Editorial
Xhemal Ahmeti: Homoanimalët
E shtune, 21.08.2021, 04:52 PM
Homoanimalët
Nga
Xhemal Ahmeti
Fizionomia
e njeriut të sotëm, në mënyrë të përforcuar e kontinuitative, merr pamjen e
qenies së kafshëruar. Si duket teoria e Çarls Darvinit do të bëhet e
pakontestueshme.
Pa
hamendje, parardhësi im, ashtu siç ka pranuar edhe Kafka në letrën (tregimin) e
tij drejtuar Akademive të Shkencave, qenka ndonjë shimpanzë e Afrikës së Jugut.
Ka mundësi që ngjyra ime mulate të jetë një shenjë identifikimi me llojet e
majmunëve të zanafillës. As bujtja ime me lopët gjatë fëmijërisë nuk paska qenë
e rastësishme. Dashuria ime ndaj tri dhive, me të cilat kam kaluar një pjesë të
konsiderueshme të rinisë, paska qenë një dashuri e natyrshme në mes qenieve të
një sorte, edhe pse me konstrukte të ndryshme.
Megjithatë,
nuk është meritë e majmunëve, dhive dhe lopëve që unë kam arritur të zbulojë
rrënjët e mia gjenetike. Me to nuk mund të komunikojë, pasi nuk njoh gjuhën e
tyre. Faktin përfundimtar që më ka bindur në lidhje me problemin e prejardhjes,
e kam gjetur në mesin e bashkëkohanikëve të mi me dy këmbë. Pra merita u takon kafshëve
me dy këmbë, të vetëquajtur me emrin njerëz. Mendimi se Luani është mbret i
kafshëve -si mercedesi në botën e automjeteve- nuk është asgjë tjetër përveç se
një legjendë mitike ose një pallavër e rrejshme që s`ka të bëjë gjë me
realitetin, kur dihet se njeriu, si kafsha më e përkryer në djallëzi, përcakton
fatin e ekzistencës të luanit, lopëve, dhive, e majmunëve të mi dhe vetes.
Njerëzit
që i njohë unë, për shkak të krenarisë dhe kryeneçësisë që kanë në lidhje me
sojin e vetë, nuk do të pranojnë asnjë farefisni me shimpanzat, as me lopët e
as me dhitë. Bile ata do të ndiejnë veten të fyer kur do të lexojnë këtë të
vërtetë që nxjerr në sipërfaqe përkatësinë e tyre kafshërore. Mirëpo, ata duhet
të kuptojnë se unë nuk bëj kurrgjë tjetër, përveçse, në një mënyrë tjetër nga
Darvini, përpiqem ta rikujtojë mendjen e epokës së tashme për gjenezën dhe
identitetin e vetë. Një detyrë e natyrshme e një antari të Bashkësisë së
Intele-k(t)ualëve pa marrë parasyshë pozitën e tyrë gjeografike e nacionale,
bashkësi që mbiemrin intelek(t)ual e ka vënë qëllimisht për të injoruar teorinë
e xha Darvinit të Bjeshkëve të Nemuna, me qëllim për t`ikur asaj ngjajshmërisë
me kafshët. Kush thotë se qeni nuk mund të jetë intelektual? Ata që e kanë parë
serialin «komisari Rex» ose filmin «Betoveni» sigurisht kanë hequr dorë nga
teza se intelekti është tipari që dallon njerëzit nga bashkëqeniet e tyre.
Ndërsa për kokëfortët kemi një ilaç edhe më bindës; le të shikojnë filmin
«Babe» ose «Babe në një qytet të madh» ku rolin kryesor në mënyrë të përkryer e
luan një derr i vogël me origjinë nga Evropa Perëndimore.
Ngajshmërinë
në mes tipeve të shumta kafshërore, e sidomos në mes të grupit të madh animal
që pranon identitetin e vetë dhe atij të vetëm që do t`i ikë realitetit, janë
të shumta. Unë do të përshkruaj vetëm një atmosferë, një skenë reale të teatrit
të përditshmërisë, nëpërmjet të të cilit ju do të bindeni se unë kam të drejtë
me tezën time. E vetmja gjë që ju duhet të bëni, është që personazhet e mi, me
emra kafshësh të ndryshme t`i pranonin si njerëz. Me këtë asociim do të arrini
të gjeni çelësin e procesit të ngjajshmërisë së pakontestueshme në mes të botës
së gjëve të gjalla.
Në
njërin nga parqet e mëdha të metropolit helvetikas (zviceran) ishin mbledhur
nja dyqind kafshë të llojeve të ndryshme, për të festuar lindjen e fëmisë së
një shimpanze. Arsyeja e prezencës sa aq shumë kafshëve si dhe shkaku që ato
fillimisht nuk tentonin të hanë njëra tjetrën qëndronte në faktin se shimpanza
dekada me rradhë kishte pasur pozitën e funksionarit në njërën nga provincat
kafshërore të fundeuropës. Për këtë edhe ai respekti në hyrje e sipër të
programit ku merrnin pjesë; telalli dhe protokollari i kolonisë- gjeli,
politkani numër një- dhelpra, shefi besnik i policisë- qeni, shefi i tatimeve- dashi,
koloneli i ushtrisë- ujku, kritiku i punëve të kota – kali etj. Pas ceremonisë
hapëse të menifestimit, pas disa gotave verë, pa pritë e kujtuar, qeni iu hudhë
në qafë gjelit dhe e përgjaku atë në kokë. Shimpanza për të sjell rend në park
rrahte gjoks si i tërbuar. Kali mezi gjeti vend nën një tavolinë, ndërsa qeni
pas shkaktimit të belasë iku në një skut dhe bënte shënime duke u zgërdhirë. O
bo bo po të ishte prezente edhe kudra, e cila për shkaqe të pakuptueshme nuk
ishte prezente në dasëm. Dashi dhe ujku u larguan në një qosh për të bërë duel.
Dhe
kështu dështoi festa për pagëzimin e pjellës së shimpanzës, e cila e zhgënjyer
u kthye për në shpellën e vetë të mbyllur nga drita e diellit. Fëmija mbeti pa
emër, ndërsa më vonë falë gjelit protokollar, i cili kishte shënuar në formë
polemike revoltën në lidhje me dasmorët e këqinj, gjuetia në mes kafshëve të
Cyrihut për të ngrënjë njëra tjetrën vazhdon deri në ditët e sotme.
Tani,
nëse doni të konkretizoni edhe më mirë tezën time, nuk ju duhet shumë punë:
zëvendësoni gjithë skenën me një manifestim njerëzish që promovojnë një libër
të ndonjë poeti. Në vend të shimpanzës merrni një poet rrahagjokës, fëmijën
zëvendësojeni me një vepër «artistike», në vend të qenit një varrës fanatik të
ndonjë ideologjie (zgjedhja sipas dëshirës), për gjelin keni gazetarë sa të
doni, kali del si kritik, dhelprën zëvendesojeni me një politikan pa kurriz,
dashin me një targambledhës e kështu me rradhë, dhe menjëherë parasyshë do të
ju vijnë qindra skena të tilla, ku njerëzit ua kalojnë një mijë herë kafshëve
për nga agresiviteti dhe mungesa e maturisë e intelektit.
Darvini
nuk ka qenë injorant. Prandaj njerëzit e teatrit tonë nuk duhet parë si një
specie e veçantë, por vetëm si njërin nga sojet e shumta të botës së kafshëve.
Me këtë do të bindeni, sapo të ktheni kokën majtas apo djathtas. Ndonjë
shimpanzë do të gjendet aty afër për t`iu përshëndetur! Me garancë! (1997)