Editorial
Ndue Dedaj: 'Shumë zhurmë për asgjë', si provokim social
E merkure, 18.08.2021, 08:32 PM
“SHUMË ZHURMË PËR ASGJË”, SI PROVOKIM SOCIAL
Nga
Ndue Dedaj
1
Tek
ne mezi pritet të ndodhë një “ngjarje”, qoftë ajo dhe një asgjë, dhe në çast do
të jenë krijuar palët pro dhe kundra, me sa duket një huazim i panatyrshëm nga
politika. Ajo kështu funksionon në demokraci, e ka të nevojshëm debatin për të
peshuar alternativat e ndryshme të zhvillimit, por ç’kuptim ka që me këtë stil
të debatohet masivisht edhe për ardhjen apo mosardhjen e këngëtarit Goran
Bregoviç në festën e birrës “Korça”, a thua se kjo përcakton të ardhmen, të
paktën të birrës me këtë emër. Ky, në rrafshin mediatik, është një njoftim
biznesi për pjesëmarrje të korçarëve në koncert, por nuk mund të quhet lajm e,
megjithatë, u ka marrë kohën dhe energjitë shqiptarëve, për afro një muaj, pasi
nuk mund t’i mbyllesh veshët me pambuk për të mos dëgjuar “shumë zhurmë për
asgjë”-në e këtij rasti. Nëse ka një lajm këtu, ai është se për herë të parë
festa e birrës në Korçë bëhet kundrejt biletës.
Ndaj
diskursi mbarëshqiptar rreth “Bregoviç” është zakoni ynë provincial i furtunës
në gotë, i kërkimit të problemit aty ku nuk është. Asgjë patriotike apo
jopatriotike nuk ka në këtë “histori” ta amplifikuar. Jo kudo ku flitet për
serbë, duhen mprehur shqisat e atdhetarisë se mos po biem në gabime. Çështja
nuk është nëse vjen apo nuk vjen këngëtari i sipërthënë në festën e birrës
“Korça”, por teprimi në debatimin rreth kësaj gjëje, që padashur ka shkatuar
një provokim social. Njerëzit gjithandej, në vend që të shijojnë pushimet e
verës, duhet të shkatërrojnë nervat, në duhet të vijë apo mos të vijë (ar)miku
në festën tonë!? Të kuptohemi, kujtesa tragjike historike, e largët dhe e
afërt, e Kosovës në përballjen me Serbinë është e shenjtë dhe si e tillë është
e kuptueshme çdo ndjesi njerëzore, çka nuk duhet ta lëndojnë as tingujt muzikorë,
nëse vërtetë kjo mund të ndodhë. Në të kundërt, pse duhet parë si incident të
kënduarit në qytetin shqiptar të serenatave të një artisti të një vendi tjetër.
Për mendimin tonë, shenjtërinë e asaj kujtese e lëndon debati i panevojshëm,
sado qëllimit të mirë të të përfshirëve në të. I zoti i shtëpisë, Bashkia e
Korçës, ka deklaruar për një media të Kosovës se “nuk ka asnjë qasje politike
pjesëmarrja e një këngëtari të lindur në Sarajevë dhe që, në dijeninë tonë,
para se ta kontaktonim për të marrë pjesë, çka e kemi të saktë, nuk ka pasur
asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve, as kundër kosovarëve”.
2
Për
fat të keq, bëhet shumë zhurmë jo vetëm për “asgjë”, por dhe kur është fjala
për “shumë gjë”, si nisma politike rajonale “Open Balkan”, për të cilën flitet
nga të gjithë, por jo dhe aq nga plitikanët, diplomatët, analistët që i njohin
zhvillimet në rajon etj. Ata do të kishin sqaruar për publikun se kur dhe si ka
lindur kjo ide dhe çfarë synohet me këtë projekt ku tani për tani është përfshirë
vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e ku ftohen dhe të tjerat vende
të rajonit t’i bashkohen. Me të drejtë është ngritur problemi se çfarë fiton
dhe çfarë humbet Kosova nga ky “mini-shengen” ballkanik? Nëse këto do të ishin
bërë të qarta për publikun, gjërat nuk do të kishin mbetur në nivelin e një
lajmi të “turbullt”, që nuk le prapa hije dyshimi për prapaskena politike.
Deklaratat zyrtare me nga tri fjali të Ramës, Vuçiç-it dhe Zaev-it nuk
mjaftojnë për të kuptuar se çfarë do të prodhojë “Ballkani i Hapur” për
qytetarët e këtij rajoni, sado që në një Ballkan të mbyllur secili në “kullën”
e vet e përherë në konflikt, në parim hapja ndaj njëri-tjetrit është me shumë
vend. Por ndër ne mungon dëshira për transparencë të vërtetë dhe kultura e debatit
në nivele specialistësh dhe ekspertësh të fushave, ata dhe kur ftohen
ndonjëherë për të folur, nuk dëgjohen, pasi secilit i pëlqen mendja e vet, ditë
e pa ditë gjë rreth asaj që flitet. Kjo do të thotë se bëhet “zhurmë” pa të keq
dhe pse në çështje të tilla të rëndësishme, kjo është e papranueshme. Vërtet
sot nuk ta mbyll njeri gojën për marrëzitë dhe spekulimet që bën me fjalën,
veçse kjo nuk është arsye për të folur, përkundrazi për të heshtur.
Sado
e largët në kohë të duket dhe në tjetër kontekst, zakoni për të folur pa thënë
asgjë, po për të zhurmuar, është dukuri e monizmit. Të gjitha fushatat politike
të kohës mbështilleshin nga një frazeologji boshe e “demokracisë popullore” e
më pas “socialiste”, si në rastin e diskutimit për një vit rresht të
projekt-Kushtetutës së re të vitit 1976, në çdo kolektiv punonjës, kinse po
merrej mendimi i masave. Po ashtu, përgjithësoheshin me “zhurmë” shmbujt e të
rinjve të paktë që gjoja shkonin me dëshirë në stane si barinj për të ruajtur
tufat e dhive, apo që hynin nëntokë për të shtyrë vagonën me mineral. Një
stisje propagandistike politike e një realiteti rozë që nuk ekzistonte. Të
gjithë e shihnin se si ishte e vërteta e megjithatë “ushqeheshin” me gjellën e
gatuar keq nga agjit-propi i partisë.
3
Zakoni
për të stisur lajme e zmadhuar ato është kthyer në stil rutinë komunikimi. Për
çudi sytë mbahen si tepër andej nga selitë e partive. Ku është lajmi, nëse disa
njerëz të PD-së së Korçës kanë vendosur të ikin nga kjo parti. Lajm politik
mbase do të ishte nëse një partie në opozitë i shtohen radhët. Kemi tridhjetë
vite me këso “bombash” pa tym, me ca që ikin nga partia dhe ca që vijnë në
parti. Ikje dhe ardhje të tilla mund të jenë njëfarë lajmi brenda partisë, por
jo për publikun, për të cilin nuk përbën lajm as krijimi një partie të re. Duke
u marrë me njoftime që nuk janë lajm, nuk e shohim lajmin aty ku ai është i
“padukshëm”. Para ca ditësh u ndodhëm një mbrëmje në Kukës dhe mbetëm të
befasuar nga xhiroja në qytet, njerëz pafund, si i thonë fjalës: mos me pas ku
me hedh kokrrën e mollës, falë dhe infrastrukturës urbane. Pse ky është një
lajm? Sepse ne shkruajmë vazhdimisht me shqetësim për braktisjen e vendit,
ikjet e vetëm ikjet, por jo dhe për ardhjet e emigrantëve, qoftë edhe për
pushime në vendlindje, apo disa prej tyre dhe për të investuar. E publikuam
fotografinë e asaj mbrëmjeje kukësiane, në të njëjtën ditë që kishim publikuar
dhe fotografinë e zjarrit në malin e Kalimashit. Besojmë se kjo është ajo që
kërkon publiku, të informohet “në të mirë e në të keq”. Nëse do të ishim marrë
këto javë me flakët që na shkrumbuan pyjet dhe jo me “flakët e kashtës” të
marramendjeve tona, me siguri që do të kishim bërë diçka të dobishme për
njerëzit.
Me
stilin e rëndomtë të të bërit lajm të çdo “gjëgjëze”, në prodhojmë ditë për
ditë “lajme” të veckël për veten në rrjetet sociale, për të qenë në qendër të
vëmendjes së mehallës dhe nën miklimet e të tjerëve. Padyshim ky është një
trend vulgar, në kohën postmoderne, ku dhe pse është fshikulluar shumë, prapë
lulëzon hareshëm, duke ulur standardet e komunikimit të një shoqërie të
qytetëruar. “Mos bëni like dhe mos më uroni për poezitë e botuara, nëse nuk
gjeni kohë t’i lexoni”, shkruante një poete. Njerëzit që kanë me se merren, me
punë, biznes, art, projekte etj., bezdisen dhe ndihen të fyer nga lajkat false
të ca individëve mediokër që nuk ua përtojnë superlativave pa pikë vlere: “i
madh”, “i shquar”, “i jashtëzakonshëm”, “legjendë e gjallë”, “heroi im” etj.
Njeriu i “vlerësuar” kësisoj, natyrshëm e përqesh këtë ndotje të ligjërimit:
“Po cili je ti për vete, që më dhënke mua “grada” kaq të larta?!”...
Shqiptarët
kanë shumë proverba për fjalën e drejtë apo të drejtën e fjalës, si “Me ndejt
shtrembët e me fol drejt”, që në kohën e sotme për shumëkënd është kthyer në të
kundërtën, me ndejt drejt e me fol shtrembët, pa tu skuqur fytyra...