetarë të tjerë e përcollën përmes popullit deri në tribunën e ngritur para Xhamisë së Plumbit.

 

Dëshmitarët e asaj kohe kujtojnë se si pak çaste para fillimit të ceremonisë, Hafiz Sabriu kërkoi që një djalë i ri të hapte mitingun dhe t'ia jepte fjalën atij. Rasim Sokoli ishte ai që mes njerëzve të mbledhur thirri një djalë, një Ardian Golemi, nipi i Haxhi Hafiz Abaz Golemit, dhe bashkë me të dhe Hafiz Sabrinë hipën në tribunë, ndërsa i gjithë sheshi para xhamisë ishte mbushur si asnjëherë. Atë ditë e gjithë Shkodra ishte në këmbë.

 

Lajmi ishte përhapur në çdo familje, në heshtje, dhe tashmë ishte fakt i kryer. Besimtarët myslimanë dhe bashkë me ta, të gjithë qytetarët shkodranë, pa dallim feje, do t’i riktheheshin riteve fetare. Hafiz Sabri Koçi në një prej intervistave të tij kur ishte gjallë, shprehet se “dita e 16 nëntorit do të mbetet e paharruar në jetën time.

 

E kam të freskët momentin kur u ndodha para një mitingu prej 55 mijë vetësh…” Një tjetër pjesëmarrës në këtë ngjarje, Eljaz Pateriku, kujton se si dy ditë para datës 16 nëntor, bashkë me të tjerë u morën me përgatitjen e Xhamisë së Plumbit. “Ajo ishte e mbyllur me zinxhirë, shkova në shtëpi, mora një kmesë dhe darë dhe bashkë me të tjerë pastruam nga ferrat, ambientet jashtë xhamisë dhe në mbrëmjen e 15 nëntorit thyem dryrin dhe këputëm zinxhirët.

 

Kështu e shpërthyem Xhaminë e Plumbit dhe të nesëmen gjithçka ishte gati që aty të bëhej falje xhumasë pas shumë vitesh ndalim të fesë”, thotë Pateriku. Ceremonia e 16 nëntorit 1990 nuk qe thjesht një ceremoni fetare. Ajo, krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, mori një karakter të hapur politik. Ashtu si në meshën e parë të mbajtur në varrezat e Rrmajit, më 11 nëntor 1990, dhe në ceremoninë fetare të organizuar në Xhaminë e Plumbit më 16 nëntor merrnin pjesë besimtarë të të gjitha besimeve. Ato ishin shenjat e para se Shqipëria po hapej dhe se komunizmi po rrënohej…

 

 

TOLERANCA

 

Mysliman apo katolik?

 

Ajo çka të bën përshtypje ndërsa shkel në Shkodër në të parat herë dhe mëson lidhur me harmoninë fetare që zotëron aty, është se kjo lloj “harmonie”, ekziston edhe në strukturat shtetërore. Kështu, nëse kryetari i bashkisë së Shkodrës është katolik, atëherë prefekti i Shkodrës duhet të jetë mysliman, ose nëse kryetari i bashkisë është mysliman, prefekti duhet të jetë patjetër katolik.

 

Që një radhë e tillë respektohet dhe është e detyrueshme për të gjithë, kushdo qofshin ata (edhe anëtarë të Partisë Demokratike që janë gjithmonë fitimtarë të zgjedhjeve në këtë qytet), vërtetohet nga një rast i ndodhur 12 vjet më parë: kandidati demokrat Artur Luka humbi zgjedhjet si kryebashkiak në vitin 1996. Ishte e vetmja herë që Partia Demokratike humbi zgjedhjet në Shkodër.

 

Një fakt i tillë, nga shumë shkodranë, u shpjegua thjesht: kryetari i mëparshëm, ashtu si dhe ky kandidat, ishte i fesë katolike, në një kohë që kishte ardhur radha që kandidati të ishte mysliman. Si rrjedhojë, në vend të Partisë Demokratike, në vitin 1996, zgjedhjet i fitoi koalicioni “E djathta e bashkuar”, e cila, me shumë zgjuarsi, kishte zgjedhur si kandidat një mysliman.

 

Respekti për fetë në Shkodër u vërtetua edhe në vitin 2007. Si kryetar bashkie u zgjodh Lorenc Luka, i cili është katolik. Në të njëjtin moment që ndodhi një gjë e tillë, prefekti katolik Gjovalin Kolombi u shkarkua dhe u vu në atë detyrë Maxhit Cungu, mysliman. Dhe sërish pati një përputhje: njëri katolik, tjetri mysliman. Ajo çka të vë në mëdyshje në gjithë këtë rreth të respektueshëm në çdo zgjedhje është nëse respektimi i një rregull të tillë është tolerancë apo mostolerancë fetare...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora