Mendime
Enver Bytyçi: Ringjallja e Procesit të Berlinit është fundi i Ballkanit të Hapur!
E enjte, 05.05.2022, 08:14 PM
Ringjallja e Procesit të Berlinit është fundi i Ballkanit të Hapur!
Nga
Enver Bytyçi
Në
fakt Ballkani i Hapur nuk u bë asnjëherë një asosacion i pranuar. Tri shtete e
bojkotuan atë. Sepse kjo iniciativë e presidentit të Serbisë dhe kryeministrit
të Shqipërisë u nis dhe vazhdoi deri në fund si mohim i Procesit të Berlinit.
Kurse dje kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i dha fund spekullimeve dhe
demarsheve serbo-ediste për ta zevendësuar procesin e integrimeve europiane të
vendosur në Berlin në vitin 2014 me procesin serbo-rus të dezintegrimeve
ballkanike!
Procesi
i Berlinit është një iniciativë e ish-kancelares Merkel, me qëllim
parapërgatitjen e vendeve të Ballkanit Perendimor për t'u integruar në BE.
Pjesë e këtij procesi u bënë që atë kohë të gjashtë vendet e rajonit,
përkatësisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina
dhe Serbia. Thelbi ishte dhe mbetet krijimi i një tregu të përbashkët ballkanik
me prioritet lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave si dhe bashkëpunimin në
fushën e tregtisë, doganave, politikave doganorë e tatimore, etj. Nga vendet e
BE-së anëtare të këtij procesi ishin Gjermania, Italia, Greqia, Polonia,
Bullgaria, Austria, Franca, Sllovenia dhe Kroacia.
Ndërsa
Britania e Madhe u bë gjithashtu anëtare e sponsore e tij.
Në
kuadër të këtij procesi u zhvilluan disa samite si ai i themelimit në Berlin në
vitin 2014, si dhe samitet e tjera pasuese në Vjenë, Paris, Trieste, Londër e
Poznan të Polonisë, deri në vitin 2019, si dhe në Sofie në vitin 2021. Ndërkaq
në vitin 2019 Rama, Vuçiq dhe Zaev themeluan një lidhje alternative me të
njëjtat synime, atë që u quajt minishengen. Propaganda që shoqëroi këtë
iniciativë serbo-ruse ishte e jashtëzakonshme.
Qëllimi
ishte që të shitej si iniciativë europiane, e cila kishte mbështetjen e
Brukselit, madje edhe të Berlinit, por që kurrë nuk mundën të marrin një fjalë
mbështetjeje nga Brukseli. Themeluesit e minishengenit në fakt nuk patën
sponsor Bashkimin Europian, por fondacionin Soros. Soros junior ishte
komandanti i togës dhe jepte komandën në çdo rast për qëndrim gatitu para tij
të tre protagonistëve, Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev-it.
Ndërsa
Procesi i Berlinit kishte një fond të majmë për vendet e rajonit prej miliarda
eurosh, minisengeni, i cili në vitin 2021 u shndërrua në Open Balkan, sponsor
kishte George Sorosin. Qoftë dhe për këtë fakt Ballkani i Hapur shfaqej qartë
si konkurent dhe sfidues i Procesit të Berlinit. Objektivi i Open Balkan nuk
ishte integrimi në Bashkimin Europian, por në një Jugosllavi të Re të dominuar
nga Serbia. Se cilat do të ishin benefitet e Soros në këtë lojë anti-europiane,
kjo nuk u bë asnjëherë e ditur. Por dihet tashmë se investimi i Sorosit në
vendet ballkanike është shumë fitimprurës për shkak të instalimit ta
autoritarizmit dhe arrogancës ideologjike në funksion të pasurisë dhe rritjes
galopante të korrupsionit shoqëruar me rritjen e borxhit publik, përkeqësimin e
lirisë së medies, thellimin e treguesve të varfërisë, rënien ekonomike dhe
dekadencën morale e shpirtërore.
Procesi
i Berlinit u projektua dhe vazhdon të veprojë në shumë drejtime si,
bashkëpunimi rajonal, zhvillimi i vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës
dhe të drejtave themelore. Ai përfshin gjithashtu investimin strategjik në
funksion të paqes, demokracisë, mirëqenies, sigurisë dhe stabilitetit rajonal,
si dhe koordinimin midis vendeve të BE-së dhe atyre të BP për investime dhe
projekte mbinacionale. Procesi i Berlinit parashikon zgjidhjen e konflikteve
rajonale dhe pajtimin midis popujve e shteteve, si dhe një plan investimesh të
rëndëishme për të gjithë rajonin. Liria e lëvizjes, tregtia e lirë, qarkullimi
i mallrave pa dogana dhe pengesa të tjera, janë në fokus të Procesit të
Berlinit!
Por
pavarësisht këtyre benefiteve u shpik Minishengeni i shndërruar më vonë në Open
Balkan. Pse duhej kjo iniciativë? Thjesht për të mënjanuar Procesin e Berlinit!Për
të krijuar një Jugosllavi të Re! Për të izoluar Kosovën dhe rrënuar shtetësinë
e saj! Për të mos pranuar monitorimin europian. Dhe në fund për të realizuar
një regjim të sundimit autoritar! Qëllimi për pushtet iu mbivendos qëllimit për
zhvillim dhe integrim! Demokracia dhe shteti i së drejtës i sponsorizuar nga
Procesi i Berlinit nxjerr jashtë loje aktorët politikë të autoritarizmit,
përkatësisht Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiq. Natyrisht jo menjëherë, por në
mënyrë graduale të përshpejtuar!
Mbi
të gjitha, Procesi i Berlinit promovon Kosovën si shtet të pavarur e sovran në
marrëdhëniet e saj me vendet e tjera pjesmarrëse në këtë inciatovë. Jo
rastësisht të gjitha vendet e BE-së, anëtare të Procesit të Berlinit i përkasin
grupit të shteteve që e kanë njohur Kosovën shtet sovran e të pavarur. Ndërkaq
Open Balkan është një organizëm serbo-sorosist me bazë mohimin e pavarësisë dhe
identitetit shtetëror të saj.
Prandaj
dje ishte një ditë historike. Berlini rikthen fuqishëm iniciativën e tij për
Ballkanin Perendimor. Kjo do të thotë se po ditën e djeshme mori fund
iniciativa Rama-Vuçiq-Zaev e Open Balkan. Qoftë ditë e hajrit! Qoftë ditë e
bekuar! Tani mbetet që të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor të arrijnë
objektivat e fillimit të këtij procesi, veçanërisht paqen, sigurinë,
stabilitetin, njohjen reciproke, demokracinë dhe shtetin e së drejtës!