E diele, 25.07.2021, 12:44 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XVI)

E enjte, 04.12.2008, 07:36 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

 

XVI

 

Jeta e mbyllun, banale, shtypëse që na ishte imponue në burg, u ndërpre nji ditë në mëngjes, me thirrjen e rojes e urdhnin për të gjithë të burgosunit, rreth gjashtëqind viktima, të delshin menjiherë në oborrin e burgut. “Veteranët” e kampit të shfarosjes së Vloçishtit, afër Korçës, e kuptuen se po përgatiteshim për nji kamp të ri pune. Përvoja e tmerrshme e thamjes së kënetës së Maliqit, i ngriu në vend. Tregojshin me ngjyra të gjalla, vuejtjet e papërshkrueshme në atë kamp shfarosjeje, e ishin të ndërgjegjshëm për atë që na priste. Një hije e zezë mbuloi burgun! Në oborrin ku ishim grumbullue, të rrethuem me roje që mbajshin drunin në dorë, e të tjerë me mitraloza në kullat perreth, na rreshtuen në vargje të gjata. Mbasi tërhoqën të smurët, pleqt e sakatet, të tjerët iu nënshtruen nji “kontrolli mjeksor”. Në nji tryezë para nesh, rrinte mjeku e drejtori i burgut. Mjeku bante pyetjet, drejtori përgjigjej: “Ti je i shëndetshëm!” e me nji shej lapsi mbi listën emnore, i burgosuni caktohej për punë në kamp. Kur erdhi rradha ime, u përpoqa me shpjegue se, pak kohë ma parë, kisha kalue dy muej në spital. Para se të përgjigjej mjeku, drejtori e ndërpreu: “Ti je shërue, tashti! S’ka probleme të tjera!”, e vuni shejin me laps para emnit tim. Nuk u trondita ma shumë se të tjerët. Por ajo që më çuditi, ishte sjellja e drejtorit e vendosmënia e tij me më dërgue në kamp, me çdo kusht... Në nji ditë të nxehtë qershori, u ngarkuem në kamiona ushtarake, të lidhun dorë më dorë dy nga dy, e trupat me litar. Ishte e pamundun me lëvizë për mungesë vendi, të radhitun si sardelet në kuti. Përreth kishim roje me dru, e dy të tjera me automatike. Nuk kishim të drejtë me u ngrejtë në kambë, me lëvizë ose me folë. Gjatë udhëtimit, rojet rrahshin me dru, çdonjenin që ankohej ose lëvizte kambët e mpime. Dielli ishte i fortë e djersa filloi me rrjedhë si lumë. Kamioni shkonte shpejt e sillte nji freski të bekueme, por kur ndahej për freskimin e policëve, kamioni ishte nji furrë. Arritëm në kamp në orët e vona të mbasdrekes. Zbritëm njeni mbas tjetrit, në rresht, e mbas numrimit, hymë brenda nga porta e madhe. Kampi ishte vendosë në nji faqe kodre, e shikonte mbi nji fushe të mbulueme, aty-këtu, me pellgje uji, nji kënetë gjysëm e thame, që ma vonë morëm vesh se quhej këneta e Bedenit, Kavajë. Ndërtimi i kampit nuk kishte përfundue ende e, kuzhina nuk kishte furnizime. Urdhën me fjetë në sheshin përjashta. Rreth e rrotull nesh, kampi ishte tela me gjemba e katër kulla roje, me nga dy ushtarë të armatosun me mitroloz. Sheshi ishte i vrazhdë, me ferra e copa drrasash të mbetuna nga ndërtimi i pakryem. Jashtëzakonisht i lodhun, pa bukë, pa ujë, i dërrmuem nga udhëtimi, trupi im ishte i papërgatitun për nji ndërmarrje të këtillë. U ula në shesh, gjeta nji copë të shkurtër binari, e vuna nën kokë si jastek, u shtriva, e pa vue kokën mirë, më zuni nji gjumë i thellë. Nuk ndigjova as zanet e shokëve, as britmat e rojeve të tërbueme brenda kampit. Lagështia e kënetës në mbramje, e ftohte shumë ajrin e kodrinës sonë. Nga mesi i natës u zgjova gjysëm i ngrimë. Ishte nji heshtje e plotë, e ndërpreme nga kollitket e të burgosunve. Atëherë, nji gjest hyjnor, i papritun, më hapi sytë e zemrën. Burri i ri tropojan që kishte qenë i lidhun me mue në kamion, hoqi kapotën që mbante, e më mbuloi. Nuk i besova syve. U ngrita pak, e kundërshtova, por ai ngulte kambë. “Ti je i smurë”, më tha. “Unë jam mësue me të ftohtin!” Por nuk ishte ashtu. Dy minuta ma vonë, ai mbështolli trupin me të dy krahët e filloi të dridhet. “Merre kapotën!”, i thashë me za të ulët. “Jo!” përgjegji. Nalt në qiell, retë kishin marrë drejtimin e veriut drejt maleve të përgjakuna. Oh, ky kazan vuejtjesh të pameritueme që ishte vendi im, ato ditë! Soditja e qiellit veror, yjet në nji natë me hanë, e retë kalojshin të shkujdesuna mbi botën që vuen, më dukeshin sikur janë të nji bote tjetër, pa ansji lidhje me mue! Naltësia, ecja e tyne e qetë, e njillojshme, monotone, e pandërpreme, sikur pasqyronte heshtjen e madhe që mbulonte vuejtjet tona mbi tokë. Gjamet e vaji i njerëzve nuk kishin jehonë, as përgjigje. Para madhështisë së natyrës, vogëlsia jonë e dobësia fizike, nuk kishin peshë e dukej sikur nuk kishin ma kuptim. Kush tjetër mendon, shqetësohet, e ndihmon njeriun e lanun në fatin e vet mbi tokë? Por, heshtjes së betueme të botës poshtë, e ftohtësisë së hyjnive në qiell, i përgjigjej njeriu i abandonuem, me kryenaltësinë e vendosmëninë që lind nga dëshprimi, e me të vetmin akt të ndërgjegjshëm që i mbetet: dashuninë për nji tjetër qenie njerëzore! Mospërfilljes së hyjnive të përhershme, njeriu i përkohshëm i kësaj bote, tropojani i ri, vente përballë solidaritetin e të dënuemve, sfidën e madhe prometeane! Në këtë natë, simbol i të zezës që na përpinte pa fjalë ngushëlluese e pa zhurmë, vetëm vuejtja rriste dimensionin e rruzullimit, me dinjitetin që forcohej prej refuzimit tonë të çnjerëzimit që fati i verbët na impononte! E megjithatë, kishte mjaft nga ne që, në permanencën e hyjnisë së heshtun e serenitetin e natyrës pa ndjenja, zhvillojshin sentimentin fetar që lindte në ore të këtilla tejtokësore.

 

Të nesërmen, ditë e dielë, kamione të tjerë, të mbushun me të burgosun, zbritën në kamp. Vijshin nga Vlora e Berati. Ishte hera e parë që takohesha me nji numër kaq të madh, nga këto dy qytete që nuk kisha vizitue ma parë. Tek të burgosunit e rij të qyteteve të tjera, shihsha nji shfaqje konkrete të konceptit abstrakt që kisha për “kombin” tonë. Tashti, e gjithë Shqipnia më delte përpara, si kjo masë e uritun për bukë, sepse deshti të ushqehej me liri, e zhveshun dhe e zbathun, sepse deshti të ushqehej me liri, e zhveshun dhe e zbathun, sepse deshti të ruej për vete e për të tjerët, rroben e dinjitetin njerëzor. Tek të riardhunit, njihsha veten time, sikur të ishte efekti i nji pasqyrimi. I quejta vllazën e i deshta si vllazën! Atdheu më doli përpara, si vendi i shqiptarëve pa ngjyra, fe e krahina. Me barakat ende të pambulueme, na vendosën në katër radhë e në dy kate, si kafshët e theruna, pa të drejtë ndryshim vendi. Fati i keq e donte që, pranë nesh të gjindeshin edhe të burgosun ordinerë, hajdutë, vrasës, imorale, që e bajshin jetën tonë edhe ma të vështirë. Ata ishin edhe spiunët ma të rrezikshëm. Megjithatë, solidariteti i ngjallun në shumicën tonë, pengoi shumë kokeçamje të paprituna. Mbi telat me gjemba, nji zog vrente me frikë kampin tonë. Mandej, tue shkundë puplat, pa kuptue se ç’bahej aty, hapi krahët, e fluturoi në drejtimin e fushës së gjanë.... Natën e dytë, fjetëm në barakat e pambulueme, në pritje të ditës së parë të punës. I shtrimë në krevat, shikojsha qiellin e mbramjes që ngrysej. Në nji moment të muzgut, kur drita venitej e nata vinte ngadalë, por e plotë, drita tërhiqej nga qielli si nji shtresë e bardhë që lëvizte, tue lanë mbas vetes pamjen e humnerës që na përpinte. Pa u ndeshë ballëpërballë, drite e terr krijojshin, në mes tyne, nji zonë të murrme, si nji shesh përleshjesh të pararojeve që sulmojnë, shtyjnë, zmbrapsin njena-tjetrën, e në çdo hap të tyne hapin edhe nji shteg ma shumë për trupin e gjanë të armatës që e ndiqte. Atëherë, më dukej nata si shtëllungë e shpeshtë, e zezë, që ndrydhte në nji kand përherë e ma shumë dritën, derisa zhdukej plotësisht. Megjithatë, kudo që terri mbuloi qiellin, e tokën këtu poshtë e bante të zezë, yje dritë delshin si ushtarë të vetmuem, që qëndrojshin pa u trembë, besnikë të së kaluemes së ndritshme e, ishuj në nji det të pafund. E më dukej se ndriçojshin edhe ma shumë, sa herë që terri përreth tyne bahej edhe ma i dendun. Në palarenë qiellore, ata shumëzoheshin me shpejtësi, ishuj e atolle, pika mbështetjeje e çerdhe shprese të gjallë, ndoshta edhe të kënaqun për fatin që nuk mallkojnë, e sigurisht, ma të lumtun kur ndërgjegjsohen se janë ura e vetme në mes ditës së prendueme e mëngjesit të së nesërmes që lindte. Kështu mendojsha, duhet të ndihej edhe detari në mes të detit, në muzgun pa shej jete, të natës në barkë, kurdo që shite në bregun e tokës së bekueme, dritat e fshatit të vogël peshkatar, nji, dy, tri, nji mori, secila prej tyne nji familje me nanë e fëmij në pritje, me gëzim të përziem me frikë e shpresë, sidomos shpresë, për detarin që afrohej...

 

Jashtë, ndigjoheshin zanet e rojeve të armatosuna. Brenda barakës, më lodhshin gërhimet e të burgosunve të këputun. E, para meje ishte dita e parë e punës së detyrueshme me të papritunat e saj. I dobët me shëndet, puna me kazmë e lopatë më friksonte, jo aq shumë për lodhjen që do të shkaktonte, sa për dënimin që do të vuejsha në duert e rojeve të kuqe, që torturojshin, sidomos të dobtit. Në vetminë time mendojsha se, për sa kohë që do të isha i ndërgjegjshëm për vuejtjet e burgut komunist si kundërshtar i diktaturës së kuqe dhe besnik i këtij ndërgjegjsimi, unë do të jetojsha i lirë e me dinjitet. Ai ndërgjegjsim do të më mbante nalt, në sferën ku, të jesh njeri, ishte nderi e lavdia ma e plotë. Përkundrazi, do të bijsha në humnerë e heshtjes që mbyt zanin e ndërgjegjes e lejon “kompromisin” me të keqen që asgjason. “Këtë”, ngulsha kambë tue persëritë, “mos harro, o dashnori i Rozafës, as në kohë, as në hapësinë!” Ditën e parë të punës, na ngritën që në agim. U veshëm e u rreshtuem në mesin e oborrit të kampit. Të ndamë në pesë brigada pune, në kompani e skuadra, ishim të komanduem nga të burgosun ordinerë, ose nga disa ish-zyrtarë komunistë, të burgosun për krime të randa ose abuzim detyre. Askush nuk fliste! Të ulun në shesh e rojet me dru mbi kokë, pritshim rradhën për bukë e gjellë. Gjella ishte “bollgur”, nji lloj gruni i bluem trashë, i ziem që në mbramjen e ditës së maparshme, i mbajtun në kazan gjithë natën, me qëllim që amidoni të trashej si balta e, supa të bahej llapë. Me pak krypë e akoma ma pak vaj, kjo “gjellë” e dhanun në mëngjes, shërbente si ushqim që duhej të na forconte kambët e krahët për nji punë që zgjaste, që nga lindja e diellit, deri në perëndim. Me gavetat e palame e paguret e zbrazta, sepse uji nuk kishte ardhë ende në kamp, u nisëm të rreshtuem e të rrethuem me roje të armatosuna, deri në vendin e punës. Nji kanal anësor në faqen e kodrave, mblidhte ujnat që bijshin nga mali (e quejshin kolektor). I gjatë disa kilometra, ai ishte objektivi i parë e me mbarimin e tij, duhej hapë kanali qendror që kullonte ujnat e fushës së Bedenit, Kavajë. Toka malore ishte e fortë e puna me kazmë, shumë e randë. Mora nji lopatë e fillova me largue dheun e nxjerrun nga gërmimi i skuadrës sime, por nuk muejsha, sepse nuk kisha fuqi. Roja i kuq që vëzhgonte nga nalt bregut të kanalit, u afrue, më shikoi që djersitsha pa pushim e merrsha frymë me vështirësi, e më qortoi:

-Pse nuk punon, derr?

-Punoj me të gjithë fuqitë, - përgjegja, - pak ditë ma parë dola nga spitali. Nuk foli. Pak minuta ma vonë, nji kapterr i shkurtër nga trupi e fëtyrë të vrante, u afrue e, pa me folë fare, më shtyu me aq fuqi, sa që rashë përtokë. Kur desha të ngrihem, ai filloi goditjet me shkop në kurriz, pa pushue, derisa të rashë përsëri. Nguli kambë të ngrihesha. U përpoqa, por kambët nuk më mbajshin nga lodhja e, dridhesha tue u mbajtë për lopatë. Kapterri e humbi. “Shpirtin do të marr!”, më tha, “Ose duhet të bësh normën, o s’ka! E kupton? Këtu do të lesh kockat, këtu në kanal!” Unë nuk përgjegja; ai u largue. Shokët përreth më shikojshin me dhimbje, pa muejtë me ndihmue. Ula kurrizin e vazhdova punën. Por, para meje, dheu i palëvizun u grumbullue. Atëherë, nga thellësia e kanalit, nji bujk nga Skrapari që bante pjesë në skuadrën tonë, kërceu përjashta, mori lopatën time, e brenda pesë minutash, e pastroi të gjithë vendin. Më shikoi, e buzëqeshi. Ishte fëtyra e nji vllau të panjohun, që njeh vetëm vllaznimi i të persekutuemve. Në atë kamp nuk ishim “të burgosun” të dënuem nga “ligji”, me vuejtë dënimin e caktuem nga “gjykata”. Në këtë kamp, na ishim thjeshtësisht skllavë punë të detyrueshme, me të gjitha cilësimet që nënkupton ky emën. Këtë bindje e forcoi edhe sjellja e rojeve mbas kthimit në kamp kur, të rreshtuem përsëri në brigada, hyni drejtori e, me nji za të vrazhdë, thirri emnat e nji duzinë punëtorësh, në mes të cilëve isha edhe unë. Simbas tij, na nuk kishim plotësue normën e punës. Si dënim, për herën e parë, nuk u lejuem me marrë gjellën, as ujin, as me hy në barakë, deri në mesnatë. Të ulun në shesh përjashta, pa folë, pa lëvizë për gjashtë orë e, të këputun nga puna e ditës, iu nënshtruem nji disiplinë rigoroze, që na këputi krejtësisht. Përvoja ime e parë në kamp të punës së detyrueshme, ka qenë tronditëse. Në krevat, me kurrizin që më dhimbte nga druni që me dhanë gjatë ditës, fillova me mendue për të nesërmen e pamundësinë me vazhdue kështu, derisa më zuni gjumi i randë. Në mëngjes, nuk isha në gjendje të ngrihem, as edhe për ushqim. Përsëri në krevat, nuk lëviza kur brigadat u larguen për punë. Rojet filluen kontrollin e barakave. Kur më gjetën të shtrimë, u çmendën fare. Pak minuta ma vonë, hyni drejtori me nji shkop në dorë, më urdhnoi të ngrihem e, kur kuptoi se nuk kisha fuqi të mjaftueshme me qëndrue në kambë, më vuni shkopin në gojë e, me nji za të çjerrun, kërcënoi: -Jo këtu në krevat, - më tha, - ti do të vdesësh atje, në kanal. Ti je armik i popullit e duhet të paguash për dëmin që i ke sjellë popullit. Nesër në mëngjes, po të gjeta këtu, do të vras me dorën time. Qen bir qeni! Nuk fola! U shtriva përsëri në krevat, pa bukë, pa ujë, por me vendosmëninë mos me vdekë në torturë. Kur shokët u kthyen nga puna, u tregova ngjarjet e ditës dhe vendosmëninë time me dalë në punë. Nuk kishte zgjidhje tjetër: me vdekë nën drunin e drejtorit e të rojeve të kuqe, ose me u shkri nga puna e randë e kanalit. Pranova të dytën, me nji lloj shpresë se ajri i pastër e dielli, do të bajshin punën e tyne e se shokët e skuadrës, do të më ndihmojshin.

 

Të nesërmen dola në punë. Ende i dobsuem, sepse në kamp, gjatë ditës së parë më kishin këput bukën, gjellën e ujin, fillova lëvizjet e lopatës, me nji kokefortësi që nuk dijsha me shpjegue. Shokët më ndihmojshin me dhimbje, e çdo herë që u jepte mundësia, me ndihmojshin. Për fatin tonë, norma e punës matej për çdo skuadër, e grupi im ishte i fortë fizikisht. Disa ishin bujq të regjun me punën e kazmës e lopatës. Kur plotësohej norma e skuadrës, gëzoheshin të gjithë; në kamp do të merrej buka, gjella e uji, e do të kishim mundësi me shkue në krevat me kohë. Gjatë punës, nga bregu ku punojsha shihsha vargun e gjatë të punëtorëve, kurrizin e ulun e lëvizjet e tyne të shpejta e ritmike. Pamja më jepte idenë e galerave skllavënuese: puna në kanal, oficerët mbikqyrës, policët me dru që rrahshin punëtorët, sidomos ata që guxojshin me ngrejtë kokën ose pushojshin me marrë frymë. Kjo pamje e çoroditun, më sillte në mend leximet mbi jetën e skllavëve në ndërtimin e piramidave të faraonëve egjiptiane, e djersën e të lidhunve me zinxhirë, në barkat e ose minierat e Vjetërsisë, të lundërtarëve-robër që kalojshin jetën si vozitës me rremat e gjatë e të mundimshëm, në rreshta dy nga dy, ose katër nga katër, në lëvizje pa pushim, ditë e natë, nën kamxhikun e mbikqyrjen e xhelatit, të shfrytëzuem deri në palcë, deri në vdekje, kufoma të hedhuna në valët e detit të pafund, nga shokët e tyne që shihshin në viktimën e sotme, fatin e tyne të nesërm. Në ujnat e detit të qetë, skllavët e vdekun gjejshin shtratin ma të mirë e ma të rehatshëm të jetës së tyne, jashtë tokës që i përbuzi, ma të dëshirueshëm për kurrizin e tyne të coptuem nga druni, të dërrmuem nga puna e randë dhe e gjatë, sa edhe vetë jeta e tyne. Për ne, deti që përpinte kufomat tona, quhej këneta e Bedenit, Kavajë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora