Mendime
Albert Zholi: 9 Maj 2022, 77-vjetori i fitores mbi fashizmin
E marte, 10.05.2022, 07:20 PM
9 Maj 2022, 77-vjetori i fitores mbi fashizmin
Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej
Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos parë rrugë tjetër shpëtimi.
-Nga ky vendim, 91 000 ushtarë Gjermanë dhe
22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve
-Gjatë viteve të luftës, rreth 62 000 000
njerëz humbën jetën
Nga Albert
Z. ZHOLI
9 Maji për
Evropën është ditë e fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e
emancipimit popullor kundër shtypjes fashiste, është ditë e barazisë
mes popujve dhe barazisë brenda shteteve kundër primatit imperialist dhe
eksploatimit të egër. 9 Maji për Evropën është ditë e vetëvendosjes kundër
perandorisë e imponimit nga jashtë. Qysh nga ai 9 maj i vitit 1945 kur u shpall
kapitullimi i Gjermanisë naziste, kanë kaluar afro 8 dekada. Sot është
77-vjetori i fitores mbi fashizmin. Një ditë historike, një ditë që përcjell
një kujtesë mbarëbotërore. Si erdhi kjo luftë? Kush dhe si e nxiti? Cilat ishin
pasojat? Pas Luftës së Parë Botërore, shtetet arabe kishin parë mundësinë
për të qenë të pavarur dhe për të formuar më në fund, shtetet arabe të
pavarura. Megjithatë kjo gjë nuk do lejohej nga vendet evropiane, sepse ato
toka ishin të pasura me naftë, që mbas Luftës së Parë Botërore u pa si një
lëndë shumë me vlerë. Marrëveshja e San Remos, do të ishte thjeshtë një
modifikim i Marrëveshjes së Syces-Picot, e bërë pa dijeninë e SHBA-së duke
mohuar marrëveshjen e bërë më parë të King-Crane. Me anë të kësaj marrëveshje,
Francës i jepej Siria dhe Lubjana, problemet e kësaj të fundit vazhdojnë edhe
sot e kësaj dite. Konfliktet megjithatë nuk kishin të sosur dhe situata ishte
dramatike gjithashtu. Ndërkohë Rusia, që ishte tërhequr nga lufta dhe pas
hipjes së bolshevikëve në fuqi, kishte hapur të gjitha marrëveshjet e fshehta
të regjimit të Carit. Franca kërkonte shfuqizimin e plotë të Gjermanisë, ndërsa
Anglia nuk donte kurrsesi që në Evropë të formohej vetëm një shtet i fortë.
Ideja e Wilsonit ishte hedhur poshtë tashmë. Perandoria Osmane gjithashtu ishte
në prag të trazirave. Duke pasur dijeni të të gjithë këtij tensioni, Konferenca
e Vjenës, nuk bëri asgjë tjetër, përveç se përgatiti terrenin e fillimit të
Luftës së Dytë Botërore.
Pushtimi i Shqipërisë
Njëri nga vendet e para, që do të provonte
agresionin fashist italian u bë Shqipëria. Mëngjesin kobzi të 7 prillit 1939,
mbi 50 mijë trupa fashiste, të armatosura më së miri, të mbingarkuara në
dhjetëra anije lufte e të shoqëruara me mbi 400 avionë luftarakë, sulmuan dhe
pushtuan Shqipërinë e vogël në jug të Ballkanit, me rreth 1 milionë banorë. Por
populli shqiptar do t’u rezistonte me heroizëm hordhive pushtuese fashiste e
naziste dhe do të bëhej i pari vend, që do të çlirohej me forcat e veta.
Sulmi gjerman ndaj ish-BS
Më 1 shtator të vitit 1939, Gjermania e
udhëhequr nga pushteti nazist me Adolf Hitlerin në krye pushton Poloninë. Kjo
ishte bërë e mundur me anë të një kontrate të fshehur me Bashkimin Sovjetik. Të
dyja palët morën pjesë në sulmin e 17 shtatorit. Deklarata e vonuar e Francës
dhe Anglisë kundër Gjermanisë, do të shpallej vetëm më 3 shtator të po atij
viti. Me këtë deklaratë, flota angleze dhe franceze filluan manovrimin e gjerë
në ujërat territoriale të Evropës. Në këto kushte, me anë të Sulmit Blitzz
Creig (Sulm rrufe), Gjermania pushton dhe shtie në dorë shpejt Poloninë,
Norvegjinë, Holandën, Belgjikën dhe Francën në 1940. Në 1941 do të merrte edhe
Jugosllavinë, Greqinë si dhe Shqipërinë. Trupat italiane, në aleancë me boshtin
nazist, do të sulmonin trupat britanike në Afrikën e Veriut. Deri në verë të
1941, Gjermania kishte arritur të shtinte në dorë të tërë Francën dhe pjesën më
të madhe të Evropës. Britania e Bashkuar, tashmë qëndronte vetëm pa aleatë me
sy nga ShBA-të, megjithatë pushtimi i saj u bë i pamundur për shkak të forcave
ajrore (Royal Air Force) dhe detare (Royal Navy). Duke e parë Britaninë si një
armik të pashpresë dhe të dobët, Hitleri kthehet nga Bashkimi Sovjetik, me një
sulm të befasishëm më 22 qershor 1941, duke prishur kështu marrëveshjen e
mossulmimit, që kishte bërë me të. Në fundin e vitit 1941, Gjermania kishte
pushtuar një pjesë të konsiderueshme të Bashkimit Sovjetik, por hapi i tyre do
të ndalej jashtë Moskës, në betejën e Stalingradit. Gjatë betejave të
përgjakshme në Stalingrad, që për më tepër dukej si një luftë personale midis
Hitlerit dhe Stalinit, rrethimi dhe kapja e Garnizonit të Gjashtë të trupave gjermane,
e bëri Gjermaninë të mendonte se nuk do të ishte një nismë e lehtë marrja e
Rusisë. Sulmi rrufe i Gjermanisë naziste, dukej sikur nuk kishte dobi në tokat
e mbuluara me borë dhe të pa fundme të Rusisë. Beteja e Stalingradit u zhvillua
në vitet 1942-1943 ku boshti nazist pati humbje të mëdha. Humbja tjetër në
Betejën e Kursk dhe thyerja e Syrgjynosjes së Leningradit do t’i jepte luftës
një pamje tjetër tashmë. Ushtria e kuqe duket e papërmbajtshme dhe tashmë nga
një mbrojtje e fortë, kalon në ofensivë të përgjithshme, duke gjëmuar Ëehrmacht
deri në Berlin. Në Betejën e Berlinit, Ushtria e Kuqe merr lagjet e këtij
qyteti një nga një, deri sa më 30 prill 1945, Hitleri kryen vetëvrasje në
bunkerin ku strehohej, duke mos parë rrugë shpëtimi. Ndërkohë, Italia fashiste
me Benito Mussolinin në krye kapitulloi në 1943. Tashmë ajo kishte dalë kundra
ish-aleates së saj Gjermanisë, që vazhdonte luftën. Trupat e aleatëve u futën
në Itali dhe më pas në 1944, ata do të lironin edhe Francën. Më pas, me rënien
e Gjermanisë, aleatët dhe Sovjetikët do të takoheshin në qendrën e Gjermanisë,
Berlin. Kjo vetëm pas Betejës së Bulge (Battle of the Bulge) në dhjetor. Gjatë
kësaj lufte, është për t’u përmendur holokausti që iu bë me miliona (6 milion
mendohet) hebrenjve. Në këtë gjenocid gjithashtu u eksterminuan edhe persona me
origjinë rome.
Dc. Mikado Shakohoxha, ish-oficer madhor,
kryetar i Shoqatës “Skënderbegasit”
– Kur vjen 9 maji të gjithë ish-ushtarakët
dhe ushtarakët aktivë mes tyre diskutojnë si dhe pse erdhi kjo luftë? Cilat
ishin rrethanat dhe kush ishin nxitësit? Cilat ishin taktikat, armët,
strategjitë e përdoruara nga ushtritë ndërluftuese? Historiografia
botërore ka fiksuar si datë fillimi 1 shtatorin e vitit 1939, kur Gjermania nën
veprimin ideologjik agresiv të teorisë për të “Siguruar hapësirën e nevojshme
jetike”, sulmoi Poloninë, por në fakt lufta e përbindshme kishte filluar në
vitin 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë. Por edhe më parë në vitin 1939:
u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja pas një viti, Kina më 1937,
Austria e Çekosllovakia pas një viti, dhe Shqipëria më 1939. Vendet Skandinave
e Danimarka do të pushtohen në vitet 1940-‘41. Duke u gdhirë 22 qershori 1941,
edhe pse ekzistonte një marrëveshje mossulmimi, Gjermania sulmoi në befasi
ish-B. S. Kështu Lufta e Dytë Botërore mori karakterin e një katastrofe të
përbotshme të pandalshme. Gjithë njerëzimi u trondit dhe ishte në gjendje
makthi pasi rruzulli tokësor u nda në dy pjesë. Në njërën anë ishin pozicionuar
shtetet luftënxitëse me në krye Gjermaninë, Italinë e Japoninë, duke krijuar
lidhjen politiko-ushtarake Berlin-Romë-Tokio, kërcënuese për mbarë njerëzimin.
Në anën tjetër u grupuan shtete, popuj e forca përparimtare, nën kryesimin e
Shteteve të Bashkuara, ish-B.S dhe Anglisë, etj, duke krijuar një koalicion të
drejtuar nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill. Por kishte dhe një
çudi!…Gjermania në fillim atë kohë kishte 7,378 copë artilerie, ndërsa Franca
10.700. Gjermanët mund të grumbullonin 2,439 tanke, ndërsa francezët kishin 3,254,
shumica e të cilave ishin më të mëdha, më të mirë dhe të blinduara se panterat
gjermane. Shumë, shumë vdiqën në luftën shkatërrimtare për jetë a vdekje që
nisi Hitleri me sulmin e tij ndaj ish-Bashkimit Sovjetik në qershor 1941. Kjo
luftë u nis me synimin për të asgjësuar Bashkimin Sovjetik dhe popullsive të
tij t’i jepej statusi i punëtorëve skllevër. Shuarja nga faqja e dheut e
qyteteve të mëdha si Leningradi apo Moska u përllogarit më së miri nga Hitleri,
e paralel me të edhe vrasjet masive të hebrenjve. Bota nuk ndiente qetësi. Kudo
dëgjoje krisma armësh, gjyle topash, predha avionësh apo tankesh, sirena
anijesh luftarake në mbytje. Tmerri ishte pjesë e përditshmërisë njerëzore.
Boshti Berlin-Romë-Tokio duhej patjetër të shembej. Koalicioni i “Treshes së Madhe”
ishte e vetmja shpresë për njerëzimin. Në këtë koalicion kanë dhënë kontribut
me vlerë të paçmuar ish-B.S (sidomos me resurse njerëzore), ndërsa Shtetet e
Bashkuara dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me
ushqime e veshmbathje, aq të domosdoshme për veprime luftarake të suksesshme.
Krejt natyrshëm nuk duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më
pak të fuqishme, por që përpos të tjerash, gjithsesi, shërbenin edhe si
prapavijë e besueshme e Koalicionit. Ndër to është vlerësuar edhe ndihmesa e
popullit shqiptar, i cili ndër të parët në Ballkan dhe Evropë organizoi
qëndresën e armatosur kundër pushtuesit, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në
rrethinat e Tiranës, në fshatin Pezë. Lufta antifashiste e popullit shqiptar
shkoi në një linjë me motivin e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha për të çliruar
vendin. Me gjithë devijimet në disa raste nga kjo vijë, gjithsesi ajo mbetet
një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar
forcat regresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio. Por dua të ndalem tek 9
Maji, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. 9 Maji për Evropën është ditë e
fitores së lirisë kundër robërisë, është ditë e emancipimit popullor kundër
shtypjes fashiste, është ditë e barazisë mes popujve dhe barazisë brenda
shteteve kundër primatit imperialist dhe eksploatimit të egër. Për viktimat
civile, numri i sugjeruar ishte 24 milionë, çka duke përfshirë rritjen e
mundshme demografike, do të thoshte një humbje prej deri në 40 milionë njerëzish.
9 Maji për Evropën është ditë e vetëvendosjes kundër perandorisë e imponimit
nga jashtë. Fitorja kundër fashizmit duhet të jetë e plotë edhe sot. Pa fitoren
përfundimtare kundër tij, fashizmi, mbase edhe i reformuar, do të kthehet, në
dëm të paqes, lirisë, barazisë e progresit. Nuk ka liri universale pa aplikim
të saj universalisht, pa qenë secili popull i lirë. Nuk ka barazi universale pa
qenë secila shoqëri e barabartë, mes vete dhe me të tjerët. Jehona e 9 Majit,
sikur ajo e fitores kundër fashizmit, por edhe ajo e bashkëpunimit mes të
barabartëve, e komunitetit, duhet të jetë e dëgjuar në formën e vet të kulluar.
Me këtë rast dua të them se në fitoren e 9 Majit një ndihmë të madhe ka dhënë
dhe populli shqiptar. Pjesëmarrja masive e popullit tonë në këtë luftë ka bërë
që ne të jemi ndër popujt që kemi dhënë një ndihmë të madhe. Lufta jonë ka bërë
që të ndaleshin dëshirat e pabaza e fqinjëve për copëtimin e atdheut tonë. Nqs
nuk do të ishte kjo luftë, Shqipëria edhe mund të ishte copëtuar. Ndaj duhet të
krenohemi me luftën tonë.
Flet ish-drejtori i Laboratorit kimik të
Ushtrisë, oficeri i lartë, Memush Habilaj
Gjithmonë kur gjej materiale për Luftën e
Dytë Botërore i lexoj me kënaqësi të madhe. Sa herë gërmoj del një fakt, një
ngjarje, një detaj, një e dhënë, një lloj taktike e panjohur nga unë. Ajo luftë
mbetet në histori për vetë gjeografishtrirjen, por edhe për përdorimin masiv të
armëve të reja dhe atyre të dëmtimit në masë. Në këtë luftë cfilitëse merr një
zhvillim të madh, sidomos nga gjermanët, grupi i quajtur LHL fosfororganike, të
quajtura ndryshe eteret organike të acidit fosforik, ose LHL neuroparalitike,
gaze nervore, apo LHL antikolinesteroze. Nga ky grup nga gjermanët u
sintetizuan: Në vitin 1936 gazi tabun (GA), në vitin 1938- gazi zarin (GB) dhe
në vitin 1944- përfaqësuesi i tretë –zoman (GD). Edhe pse gjatë luftës
gjermanët nuk i përdorën LHL neuroparalitike kundër forcave të koalicionit
nazifashist, ata e përdorën këtë grup tek robërit në kampin e Aushvicit, ku
gjetën vdekjen 4.5 milion vetë. Për këtë qëllim gjermanët përdorën gazin zarinë
(GB) si dhe acidin cianhidrik, të quajtur ndryshe “Ciklon B”.
Në prill të vitit 1945, Gjermania ishte në
gjendje të prodhonte 12.000 ton tabun. Me mbarimin e luftës, amerikanët zunë në
Gjermani, një depo me 250.000 ton lëndë helmuese luftarake.
Krahas grupit neuroparalitik, gjatë kësaj
periudhe, filloi studimi i LHL halucinogjene ose psikomimetike ose ndryshe
psiqikokimike, siç qenë: dietilamina, acidi lizergjinik (LSD-25), meckalina,
psilocibina, pejot etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, u kryen studime të shumta
për armën kimike: për gjetjen e LHL të reja për përsosjen e mjeteve të vrojtim
– sinjalizimit, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të zbulimit kimik, për
gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të hedhjes dhe përdorimit të LHL etj. Në
këtë periudhë u bënë studime të shumta për mjekimin antidot (kundërhelmues) për
degazimin e LHL në trupin e njerëzve dhe kafshëve, të territorit dhe teknikës
luftarake, për mbrojtjen individuale dhe kolektive nga arma kimike. Kësaj
periudhe i përket prodhimi i LHL më të fuqishëm të grupit neuroparalitik Vx,
krijimi i sistemit automatik i zbulimit dhe lajmërimit të LHL neuroparalitike
etj. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur suedezët. Gjermania
njihet botërisht të jetë e para që i ka përdorur në shkallë të gjerë këto armë
gjatë Luftës së Parë Botërore. Bëhet fjalë për betejën e Ipresë në Belgjikë, të
vitit 1915, ku humbën jetën 6000 trupa britanike dhe franceze. Kjo masakër çoi
në nënshkrimin e protokollit të Gjenevës, në vitin 1925. Ndërsa që prej vitit
1928, ky protokoll është një prej traktateve të pakta që është pranuar
botërisht, përfshirë këtu edhe Sirinë. Por pavarësisht nënshkrimit të
protokollit të Gjenevës, historia njeh edhe raste të tjera të sulmeve me të
tilla armë, sikundër civilëve ashtu edhe në fushë beteja. Në vitet 1935-1936,
Musolini përdori qindra tonë të gazit mustardë në Etiopi. Në vitet 1940–1941
Japonia hodhi bomba kimike dhe biologjike në Kinë. Mjaft prej atyre që nuk
shpërthyen vazhdojnë të asgjësohen në këto kohë me shpenzimet e qeverise
japoneze. Pra përdorimi i LHL e shkatërroi njerëzimin por edhe tokën. Kudo
shikoje toka të shkreta, pa jetë, pa bimësi, shterpë. Edhe pse në Luftën e Dytë
Botërore nuk u përdorën gjerësisht, ato në çdo moment ishin prezente dhe mund
të sillnin akoma më shumë shfarosje të pa imagjinuara. U desh 9 maji i
vitit 1945 që dhe lëndët helmuese luftarake të zhdukeshin nga përdorimi masiv.
Ndaj 9 maji kujtohet me shumë respekt pasi është dhe një apel për kohën që
jetojmë. Në çdo 9 maj njerëzimi bëjnë bilancet e kohërave. Kjo ditë mbetet si
një ditë simbol i shpëtimit njerëzor. Dy luftërat botërore kanë sjellë aq shumë
vrasje, sa bota është tmerruar. Armët kimike mbeten një problem i hapur
shqetësues për mbarë botën edhe sot, pasi Siria është një shembull konkret.
Përdorimi i armëve kimike në konflikte të ndryshme është një çështje që
shqetëson së tepërmi diplomacinë ndërkombëtare në këto kohë, pas imazheve
tragjike të përdorimit të tyre në Siri. Pamjet rikujtojnë edhe një herë se
çfarë rreziku i kanoset njerëzimit nga përdorimi masiv i tyre. Ndërsa në vitet
1965-1967, Egjipti i përdori ato në Jemen. Në shkallë të gjerë, armët kimike u
shfaqën në luftën 8–vjeçare mes Irakut dhe Iranit. Përdorimi i tyre nga regjimi
i Sadam Huseinit në vitin 1988 në qytezën kurde Halabja u mori jetën rreth 5
mijë civilëve. Kjo u bë shkak që në vitin 1995 të nënshkruhej nga 189 vende të
botës Konventa për Luftën Kimike që ndalonte kategorikisht disponimin dhe
përdorimin e tyre. Megjithatë vende si Siria, Koreja e Veriut, Sudani i Jugut,
Angola dhe Egjipti nuk e kanë nënshkruar apo ratifikuar atë. Efekti katastrofik
që ato japin brenda pak minutash dhe rreziku i rënies së tyre në duart e
organizatave terroriste janë dy prej shkaqeve që kërcënojnë sigurinë
ndërkombëtare. Ndaj dhe SHBA kërkojnë një kundërpërgjigje të fortë nga të
gjitha vendet që i përdorin ato. Vdekja nga armët kimike është e ngadalshme dhe
në duhet të kuptojmë se si mund të shpëtojmë prej tyre dhe se si mund të mbrohemi.
Mes llojeve të armëve kimike, janë ato që shkaktojnë acarim të lëkurës. Ato
dëmtojnë lëkurën në përgjithësi, mukozën dhe irriton lëkurën në të gjithë
trupin. Ndaj duhet kujtuar lufta e dytë dhe tmerret e kësaj lufte. Kujtesa
është apel për kujdes, kur shihet se shumë shtete në botë po armatosen me bomba
bërthamore. Duhet theksuar se është rritur ndjeshëm numri i shteteve që
prodhojnë armë atomike. Rreziku i tyre është evident. Gjithë këto shpenzime
duhet të shkojnë në drejtim të mirëqenies së popujve jo në drejtim të
shfarosjes së tyre. Ndaj 9 maji është një apel. Një apel mbarëbotërorë për paqe
dhe siguri. Boll më me luftëra. Popujt duan vëllazërim.
Flet ish-oficeri i lartë, Aleksandër Rama
(Ish-pedagog, Shkolla e Bashkuar)
– Lufta II Botërore rezulton konflikti
ushtarak më i përgjithshëm e më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit. Për të
shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera
materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga
brezat njerëzorë ndër shekuj. Në këtë luftë me përmasa të përbotshme, u
përdorën 1,5 milion gryka zjarri artilerie, 620 mijë aeroplanë, 280 mijë tanke
e artileri vetëlëvizëse, dhjetëra-mijë mjete luftarake detare, miliona armë e
pajisje të tjera luftarake. Kur kujtohet ajo luftë e gjithë bota shtanget para
fakteve dhe humbjeve të panumërta në njerëz dhe në materiale. Një Evropë që u
shkatërrua tërësisht. Miliona të vdekur, toka e tre kontinenteve u
zhurit. Ndaj 9 maji kujtohet në të gjithë botën si dita e fitores mbi fashizmin.
Një ndihmë të madhe në këtë luftë ka dhënë dhe Shqipëria. Ndaj
vlerësimi për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duhet të jetë maksimal.
Mbetet një luftë që gjithë bota e ka vlerësuar dhe e vlerëson, ndërsa ne
mundohemi ta errësojmë. Përse? Kush do ta zbehë rëndësinë e kësaj lufte dhe
përse? Për pjesën dërrmuese të historianëve kjo luftë është një ngjarje e
rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Kufijtë kohorë të saj janë nga
prilli 1939 e deri më 29 Nëntor 1944. Ne jemi ndër popujt që mbajti peshën e
pushtimit më të gjatë në Europë. Vite sakrifikimi dhe flijimi. Shqiptarët deri
më sot e kanë njohur atë si një luftë çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si
pjesë e koalicionit të madh antifashist. Po ndër historianët shqiptarë dhe atyre
që merren me historinë apo që u intereson kjo pjesë e historisë, këto vitet e
fundit, përveç tiparit të saj çlirimtar, është nënvizuar se ajo kishte dhe
tiparet e një lufte që u bë për pushtet, duke e zbehur kështu tiparin e saj
kryesor çlirimtar e liridashës. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin shembuj
se si Ushtria Nacionalçlirimtare nuk bashkëpunoi me Ballin Kombëtar e
Legalitetin. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin dhe egërsinë e atyre që
erdhën në pushtet dhe i luftuan po aq egërsisht përfaqësuesit e këtyre dy
grupimeve. Për të dhënë një ide të qartë se cili duhet të jetë qëndrimi ndaj
kësaj Lufte, duhet të bazohemi mbi realitetin shqiptar në këtë periudhë. Së
pari duhet të përcaktohen kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Kufirin kohor e
përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe
ikja e tyre më 29 nëntor 1944. Brenda këtij kufiri kohor duhet të shihet dhe të
analizohet kjo Luftë. Së dyti duhet të shikojmë palët që morën pjesë në këtë
luftë. Palën kundërshtare e kemi të përcaktuar. Janë dy pushtuesit fashistë e
nazistë, ardhja dhe largimi i të cilëve përcaktuan dhe kufijtë kohorë të kësaj
Lufte. Nga pala shqiptare kemi Ushtrinë Nacionaçlirimtare nga njëra anë dhe
Ballin Kombëtar dhe Legalitetin nga ana tjetër. Përderisa Balli Kombëtar dhe
Legaliteti, nuk u përballën me pushtuesin, nuk mund t`i quajmë si pjesë e kësaj
Lufte. Kush i pengoi këto forca politike të krijuara në Shqipëri të bënin një
betejë me gjermanët, qoftë dhe të përbashkët? Kjo tregon se ato nuk ishin krijuar
për të luftuar pushtuesin. Gjithë pesha e kësaj Lufte ra mbi Ushtrinë
Nacionalçlirimtare. Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte me 100 mijë
luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre
nuk u bë nga institucionet shtetërore. Qeveria shqiptare, nëse mund ta quajmë
qeveri, ishte nën urdhrat e pushtuesit dhe nuk kishte asnjë mundësi për të
vepruar, edhe sikur të donte të vepronte. Tipari i kësaj lufte u përcaktua nga
pjesëmarrësit e saj. Me vullnet të lirë, për një Shqipëri të lirë. Veçori e
kësaj Lufte është pjesëmarrja masive e shqiptarëve. Për një Shqipëri që në fund
të Luftës numëronte 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë
të Europës. Po ajo që ne na i shton më tepër lavdinë dhe krenarinë është se ne
i dhamë kësaj lufte 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me
popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste
europiane. Shpirti liridashës i shqiptarit u manifestua edhe tek pjesëmarrja e
gruas. Raste të veçuara të pjesëmarrjes së gruas në Luftë kemi patur edhe më
parë, por Lufta Nacionalçlirimtare rreshtoi 6 mijë gra dhe vajza që treguan po
aq heroizëm sa dhe burrat. Për nga rëndësia e madhështia që ajo pati, është
pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë. Çdo përpjekje për të zgjeruar
kufijtë kohorë të kësaj Lufte apo për të shtuar si pjesë të saj grupime
njerëzish që nuk u përfshinë në këtë Luftë, pra që nuk shënuan një betejë
kundër dy pushtuesve të Shqipërisë, është e dështuar. Kjo Luftë ka vendin e saj
në histori, një histori betejash dhe sakrificash, që shkuan deri në
vetëflijime. Ajo është një luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si
simbol për të gjithë shqiptarët. Pushtuesit erdhën si armiq të të gjithë
shqiptarëve dhe ata kur internonin dhe pushkatonin, nuk pyetën askënd se çfarë
bindjesh politike kishin. Ndaj ajo është një luftë jashtë bindjeve politike të
shqiptarëve të sotëm, por edhe të atij brezi që erdhi menjëherë pas tyre. Ndaj
kjo luftë duhet të respektohet ashtu siç respektohet çdo 9 maji në
botë. Me luftën tonë jemi krenarë para çdo populli në botë. Vetë misionet
anglo-amerikane e kanë vlerësuar luftën tonë dhe ne duhet ta nderojmë akoma më
shumë. Duhet ta nderojmë pasi ajo ndaloi copëtimin e Shqipërisë pas kësaj lufte.
Nqs do ishim radhitur përkrah humbësve, Shqipëria sot nuk do ishte kjo që
është.
-Myfit Qorduka-Kolonel në rezervë: Beteja
vendimtare ajo e Stalingradit
Deri tek dita e 9 majit ishin kryer me mijëra
beteja, ishin vrarë miliona njerëz, ishin shkatërruar qindra qytete dhe
dhjetëra shtete. Bota ishte në kolaps. Qielli në mbarë botën ishte i nxirë. Më
23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët
pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri.
Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne
të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto
fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që
kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe
tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si Beteja e Stalingradit. Në
rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerilase. Duke
qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup
nuk kanë munguar. Lufta e egër, bëri që morali i trupave të të dyja palëve të
binte. Edhe pse Gjermania po dëmtohej shumë nga kjo betejë, Hitleri nuk do të
urdhëronte kurrë dorëheqjen. Von Paulus, i ndodhur në një gjendje të mjerueshme,
do provonte edhe një herë një sulm kundra Sovjetikëve në fillimet e nëntorit.
Tashmë Ushtria Gjermane kishte në dorë rreth 88% të qytetit, por me sa dukej,
rezistenca e Ushtrisë së Kuqe, nuk do të binte bashkë me qytetin e shkatërruar.
Ndërkohë që Ushtria Gjermane, futej akoma më thellë në qytet, Sovjetikët kishin
forcuar krahët në rrethinat e Stalingradit. Në këtë mënyrë, Sovjetikët patën
mundësi të rrethonin deri diku Ushtrinë Gjermane. Operacioni Uranus, në 19
nëntor, pati si bazë sulmimin e forcave gjermane nga të dyja krahët. Ky
operacion korri sukses. Trupat Sovjetike do të takoheshin në Kalaç dhe 4 ditë
më vonë, Divizioni i Gjashtë i Ushtrisë Gjermane, do të rrethohej i tëri. Kjo
për ta ishte një grackë nga ku nuk do të ishte shumë e lehtë të dilnin.
Divizioni i Gjashtë, kërkoi leje për të dalë nga rrethimi, por Hitleri nuk i
lejoi, duke i premtuar se ata do të furnizoheshin nga qielli me ushqime, deri
sa të shpëtoheshin. Megjithatë Sovjetikët nuk do të bënin sehir ndërkohë që
Hitleri të sillte ndihmat. Në atë kohë, Sovjetikët do të lëshonin një sulm
kundra forcave të ndodhura në afërsi të Moskës. Ky sulm i quajtur Operacioni
Mars, kishte si synim ndërprerjen e kontakteve ndërmjet divizionit qendror me
atë të divizionit në jug të Stalingradit. Me të shpejtë, Von Manstein do të
formonte një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në
ndihmë ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50
kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat Sovjetike,
nuk do ta lejonin atë të ecte përpara qoftë edhe një metër me shumë. Në fund të
vitit 1942, Divizioni i Gjashtë, ishte katandisur si mos më keq, pasi Luftëaffe
(Forcat Ajrore Gjermane), nuk sillte as 1 të 6 e furnizimeve të nevojshme.
Fieldmarshall Von Paulus do t’i dorëzohej Ushtrisë së Kuqe më 2.2.1943 duke mos
parë rrugë tjetër shpëtimi. Nga ky vendim, 91 000 ushtarë Gjermanë dhe 22
gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe
në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore.
Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë. Ndërsa gjithsej 2 milion
njerëz do të vdisnin në këtë betejë (por kjo është e diskutueshme). Për më tej,
e vërteta historike qëndron në faktin se ditët e para të majit dhe pikërisht më
2 maj 1945, dorëzohen forcat naziste gjermane që mbronin Berlinin. Po në këtë
datë, gjenerali gjerman i Artilerisë, Helmuth Ëeidling, që ishte komandant i
zonës së mbrojtjes së Berlinit i dorëzoi pa kushte qytetin e Berlinit gjeneralit
sovjetik Vasili Çuikov. Në të njëjtën ditë, oficerët që komandonin ushtritë
nazistë të grupit Vistula në veri të Berlinit, gjenerali Kurt von Tippelskirç
që ishte komandant i armatës 21 naziste dhe gjeneral Hasso von Mantueffel, që
ishte komandant i armatës së tretë Panzer, iu dorëzuan ushtrive aleate. Më 8
Maj mbi Rajstag ngrihet flamuri i fitores.
Kapitullimi i Gjermanisë
Admirali Karl Dënic do të bëhej kryetari dhe
udhëheqësi i Gjermanisë pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit. Tashmë ishte e qartë
që lufta ishte e humbur. Trupat gjermane dorëzuan Berlinin në duart e
sovjetikëve më 2 maj 1945. Forcat gjermane akoma vepruese në Itali do të
dorëzoheshin te aleatët perëndimorë, në po të njëjtën datë. Dy ditë më vonë,
trupat ushtarake gjermane në Danimarkë dhe Holandë do të vepronin në të njëjtën
mënyrë. Kapitullimi i forcave gjermane në Itali do të ishte i diskutueshëm.
Sovjetikët do të akuzonin Britaninë e Madhe dhe ShBA-të, pasi këta të fundit
(gjithmonë sipas sovjetikëve), në mars të 1945-ës, me anë të “Operacionit
Lindja e Diellit” (Operation Sunrisë), në mënyrë sekrete po bënin marrëveshje
paqeje me Gjermaninë. Ndërsa komandanti i trupave gjermane në Rheims të
Francës, do të dorëzohej më 7 maj. Dorëzimi i tyre do të ndiqej nga festimi i
“Ditës V-E” më 8 maj nga aleatët perëndimorë. 9 maji do të ishte dita e
festimeve të fitores së sovjetikëve, edhe pse në të vërtetë grupe ushtarësh
gjermanë do të vazhdonin akoma luftën për t’u dorëzuar përfundimisht më 12 maj.
Komandanti në terren i Ushtrisë së Kuqe, Georgi K. Zhukov do të parakalonte i
hipur mbi kalë së bashku me Rokosovskin në “Sheshin e Kuq” më 24.06.1945 si
shenjë e mposhtjes përfundimtare të regjimit nazist.
Por pasojat e kasaphanës së luftës së Dytë
Botërore qenë të paimagjinueshme
E tërë Evropa u shndërrua në një gërmadhe,
ndërsa humbjet njerëzore qenë të llahtarshme: BS humbi rreth 27 milionë njerëz,
Polonia – rreth 7 milionë, ish Jugosllavia rreth 2 milionë etj. Popullsia
martire hebreje u godit në mënyrën më drastike: mbi 6 milionë viktima të pafajshme
pësoi ky popull martir. Nga numri i popullsisë dhe humbjet materiale edhe
Shqipëria renditet në vendet e para në kontinent. Bota do të dilte e
shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Mendohet se gjatë viteve të luftës,
rreth 62 000 000 në mos më shumë njerëz do të humbnin jetën, duke përfshirë
edhe civilë. Ky numër është i barabartë me 2.5% të popullsisë së globit (në
kohën e luftës). Nga këto humbje, mendohet se 12 000 000 persona kanë humbur
jetën vetëm gjatë holokaustit. Në një skemë të thjeshtë, aleatët do të kishin
humbjet më të mëdha. Aleatët patën 80% të humbjeve dhe Forcat e Boshtit do të
kishin 20%-shin tjetër. Civilët do të kishin qenë ata që do të vuanin më shumë
nga lufta. Shumë civilë do të humbnin jetën si pasojë e sëmundjeve, urisë, gjenocidit,
dhe eksperimenteve ushtarake të kryera kryesisht nga forcat e boshtit. Në ditët
e sotme e vetmja gjë që mund të bëhet është mos harrimi i dëshmorëve dhe të
rënëvë të luftës duke shpresuar se një luftë e tillë nuk do të përfshijë më
njerëzimin. Më poshtë paraqitet një listë e shifrave të të humburve ushtarakë
në Luftën e Dytë Botërore:
· Australia—40 400
· Belgjika—12 100
· Brazili—1 000
· Japonia—2 000 000
· Italia—306 400
· Zelanda e Re—11 900
· Bashkimi Sovjetik—10
700 000
· ShBA—407 300
· Britania e Madhe—382
600
· Franca—212 000
· Gjermania—5 500 000
· Shqipëria—28 000
· Kanadaja—45 300
· Greqia—20 000
· Kina—3 000 000
· Totali në të gjithë
botën—24 456 700