E hene, 17.05.2021, 01:21 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XXI)

E hene, 15.12.2008, 02:33 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XXI

Përsëri, në burg nuk gjetëm racionin e bukës për ditën e udhëtimit. Ushqimi në burg nuk jepej që nga 1945, ushqimi nga familjet ishte i kufizuem e nji herë në muej. Të lodhun përtej çdo mase ishim të kënaqun që zbritëm prej kamionit. Ma shumë se gjysma ishin mpi kambësh e u detyruem me i marrë në krahë, deri në oborrin e burgut, na të burgosunit e tjerë, që mezi mbaheshim në kambë për vete. Kamioni me “leckat” tona erdhi me vonesë, por kjo nuk pengoi që të gjithë të shtriheshim në drrasat e dyshemesë e të flejshim pa ndërpremje, deri në mëngjes. Të nesërmen, sikur të dëshirojshin me tregue egërsinë e tyne, rojet na zgjuen në orën gjashtë. Ata që mundën, u ngritën; të tjerët nuk i lëvizën kockat. Kësaj rradhe, familja ime nuk erdhi për takim. Kjo e papritun e madhe, më shqetësoi shumë, sepse nuk ishte në natyrën e nanës sime. Pak ditë ma vonë, motra e madhe më njoftoi se nana, motra e vllau, ende të parritun, ishin dërgue në kampin e dëbimit, në Berat ma parë e ma vonë, në Veliqot të Tepelenës, si ndëshkim për arratisjen e njenit vlla jashtë shtetit. Lajmi më këputi në mes! Nuk ishte mungesa e ushqimit që do të më mundonte, por mendimi se ata do t’i nënshtroheshin vuejtjeve e poshtnimit të kampit, që mijëra familje të përndjekuna vuejshin prej vitit 1945. Unë në burg, vllau i arratisun, e tre të tjerë në kampe internimi komuniste, shtëpia e sekuestrueme me të gjitha plaçkat e orenditë. Kuadri i mjerimit për mue e familjen, ishte tashma i plotë. Mbas tronditjes fillestare, fillova të marr veten me nji vendosmëni të pashpjegueshme. Ajo që i ngjau familjes përforconte edhe ma shumë bindjen time se veprimtaria antiqeveritare ku isha angazhue, ishte jo vetëm plotësisht e drejtë, por merrte edhe nji karakter të ri, atë të “shejtnisë” së kauzës demokratike. Gënjeshtra, urrejtja, hakmarrja, terrori që ushqehej me kujdes nga organet e Partisë së Punës së Shqipërisë, në mendjet e zemrat e anëtarëve, po jepte frytet e veta, e rrezikonte asgjasimin fizik të mijëra qytetarëve të pafajshëm në altarin e diktaturës së proletariatit. Rezistenca antikomuniste paraqitej si nji imperativ politik e moral dhe si nji domosdoshmëni mbijetese. Në këtë gjendje psikologjike, kuptova frymën e padrejtësisë që ngjall shpeshherë instinktin kriminal në qeniet njerëzore. Por kjo ishte nji urë që nuk do t’i lejojsha vetes me kalue, me gjithë presionin e madh të humbjes. Përndryshe, do të zbritsha në shkallën e bishës mishngranëse, në pellgun ku ishin tashti xhelatët e mi!

Në burg gjetëm dhjetë të burgosun të transferuem prej burgut të Tiranës. Studentë e intelektualë, ata prunë me vete materiale leximi në gjuhë të hueja. Në burgun tonë lejohej vetëm “Zëri i Popullit”, që lexohej në dhomë çdo mbramje nga nji njeri i caktuem. Ndryshimi në trajtimin që na rezervohej në Shkodër dhe atij të burgut të Tiranës ishte i madh, e ma la përshtypje shqetësuese.... Në këtë situatë, pak ma të lirë se vjetin e kaluem, fillova studimin e gjuhës angleze me shumë kujdes, por me nji vullnet të pathyeshëm. Mësimi i anglishtes u pa si nji dritore në botën e lirë. Studiojsha nji gjuhe që ishte ba simboli i demokracisë, e ofronte mundësitë e jetës së lirë, brenda dhe jashtë vendit. Rezultatet nuk munguen, dhe nga leximet krahasuese me frëngjishten, fillova të kuptoj përmbajtjen e artikujve të thjeshtë në revistën moskovite “New Times”, që shokët e Tiranës kishin prue me vete. Dalëngadalë, burgu jonë kishte hye në nji fazë fermentimi intelektual që u zgjanue me krijimin e konditave ma të mira për takime të brendshme. Këtë “përmirësim” e gëzova edhe unë e shtatë shokë të mi, që u ndrynë nga drejtoria në nji dhomë të mjaftueshme vetëm për pesë. Pa asnji dritore, dhoma nr.5, pranë nevojtore, kishte nji katror të premë në derë, i vetmi burim ajri e drite. Por na të rijt ishim të lumtun. Këtu flitshim lirisht, diskutojshim me nxehtësi, por respektojshim mendimet e shfaquna. Dhoma nr.5 u ba nji çerdhe të rijsh të gjallnuem. Nji proces pjekunie, nën trysninë e vuejtjeve të burgut, ishte i qartë. Vjetët e rinisë sonë po konsumoheshin nga errësina e burgut e mundimi i kampit që farkëtojshin njikohësisht, karakterin tonë e kambënguljen për rezistencë kundër diktaturës. Para nesh, kjo dhomë ishte rezervue për klerikët katolike e nji imam. Por numri i tyne u rrit shumë, e ata u transferuen në dhomën nr.8, pak ma e gjanë, por shumë e vogël për të gjithë. Kontakti me ata ishte rreptësisht i ndaluem. Ata kalojshin nëpër oborrin e burgut, buzëqeshnin ose përshëndeteshin me kokë, gjithmonë të heshtun e plot dinjitet. Me këtë grup ishte edhe frati im që dukej i lodhun çdo ditë e ma shumë. Kurdoherë që e shihsha, ai buzëqeshte sikur donte me thanë: “A beson tashti?” E shikojsha me dhimbje, sepse ishte dënue me vjete të gjata burgimi, e shëndeti i tij, pa asnji kujdes mjeksor, po keqësohej. Por ai qëndronte i fortë moralisht e shpirtnisht, kishte Zotin me vete, nji privilegj që unë nuk e gëzojsha!

Nga oborri i brendshëm ndigjohej britma e rreshter Kozmait. “Pushoni derra!” Ai i fliste vetes, sepse në burg mbretnonte heshtja. Britmat e rreshterit u ndoqën nga nji e qeshun e mbytun në dhomën tonë. Atëherë, nga dritorja e zyrës, nji za oficeri thirri: - Shoku Kozma! Shoku rreshter! - Urdhëro, - përgjegji ai. - Po ku je, mo shok? Nuk e ndjen erën e nevojtores që na mbyti fare? Pse nuk e kanë larë? - Si urdhëron shoku toger. Tani. – E tue drejtue kah dhoma jonë na tha: “Ju derrat e dhomës pesë. Shpejt përjashta, derra!” Të gjithë u hodhëm përjashta derës. Nji pastrim i nevojtoreve ishte nji rast i mirëpritun me krye nevojat tona normalisht, nji “privilegj” që ata të dhomave të tjera, na kishin zili. Në mes të zhurmës në punën e pastrimit, si gjithëherë, nuk harruem edhe detyrën e dërgimit të nji telegrami falenderimi. Kush e meritonte kësaj rradhe? Rreshteri apo togeri? Vendimi u caktue pa dashje nga rreshteri vetë që ndërhyni në mes të “diskutimit” e të qeshunave tona, kur me za të çjerrun, kryenaltë e filozof, bërtiti: “Ka të drejtë shoku Enver! Të gjithë derra jeni. Reaksionarë jeni ju! Dëgjo si qeshin derrat në nevojtore!” U vendos njizani që kësaj radhe “telegrami” t’i drejtohej udhëheqjes së Partisë. Paragrafi i parë do të lexonte kështu: “Të gjitha falenderimet janë vetëm për ty, o udhëheqësi legjendar i Partisë sonë heroike, bir i dashun i popullit tonë të mrekullueshëm, dhe shpëtimtar i të gjithë të burgosunve nga vuejtjet e konspiracionit socialist” (Vazhdojnë lëvdatat e nënshkrimet) Këto ishin orët tona gazmore! Në çmendinë tonë përpiqeshim me gjetë çaste të jetës normale, me çdo mjet që na ofrohej. Fjalime, proklamata, deklarata pompoze ndjekshin njena-tjetrën, simbas gjendjes emocionale të njenit ose tjetrit, me gjithë rrezikun e madh të zbulimit që na kërcënonte. Njena nga këto proklamata u përgatit kolektivisht në dhomën nr.5. Teksti i afërt me origjinalin: “Të dashtun shokë e shoqe të burgjeve tona pa dritë! Në emën të KQ të PPSH-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm, ju sjellim përshëndetjet tona ma njerëzore të gjithë juve, qytetarë të burgosun jo ligjërisht, juve që vdisni para kohe, juve që shkriheni si qiriu për mungesë ushqimi, ju malsorë kreshnikë që i qëndruet torturës shtazarake pa u thye, ju fshatarë patriotë që preferuet jetën e burgut më shumë se punën në kooperativë, ju të rij që refuzuet vjetë e bukura të jetës së posafillueme që të përqafoni me gëzim ditët e lumturisë që pushteti i popullit ju siguroi në qelitë e errta e të mbylluna me hekur e çimento, që të mos ju damtojë era e freskët e pranverës socialiste, ju punëtorë që rrokni kazmat e lopatat me dëshirën e madhe të atyne që nuk dëshirojnë t’ju shërohen plagët e lëkurës së duerve, ju shkollarë që humbët sytë me libra e që sot përqafoni nga frika dritën e së vërtetës socialiste, të gjithë ju shokë e shoqe të mjerimit, mos u dëshproni! Ngrini mendjet e zemrat tueja kah ideali i ri e i shenjtë i jetës së lumtun që ju pret, ju e mbasardhësit e juej. E, nëqoftëse nuk ju ka mbetë tjetër përveç frymëzimit që ju garanton gjendja juej e sotme, mos u ankoni, sepse ju keni gjithashtu fatin e madh me pasë diçka shumë të çmueshme, diçka që asnji rregjim tjetër nuk do të jepte, diçka që vetëm PPSH e sekretari i përgjithshëm ju ofron pa pagesë, e pa asnji interes, ... ju keni shokun Kozma!” Gazit tonë të papërmbajtun ju përgjegj zani i rreshterit Kozma në oborr: “Pushoni, derra!” Në qetësinë që ndiqte britmën, ndigjohej vetëm zhurma ritmike e çizmes mbi çimento, çizmja e rreshterin Kozma në shërbim, e ndytë, shtypëse, e kambëngulëse, simbol i “Nanës Parti!”

Maj 1950. Ashtu si dy vjetët e kalueme, nji mëngjes herët u lexue lista e punëtorëve të kampit të ri. Unë isha nga te parët. Mbështolla “leckat” e me nji ndjenjë padurimi e dëshirojsha këtë largim nga burgu. Në kamp, në punë, i lodhun do të harrojsha disa herë vuejtjen e madhe që kisha për familjen që vuente në nji tjetër kamp punë të detyrueshme, pa ndihmë e pa shpresë. Megjithatë, më vinte keq që lejsha mbas vetes nji grup shokësh me të cilët kalojsha orët e vështira. Njeni nga ata, ishte “shehu” plak nga Luma, qëndrimi e vendosmënia e të cilit e bante atë nji shembull për të gjithë. Shehu plak na kishte tërheqë deri në nji pikë, sa mjaft të ri e vizitojshin me nji gëzim të veçantë, dhe me nji ndjenjë çlirimi nga fjalët e tij, sa me mend aq edhe me zemër..Më kujtohen fjalët se “Zoti nuk asht qendra e frikës, por burimi i dashunisë.” I gjithë besimi i tij përqendrohej në mbjelljen e mirëkuptimit e të dashunisë në mes të gjithëve. Ishte plak, e kisha frikë se nuk do ta shihsha përsëri. Kamionët e mbushun marrin rrugën drejt Rozafatit, e tue kalue përreth kështjellit, nisen drejt jugut të vendit. Me kalimin e Durrësit, u afruem pranë Kavajës. Rojet zbritën me u freskue. Na nuk lëvizëm nga vendi. Aty e kuptuem se po drejtoheshin kah kvneta e Maliqit. Ishte nji ditë fundmaji e mrekullueshme. Dielli shkëlqente, por nuk digjte si në verë. Ishte akoma pranverë. Nga kamioni shiheshin muret e ulëta të shtëpive përdhese, zakonisht të rrethueme me nji kopsht të vogël. Pa pritë, para syve të mi doli fytyra engjëllore e trupi i hollë i nji vajze të re, që në pamjen e të burgosunve të lidhun me zinxhir e litar, mbeti e ngrimë në vend. Në duer mbante rrobet e laguna që i tendoste mbi nji litar. Rojet me mashinka mbi ne, e mitralozët rreth nesh, duket se e tronditën shumë. Për nji minutë, shikimi im kryqëzoi ate të vajzës. Buzëqesha pa mendue. Ajo nuk lëvizi fare. Kishte pamjen e nji krijese të tmerrueme! Për mue, ky shikim ishte nji kontakt me botën e jashtme, nji ikje nga realiteti ku gjindesha, nji andrrim që më solli në vete me fuqi, e bani të mendohem për rininë time të humbun, për shkrimjen time dalëngadalë në furrnaltat e kampeve komuniste të punës së detyrueshme, për vjetë të gjata me radhë, i harruem ndoshta nga të tjerët që nuk kishin zemër me u prekë përtej familjes së tyne, as me tru me mendue ma larg se racioni i bukës së përditshme që jepte diktatori. Vajza e re shikonte pa lëvizë vargun e kamionëve të mbushun me skllavët modernë shqiptarë. Sigurisht, ajo nuk ishte në gjendje me kuptue se, në mesin e natës amorfe ku ajo gjallnonte, kishte nji brezni të re që flijohej në altarin e nji perëndie të padukshme, nji perëndi që e kërkojshin me dëshirën e pasosun të mistikut, perëndinë e lirisë për vete e për të tjerët, edhe për jeniçerët e kuq që coptojshin trupat e tyne djaloshare!

Në Orman Pojan të Korçës, zbritëm nga kamionët e simbas përvojës së vjetëve të kaluem, u radhitëm në brigada, u vendosëm nëpër baraka, në rreshta të gjatë në dy kate. Të nesërmen filloi puna. Duhej përfundue kanali i vjetit të kaluem, e nji seri kanalesh sekondare. Për çudinë tonë, drejtori i kampit filloi nji trajtim “njerëzor”, e qëndrimi i tij kaloi edhe tek rojet e brendshme. “Bëni normën ditore,” na tha, “e asnjeri nuk ju trazon!” Skuadrat tona dhjetë vetësh plotësojshin dhjetë norma, disa herë edhe para kohës së kthimit. Disa vazhdojshin punën, me fitue simpatinë e drejtorit. Na uleshim në shesh për pushim. Pak ditë ma vonë, drejtoria pruni në kamp edhe domate e pemë nga fshatet e fushës së Korçës, që na blejshim me të hollat tona. Në këtë atmosferë ma “normale”, puna nuk na dërrmoi e të rrahunat e policëve, u ndërprenë. Atmosfera në kamp ishte gjithashtu, e qetë. Kjo na mundësoi shpeshtimin e takimeve tona mbas punës, e njohje ma të mirë njeni me tjetrin, e të burgosunit e burgjeve të tjera. Ishim afërsisht gjashtëqind të burgosun nga Shkodra, Vlora e Berati, grupi që kishte edhe punëtorët ma të mirë. Pa kalue shumë ditë, erdhën lajme nga jashtë. Grupi jonë u ba nji klub i mbyllun ku flitej lirisht, por me kujdesin ma të madh. Ma vonë, kuptova se njeni nga rojet kishte marrë kontakt me elementë demokratë në Korçë, që ndigjojshin radiotransmetimet e hueja, dhe i kalonte lajmet nji shokut tonë, i cili përcillte informatën. Në këtë atmosferë të re e të lehtësueme, ditët kalojshin shpejt e pa vuejtje të mëdha. Ishte diçka e pabesueshme; na ngriti moralin e lehtësoi barrën e randë të burgimit e të punës në kanal. Nga takimi me familjet, shokët vlonjatë u informuem se dy nga elementët ma aktivë e ma të pjekun të grupit të Vlorës, ish-profesori i shkollës tregtare dhe ish-studenti i medreses që kisha njohë në kampin e Bedenit, ishin dënue me vdekje dhe ekzekutue, për arsye të kontakteve të tyne nga burgu, me të arratisunit e rame me parashutë për organizimin e mundshëm të nji kryengritjeje antikomuniste. Gjithçka kishte dështue, e burgun e Vlorës e kishte mbulue zija. I kisha njoftë të dy “vllaznit” vlonjatë, si dy flamurtarë të rezistencës kundër regjimit. Vdekja e tyne më preku thellësisht. Në gjithë kampin ra nji hije e randë. Përsëri të vramë, përsëri të pushkatuem. Mendojsha për ditët e fundit të viktimave të izolueme në qeli e në pritje të ekzekutimit, profesori idealist e shoku im që besonte thellësisht në Zot e urdhnat e Tij. Kisha nevojën me andrrue këto dy dëshmorë të demokracisë, në qelitë e tyne, tue rikujtue ditët e kampit; a kisha qenë unë nji pjesë e kujtimeve të tyne të fundit? Sepse tek unë, ata zejshin nji vend të privilegjuem! Ata përbuzeshin pushtetin e ri, qëllimet e metodat e tij. Në vendin e “të kuqve” nuk shihshin asnji tempull që meritonte respektin tonë. Edhe punimet e mëdha që kryejshim ishin të njollosuna me gjak të pafajshëm, e të mbrueme me djersë të derdhun pa mëshirë. Në atë shoqni të çoroditun nga gënjeshtra e terrori, nuk kishte lapidarë që meritojshin gjunjëzimin tonë, sepse asnji i ramë, asnji i vramë i asaj shoqnie “komuniste” nuk i kushtoi jetën jetës së nji vllau të shtypun...! Në piramidat e ndërtueme me krahë skllavësh, nuk hynte drita e dashunisë për njeriun-vlla, e në terrin e thellë, terrori i papërmbajtun lundronte si barka në Akeron, mbajtëse e çelsave të vdekjes në nji udhëtim pa kthesë, me vuejtje, e pa shpresë. Kujtimi i shokëve vlonjatë e i idealit të tyne, më sillte në mend se tempulli i shenjtnuem në Shqipni, ishte vetëm banesa e fundit e martirëve, e dhimbja e ndieme për vllaun në thellësi të zemrës, ishte kujtimi i kufomave të mbulueme sido-kudo, pa gur, pa shej; ishte ndjesia ma e thellë e ma e fortë që bashkonte të gjithë qeniet që refuzojshin çnjerëzimin. Ashtu si besimi i lindun me agimin e feve të reja, dashunia për njeriun që vuen e vdes, bashkonte njerëzit kudo që gjindeshin e shqiptojshin me kryenaltësi emnin e gjinisë së tyne, që flet, mendon, e dëshiron praninë e vllaut-njeri.

Kthimi në burgun e Shkodrës në fund të nandorit, kur rreshjet e shinave të papushim e banë të pamundun punën në kanal, ishte po aq i veshtirë, sa edhe ai i shkuemjes. Përsëri të lidhun me hekura e litar. Përsëri të rrahun me dru nga rojet zemërgur. Përsëri të lodhun e leckamanë. Gjatë udhëtimit shikojsha me nji ndjenjë kënaqësie të papërmbajtun, fushat, malet e katundet e rrugës Korçë-Shkodër. Cdo gja më dukej familjare, e afërt, pjesë e vendit tim që përsëri adhurojsha, me gjithë shtypjen që më kërruste kurrizin nga dhimbjet e vazhdueshme. Vuejtja që për katër vjet kishte qenë brumi i jetës sime ishte aty, krah për krah me adhurimin për vendin, sikur kërkonte nji ballafaqim serioz me të, sikur kundërshtonte epërsinë e tij në mendjen e zemrën time. Dhimbja, lodhja, e poshtnimi i përditshëm ishin konkrete, të pranishme në çdo kohë e në çdo vend, e kjo prani forconte pozitën e vuejtjes me kalimin e çdo dite. Ishte ky vendi im që më trajtonte në këtë mënyrë? Ishte kjo Shqipni, nana apo njerka ime, e martueme me prindin që më kishte braktisë?! Dilema e krijueme ndrrohej në torturë nga kambëngulja e saj me gjetë nji përgjegje të kënaqshme, nji rrugëdalje për shfrim. Ajo arrinte pikën e krizës, kur jeta jonë e përditshme na ballafaqonte me situata të jashtëzakonshme. Tue u largue nga Maliqi, më vinte në mend skena e Pirros gjashtëmbëdhjetë vjeçar që qortonte vllaun katërmbëdhjetë vjeçar, sepse, tue mos durue urinë, kishte grabitë nji racion bukë. Zemrimi i Pirros që qortonte me lotë në sy, preku të gjithë kampin. Voglushi ulte kokën e, qante gjithashtu. Mandej, Pirroja i zemruem e i papërmbajtun filloi t’i binte “hajdutit” të bukës që nuk kundërshtonte, derisa të dy vllaznit u përqafuen. Ishte nji skenë e pabesueshme, nji ngjarje që më copton zemrën edhe sot, sa herë që e kujtoj. Cili do të ishte fati i këtyne dy të rijve ende të parritun, në nji vend që i përbuzte, i braktiste, e i dënonte me vjetë të gjata burgimi?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora