E merkure, 18.05.2022, 02:07 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Djalli komunist nuk mund të bashkëjetojë me shenjëtorët, z. kryeministër!

E marte, 30.11.2021, 08:29 PM


DJALLI KOMUNIST NUK MUND TË BASHKJETOJË ME SHENJËTORËT, Z. KRYEMINISTER!

Nga Frank Shkreli

Të shtunën që kaloi Shqipëria dhe Vatikani shënuan 30-vjetorin e marrëdhënieve midis tyre duke kulminuar me një vizitë të shtunën në Vatikan të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe familjes së tij, tre muaj më vonë sepse siç duket kështu i konvenonte agjendës së Kryeministrit Rama. Në të vërtetë, data 7 shtator 2021, përkon 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, të cilat u vendosën më 7 shtator 1991.  Dua të them prej fillimit se si shqiptar i larguar nga vendlindja prej më shumë se gjysëm shekulli, por edhe si katolik nuk mund as nuk dua të fshehi kënaqësinë dhe entuziazmin tim kur një kryeministër ose një president – qoftë nga Shqipëria ose Kosova - bëjnë vizita zyrtare dhe jo-zyrtare në Vatikan.

Me kënaqësi dhe entuziazëm e ndoqa edhe vizitën e ditës së shtunë me 27 nëntor, 2021, të Kryeministrit Rama në Vatikan.  Por vura re një frymë hipokrizie që m’a prishi pak atë entuziazëm dhe kënaqësinë fillestare për vizitën e të parit të qeverisë shqiptare në Kryeqendrën e Kishës Katolike.  E lexova edhe fjalimin e Kryeministrit Rama. Nuk dëshiroj ta kritikoj, por disa gjëra janë aq dukëshme për të cilat duhej të fliste, por që nuk foli Z. Rama, duke zgjedhur t’i anashkalonte. 30-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan (megjithëse tre muaj më vonë) ishte një rast i bukur që KM shqiptar të fliste, si për shembëll për martirizimin e Kishës Katolike shqiptare nga regjimi i Enver Hoxhës. Nuk foli. Nuk e di se pse nuk foli për këtë subjekt. Por dihet se Shqipëria, si asnjë vend tjetër ish-komunist në Evropë edhe sot e kësaj dite refuzon që, zyrtarisht, të distancohet nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si dhe nga krimet e tija monstroze, sidomos kundër përfaqsuesve të Kishës Katolike Shqiptare dhe të feve të tjera kryesore të shqiptarëve, pa përjashtuar edhe përfaqësuesit më të denjë të ajkës së Kombit shqiptar të asaj periudhe të errët të historisë shqiptare.

“E dimë se si kjo marrëdhënie u nderëpre prej shumë vitesh në mënyrë brutale për shkak të një regjimi që mbi të gjitha e mbi të gjithë i bëri të keqen më ekstreme katolikëve dhe atyre që ndiqnin këtë fe”, tha KM shqiptar në pritjen e organizuar nga e Ngarkuara me Punë e Shqipërisë në Ambasadën shqiptare në Vatikan.  “Prej shumë vitesh”, u shpreh Kryeministri shqiptar ai “regjim” ka “ndërprerë” marrëdhëniet midis dy vendeve. Jo, jo Z. Kryeministër, kemi të bëjmë me një gjysëm shekulli e më tepër krimesh zyrtare, vuajtjesh e persekutimesh, vrasjesh e internimesh. Dhimbjet vazhdojnë edhe sot në radhët e familjeve të atyre martirëve, pasi varret e të afërmëve të tyre, as sot nuk dihet se ku janë dhe nuk kanë mundesi as një tufë lule ta çojnë tek varri, në kujtim të të dashurve të tyre, sepse qeveria shqiptare ka refuzuar, vazhdimisht dhe me papërgjegjësinë më të madhe të merret vet me zubulimin e varreve të viktimave të komunizmit, ndërkohë që refuzon madje edhe bashkpunimin me organizata ndërkombëtare të cilat kanë ofruar ndihmën e tyre financiare dhe profesionale për këtë qëllim.

Të gjithë ne e dijmë siç e di edhe kryeministri shqiptar se të gjitha viktimat e komunizmit në radhët e klerit katolik shqiptar u vranë dhe u ekzekutuan nga regjimi komunist, të akuzuar, ndër të tjera, si “agjentë të Vatikanit”. Unë nuk di si ta quaj, hipokrizi apo mungesë sinqeriteti, që vetëm me disa fjalë të përgjithëshme, Z. Rama iu referua krimeve të “një regjimi”. Cilit regjim? Zogist, fashist, komunist?  Kam venë re se zyrtarët shqiptarë kur s’kanë hall pa e përmendur komunizmin, i referohen atij si ish-regjimi, monizmi, e ku ta di unë, por frazën “regjim komunist”, pëpiqen ta anashkalojnë. Duket sikur në mendjen e tyre, duke mos e përmendur regjimin komunist me emër, përpiqen të mbrojnë reputacionin e komunizmit të baballarëve të tyre. Por, për derisa Shqipëria zyrtare nuk përballet, seriozisht, si gjitha bota tjetër ish-komuniste, me të kaluarën e saj enveristo-staliniste, e sidomos me krimet e regjimit komunist shqiptar ndaj popullit të vet, askush nuk u beson fjalëve që Kryeministri Rama, me aq “përvujtëri”, tha në Vatikan të shtunën që kaloi.

Ndër të tjera, Z. Kryeministër, përmendi Papa Gjon Palin II, njërin prej protagonistëve të shembjes së komunizmit 30-vjetë më parë, e të cilit, z. Rama me të drejtë iu referua si, “mik i çmuar i Shqipërisë”.  Gjon Pali II nuk do të ishte aspak dakort me heshtjen e Shqipërisë zyrtare dhe të ambasadorëve perëndimdorë në Tiranë ndaj krimeve të komunizmit në atë vend, sidomos ndaj dështimit 30-vjeçar të Tiranës zyrtare për tu përballur me të kaluarën komuniste dhe për të dënuar krimet e komunizmit.  Me një të kaluar të tmershme, që vet Papa Gjon Pali II, i cili i njihte mirë krimet e komunizmit edhe në vendin e tij, Poloninë e tij të dashur, e përshkroi kështu, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, me 25 prill, 1993.  “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, u tha ai shqiptarëve dhe shqiptoi thirrjen për kujtesën e përhershme: “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ka thenë me atë rast Papa Gjon Pali II, duke shtuar: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhëshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.  Frank Shkreli: Qëndro, Shqipëri! | Gazeta Telegraf

Disa prej viktimave të komunizmit të martirizuar nga regjimi i Enver Hoxhës janë shpallur të “lumtë” nga Vatikani, një shkallë më afër shënjtërimit, sipas rrregullave kishtare. Ashtuqë, e pranon ose jo KM i Shqipërisë, krimet e komunizmit kundër Kishës Katolike Shqiptare dhe klerit të saj dhe të feve të tjera, Vatikani e di shumë mirë se çfarë ka pësuar katolicizmi shqiptar dhe të gjitha fetë e tjera të shqiptarëve nga regjimi i Enver Hoxhës.

Vura re se Kryeministri Rama dekoroi në Vatikan Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin, me rastin, siç tha ai, të “30-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, të 150-vjetorit të lindjes së françeskanit të madh shqiptar, at Gjergj Fishta dhe të 300-vjetorit të lindjes së Klementit XI Albani…”, Papës me origjinë shqiptare.  Nuk mund të mos bejë pyetjen Z. Kryeministër, se çfarë bëri këtë vit, zyrtarisht, Shqipëria, për të kujtuar këtë 150-vjetor të At Gjergj Fishtës? Në rregull që e përmendët emrin e Fishtës në Vatikan. Por është Shqipëria ajo që ka nevojë -- më shumë se Vatikani -- ta kujtojë dhe ta respektojë At Gjergj Fishtën.

Z. Kryeministër, ju dhe si bashkvëllzerit/motrat e juaja në Partinë që ju udhëhiqni, keni folur vetëm gjatë këtij viti, më pozitivisht për komunizmin – që Fishtën e kishte shpallur “tradhëtar dhe i shitur”, ndër të tjera epitete -- si një sistem që ishte në anën e duhur të historisë dhe të tjerë kanë folur për të “mirat” e komunizmit në përgjithësi. Sa herë u përmend në Tiranë, zyrtarisht, figura dhe kontributet At Gjergj Fishtës në këtë 150-vjetor të lindjes së tij? Pse nuk u propozua gjatë këtij 150-vjetori të lindjes së Poetit Kombëtar, që epitet e komunizmit kundër Gjergj Fishtës të hiqen zyrtarisht me akt ligjor? Pastrojeni baltën që ka hedhur komunizmi mbi At Gjergj Fishtën dhe të tjerë si ai. Përmendja nga ju e Fishtës në Vatikan është hipokrizi, Z. Kryeministër, kur marrim parasysh se si trajtohet At Gjergj Fishta nga Tirana zyrtare, sot e 30-vjet nga shembja e komunizmit zyrtar.


“Enver Hoxha – Shqiponja mbi Flamur”. Sipas disa portaleve, kjo foto botuar dje nga një ligjvenës socialist, -- anëtar i Komisionit të Sigurisë të parlamentit shqiptar (Ditën e pavarësisë, 2021) Nuk ka nevojë të komentohet – Ky është parlamenti i dalë nga “zgjedhjet” e “lira” e 25 prillit – kjo është Shqipëria që doni – Ta gëzoni, së bashku me ndërkombtarët që ju mbështesin në këtë rrugë të mbrapsht!

Edhe një gjë tjerë që më ra në sy ndërsa ndoqa vizitën e Z. Rama në Vatikan. Në fjalimin e tij ai falënderoi përfaqsuesit e Vatikanit në Shqipëri të cilët nuk kanë munguar për asnjë periudhë gjatë këtyre 30 viteve. Ai përmendi edhe tre ambasadorët e parë shqiptarë në Vatikan, por Kryeministri shqiptar nuk tha asgjë për faktin se Shqipëria ç’prej vitit 2013 nuk ka ambassador fuqi-plotë në Vatikan.   Frank Shkreli: 30-vjetorin e mardhënieve Shqipëri-Vatikan, karrigia e ambasadorit fuqiplot Shqipërisë pranë Selisë Shenjtë është ende bosh, prej 8 vitesh | Gazeta Telegraf

Askush nuk jep ndonjë shpjegim se pse po ndodhë kjo mungesë e përfaqësisë së Shqipërisë në nivel ambasadori në Vatikan.  Por diçka është këtu që nuk shkon, sepse shtatorin që kaloi, në emër të Kishës Katolike të Shqipërisë, për këtë çeshtje  u shpreh Imzot Gjergj Meta, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, me një deklaratë për Radio Vatikanin me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve Tiranë-Vatikan: “Sigurisht se duhet thënë se mungesa e një ambasadori të Shqipërisë në Vatikan qysh prej vitit 2013 nuk është një gjë që na bën fort nder ne si shtet, duke qenë se Vatikani, vazhdimisht, ka sjellë ambasadorë në Shqipëri dhe ne prej disa vitesh pra nuk kemi ambasador në (Vatikan). Jam i sigurt se po të kërkohet dhe po të kihet vullneti i mirë, mendoj se mund të gjëndet një zgjidhje e kënaqëshme për të dy shtetet, por që është edhe përfaqësuese e denjë për shtetin tonë, një zgjidhje e kënaqshme për të gjithë ne”, ka theksuar përfaqësuesi i lartë i Kishës Katolike Shqiptare.

Në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan – tre muaj më vonë nga data aktuale -- nga vizita e Kryeministrit shqiptar në Vatikan – të cilën fillimisht e mirëprita, por që fatkeqësisht, më në fund u zhgënjeva. U habita pak nga zhurma propagandistike e kësaj vizite, sepse vizitat e liderëve botërorë në Vatikan, për nga natyra, janë zakonisht të përmbajtura, jo të bujshme, sa që edhe vet media përmbahet.

Jo më pak se një ditë pas takimit të kryeministrit Rama me Papa Françeskun në Vatikan, në Ditën e Shënjtë të Pavarësisë së Shqipërisë, na paraqitet djalli i komunizmit shqiptar, krenar pranë Flamurit Kombëtar shpërndar në rrjetët sociale nga një deputet i partisë Socialiste të KM Rama.

Kur do të distancohet Shqipëria njëherë e mirë nga djalli komunist dhe tu bashkohet vlerave të shënjtorëve, viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës?!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Dr. Rifat Latifi - Me emërimin tënd, fiton Kosova! Frank Shkreli: Senati kërkon më shumë transparencë dhe qartësi nga Presidenti Biden Frank Shkreli: Dita Botërore e Lirisë dhe kujtimi i viktimave të komunizmit Frank Shkreli: Nuk vritet pafajësia, z. kryeministër! Frank Shkreli: Fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve Frank Shkreli: Liria e Fjalës dhe ''foltoret'' e Sali Berishës Frank Shkreli: Ç'punë kanë taksapaguesit amerikanë me promovimin e kulturës otomane në Shqipëri?! Frank Shkreli: Klubi i turpeve të përbashkëta Frank Shkreli: At Gjergj Fishta fati i kombit shqiptar Frank Shkreli: Ndërroi jetë Gjenerali Amerikan Colin Powell Frank Shkreli: Një diplomat amerikan që nuk heshti kur duhej të fliste Frank Shkreli: Ambasadorët vizitojnë kampin komunist të Spaçit Frank Shkreli: Nobel 2021 – Liria e Fjalës parakusht për demokracinë dhe paqen Frank Shkreli në A Show me Adi Krastën Frank Shkreli: Një ngjarje në historinë e marrëdhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet Frank Shkreli: 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën Kurtit nga barbarët komunistë Frank Shkreli: Liria e Shtypit - 'Ferrë' në sy të politikanëve shqiptarë Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave - një hap përpara, dy mbrapa Frank Shkreli: Ç'bën Edi Rama në West Point? Frank Shkreli: Kryeministri Albin Kurti - Ka ardhur koha të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora