E enjte, 09.02.2023, 12:33 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Imzot Gjergj Volaj

E marte, 03.05.2022, 07:54 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr. 25, Zamak i Flamurit…

IMZOT  GJERGJ  VOLAJ

Vritet Ipeshkvi ma i ri n’ Botë!

“Nanë! Mos kjaj per até që po shef tashti!

Kjaj per até që vjen ma mbrapa!”

Imz. Gjergj VOLAJ

Porsa kalon Uren e Bunës brij Kështjellës Rozafat dhe nisesh per në rrugen brijë  Liqenit të Shkodres, plot mbas 7 km, gjindesh në fshatin Shirokë. Asht nder fshatet ma t’ aferta të Shkodres, ku prifti i Shirokës Don Zef Ashta, në vitin 1874 ka hapë shkollen e parë shqipe. Ajo shkollë u hap pranë Kishës në krahun e djathtë, në ndertesen e Tom Mark Radovanit, të Parvet të mij. Bana ket hymje mbasi Shiroka asht qendra ma e permendun pranë Shkodres, per njerzit e mëdhaj që i ka dhanë Shqipnisë tue fillue nga i njoftuni Kardinali i Parë Shqiptar Imzot Mikel Koliqi, doktor Federik Shiroka, At Anton Harapi e deri tek mësues e profesora të njohun në gjithë Shqipninë e ditve të shkueme e të sotme.

Aty asht le edhe Imzot Gjergj Volaj me 21 Shtator 1904. Mbasi perfundoi shkollen fillore në vendlindje, vazhdoi seminarin Papnuer në Shkoder e, mbas tij vazhdoi n’ Itali në Padova, universitetin e filozofisë si dhe Seminarin Minor, ku ra në sy per një pergatitje të mrekullueshme dhe sjelljen e Tij shembullore.

Pak vjet mbas Tij u pat le edhe djali i dytë Kola, që ma vonë edhe Ky ju kushtue me andje të madhe, Urdhnit Françeskan dhe mori emnin At Viktor Volaj O.F.M.

Dy vllazen dijetar dhe klerikë shumë të nderuem të Klerit Katolik në Shqipni.

Me 28 Qershor 1930, Gjergj Volaj shugurohet Meshtar nga Argjipeshkvi i njohun Metropolitan i Shkodres, Imz. Lazer Mjedja. Emnohet famullitar i Malit Jushit. Në Shkrel ka sherbye deri në vitin 1936, që ishte zonë e thellë malore e njohun. Aty emnohet Ipeshkëv i Sapës, me qender në Nenshat, ku me 26 Qershor 1940, në moshen 36 vjeçare, tue kenë ipeshkëv i Sapës, gzon titujt ma të naltë fatarë e kjo ishte një knaqësi shumë e madhe per Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Imz. Gjergj Volaj ishte shumë i rij kur Kardinali della Costa, Ipeshkëv i Padovës, e prezantoi me përgjegjësin, Delegatin Apostolik në Shqipni della Pietra, tue i paraqit studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Prej asaj kohë Imz. Volaj u dallue edhe si predikatar.

Ishte ma i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe me një kulturë të naltë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 kur ndrroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga shteti komunist që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u ba aq madhështor dhe me pjesmarrje të gjithë jo vetem të qytetarve të Shkodres por, edhe të studentave të Gjimnazit shtetit, saqë u vlerësue si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit.

Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit ia caktuene dhe e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Një ligjeratë e mbetun në kujtesen tonë, si fjalim i paharrueshëm historik, madje edhe i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale ku populli e mbushi si asnjëherë, mbrenda e jashta me popull besimtar të Shkodrës mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me gojtarinë e rrjellshme të predikatarit me forcë fjale, i prekun thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetë shprehja gojore e një fjalimi ma të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej figura e njohun fetare e nderueme e Imz. Gasper Thaçit, ku Imz. Volaj thirri me za të naltë:
I paharrueshmi Kryeipeshkëv Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë Shqiptar!
Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak!  Ishte ky fillimi i fjalës plot za e forcë që ushtoi edhe jashtë Katedrales dhe u përhap kudo, si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme i të gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në Kalvarin e madh e deri në martirizim.
Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shejtore, të ardhun nga qyteti e të gjitha katundet rreth Shkodrës për festën e Zojës.

Mesha e kremtue nga Imzot Gjergj Volaj. Predikatari i njohun Volaj, me aftësi foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme tek Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë aq të vështira.

Ishte predikimi i fundit i Imz Volaj: Porosi dhe thirrje për Besim në Zotin.

Ky fjalim paralajmërues i fundit nuk ishte jo i papritun. Ata që e njohën dhe ia ndigjuen zanin, kanë shka të flasin për Imzot Gjergj Volaj, por edhe të lotojnë sepse, komunistët ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së Ever Hoxhës kundër Krishtit. Në rrethana poshtnimi u arrestue Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta u torturue mizorisht dhe kujtohet nder ma të masakruemit klerikë katolik nga Sigurimi i shtetit komunist.

Mbas arrestimit u mbajt në hetuesinë ma të mnershme të Sigurimit shtetit në Shkoder, në hetuesinë e Kuvendit të Fretenve pranë Kishës së tyne, ku pak kohë perpara sigurimi komunist kishte futë edhe armët nën elterë. Aty Imz. Volaj provoi tmeret e panjoftuna ndonjëherë nga Atdhetarët dhe kleri katolik paperjashtim, po disa nga drejtuesit e Atij kleri janë masakrue aqsa nder shtetet e Europës Lindore komuniste as nuk njiheshin ato tortura.

Vetë mbyllja e procesit Imz. Gjergj Volaj me firmen e Tij, verteton paasnjë kundershtim se Ai, jo vetem ishte i pafajshem po, edhe i pamujtun mos me i pranue akuzat që as nuk i shkonte mendja se do të firmonte në jeten e Tij.

U dënue me vdekje. Për çudi Ju lejue një takim special me Nanën e tij njëditë para pushkatimit të Imz. Gjergjit. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Dukej si ndalesa e Katërt ku Jezu Krishti i dënuem me vdekje takon Nanën e vet. Jo pa qellim të keq: E takuene vetem me e demoralizue Djalin para Nanës së vet të shkretë!

Sa dhimbje të mëdha kanë provue këto dy zemra të pasterta e të dashtuna!

I dhimshëm po edhe i paimagjinueshem takimi me Nanën e vet Tone, i të dënuemit me vdekje Imzot Gjergj Volaj njëditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi Nanën e vet kur e pau aq të rrënueme. “Nanë, mos vajto atë që tashti sheh tek unë. Kjajë ditët ma të vështira që do të vijnë!” Ia shtrini dorën mbi kokë dhe i tha: “Kjofsh e Bekueme o Nanë!” Të theruna zemre, mjerim e lot, por bekim për amshim. “Kjofsh i bekuem o Biri i Nanës!” Iu përgjegj Nana. Vetem Ato Nana mund të flasin edhe sot nga gropat e Rrmajt mbasi asnjëherë, nuk harrohen krismat në orët e para të mëngjeseve të atyne kohëve të zeza, që vijshin gjithnjë nga Penda e Kirit mbas Rrëmajit.

Me 3 shkurt 1948 mbas vorreve, aty tek Zalli i Kirit, u pushkatuen disa vetë të hjedhun në një gropë. Por nuk u mbyll këtu dhimbja për Nanën e vujtun. Edhe djali tjeter At Viktor Volaj, atdhetar, gjuhëtar dhe studiues, etnograf, përkthyes e autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë i At Justin Rrotës e At Gjergj Fishtës, që ishte edhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh kombtar, nuk i shpëtoi dënimit për shumë vite në internime komuniste kur nana e vet krejtësisht e vetmueme, kalonte jetën  pranë një familjes bamirse. E pra kjo asht e verteta e Familjes Volaj, që u shfaros nga Sigurimi i shtetit komunist i diktatorit terrorist pa asnjë shkak vetem, pse dy djelmët ishin thirrë me i sherbye Kishës Katolike në Shqipni.

E sa familje si kjo ka sot Shqipnia e “rilindur socialiste”?! – As nuk bahet e dijtun kurr masakra e madhe e diktaturës barbare komuniste në Shqipni!

Dihet vetem një fakt: Shqipnia jo vetem nuk i dënon krimet e komunizmit, po perditë mendon per kthimin mbrapa të shtetit, tue ringjallë diktaturen, fanatizmin anadollak dhe shthurjen e ligjve e të ecjes drejtë Europës.

A ka sot Nanë Shqiptare që i këndon Djalit si Nana e Imzot Gjergj Volaj:

“Flej qetësisht n'at djep moj njome,

pusho n'paqë me ej’ e zana,

si ma t'mirin nder gjithë kombe

për Shqipni tash t'rritë ty Nana.” (Shkrue nga Don Ndre Zadeja).

Melbourne, 2 Maji 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora