E premte, 26.04.2024, 04:18 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Hekurudha,''punë e shejtanit''/ Dështimi i Afganistanit

E diele, 15.08.2021, 09:13 PM


Blerim Latifi:

Tërheqja e amerikanëve nga Afganistani dhe rimarrja e shpejtë dhe e lehtë e tij prej talebanëve, nxjerr në dukje një fakt bazik: dështimin e Afganistanit për t'u bërë shtet modern e ligjor.

Investimet miliardëshe në të gjitha fushat nuk i kanë dhënë efektet e tyre përballë mungesës së vullnetit të duhur për të ecur përpara dhe korrupsionit sistematik të elitave drejtuese vendore. Dhe siç ndodhë rëndom në histori e kaluara rikthehet gjithmonë kur planet për të ardhmen dështojnë.

Ka 20 vite që ne e injorojmë këtë leksion, ndërsa Serbia vazhdon të investojë pandërpre në strategjitë e dështimit të shtetndërtimit të Kosovës. Sepse ajo e di se vetëm duke dështuar ky shtetndërtim, rikthimi i saj në Kosovë mund të vihet në shqyrtim.

Aleati më i madh i talebanëve ishte korrupsioni i shfrenuar i institucioneve të derisotshme afgane. E njëjta rregull vlenë edhe në Kosovë: edhe këtu aleati më i madh i Serbisë është mentaliteti i korrupsionit, i zhvatjes dhe i fiseve në institucionet e shtetit të Kosovës.

Amerikanët të mbrojnë nga agresioni i jashtëm, por kur t'i zgjedh të bësh vetëvrasje me duart e tua as Amerika dhe askush tjetër nuk mund të të shpëtojnë nga vetja.

Në foto: talebanë në zyrën e ish presidentit afgan

_________

Siç dihet hekurudha e parë në Kosovë u ndërtua në vitin 1874. Ajo lidhte Shkupin me Mitrovicën dhe ishte vazhdimësi e linjës hekurudhore Shkup-Selanik. Në fillimet e punimeve konsulli austro-hungarez në Shkup raportonte në Vjenë se në afërsi të Prishtinës kishin ndodhur trazira. Popullata e qytetit, bashkë me të parët e tij dhe klerin, po kërkonin që hekurudha të mos kalonte afër qytetit, sepse, sipas tyre, ajo ishte punë e shejtanit, me vetë faktin se pampuri ecte vetë, pa e tërhequr kuajt dhe lëshonte një za si të qoftëlargut.

Kështu projektuesit u detyruan ta zhvendosnin trasenë e hekurudhës larg qytetit, aty ku është edhe sot në Fushë Kosovë.

Ky rast flet shumë për injorancën totale në të cilën ishte e zhytur Kosova në fund të shekullit të XIX.

_________

Afganët, të cilët Edi Rama, me kërkesë të amerikanëve, ka vendosur t'i strehojë në Shqipëri, janë armiq të talebanëve. Ata janë pjesa më e emancipuar e popullit afgan, që për 20 vjet me rradhë u përpoqën, bashkë me amerikanët, për ta rikthyer atdheun e tyre në botën e lirë dhe moderne. Fatkeqësisht nuk ia dolën dhe tani janë të detyruar të bëjnë jetën e apatridëve, njerëzve atdhehumbur.

Duke u dhënë strehim atyre, Shqipëria po e dëshmon edhe njëherë se qëndron e lidhur fort me aleancën kundër terrorizmit dhe ideologjive që e ushqejnë atë. Në këtë rast Kosova do duhej pamëdyshje të ndiqte shembullin e Shqipërisë.

Një nga amanetet e lashta të të parëve tanë ka qenë: Me marrë n'besë të pambrojturin që të troket në derë. Një amanet ky që e definon vetë kodin e humanizmit.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora